back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Guljelm Deda – intelektual i shquem shkodran… Lek Pervizi

Gazeta

Profesor Guljelm Deda Padova 1937
Profesor Guljelm Deda – Padova 1937

Guljelm Deda – intelektual i shquem shkodran…

nga Lek Pervizi

Kush e kishte mendue se do te vinte dita që unë të shkrueja për Lemin, ndërsa kishte njerëz të tjerë të atij niveli, bashkëvuejtës dhe kolegë, që mund të paraqitnin figurën e tij, si njeri, si intelektual, si shkrimtar, si përkthyes, si profesor dhe si i burgosun dhe i internuem me dënim të përjetshëm?
Unë mund të quhem një nxanës i tij… M’u dha rasti ta njoh e të bashkëjetoj me të, ndër kampe të ndryshme, në një moshë fare të re, ku diktatura na kishte pllakosë, pa asnji shpresë shpëtimi!
Në fakt isha i parapërgatitun për ta njoftë, sepse për të më kishte folë im vllai im Valentini, që kishte kalue me të dy vjet në burgun e Shkodrës. Lemi me shokë ishte dënue në një seancë gjyqsore, ku kishte spikatë egërsia shtazarake e prokurorit famëkeq Aranit Çela. Pretenca u kishte kallë tmerrin, saqë prisnin një vendim për pushkatim, gjashtë veta si zakonisht, ndër ta Guljelm Deda, mësuesi kosovar Zef Agimi, Mark Temali, Nush Doda dhe dy të tjerë. Për çudi të të gjithëve shpëtuen me dënime të lehta në dukje, por që zgjatën ma pas nji jetë të tanë. Ishte e vetmja seancë që nuk pati dënime me vdekje, e krejt atyne seancave që kishin çue në pushkatim me qindra intelektualë e patriotë shkodranë.
Aranit Çela, xhelat i vërtetë, merrte pjesë personalisht dhe me dorën e vet firmoste ekzekutimet!
Koha kalonte, Lemi i bani pesë vjet burg në kampe pune, prej ku doli gjallë kot, punë fati! Kur ja, “Dora e partise” e kap prap me kthetrat e saj dhe e degdis në kampin e Shtyllasit, bashkë me shumë shkodranë dhe të tjerë bashkatdhetare, të fajshëm pse lëshonin hije mbi dhe! Pjesa ma e madhe intelektualë të naltë: ish ministra, drejtorë, oficera madhorë, personalitete, profesorë, filozofë, klerikë të shquem, shkrimtarë piktorë, muzikantë, inxhinjera, juristë, agronomë, studentë, tregtarë etjerë… me disa doktorata e me disa gjuhë të hueja në zotnim. Mes tyne dhe bijtë e të arratisunve të randësishem. Unë dhe Valentini u përfshimë në kët valë, dhe përfunduem po atje, sëbashku me bijë të tjerë baballarësh. Kështu unë e njoha Lemin dhe menjëherë u miqësuem, pavarësisht nga diferenca e moshës. Na afroi ajo dritë e jetëdhënse e pishtarit të zjarrtë të Prometeut, heroi i pavdekshëm i gjithë atyne që vuejnë të mbërthyem në prangat e tiranisë njerzore, që mishërimin ma të kobshëm e kishte në diktaturën komuniste, që po bante kërdinë mbi popullin shqiptar, që po shfaroste shtresën ma të ngritun intelektuale dhe patriote të atdheut e Kombit! Nji përfaqsues i denjë i kësaj shtrese elite, ishte patjetër dhe Guljelm Deda.
