back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Guljem Deda – Nga vdekja në kënetën e Maliqit, te presionet e Sigurimit e deri te Kryevepra në internim – tregim-dëshmi nga Lek Pervizi

Gazeta

Profesor Guljelm Deda Padova 1937
Profesor Guljelm Deda Padova 1937
Profesor Guljem Deda lindi në Shkodër më 05.02.1915.
Studimet i kreu në Kolegjin Saverjan të etënve jezuitë në qytetin e lindjes,
ndërsa studimet e larta në Universitetin e Padovas,
në Fakultetin e Letërsisë dhe Filozofisë në vitin 1937,
me tezën “Osservazioni linguistiche sul Cuenus Prophetarum
di Pietro Bogdani”, vlerësuar me “Summa cum laude”.
Mbas studimeve kthehet në vendlindje ku jep mësim
në Gjimnazin e Shkodrës deri në vitin 1939
si profesor i gjuhës shqipe dhe i letërsisë greke dhe latine.
Në vitin 1943, themelon gazetën “Balli i Rinisë”.
Me vendosjen e sistemit komunist i pushkatohen gjashtë pjesëtarë
të familjes, ndërsa vetë arrestohet dhe burgoset në janar 1945.
Pas 6 viteve në kampin e shfarosjes në Vloçisht
të kënetës së Maliqit, lirohet në vitin 1951. Por vuajtjet e tij nuk mbarojnë këtu.
Pasi nuk pranon të bashkëpunojë me Sigurimin e Shtetit,
do të nisë një kalvar i gjatë persekutimi nga njëri kamp në tjetrin.
E dërgojnë në Shtyllas ku bashkë me të internuar të tjerë
i vënë të hapin kanalin faraonik Vjosë-Levan-Fier.
Më pas në Kuç. Ishte pikërisht aty, në vitin 1957,
kur nis të përkthejë kryeveprën e Ariostos: “Orlando Furioso”.
U lirua me 1989, dhe gjithsej ka kryer 45 vjet burgje e internime.
.
Studiuesi Lek Pervizi
Studiuesi Lek Pervizi

Guljem Deda – Nga vdekja në kënetën e Maliqit, te

presionet e Sigurimit e deri te Kryevepra në internim

tregim-dëshmi nga Lek Pervizi

kushtuar intelektualit të shquar shkodran Prof. Guljem Deda,
i cili përballoi 45 vjet burg e internim, ku në kushte të pamundura
përktheu kryeveprën e poetit italian Lodovico Ariosto,
“Orlando Furioso” (Orlandi i çmendun),
po ashtu kryevepër në gjuhën shqipe.
Tregimi vjen direkt nga rrëfimet e vetë prof. Dedës…
 
Trupi Lemit ishte katandis në një thes me kocka prej 37 kg. Njeriu që peshonte 80 kg ma përpara, i cili kur qeshte me tё madhe tundeshin muret e theheshin xhamat e dritareve, ishte aq i dobësuem sa që nuk mund të qëndronte gjatë mbi kambë të veta. Profesor i letërsisë dhe i gjuhës shqipe e latine, Guljelm Deda, ishte reduktue në një qenie skeletike, buzët e shtrëngueme, sytë e mbyllun nga qepallat e randueme: “me iu dhimb gurit e drunit..:” – Kokallë… kokallë… kocka… ja si na kanë katandisur! Thërriste Spiro Himarioti, duke lëvizun krahët si dy purteka të thata, si ato të të gjithë të burgosunve të shkretë. Të reduktuem në qenie skeletike apo figurë shkjeshë, të raskapitun nga gërmimi prej agimit deri në muzg, me vegla rudimentare, zhytyn në baltën e kanalin faraonik të Vloçishtit. Sa viktima të pafajshme që kishte gëlltitur kjo humnerë monstruoze? Në cilin rreth të ferrit i kishin do t’i kishte pllakosë Dante Alighieri? Rojet kuqaloshe, zemër zi e të pashpirt vinin për rreth si qen të tërbuem gati me kafshue e me mbjellë vdekje. Djajtë me brina tё pajisun me cfurqe ishin zëvendësue nga demonë në uniformë dhe me armё vrasёse, shumë ma të tmerrshëm dhe të kobshëm. Ferri fantastik i Dantes ishte transformue në një ferr real toksor. Lemi u ul kruspull tue u mbajtë pas lopatës. Rrezet e diellit të korrikut ia përvëlonin trupin. Ushqim diellor! Fatmirësisht mendjen e kishte esëll. “Liri, o liri, sa krime janë krye në emnin tand!” I vinin nё mendje kёto fjalё. Njerëzimi kishte ra shumë poshtë. Poeti i madh Dante, duhet të kishte lindun në kët shekull për me shkrue një Ferr tjetër të vërtetë, ku vuenin e torturoheshin qenie njerёzore krejt të pafajshme, pa qenë fajtor për asgja. Mendimet e tij u ndërprenë nga një hije që i zuni diellin. Një formë njeriu i doli përpara. Ai mezi ngriti qepallat dhe njohu figurën e Tonit. Ky po, mbahesh mirë. I frymë si një thes me pambuk. Toni kishte ndjek një kurs për infermier dhe ma vonë u gjet bashkë me të në burg. Ai ishte infermieri i kampit të Vloçishtit. Kjo e kishte shpëtue nga puna e detyrueme. Pa infermeri, pa mjek e pa ilaçe, konditat shëndetsore nuk ekzistonin fare, hiç.
