back to top
7.5 C
Tirana
E diel, 17 Nëntor, 2024

Guljelm Deda: Legjenda e përkthyesit të nji Kryevepre

Gazeta

Profesor Guljelm Deda Padova 1937
Profesor Guljelm Deda – Padova 1937

Guljelm Deda: Legjenda e përkthyesit të nji Kryevepre

nga Lek Pervizi (Revista “Kuqezi”)

Profesor Guljelm Deda, lindi në Shkodër, qyteti djep i kulturës veriore shqiptare… Mbasi kreu gjimnazin franceskan, vazhdon studimet në Itali, në Universitetin e Padovës, ku diplomohet në letërsi e filozofi me vlersimin: 30 e lavde, i asistuem nga profesori i shquem italian, Taliavini. Kthehet në atdhe, dhe jep mësim për letërsi dhe gjuhë latine në gjimnazet e Shkodrës. Themelon dhe drejton revistën “Rinia Shqiptare” dhe punon në nji sektor të randsishëm pranë Ministrisë Arsimit.
Deri këtu punët i shkojnë mirë, po shumë shpejt do të merrnin nji kthesë tragjike… Me ardhjen e komunistëve në pushtet, i pushkatuen gjashtë njerëz të afërm, axhallarë e kushërij, kurse at vetë e burgosin më janar 1945. Njeh, veç burgut, edhe at punën e detyrueshme skllavnore në Kënetën e Maliqit, prej ku i shpëton vdekjes mrekullisht.
U lirue më 1951, dhe dërgohet me thye gurë me varre në nji gurore në Tarabosh. Nji ditë prej ditësh e thërret në takim shefi i Degës Brendshme, kolonel Hilmi Seiti, i cili i propozon me bashkëpunue me Sigurimin, (të bahej spiun) ku si këmbim i ofrohej të punonte si profesor dhe i lejohej të shkruente e të botonte krijimtarinë e vet letrare. I sigurohej edhe shtëpi e tjera privilegje… mjaft që ta hidhte at firmë në deklaratën e bashkëpunimit që kishte përpara…!!
Lemi iu përgjigj me përbuzje me një jo të preme! “Do të pushkatohesh ose të vdesish në burg! – i kërcënohet xhelati i Degës. Bani ç’ka të doni, ja ku m’keni, po nji deklaratë të tillë turpi s’do ta keni kurrë prej meje!!!”
Mbas këtij deklarimi, profesor Lemin do ta hypnin në nji kamion me disa bashkqytetarë të tjerë e fill e n’Shtyllas, me hapë nji kanal faraonik me të burgosun. Prej atje degdiset në Kuç të Kurveleshit të Vlonës, bashkë me njiqind të dënuem të tjerë politikë. Kuçi – nji fshat krejt komunist mbi nji shpat shkambor malesh të egra… m’dha rastin me u njoftë dhe me u miqsue me Lemin, i cili kish qenë edhe shok burgu me vëllanë tim të madh: Valentinin.
Nga njiqind të burgosun e Kuçit, gjashtëdhjetë ishin intelektualë të naltë të kohës së Mbretnisë: si ish ministra, profesorë, funksionarë të naltë, shkrimtarë, poetë, gjuhtarë poliglotë, avoketën, gjyqtarë, piktorë, inxhinierë, agronomë, gazetarë ushtarakë, ambasadorë, fetarë (Dom Mikel Koliqi – që do bahej kardinal me 1993, në moshëm 90 vjeçe, pas 45 vjet burgjesh e kampesh!) Nji ekip i vërtetë akademik, që ishte në dobi të ne të rinjve, për pasunimin e njohurive shkollore në përvetsimin e gjuhëve të hueja si italisht, frëngjisht, anglisht, gjermanisht.
Lemi, siç e thirrnim ne, zakonisht lexonte ndonji libër në qoshen e tij, në at dhomë ku dhjetë vetë rrinim bri njeni tjetrit, si sardelet në kuti, vendosë në dy rreshta. Dhe ja në një ditë të qershorit 1957, i vjen në takim, me nji leje speciale, i vëllai i tij, Paçi, me veprën e Ariostos, Orlando Furioso, dhe nji letër nga miku i tij Prof. Mark Dema, përkthyesi i Eneidës së Virgjilit nga latimishtja, ku ai e këshillonte dhe e nxiste me përkthye Orlandin… “I ndaluem siç je prej çdo krijimtari letrare, dhe në at izolim të thellë ku je, së pakut mund ta kalosh kohën me kët përkthim…!!”