Katër vjet i kaluem së bashku në kampin e Kuçit, hiç si sasi numërore, por që nuk kalonin kurrsesi. Atje, në të njejtën dhomë, të mbërthyem jetuem nand vetë. Lemi kishte qoshen lindoren, mandej me radhe, Valentini, Fatbardh Kupi, unë bri derës. Përballë nesh, në qoshjen perëndimore, Nikoll Paluca, Pjetër Bardheci, Zef Shiroka, Tomorr Dine, Ibrahim Sokoli dhe Thabit Rusi. Dhoma jonë u ba qendra e krejt Kampit të Kuçit, e cila mbushej gjatë ditës e deri në mbramje plot e përplot me njerëz, me tym duhani, me biseda e fjalime, me diseratcione e referate, me lexime e recitime, me kangë e tinguj muzikorë, me britma e vikama. Komanda na kishte lanë të lirë të bridhnim nëpër dhoma, po për çudi të gjithë grumbulloheshin vetëm në dhomën tonë, që mori namin e një auditori akademik. Kur fillonin debatet, ato zhvilloheshin me zà të naltë e me pasion të zjarrtë, me na e pasë zili edhe oratorët e mëdhej: Demostenët dhe Ciceronët e lashtësisë…
Ali Erebara, na lexonte çdo natë një libër me histori mbretnish, që e kishte përkthye nga kroatishtja, (zotnonte 12 gjuhë!). Lemi e ngriti çeshtjen në nivel Akademie, me 50 e sa intelektualë që ishin mbledhun aty me kokrra. Familjet që vinin në takim na kishin sjellë libra të zgjedhun. E gjithë letërsia frënge e angleze u shfletue ma se njihere, me kontorno nga kultura italiane dhe gjermane. Të rinjtë mësonin sa u dilnin trutë: frëngjishten, anglishten, gjermanishten, italishten dhe doli Myqerem Bej Janina për mësimin e turqishtes. Ishin të tjerë që zotnonin gjuhët europiane, si gjermanishten, anglishten, frëngjishten, italishten, gjuhët sllave, rumanishten, greqishten, etj. etj. Emnat e tyne e tregojnë: Mikel Koliqi, Ali Ererbara, Mit’hat Araniti, Lazër Radi, Ali Cungu, Sandër Saraçi, Zef Shiroka, Ibrahim Sokoli, Mark Temali, Baldasar e Zef Benusi, Nedim Kokona, etj. etj. Hajde dhe thuej mandej se Kuçi nuk u shëndrrue nga burg në universitet apo Akademi!!
Ç’të qeshuna!!! Dikush propozoi të baheshin edhe dipllomat. Fajin e pata unë që s’i vuna randësi dhe nuk i vizatova… Do të kishte qenë nji pune e pashoqe!!!
Dhe ja, nji ditë na i vjen Lemit një libër. Ia solli vëllai Pashko. Ishte poemi epik “Orlando Furioso” i Ludovik Ariostos, 40 mijë vargje në dymijë oktava me rimë, një kryevepër e letërsisë italiane dhe asaj botnore. Duhej përkthye, sepse askush s’e kishte marrë përsipër kët barrë të randë.