Ai ishte caktue me u sigurue për vdekjen e të burgosunve ose të atyne që ishin në prag të vdekjes. Toni e kishte kuptue gjendjen pa shpresë të mikut të tij, Guljelm Dedës, që të gjithë e thirrnin Lem. I kishte thanë se do mundohej të gjendte një zgjidhje për ta shpëtue.
-Lem… Lem! E kam gjetun!
-Kë?… Danten?… i foli Lemi duke qeshun, sepse një herë i kishte thanё, ti Ton shif e mos e ndesh dhe Danten këtu, dhe pyete në cilin rreth të ferrit do të na kishte vendosë.
-Ç’Dante këndej more Lem! Kam gjet mënyrën me të shpëtue!
-Me më shpëtue…? Po unë i shpëtuem jam. Një thes me eshtna 37 kilesh! Ejani, ejani se kemi mjaft kocka, kokalle, plot një thes! Merrini mos iu hynё nё punё, njashtu kot. Lemi u mundue të qeshte si dikur por s’kishte ma forcë. Mbeti gojë hapun, sytë të ngulun mbi Tonin, shpëtimtarin e tij t’ardhshëm. Lemi shakatё i kishte tё tijat. Por aty s’i hynin nё punё, veç sa me rrejtё veten se ishte hala nё rregull me mendtë.
-Lem, leni shakatë. Asht çështje jete a vdekje. Ti duhet të ngjitesh rrëpinës së kanalit deri sipër dhe atje shtriu për tokë. A more vesh? Kur të mbarojë puna e ditës, të burgosunit do të vijnë të hjedhin ndonjë lopatë mbi ty, duke të kujtue të vdekun. Ti do të hapish një vrimë sa me marrë frymë. A more vesh? Mos lëviz fare as qepallat dhe prit aty, deri sa tё vij unё pёr kontroll me rojet. Lemi desh të qeshte si dikur por i doli një zgërdhimje e thatë. S’kishte ma forcë. Kij kujdes, rri i qetë e ruej gjakftohësinë.
Mbasi ia shpjegoi mirë planin e tij, Toni u largue.