Për kët punë edhe shokët e kolegët e tij, që kishin kalue burgjet, e që mendonin se vetëm Lemi ishte në gjendje me e sjellë në shqip vepren e Ariostos e nxitën. Ishte njifar lëvizje disidente, kundështuese, e heshtun dhe e nëndheshme. Kjo lëvizje qe propozue nga Prof. Pashko Gjeçi, i cili ndërkohë kishte përfundue përkthimin e “Komedisë Hyjnore” të Dantes në burgun e Burrelit, ma i tmerrshmi i regjimit. Në këtë vazhdë ishin përkthye nga intelektualët politikë të burgosun mjaft autorë të mëdhej, ku veç Dantes, edhe Tasso, Petrarka, Bokaccio, Hugo, Balzac, Stendal, Tolstoi, Turgemiev, Pushkin, Lermontov, Mann, Dickens, Show, Schiller, Gëte, Zvaig, etj.. Klasikët greko-latinë, etj. Regjimi e kishte lejue nji punë të tillë prej të burgosunve, duke qenë se pseudoletrarët e vet s’po arrinin me krye asgja për s’mbari, për injorancë gjuhsore po edhe për mediokritet kulturor dhe artistik.
Lemi dashje pa dashje u detyrue me i provue aftësitë e veta gjuhësore e poetike. Me kët rast pata nderin të kem besimin e tij, sepse ai kishte kuptue se isha mjaft i fortë në gjuhën italiane, duke pasë studiue në Itali, e që për ma tepër “për çudi” unë i kisha lexue krejt autorët e epikës kalorsiake si: Pucci, Bojardo, Tasso, dhe dy herë vetë Arioston. Lemi, më lejoi privilegjin e leximit e të kritikës së parë mbi ato përkthime në fletoret e klasave fillore (në Shqipni asokohe kishte mungesë të madhe letre shkrimi edhe për shkollat!)
Përkthimi i Lemit ishte i nivelit të naltë, dhe i shkonte pershtat cilsisë së Ariostos… Ishte i përkryem! Nji kryevepër letrare në gjuhën shqipe!
Kështu Lemi, mbasi u bind në aftësitë e veta, nji ditë, në dhomën tonë të mbushun plot me t’burgosun, mes mjegullës së tymit të cigareve, na recitoi oktavat e arta të Ariostos në shqip, duke fitue kështu admirimin dhe lëvdatat e krejt te pranishmeve n’at kazermë… Nji përkthim aq i shkëlqyeshëm, dukej i pabesueshëm… I uruem në kor që na kishte kët mundësi, po edhe e inkurajuem me e çue deri në fund at ndërmarrje të vështirë. Dhe kjo ndërmarrje do t’vazhdonte, pavarësisht pse konditat s’ishin aspak të favorshme… sepse të tjera vuejtje e pengesa po gatiteshin dhe mund të ndodhnin… siç edhe ndodhën.
Në qershorin 1958, na transferuen në Lushnje, e cila do t’bahej qendra e internimeve dhe dëbimeve në shkallë kombtare. Të internuemit e të dëbuemit u caktuen në punët ma të randa bujqësisë dhe në përmirsimit e tokave kënetore të Myzeqesë, tashma në fermen bujqësore ma të madhe të vendit, prej 13 sektorësh – kampe internimi. Të internuemit duhet të punonin nga mëngjesi deri në darkë me fitue “kashatën e gojës”!!
Lemi dhe ne të tjerët u caktuem në ndërtimet e fermës dhe u vendosëm në sektorin-kamp të Plugut, në nji lloj banese me kallamishte kënete, që na shërbente si fjetore. Flinim mbi disa krevate primitive prej druni. Lemi e kishte ndërpre përkthimin nga puna rraskapitëse dhe vetëm mbramjeve mund të pushoje pak. E kalonim kohën me diskutime dhe duke luejtë letra. Kur nji ditë, ja behu Profesor Mark Dema, me nji tjetër “Orlando Furioso”, nji botim ma i mirë, me shumë shënime e shpjegime. Mbasi e lexoi përkthimin e Lemit, mbet entuziast dhe ia mbushi mendjen me vazhdue at punë që kish nisë aq mirë. Unë dhe vëllai im Valentini, po edhe shokë të tjerë iu bashkuem idesë së profesor Markut. Lemi premtoi me besë se do të vazhdonte përkthimin dhe do ta përfundonte, edhe nëse kushtet e dënimit ishin të randa dhe me të paprituna…
Prej asaj dite Lemi, sa kthehej nga puna, përmblidhesh mbi krevatin e tij dhe mbasi përqëndrohej pak ia niste përkthimit që po ecte suksesshëm. Marku i kishte sjellë edhe nji pako me fletore e lapsa. Nji ditë ndërsa bisedonim, Lemi na u drejtue: – Flisni e bani zhurmë sa t’doni, pini cigare sa t’mundeni, përndryshe s’më ec puna e përkthimit. Kurse nji herë tjetër: – Nëqoftëse vazhdoj kështu, kam frikë se nji ditë kam me u çmendë… ma zi se Orlandi i shkretë!!