Studiuesi Lek Pervizi
Studiuesi Lek Pervizi

Pashko Gjeçi, Henrik Lacaj dhe Mark Dema, ia kishin rekomandue Lemit. Aty, në at qoshen gjysmë të errët, mbi një fletore kalamajsh, filluen të radhiten shqip të parat vargje të poezisë klasike të Ariostos, oktavat e së cilës ishin përcaktue “të arta”, për bukurinë e përsosmëninë e tyne. Lemi ynë, po i radhiste po aq bukur dhe po aq përsosmënisht në gjuhën e Gjergj Fishtës… Qysh në fillim u pa se vepra që ai kishte nisë, pa asnji perspektivë fitimi, ishte vetëm si një përkushtim dhe një mundësi e vumies në lëvizje të trunit dhe të aftësive që diktatura donte të shuente. Sa të luente domino, apo spathi e “bridge”, shah o cicmic etjera, ai ma mirë mori me e lexue dhe  me i radhitë njato vargje njimbdhjetërrokshe me rimë.
Krijimtaria e Lemit, sikur e shumë të tjerëve, ishte bllokue qysh prej nantorit 1944.
 Një poemë historike “Vegim” që ai kishte nisë në burgun e Shkodrës, nën vrullin e një frymëzimi të papërmbajtun, mbeti e gjymtueme vetëm në pesë tingëllime, gjithsejt 60 vargje njimbëdhjetërrokshe. Biles tre vargjet e fundit, u pritën me durim të stërmadh, plot 46 vjet që të radhiteshin përfundimisht, prej një dore që tashma dridhej…
Torturat dhe mundimet e jetës e kishin sfilitun at trup të gjallë e të lidhun! Diktatura kënaqej, kur merrte vesh të tilla gjana. Por le të rikthehemi atje maje Kuçit, ku ndizej flaka e dijes. Ishim në vendin e shqopës dhe unë vendosa me u provue në gdhendjen e nji çibuku, “Prometeun e Lidhun”, at hero që na frymzonte, e në të cilin e ndjenim veten të mishëruem. Kisha pasë sajue nji thikë me nji copë helmete gjermane, qysh në kampin e Tepelenës. Çelik i përsosun… dhe me atë iu vuna punës… Në fakt kisha gdhendë për qejf të duhanxhive miq të mi, çibukë me koka luajsh, pleqsh, satirësh, delfinësh etjerë, kështu arrita me gdhendë Prometheun e lidhun me zinxhirë mbas shkambit, prej ku dilte tymi i duhanit si prej nji vullkani, ndërsa shqipja ia kishte ngulë kthetrat dhe ia sqeptonte mëlçinë… Ia dhurova Lemit. Gdhenda edhe të tjerë për shokët ma të ngushtë të vuejtjeve. Lemi u frymëzue dhe i thuri nji poezi çibukut – Promete. Por nuk mbeti me kaq. Ndërkohë kisha gdhendë edhe nji skulpturë të vogël, po në dru shqope, nji luftim trup me trup të nji “dragoni ose kreshniku” me nji përbindsh “kulçedër”, që lidhej me legjendat popullore dhe njikohsisht me gjendjen tonë, me at qëndresë të papërmbajtun kundër diktaturës përbindshe të komunizmit, që mishërohej te ajo kulçedër gllabruese. Edhe kesaj “vepre arti”, Lemi nuk ndejti pa i thurë disa vargje, që për fat kanë shpëtue falë kujtesës time. Kjo poezi u shkrue në kampin e Gradishtës, 1958-1959.
Italishten unë e zotnoja mirë, sepse e kisha lëvrue në nivele letrare, kurse për shqipen isha i prirun me i kapërcye rregullat e ngurta të thekseve, që i queja të kota, sepse e detyronin lexuesin me nxjerrë tinguj të randë hundorë e fytorë. Në veçanti për gegnishten letrare. Për këto probleme gjuhësore ishin krijue debatenë Kamp, dhe unë kisha mbrojtë tezen time, që Lemi ma kishte perkrahë. Kjo ide nuk më kishte ardhë ashtu kot. Kisha pasë rast  të ndigjoja mendimet e disa profesorëve të letërsisë e gjuhës shqipe, si Pashko Gjeçi, Henrik Lacaj, Mark Dema, Viktor Volaj… Isha i pari ai të cilit Lemi ia besoj leximin e përkthimit, dhe vrejtjet e mija i pëlqyen… Përkthimi i dy kangëve të para ishte i nivelit të naltë letrar. Por atje maje Kuçit, Lemi e pezulloi punën përkohsisht, sepse u pa se do të na hiqnin prej andej për në fermën e Lushnjes, ku ishte krijue një sektor i ri, kampi i internimit të Gradishtës, midis kënetës, ku kishin çue ma parë familjet tona.
Ky përshkrim mund të quhet i panevojshëm për nji parathanie, ndërsa mue më duket i domosdoshëm, për me hy në mbrendinë e asaj miqsie që u lind dhe u forcue në kushte aq te vështira dënimi, por nga ana tjetër dhe nga nji përputhje mendore e shpirtnore përsa i përket kulturës, artit dhe letërsisë.