 
Kanali i Kënetës së Maliqit ku vdiqën me dhjetra intelektualë
Kanali i Kënetës së Maliqit ku vdiqën me dhjetra intelektualë

Ishte punë serioze. Lemi i tha vetes, “N’daç me shpёtue, zbato porosinё e Tonit!” Ai ndejti do kohë pa asnjë mendim tjetër në kokë, veç se si do të ngjitesh asaj rrëpine. Po i dukej si mundimi i Sizifit, jo me rrotullue një alamet guri, por se si me u ngjit kamadoras deri atje nalt si një majmun. I dha forcё vetёs dhe nisi me u ngjitë. Ma nё fund arriti sipёr buzёs kanalit. Bani do hapa dhe u hodh për tokë, dhe kur e ndjeu zhurmën e ramjes së trupit, i erdh në mendje vargu i famshëm i Dantes: “E caddi, come corpo morto cade!” (E u rrzova si trup i vdekun rrzohet!). Tashti ti ke vdekun! S’mundesh të luejsh as dorë, as kambë, as gojë. Kështu i kishte thanë Toni. Ai e dinte. Si i kishte ra ndërmend kjo stratagjemë? Lemi ndejti ashtu i shtrimë në pritje, pa mendue për asgja. Pa ndjenja, si një grumbull gurësh. Qepallat e lodhuna ia kishin mbyll sytё. E zuni një dëshirë e madh për gjumë. Mos vallë po i vinte vërtet vdekja? Vetvetiu i erdhi në mendje një lutje latinisht që ai shushuriti ndër buzët e tij të përthame: “Pater Noster qui es in coelis… Ai ishte besimtar. Iu duk se dora mbrojtëse e Zotit po shtrihej mbi të. Humbi ndjenjat. Dielli po ulej tej horizontit të përflakun. Drita e kuqërremtë e rrezeve të lodhuna mbulonin natyrën me një ngjyrë tё kuqёrremtё. Të burgosunit e kishin mbarue punën ditore. Ato po i ngjiteshin faqeve të kanalit, të lodhun, duke mbajtë veglat e punës. Një hordhi e çuditshme. Të leckosun, krejt baltë e djersë, ma të zes se të zijtë. A thue njerëz të egër t’ardhun prej nji bote tjetër. Rojet vinin vërdallë kërcënues, tue bërtitë e çjerrë si të çmendun, me armët drejtue mbi të burgosunit. Sa të pafajshëm kishin ra nën plumbat e tyne! Befasisht Lemi ndjeu një peshë mbi trupin e tij. Ishin lopatat e dheut që hidhnin të burgosunit. Pushoftë në paqë! Requiescat in pace! I shkreti Lem! E mëshironin shokët e vuejtjeve në kalim e sipër duke kalue pranë tij. Ai e mbajti frymëmarrjen derisa të burgosunit u larguen. Hapi dheun për me marrë frymë. Duhma e fortë e dheut i erdhi në hundë. Ishte lufta për ekzistencë. Me mbijetue, duhej forcë karakteri dhe një forcë inercie që të shtyn përpara. Lojë e fatit apo vullnet i Perëndisë? Pse mos me i dhanë fund qysh tash gjithkasё? Pse me jetue? Filli i këtyne mendimeve iu ndërpre sepse ai ndigjoj disa hapa të shoqnuem me zane. Ishin rojet që vinin për me kontrollue se a ka vdekë kush. Nuk kalonte ditë që të mos vdiste ndonjë i burgosun prej stërmundimesh. Kur ai e ndiente veten se i erdhi fundi, ngjitej nalt ku shtrihej i vdekun. Në mbarim të punës, shokët ia mbulonin trupin me dhè. Kjo skene makabre ishte ba e zakonshme. Pastaj vinte radha e Tonit me vërtetue vdekjen. Lemi dëgjoi disa zana. Toni që ishte kërrus mbi të, foli:

-Po ky qenka ende i gjallë!
-Kush asht. Mos e njeh ti?
-Jo, aspak. Po shikoni, qenka krejt kockë e lekurë.
-Mbylle gojën! Atë e dijmë ne. Ti shko e thirr dikë e na thuej kush asht! Toni, thirri dy të rij shkodranë, të cilëve u tregoi për Lemin. Ata shkuen menjeherë dhe e morën profesorin dhe e çuen te çadra e infermerisë, që të burgosunin e quenin çadra e vdekjes. Sa prej tyne kishin dhanë shpirt aty. Po për Lemin ishte shpëtimi. Toni me dy të rijtë i sollën plaçkat e disa sende ushqimore dhe ujë të pijshëm. Aty me të ishin shtri dy të burgosun të tjerë. Lemi s’pati kohë të merrte vesh asgja, pse ra n’një gjumë të thellë që e mbajti 24 orë. Kishte shpëtue. Toni kalonte herë mbas here, i shoqnuem nga oficeri i rojёs. Gjatë qëndrimit në atë tendë, Lemi kishte përjetue vdekjen e një të burgosuni. Infermieri e kishte porositë Lemin që të mos lëvizte nga shtresa e tij dhe të rrinte sikur ishte duke dhanë shpirt. Aty sollën dhe dy të burgosun të tjerë në gjendje shumë të randë. Çdo ditë Toni i çonte Lemit racionin e bukës, supën dhe diçka nga shokët e tij shkodranë që e çmonin e respektonin shumë. Një ditë, mbas shqyrtimit të sëmurëve bashkë me infermierin erdhi njeni nga rreshterët, i cili e kishte fiksue shikimin mbi Lemin, të shtrimë në shtratin e tij, sytë dhe gojën të mbyllun, i palëvizshëm.