Lemi dhe Mari Savër 1964
Lemi dhe Maria –  Savër 1964

Me 1963, Lemi martohet me zonjushën Marie Muzhani, t’bijën e profesorit të tij, Luigj Muzhanit, e cila jetonte me vllaznit e saj në Tiranë. Lemi si internuem mund të martohej, po veç me nji grue kurajoze dhe të vendosun që pranonte me nda vuetjet me të. E kjo grue ishte pikërisht Marie Muzhani!
Ministria e Brendshme, u dha nji dhomë ne kapanonet e Savrës, qendër internimi. Barakat prej dërrase ishin ndërtue kastile për të internuemit. Në dhomë, çifti hynte e dilte nga dritareja e vetme nëpër nji shkallëz primitive prej druni.
Me kët rast familja e Maries, i doli për zot me e mbajtë Lemin pa punue, kështu ai mund të merrej vetëm me përkthimin.
Megjithëse banin nji jetesë skamnore, çifti ishte i vendosun që ajo nismë të çohej deri në fund. Unë shkoja herëpashere në Savër, me pa se si po shkonte puna e përkthimit. S’kisha ç’ka me thanë, asnji vrejtje, aq persosun shkonte radhitja e vargjeve të Orlandit në shqip, nji krijimtari e vërtetë e nji niveli të naltë. Fama e atij përkthimi ishte përhapë ndër njerëz… dhe qoftë të internuem apo të lirë, shfaqnin admirim dhe respekt për kët profesor të internuem, që në kushte të papërshtatshme po kryente nji punë letrare… aq të madhe e të vlefshme.
Në veçanti krejt intelektualët e internuem si Lemi, ishin përfshi nga nji ndjenjë krenarie, sepse prej radhëve të tyne po dilte nji njeri aq i shquem për kah kultura… Puna shkoi deri në nivele shtetnore… Nji kolonel i Ministrisë së Brendshme, vjen dhe e takon Lemin, duke e përgëzue për kët nismë. Oficeri kishte krye disa studime në Itali, dhe kjo sipas gjasave, mund t’i hapte nji perspektivë pak ma të mirë Lemit!!!
Mardhanjet me Bashkimin Sovjetik s’ishin shpallë të prishuna dhe vazhdonte të mbretnonte nji klimë zbutse. Në qershor 1964, bahet nji amnisti e madhe dhe mes atij gëzimit të përgjithshëm përfiton edhe Lemi, dhe transferohet menjiherë në Tiranë, pranë familjes së grues. Kishte shpresa se Lemi mund të punësohej diku si përkthyes. Por ndodh prishja me Bashkimin Sovietik, që do të shpallej me të madhe në raportin e “shokur Enver Hoxha”, në Kongresin e Pestë të Partisë së Punës dhe raporti duhej përkthye urgjentisht në gjuhët kryesore, në mënyrë tepër sekrete. Përkthyesit i mbyllin për nji javë rresht në Komitetin Qëndror. Ndër ta edhe Lemin, për versionin italisht. Përkthimi i Lemit ra menjiherë në sy për cilësinë e naltë, dhe pati mjaft fjalë të mira e përgëzime. Dukej sikur gjithçka po shkonte me vela të hapuna. Por si thonë… e keqja vjen ather kur s’e pret…!!

Baraka sot... ku dikur përkthehej "Orlando i çmendun"
Baraka sot… ku dikur përkthehej “Orlando i çmendun”