Baraka sot... ku dikur përkthehej "Orlando i çmendun"
Baraka sot… ku dikur përkthehej “Orlando i çmendun”

Vllai im Valentini, 10 vjet para meje, e pothuej moshatar me Lemin, kishte nji miqsi të ngushtë me të, por për çeshtjet letrare e artistike unë isha ma i afruem dhe ma në mirëkuptim me të. Mbas kaq vjetesh, kur Lemi doli në Itali, krejt veprat e tij m’i besoi mue, e prandaj unë vendosa me e paraqitë para lexuesve shqiptarë, ndonse kaq thjesht, por me nji mbrendi shumë të thellë. Kjo mbrendi pra, del pikërisht prej atyne letrave, prej atyne rreshtave të radhituna me nji dorë që dridhej e nuk i bindej, sa që detyrohej me ia diktue grues së tij besnike e të vendosun, Marie Muzhanit, e bija e profesorit të mirënjoftun shkodran, Luigj Muzhani…
Këto letra të pakta, janë testamenti i fundit shkrimor i Guljelm Dedës, dhe njikohsisht nji pasqyrë e mendimit dhe e shpirtit të tij të trazuem, nga pamundësia për të shprehë dellin e vet krijues në vepra të denja letrare, me nivel të naltë artistik. Prandaj, midis letrave kam radhitë disa nga krijimet e tij poetike se dhe komentin e bukur kushtue xhevahirit të poezisë epike popullore, kangës kreshnike të “Gjergj Elez Alisë, e në mbyllje, parathanien për studimin mbi gjuhën e Bogdanit në veprën “Cuneus Prophetarum” – Çeta e Profeteve, e perkthyeme prej meje shqip, nga teksti italisht që Lemi kishte hartue për të mbrojte Laurën e Doktoraturës për Letërsi – Filozofi.
Për me plotsue edhe ma mirë kët përmbledhje të krijimtarisë dhe të përkthimeve, do të paraqes edhe disa përkthime që ai mjeshtrisht kreu nga gjuha shqipe në atë italiane, si dhe disa pjesë nga përkthimet në gjuhën shqipe.
E pashë të arsyeshme, sepse përmes tyne, del në pah figura e ngritun e tij si njeri i kulturës, si shkrimtar, si poet i mirëfilltë po edhe si gjuhtar.
Shkodra ka me se mburret.
Ajo ka nxjerrë vazhdimisht, në të gjitha kohnat bij të denjë për ta përfaqësue e naltsue, qoftë heroj e burra shteti, po ashtu njerëz të dijes e të kulturës, njerëz të vendosun e të mbrujtun me shqiptarizëm të kulluet. Qysh nga Buzuku, Budi, Bogdani, Bardhi, Barleti e deri te Fishta, Mjeda, Gurakuqi, Koliqi, Camaj, Migjeni, etjerë, të afirmuem historikisht, edhe te ata që mbetën akoma heroj e dijetarë të heshtun, sepse u pllakosën në varrin e përbindshëm që diktatura e egër e barbare komuniste e kishte grrye me tytat e armëve vrasëse, e cila zbatoi politikën e huej e anmike të sllavizmit, për me zhdukë shqiptarizmin, që e merrte frymzimin dhe forcën pikërisht nga shtresat intelektuale patriotike.