-Po ky qen, nuk ka ngordhur akoma? Ka ca kohë që është këtu. Mos vallë ka vdekur? – ndërkaq, i dha një shqelm Lemit. Ai i kishte dëgjue fjalët e rreshterit dhe duke i parapri së keqes e ngriu trupin e tij me mbrojtë veten. Kur ai mori goditje, nuk lëvizi fare, aq e kishte mbledh veten që trupin ta mbante si të ishte një copë dru.
-Bëj kontrollin, urdhnoi reshteri, dhe nëqoftëse vërtetohet se ka ngordhur, gropose menjëherë këtë kermë! Zbatoji mirë urdhërat tona, nëqoftëse nuk do të përfundosh në kanal si ky këtu! – Si urdhno, u përgjigj Toni, që e kishin mbulue djersë të ftohta, nga frika se mos kapterri jepte urdhën me e varrosë aty për aty Lemin, siç kishte ndodhë me dy të burgosun të tjerë disa kohë ma përpara, që u groposën përsëgjalli. Egërsia e këtyne njerëzve s’kishte kufi.
 
Po afrohej një vjeshtë me kohë të keqe. Të burgosunit u rikthyen në burgjet respektive para afatit prej shinave që kishin bllokue vazhdimin e punimeve. Erdhën kamionёt ku të burgosunit stivoseshim duer e kambë të lidhuna nën grykën e armëve të policëve. Ata linin mbrapa mjaft shokë fatzi që kishin humbë jetën në baltë e kënetës së Maliqit, dhe të tjerë që ua kishin pushkatue para syve. Pёr ta ishte sikur tё ishte kthye nё shtёpitё e tyne. Së paku i kalonin muejt e dimnit tё strehuem e pa punё tё detyrueme. Familjet vinin e i takonin një herё nё muej e u sillnin ndonjё ushqim e ndёrresa. Larg punës së stërmundimshme në kanalin faraonik të Vloçishtit dhe krimeve të xhelatëve, dhe veçanërsiht në sajë të vëllait Pashko, që e ndihmonte me ushqime, Lemi e mori vedin dhe e trasformoi historinë e tij në satirë, si shkrimtar e poet po edhe si njeri i humorit siç ishte.
Në burgun e Shkodrës bashkë me shpëtimtarin e tij, Tonin e të tjerët, ishte një kënaqësi e madhe me e ndigjue se si e tregonte ngjarjen me një zhvillim tragjiko-komik. Dhe ai ia niste:
-Kisha vendosë me dekë aty në kanal, siç isha katandisë n’një thes me kocka, kur ja, vjen një engjëll shpëtimtar… Toni, dhe mrekullia ndodhi. Kështu Lemi ringjallet sipas urdhnit të infermierit Toni, që tue zëvendësue Krishtin e ringjalljës së Lazarit, e urdhnoi: Lem çohu! – dhe Lemi u çue…
Por ndodhitë e Lemit s’kishin të mbarueme. Mbasi i kishte shpëtue mrekullisht një vdekje të sigurt, siç u tregue ma sipër, dhe mbasi kishte plotësue 5 vjetët e dënimit, ai lirohet. Jeton bashkë me të vëllanë Pashko ose Paçi. Shtëpinë ua kishte konfiskue regjimi komunist, dhe ata jetonin sëbashku n’një dhomë me qera.
.
Guljelm Deda - skica Lek Pervizi (Pluk 1960)
Guljelm Deda – skica Lek Pervizi (Pluk 1960)
Duhej punue me fitue bukën e përditshme. Parrulla e partisë ishte, “Kush s’punon s’ha!” Diploma e profesorit universitar s’pinte ma ujë as për karrocier. Zyra e punës e caktoi me punue n’një gurore, në malin e Taraboshit. Me thye blloqe gurësh të mëdhej me varré. “S’kishte tjetër punë për të!” – i thoshin. Ai qeshte me vëllanë dhe shokët.
-Ja pra, unë jam duke u përgatitë me u diplomue në fakultetin e gurëthysave!