Nja dhjetë ditë ma vonë Lemin e arrestojnë… dhe pa i dhanë asnji arsye… bashkë me gruen dhe ato pak plaçka i ngarkojnë përsëri mbi nji kamion dhe i degdisin në nji fshat të humbun të Karavastasë, nga ana e Fierit. Në fshatin kooperativist Ndërnenas. Lind pyetja: pse nuk e kthyen në Savër, ku kishte miq dhe ishte ambientue?
Lemi aty ishte i detyruem me punue, po Maria, kjo grue kurajoze dhe e vendosun, mori përsipër me plotësue edhe normën e të shoqit, veç që ai t’merrej me përkthimin. Edhe kunetnit u treguen burra dhe vazhduen me e ndihmue. Në kët mënyrë, mbas 17 vjet pune ngulmuese, Profesor Guljelm Deda mbrrin me e përfundue kët kryevepër të letërsisë italiane dhe botnore “Orlandon e çmendun”. Nji ndërmarrje unike, që për nga kushtet në të cilat u krye, mund të quhet e pamundun!! Nji punë kolosale. Jo vetëm ne qëndrimin besnik ndaj stilit dhe vargëzimit në rimë të poezisë së Ariostos, por për sasinë prej 40 mijë vargjesh të shkrueme e të rishkrueme disa herë në kopje e të hedhuna me bukurshkrimin e Profesor Lemit.
Ku të gjendej letra, që s’kishte në shitje as në qarkullim. Ma se 500 fletore shkollore prej 16 faqesh dhe ma tepër, dhe 3000 fletë letre A4, që gjendeshin veç nëpër zyra, e që miqtë e dashamirët i mblodhën për të. Makinat e shkrimit ishin monopol i shtetit… dhe mjerë kujt i gjendej në shtëpi o në përdorim nji e tillë. Lemit iu desh tme punue si murg, për me radhitë në bukurshkrim ato 40.000 vargje, në katër vëllime prej 400 faqesh, nga tre oktava për faqe, që përbanin 1600 faqe të shkrueme me dorë!! I kish thanë nji miku: – Të m’kishin mbyllë në nji qel murgu, me nji krevat e nji tavolinë, diku n’nji manastir të qetë, hajde de, por përfundova në nji kasolle kallamash me baltë, me policë e spiunë nëpër kambë që bërtisnin e m’silleshin si hijena aty përreth…
Dyzetmijë vargje të shkrueme me dorë, që s’bashku me kopjet e këqia dhe korigjimet, i kalojnë 100 mijë rreshta njimbdhjetë rrokjesh, të shkruem, të korigjuem dhe të rishkruem. Sa durim e vendosmëni të hekurt pat ky njeri, sa forcë dhe sa guxim me përballue regjimin e terrorit e të diktaturës, duke tregue se, krejt ajo dhunë, torturat e dënimet, s’ia kishte dalë me shue flakën prometeike që ndizej n’thellësi të shpirtit të intelektualve shqiptarë si: Guljelm Deda dhe shokët e tij… po aq të vlefshëm e të kalitun si ai!!