Prandej në Shkodër, u ba kërdia! Zalli i kobshëm i Kirit u mbush me gjak e me varre. Me gropa të përbashkta që edhe sot e kësaj dite nuk u po gjenden eshtnat e viktimave të pafajme. Shkodra vetë u mbush me burgje. Gjyqet Speciale, nën drejtimin e Josif Pashkove, Aranit Çelave, e me urdhën të “Partisë”, i çuen bijt ma të zgjedhun të Shkodrës para skuadrave të pushkatimit e në burgje e kampe shfarosje e internimi, për gjatë nji gjysmë shekulli!
Kështu mbaruen talente e burra të rrallë, që posa kishin fillue të afirmohen, si Ndre Zadeja, Vinçenc Prenushi, Gjon Shllaku, të cilët u eliminuen ma lehtë se sa me këputë nji fije bari. Fatin e tyne ndoshta mund ta pësonte edhe Guljelm Deda me shokë, por nuk ishte shkrue ashtu. Ata i priste nji rruge e gjatë mundimesh, nji Kalvar i papërshkrueshëm vuejtjesh, për t’u asgjesue shpirtnisht, moralisht dhe mendërisht. Por ja që Ata mbijetuen dhe munden me lanë gjurmën e tyne të pashlyeshme, në historinë e kulturës shqiptare. Sepse ishin po ata bij të Shkodrës që i dolën për zot naltësimit të kulturës shqiptare, tue e pasunue me përkthimet e kryeveprave të letërsisë botnore. E kjo ishte nji meritë, nji meritë që kërkonte talente letrare dhe kompetenca gjuhsore. Emnat e Pashko Gjeçit, Henrik Lacajt, Gjon Shllakut, Guljelm Dedës, Mark Demes, Injaz Zamputit, etj., janë të shkruem me gërma të arta në librin e nderit të qytetit të Shkodrës. Sepse emnat e tyne lidhen me emnat e kolosëve të kulturës botnore, si Homeri, Virgjili, Lukreci, Horaci, Ovidi, Dante, Ariosto, Tasso, etj., të cilët ata i përkthyen me përkushtim dhe ia dhanë lexuesve shqiptarë.
Në sektorin Plug të Lushnjes, filloi puna e vërtetë e përkthimit, ku erdhi me u takue me Lemin profesor Mark Dema, i cili i solli nji botim të mirë të “Orlando Furioso” me mendime, udhëzime dhe kurajo. Mark Dema e vlersonte Lemin së tepërmi, duke e inkurajue të vazhdonte me ngulm atë përkthim që u duk qysh në fillim i nivelit të lartë letrar.