Kjo punë ishte shumë e randë dhe shpërblimi mizerabël. Ai nuk mund të përfytyronte tjetër zgjidhje. Edhe dёshira me shkrue e lexue i ishte heqë. Sa qё njё poemё prej pesё tingёllimesh kishte mbetë pa mbarue vetёm pёr tre vargje. Stёrmundimet e Vloçishtit, e kishin reduktue n’njё robot. A do ta merrte veten njё ditё ? Edhe kolegë të tjerë, ishin të nënshtruem së njejtës punë me thye gurë me do varré shumë të randa. I kujtohej Zhan Valzhani i Viktor Hygos, i burgosun në gurore. Ngushullim i thatë. Një ditë prej ditësh e thërrasin në Degën e Brendshme të Shkodrës. Ai u gjet ballë për ballë me shefin e Degës, të gjithpushteshmin kolonel, Hilmi Seiti, që bante ligjin n’atë qytet. Kur e kishte prit Lemin në zyrën e tij. Ishte çue ne kambë, i buzëqeshun e xhentil, tue e ftue të zinte vend nё karrikёn para tryezёs e tue i ofrue e ndezë një cigare Partizani. Pas tij, në mur, varej fotografia e Stalinit. Sikur buzëqeshte ironikisht nën musteqe. Koloneli e kishte pyet si e ndiente veten dhe ç’bante. Lemi ishte përgjegje, se ndihesh shumë mirë dhe se ndiqte fakultetin e gurëthyesave. Shefi kishte qeshë me të madhe tue u tregue shumë i përzemërt. Mbasi shkëmbyen disa fjalë të rastit, koloneli kishte marrë një shprehje serioze.
-Dëgjo Lem, ne të njohim mirë. Në i çmojmë aftësitë e cilësitë intelektuale të tua, si profesor i letërsisë e gjuhësisë. Gjithashtu ne e dijmë që ti ke nderuar vendin tonë e qytetin tënd të Shkodrës. Tue pasë fitue diplomën me vlerësimin ma të naltë “Summa cum Laude” në Universitetin e Padovës në Itali. Pra e vlerësojmë tepër këtë përgatitje të nivelit të lartë!”
Lemi po i ndiqte me vëmendje fjalët e shefit plot lëvdata ndaj tij. Ku donte me dalë? I shkonte mendja por tregohej krejt i qetё.
-Partia e qeveria na kanë porositë që të kemi parasysh aftësitë e tua intelektuale dhe profesionale, dhe me të ndihmue në këtë drejtim. Mund të ushtrosh profesionion tënd si profesor i letërsisë në gjimnazet e Shkodrës. Gjithashtu do të keshë mundësi të ushtrosh talentin tënd krijues si shkrimtar dhe të publikosh veprat e tua. Pra, ti e sheh vetë se partia e qeveria të shtrijnë dorën. Ti duhet të përfitosh nga ky fat e kjo bujari.
Lemi s’po hapte gojë. I përqendruem në vetvete iu kujtue vargu i Virgjilit te Eneida, “Timeo Danaos et dona ferentes” (Iu frikem grekëve edhe kur dhurata të sjellin…). Tue mos pasë shprehun asnjë mendim, koloneli vazhdoi të flasë.
-E kuptoj që e ndien veten në një pozitë jo të pëlqyeshme, duke pasë qenë i dënuar dhe vuajtur burgun e dhe kampet e punës. Revolucioni mund të bëjë gabim në fillim, dhe ti e ke provue mbi kurrizin tand pa qenë i fajshëm për asgja. Populli thotë, “Bari i njomë shkon me të thatin”. Kёshtu ka ndodhё edhe me ty. Por tashma pushteti i partisë komuniste është vendosur dhe afirmuar. Ne jemi të fortë më shumë se kurrë. Intelektualë si ti, duhet të vlerësohen dhe të lejohen të kontribojnë në edukimin dhe formimin e brezave të rij. Tani që ti je një njeri i lirë, duhet të gëzosh të drejtat e të përfitosh nga mundësia që të jepet.
Lemi u detyrue me iu pergjigjë:
-Ju falënderoj! Sigurisht se unë do t’isha shumë i kënaqun për ta ushtrue profesionin tim si profesor, si dhe me shkrue dhe me botue veprat e mia. E vlerësoj propozimin tuej dhe do t’isha dakord m’u përfshi në jetën intelektuale e kulturore dhe me kontribue me aftësitë e mia.
-Shumë e drejtë Lem. Isha i bindun se një erudit si ti, do ta kishte kuptue e pranue këtë propozim. Nuk mbetet veçse me firmosë një dokument për angazhimin tënd për të kontribuar në ndërtimin e socializmit në vendin tonë, nën udhëheqjen e ndritur tё shokut Enver Hoxha, sekretari i parë i partisë sonë.