Profesor Guljelm Deda 1993
Profesor Guljelm Deda – 1993

Përmbyllja

Megjithese vepra dorëshkrim u paraqit pranë Akademisë, Ministrisë së Kulturës dhe Lidhjes së Shkrimtarëve të regjimit komunist, ku s’pati asnji reagim dhe s’u ba asgja për botimin e saj!! Shembja e diktaturës, i dha Lemit mundësinë me kalue në 1990, në Itali, ku u prit shumë ftoftë nga autoritetet shtetnore. Në sajë të shoqatës Komunione e Liberazione, çifti Deda mundi me gjetë nji strehë dhe përkrahje në Perugia. Atje ai pat kënaqsinë me tregoue aftësinë e tij oratorike në gjuhën italiane para studentëve të universiteteve të vendit, që mbetën të befasuem nga ajo aftësi e përdorimit të italishtes në nivelin ma të përsosun, veç subjektit të trajtuem. Unë pata rast me u takue disa herë Lemin. Por atë e zuni edhe dridhja e duerve, dhe s’mund të shkruente ma…
Në revistën time Kuq e Zi, nisa me i botue disa kangë prej “Orlandit të çmendun” të përkthyeme prej tij, gja për të cilën ai u gëzue fort…
Herën e fundit, ai më dorëzoi shkrimet e tij bashkë me katër vëllimet e përkthimit, me shpresë se ma në fund dikush do të dilte me e ba at botim, edhe duke pa se po keqsohej dita ditës dhe shëndeti po e linte, kërkonte nji siguri. Kishte ndërhy edhe pranë disa institucioneve kulturore italiane, deri edhe te Prof. Guzzetta në Palermo, pa gjetë askund mirëkuptim dhe përkrahje për botimin e kësaj kryevepre të Ariostos. Vox clamantis in deserto!!!
Në mars 1994, Peofesor Guljelm Deda do të ndrronte jetë, në Perugia, nga asaj sëmundjes së pashërueshme që e kishte mundue kohët e fundit, pa pasë as at kënaqsinë me e pa të botuem përkthimin e jetës së tij, at sakrificë sublime të bame nëpër kalvarin burgjeve komuniste… Edhe e shoqja Maria, nji grue trime dhe krenare, ndërroi jetë më 1998… çifti nuk pati fëmijë. Unë kisha vazhdue botimin e përkthimit të Lemit deri në të shtatën kangë, në revistën time të vogël e modeste.
Mbas kaq vitesh, duke mos pa asnji orvajtje të rehabilitimit dhe vlerësimit të këtij intelektuali të shquem shkodran, siç ishte Guljelm Deda, vendosa me ndërmarrë nji nismë… Fillimisht iu drejtova Fahri Balliut, drejtor i gazetës 55 dhe i shtëpisë botuese me kët emën… Zoti Balliu u tregue i mirëkuptueshëm dhe e mori përsipër kët botim, duke caktue dhe njerëz për redaktimin e veprës. Me kët rast ai i bante nji shërbim të madh kulturës shqiptare duke nxierrë në pah nji figurë madhore të saj, të lanun në harresë për shkaqe të pajustifikueshme, po njikohësisht i jepte publikut po edhe kulturës sonë, përkthimin e nji prej kryeveprave të poezisë epiko-kalorsiake të letërsisë italiane. Kjo shkonte në nderin e zotit Balliu dhe ekipit të tij, si të gazetës dhe shtëpisë botuese që ai drejtonte prej kaq vitesh.
Nji meritë e padiskutueshme e botimeve të “55” të z. Balliu, asht nxierrja në pah e disa figurave të përndjekuna e të martirizueme nga diktatura si: Patër Zef Pllumi dhe therorimi i dy poetve të rinj, Vilson Blloshmi e Genc Leka. Kjo në nji kohë kur ish të burgosunit e të internuemit politikë po i nënshtrohen nji emargjinimi të pacipë, duke u harrue se ishin ata që u sakrifikuen, u martirizuen dhe vuejtën për lirinë e demokracinë, sa që në njifarë mënyre ferrin e tyne real ata e ngjasonin me at abstrakt të Dantes, që ishte edhe poeti i preferuem i tyne…
Italia nëpërmjet institucioneve të saja kulturore duhej t’i kushtonte ma shumë vemendje këtij rasti unik dhe specifik, ku nji intelektual i formuem në nji prej universiteteve ma prestigjoze të saj, si ai i Padovës, arrin me përkthye nji kryevepër aq të randsishme poetike në kondita të tilla që konsiderohen të pamunduna, aq dramatike e tragjike, në kontekst të nji shtypje të egër e barbare që bante kërdinë ndër të pafajshëm, mes tyne edhe intelektualë europeistë shqiptarë, kryesisht me kulturë italiane. Profesor Guljelm Deda, kishte me i meritue jo vetëm dekoratat ma të nalta të qeverisë e të presidencës shqiptare, por edhe ato të shtetit italian…!!! për at kontributin e madh në njohje prej publikut shqiptar të kryeveprave të letersisë italiane, që duhej të shënonte edhe forcimin e matejshëm të miqsisë midis dy vendeve, përmes komunikimit kulturor…

Redaktoi Jozef Radi (Revista “Kuqezi”)

Related Images:

More articles

2 KOMENTET

  1. Përveçse tronditëse, por edhe zhgënjyese për ata funksionarë të shtreës së tij (të persekutuar) që heshtën, dhe heshtin…, ndonëse kishin në dorë të bënin dhe të vepronin për shtresën intelektuale (trurin e kombit) dhe t’ua bëjnë të ditur popullit, i cili ende nuk di asgjë… Kjo është e pafalshme, sidomos nga të tutë!!!!!!!!!!!!!!!!!

  2. Megjithëse në vitet ’60, unë ishe një djalosh i ri… kam pasë fatin t’a njoh personalisht Lemin, dhe kujtoj edhe kur vinte për vizitë, në ditën e sh’Markut, siç ishte traditë në Shkodër me urue për emën..!! Në meritën e tij të padiskutueshme që përmendet në shkrimin e masipërm mund të shtoj vetëm: …nuk mund të harrohet e qeshuna e tij e pastërt, e fortë dhe me shpirt..!! Ai kët “veti” e ruejti si ne dite te mira ashtu edhe në ditë të vështira… Shqipnia i detyrohet shum këtyne martirëve… por për fat të keq deri më sot po bahet shum pak..!! Qoftë edhe për me i “elenkue” ( skedue ).. në mënyrë që brezat ta njohin elitën e intelektualve shqiptarë, që jetuen në periudha të ndryshme kohore… Personat që përmendën në kët shkrim si P.Gjeçi, M.Dema, Gj.Shllaku, G.Deda, e shum e shum të tjerë, janë ajo plejadë e pendës së artë Shqyptare që sollën në gjuhën tonë kryeveprat botnore…

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.