Kampi i Çermes - 1958 Në krye Lazër Radi, X, Mit'hat Araniti, Mojsi Miraka, X, X, Guljelm Deda, Tomorr Dine, Sulejman Hoxha, Jozef Radi, Ali Dema, Valentin Pervizi, Fatbardh Kupi, Dedë Markagjoni, Vitore Radi, Bajazit Kaloshi dhe Abdurrahman Kaloshi
Kampi i Çermes – 1958 Në krye Lazër Radi, X, Mit’hat Araniti, Mojsi Miraka, X, X, Guljelm Deda, Tomorr Dine, Sulejman Hoxha, Jozef Radi, Ali Dema, Valentin Pervizi, Fatbardh Kupi, Dedë Markagjoni, Vitore Radi, Bajazit Kaloshi dhe Abdurrahman Kaloshi

Lemi punonte në një brigatë ndërtimi, me të internuem. Shokët e punës ia lehtësonin lodhjen Lemit, duke mos e lejue në punë të randa. Në këtë mënyrë ai kishte kohë dhe forcë me e “luejtë lapsin” mbi rimat dhe vargjet e Ariostos. Në 1962, Lemi u martue me Marie Muzhanin, e bija e Prof. Luigj Muzhanit. Me kët rast Dega e Mbrendshme e transferoi në Savër, ku i caktuen nji dhomë, në barakat e të internuemve. Familja e Maries i doli për zot dhe Lemi iu vu përkthimit ma me ngulm. Në kët kohë u ba nji lirim, me 1964, dhe Lemi përfitoi. Çeshtja e përkthimit kishte arritë deri në sferat e nalta shtetnore, kryesisht te Ministria e Mbrendshme. Kishte dalë nji udhëzim për përkthimin e  gjithë kryeveprave të letërsisë botnore, që e pat nismën me përkthimn e “Komedisë Hyjnore” te Dantes nga Pashko Gjeçi. Por politika e diktaturës po merrte nji kthesë ma të zezë e të kobshme për vendin. Lidhja me Kinën, solli nji katastrofë tjetër në Shqipni, që me famekeqin “revolucion kulturor” iu nënshtrue nji radhë masash represive dhe ashpërsimi të “luftës së klasave” që përfshiu dhe kulturën. Veprat e kulturës europiane u ndaluen, si borgjeze, fetare, imperialiste etjera mbiemra denigrues. “Orlandi i çmendun” tashma i përkthyem krejtësisht, mbeti në sirtaret e shtëpisë së Muzhanëve, ku Lemi banonte. Por syni vigjilent i “nanës parti” e zbuloi përsëri Lemin dhe e syrgjynosi në nji kooperativë të humbun të Myzeqesë, në fshatin Ndërnenas, ku qëndroi 24 vjet, tue shkrue vargje në parcelat e misrit e të pambukut, me kazmë e lopatë ndër duer! Ja kështu i vlersonte regjimi komunist njerzit e dijes dhe kulturës! Edhe kësaj mynxyre Lemi arriti me i mbijetue.
Kur e takova mbas 20 vjetëve në Tiranë, në verën e vitit 1989, dallova pasojat e randa të nji jete të tanë vuejtjesh e torturash të çdolloji, që ia kishin damtue shëndetin, sa i dridheshin ato duer te krijueme me shkrue poezi dhe vepra të tjera shkrimore, kurse tash ai s’mund t’i zotnonte ma e t’i bindeshin fillit të mendimit e të frymëzimit që kurrë s’i kishin mungue dhe as i mungonin. Po i mungonte fuqia trupore! Ky kishte qenë edhe qëllimi djallzor i regjimit totalitar të diktaturës komuniste: Asgjesimi i vlerave dhe njerëzve që përfaqesonin kulturën e vërtetë kombtare! Jo rastësisht, eshtnat e Poetit Kombtar Gjergj Fishtës, të Ndre Zadejës, të Gjon Shllakut, etj., u hoqën prej varreve dhe u hodhën në lume apo liqen. Veprat e tyne u ndaluen rreptësisht. Po diku atje ndër bjeshkët e nalta, ushtonin e jehonin kangët homerike të “Lahutës së Malcis”, që populli i kishte skalitë në mendjen e në kujtesën e tij, për mos me u harrue kurrë. Pra Lemi me shokë, ishin të destinuem të shkriheshn e të sfiliteshin deri në qelizën e fundit të përbamjes trupore e mendore, për mos me i lejue ata krijonin vepra të tilla të pavdekshme!

Fatet e popujve të robnuem nën komunizëm, befasisht ndryshuen. Muri i Turpit dhe i Ndamjes së Botës në dy kampe të kundërta u shemb, e me të u shembën edhe diktaturat bolshevike staliniane të Europës Lindore. Edhe në Shqipni po ndodhte ajo shembje, ndonëse në përmasa të dyshimta. Lemi, në rastin ma të parë mundi me kalue at det Adriatik që e ndau nga Europa për nji gjysmë shekulli, për me kërkue shpëtim dhe shërim në botën e qytenimit perëndimor, pikërisht në at Itali, ku ai kishte mbarue studimet e ku kultura kishte qenë gjithmonë në plan të parë.