Lemi tashma e dinte se ku donte me dalë shefi. Bani sikur po i ndiqte fjalët e tij, duke tundë kokën në mënyrë aprovuese. Por dardha e kishte bishtin mbrapa. Koloneli vazhdoi:
-Pra, unë mendoj se të do të jeshë dakord me këtë mundësi që të jepet. Do të përfitosh shumë. Do të keshë privilegje dhe ne do të sigurojmë një apartament në qendër të qytetit. Por, sikur të thashë, duhet firmosë një dokument angazhimi nga ana jote, që të jeshë besnik ndaj partisë dhe regjimit tonë, dhe t’u shërbesh me devocion dhe sinqeritet. Nga ana tjetër të bashkëpunosh me ne, të Sigurimit të Shtetit, që unë përfaqësoj këtu në Shkodër duhet edhe kjo. Ndërkaq shefi i vuni përpara një fletë letre tё daktilografueme ku Lemi duhej tё firmoste.
-Ja Lem, mjafon vetëm një firmë e jotja, që të biem dakord dhe ta përmbyllim angazhimin tënd përfundimtar. Lemi qё ndërkohë i kishte hjedhë njё sy letrёs, iu pёrgjigj preras:
-Çfarë asht ky dokument? Unë jam dakord me gjithë ato çka ju thatë, po s’jam dakord aspak me firmosë këtë lloj dokumenti angazhues për me u ba një bashkëpuntor e spiun. Po qe se më keni thirrë për këtë punë, ju nuk do të keni asnjë lloj angazhimi nga ana ime, as me fjalë as me firmën time!
Fytyra e shefit u transformue në vend. Nga ajo shprephje e ambël e njeriu t’paqëm, n’atë t’një tigri t’egërsuem.
-Kështu e kundështon bujarinë tonë?! Ti dashke të vazhdosh të jeshë një armik i populli e i partisë? Mirë! Do të presë toga e pushkatimit ose do të ngordhësh në fund të një biruce të errtë burgu. Firmose Lem, po deshe të jetosh edhe disa ditë i qetë! – bërtiste koloneli me zà të çjerrë, krejt i xhindosun me fytyrën e skuqun nga mënia.
-Kurrë! Bani ç’ka të doni me mue. S’e kam frikë vdekjen. Më vrisni ose me hidhni në burg, qysh tash. Ja ku më keni!
-I mjeri ti! Nuk hedh firmë? Ti nuk pranon të bashkëpunosh me ne? Ti i hedh poshtë propozimin tonë? Mirë! Mund të dalësh gjallë nga kjo zyrë, por ke për ta paguar shtrejtë këtë demostrim armiqësor dhe përbuzёs ndaj partisё e regjimi tonë! Lemi u ngrit nga karrika dhe doli pa e përshëndetë. Nga fotografia, Stalini vazhdonte ta hidhte vështrimn e tij sarkastik.
.

Kampi i Çermes - 1958 në krye Lazër Radi, X, Mit'hat Araniti, Mojsi Miraka, Cen Golja, Flamur Sfiri, Guljelm Deda, Tomorr Dine, Sulejman Hoxha, Jozef Radi, Ali Dema, Valentin Pervizi, Fatbardh Kupi, Dedë Markagjoni, Vitore Radi, Bajazit Kaloshi dhe Abdurrahman Kaloshi
Kampi i Çermes – 1958 në krye
Lazër Radi, X, Mit’hat Araniti, Mojsi Miraka, Cen Golja, Flamur Sfiri,
Guljelm Deda, Tomorr Dine, Sulejman Hoxha, Jozef Radi, Ali Dema, Valentin Pervizi,
Fatbardh Kupi, Dedë Markagjoni, Vitore Radi, Bajazit Kaloshi dhe Abdurrahman Kaloshi
Pas disa muejsh, Lemi arrestohet dhe izolohet në një qeli të burgut të Shkodrës. Aty ndejti shumë kohë pa njeri, veç rojeve që i binin bukë e ujë, dhe e zorshme me u besue, edhe cigare me gjithë shkrepse. Ai e kuptonte se ishte një lojë e kolonelit. Sigurisht, ai kërkonte t’i bante presion paraprisë pёr orvajtje tё tjera ndaj tij. Një lloj paralajmërimi që të mendonte për atë që i kishte propozue. Dhe ja një ditë dera e qelisë hapët dhe një kapterr i policisë e urdhnon që ta ndiqte, pa i vu prangat. U gjet në një dhomë, ku pas një tavoline të zakonshme ishte ulë vetë shefi, Hilmi Seiti. Ai i bani me shenjë të ulej në karrigen përballë tij. Profesori ynë nuk kishte lëvizë buzët për ta pëshëndetë, dhe u ul nё karrige i heshtun. Kësaj radhe nga muri e vështronte Lenini! Koloneli iu drejtue: – Kështu Lem, arrestimi yt asht i lidhun me programin e partisë për me ba “piazza pulita” me kundështarët tonë.