Profesor Guljelm Deda 1993
Profesor Guljelm Deda 1993

Pritja në Itali, qe tronditse deri edhe mohuese!
Askush s’e çau kokën për vuejtjet e këtyne herojve dhe martirëve të shekullit XX, që i kishin qëndrue të pamposhtun tiranisë ma gjakatare gjysmë shekullore. Mezi i dhanë statusin e refugjatit dhe lejen e qendrimit, pa asnji ndihmë tjetër. Falë disa qendrave fetare, murgesha e priftna, që Lemi dhe Maria munden me gjetë ndihmë e strehim të përkohshëm në Trieste, e mandej të përhershëm në Perugia. Në letërkëmbimin e tij spikat ky qëndrim apatik e mospërfillës, ndaj nji njeriu, që nëse vuejti, vuejti për parimet ma të nalta të shoqnisë njerzore, për idealet e mëdha të lirisë e demokracisë. Lemi me shokë pësoi mohimin e shkeljen e gjithë të drejtave, qoftë atyne ma elementare te njeriut, në emën të shprehjes abstrakte “Njeriu kapitali ma i çmuem…!” që Lenini e Stalini patën krijue në letër dhe që e zbatuen ata vetë dhe pasuesit e tyne në praktikë, tue e kthye kët njeri në nji vegël pune, dhe si e tillë mund të bante pjesë në kapitalin e “çmuem!!” të ideollogjisë së tyne.
Edhe Lemi ynë, ishte pjesë e këtij kapitali të “çmuem”. Për diktaturën i “çmuem” si skllav; për shoqnine i “çmuem” si intelektual; për botën perendimore i “çmuem” si refugjat, kallp; për kulturën i “çmuem” si talent; për Kombin i “çmuem” si hero e martir i gjallë; për historinë i “çmuem” si viktimë, ndër mija e mija viktima. Por Guljelm Deda nuk ishte nji viktimë dosido, prandaj ne i japin vendin që meriton, në radhë e elitës së kulturës njerzore e kulturore të kombit shqiptar.
Njeriu dhe intelektuali te Guljelm Deda, janë nji përbamje e dyfishtë që s’mund të ndahen nga njeni tjetri, ndonse me pika dalluese të kundërta. Ata që kanë njoftë Lemin, si para burgjeve, edhe gjate tyne, edhe mbas daljes në liri, arrijnë në kët përfundim. Nji Lem energjik dhe plot jetë, nji trup i forte dhe nji burrë fjalëpakët. Kur shoqnia e kërkonte, ai shfaqej nji Lem i papërmbajtun, i qeshun dhe plot humor, edhe në kushtet ma të vështira të jetës. Gazi i tij homerik, ngjallte entuziazëm dhe përfshinte të gjithë ata që i rrinin përreth. Po kur e kërkonte puna, ai dinte me fjalë të zgjedhuna e të rafinueme, me qendisë fjalime e referate si ma i miri orator i auditoreve akademike. Jepte me kompetencë gjykime mbi problemet letrare-artistike, gjuhsore, filozofike, etj. Nëse nuk ishte praktik për punët e krahut e të fushës, ku s’ia thoshte fare, për punët mendjes nuk i ishte falë askujt!
Gjithë sa kam radhitë deri tash, dalin vetvetiu nga leximi i kujdesshëm i këtyne pak letrave e pak shkrimeve që ai na ka lanë. Tue mos harrue se këto të pakta shkrime, janë të karakterit krejtsisht personal, si letra miqve e shokëve apo familjarëve ose ndonji personaliteti të kulturës. Letra që përmbajnë shumë të dhana të shprehuna në pak rreshta, por me kuptime të thella. Të mos harrojmë, siç e kemi thanë, se Guljelm Deda na ka lanë një vepër madhore, përkthimin e përsosun të kryeveprës së letërsisë italiane dhe botnore, “Orlando i Çmendun” të Ludovik Ariostos. Përkthim i shkallës ma të naltë nga ana letrare, gjuhsore dhe poetike, me ia pasë zili vetë autori famëmadh. As gjermanët s’kanë mbrritë me e përkthye, lene ma popujt e tjerë, si rusë, polakë, rumunë, etj. Vende të tjera e kanë përkthye në prozë. Përkthimi i këtij poemi kërkon të jeshë vetë poet e zotnues i gjuhës amë dhe i gjuhës së autorit. Këto veti e cilësi Lemi i kishte të gjitha, shto këtu edhe dëshirën për me shkrue e me krijue që ai vetë s’mundi te realizonte, se ia shkurtonin duert dhe kokën. Prandej, përkthimi i tij, duhet konsiderue dhe si një vepër, mbi të cilën ai punoi sikur t’ishte vetë shkrimtari krijues i saj… pse kaq hapësinë shprehje i kishte dhanë diktatura, mbasi ia kish mbyllë e ndalue çdo shprehje tjetër të pavarun. Në kët  kontekst, puna e tij duhet konsiderue në kandvështrimin letrar e gjuhsor dhe sa i shërbejnë ato letërsisë dhe gjuhësisë shqiptare. Asht krejt e kuptueshme se kjo vepër e tij ka me ushtrue ndikim, në veçanti në trajtimin e gegnishtes letrare, ku asht mjeshtër dhe kompetent. Mjeshtër përsa i përket anës artistike të trajtimit të tekstit poetik italian të dhanun shqip, nëëermjet shprehjeve, lokucioneve, krahasimeve, aforizmave, etj. Në gjetjen e rimës, që e ban Arioston një nga poetët ma të zorshëm për me u perkthye, sepse oktava e tij përbahet nga gjashtë vargje me rimë të alternueme dhe dy vargjet e fundit me rimë të puthitun, sipas skemës, AB, AB, AB, CC. Të mos harrojmë se vargu njimbëdhjetërroksh, varg klasik, asht nga ma të vështirët për t’u trajtue. Te Guljelm Deda, këto vështirsi nuk kanë ndikue aspak, sepse ai ishte i pasun në fjalor dhe stërhollime gjuhsore të shqipes, si dhe mjeshtër në përdorimin e trajtimin e metrikës, psë vetë qe poet i mirfilltë. Puna lavdiplote e Lemit, si dhe e kolegve të tij përkthyes që kemi përmendë ma nalt, e ngrejnë gjuhën shqipe në nivelet e gjuhve ma ta afta dhe ma të pasuna përsa i përket përkthimit dhe interpretimit të gjuhëve të tjera europiane apo të viseve të tjera, si rrjedhim nji gjuhë e plotë dhe tejet e përpunueme. Para kësaj shfaqje të përmasave letrare të nalta, ku gjuha shqipe ka tregue të tilla cilësi dhe aftësi adaptimi deri në tejkalim të mundsive të kufizueme prej botkuptimeve negative që bota ka pasë e ka ushqye ndaj kulturës shqiptare… Sot kjo kulturë ngrihet si monument i ndritshëm e madhështor, jo pse i dhamë botës kryeveprat tona të mbetuna të pa përkthyeme në gjuhë te hueja, por pse dijtëm dhe qemë të zotët të përvetsojmë kryveprat botnore në gjuhën tonë shqipe, si nji proces i natyrshëm i kësaj gjuhe, që kryveprat i ruen si kryevepra, dhe jo si trajtime formale dhe artificiale, pa shpirt, pa ndjenja artistike dhe pa frymezim, sa për dijeni të lexuesit, siç ka ndodhun në disa raste…
Në mbyllje të kësaj parathanje, mjaft të gjatë, mundem me thanë, se Guljelm Deda, mbetet, si me ato pak vjersha që ka lanë, ashtu edhe me disa shkrime studimore, por sidomos me përkthimin e tij madhor “Orlandi i çmendun”, nji njeri me veti të ralla, që ndonse dhuna, terrori dhe dënimet deshtën me e shkatërrue me e asgjesue, Ai pati at kurajo dhe at fuqi shpirtnore e mendore, në shembull te Prometeut, me mbijetue tue u përballë me stuhinë e diktaturës pa iu trembë syni. Ai ruejti dhe mbajti të ndezun ate flakë të Prometeut, për me ndriçue rrugën e vet dhe rrugën e kulturës shqiptare denjsisht dhe me krenari. Para figurash të tilla që mishrojnë njikohsisht kulturën dhe heroizmin e popullit dhe vlerat e kombit shqiptar, duhet të përulemi me respekt e nderim, sepse ata mbartin krejt at botë shpirtnore e mendore shqiptare, që i qëndroi e papërkulun shekujve dhe dijti me i qëndrue edhe viteve të trishta e të kobshme të diktaturës ma të egër që ka njoftë historia.
Guljelm Deda asht nji nga ata përfaqsues heroikë të kulturës shqiptare, nji shkodran, që lindi dhe u rrit, aty ku qëndron gjithmonë i ndezun ndër shekuj zjarri i lirisë dhe i kulturës, dhe do të qëndrojë edhe ndër shekujt e ardhshëm. Guljelm Deda, ky bir krenar i ktyne trojeve, mbetet i denjë për me qëndrue mbi Piedestalin e Nderit, përkrah shumë figurave të tjera të ndrituna të kulturës kombtare shqiptare: Nder i Shkodrës dhe Nder i Shqipnisë!

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.