Lemi s’iu pёrgjigj. Ai e kishte parandie këtë takim të dytë me përfundim të parashikueshme. Çfarë do të banin me të? Ai e priste me stoicizëm fundin e kësaj çështje.
-Lem, veni gishtin kokës e mendohu për pasojat e randa që do keshë. Ne të japim mundësinë e tё kemi shtri dorёn qё t’bahesh pjestarë i shoqёrisё sonё e tё gёzosh privilegjet qё ne tё ofrojmё. Mos e refuzo kёtё rast unik e bujar, qё të jetosh i qetë e i lumtur. Të krijosh dhe familje. Vetëm një firmë e jote na vë dakord të gjithve. Unë kam folur me shokët e partisë, që të njohin e të vlerësojnë shumë. Ata tregohen shumë të kënaqur të të shohin të përfshirë në shoqërinë dhe jetën socialiste. Shefi i dha fund bisedës duke u tregue i mirësjellun dhe i prirun për mirë ndaj tij. Lemi e kishte mbledhë veten dhe foli:
-Ju a kam dhanë përgjigjen time. Nuk mund ta pranoj kurrë at ofertё. Ju mund të bani ç’të doni me mue mbi jetën dhe trupin, po jo mbi mendjen e shpirtin tim. Nuk do të pranoj kurrë ta njollos vedin me turp e përbuzje. Dhe ndёrkaq i dha njё tё shtyme letrёs drejt kolonelit.
.
Guljelm Deda & Marie Muzhani
Guljelm Deda & Marie Muzhani
Ky u tërbue nga inati dhe u kthye në një egërsinë, duke u çue n’kambё e tue bërtitë me sa zà kishte ndërsa përplaste grushtet mbi tavolinë.
-Mirë të të bëhet. Do t’i marrёsh ato që po kërkon. Nuk do të dalësh kurrë prej burgjve e kampëve të internimit, nëqoftëse i shpëton pushkatimit. Vetë e ke kërkuar! Kapter Sulo, merre kёtё armik, dhe mbylle atje në birucë dhe mësoje si të sillet më mirë! Sa e çuen ne birucë, kapterri dhe dy policë të tjerë u hodhën mbi të me grushta e shqelma deri sa ai humbi ndjenjat, i shtrimë mbi dyshemenë prej betoni. Kur ra nata, dhe erdhi nё vehte, e lanë të shkonte ashtu sa mezi mbahej në kambë.
Mbas disa ditëve, ia behën disa policë në shtëpinë ku banonte me vëllanë. I vunë prangat, e hypën mbi një kamion me ato pak plaçka që kishte. Makina ishte plot me të arrestuem e të prangosun si ai, të ngjeshun bri njeni-tjetrit. Nën rojen e policëve t’armatosun deri në dhambë. Lemin e shokët e tij, të gjithë intelektualë shkodranë, i mbyllën në kampin e Shtyllasit, ngjit me atë të burgosunve, dhe i nxorrën në punë të detyrueshme në hapjen e një kanali të madh, bashkë me të burgosunit. Kampi i Shtyllasit në fushёn e Fierit, ishte vendosun pranë rrënimeve të qytetit të lashtë të Apollonisë. Bashkë me Lemin ishin internue nja 100 vetë nga qytete tё tjera, shumica intelektualë. Gjysma e tyne ishin mbi 60 vjeç, dhe i kishin ba nga 5 deri 10 vjet burg. Ish funksionarë të naltë të shtetit, ministra, oficerë, shkrimtarë e profesorë që i kishin shpëtue pushkatimit. Shtyllasi, u transferue në Kuç të Kurveleshit, kamp izolimi, ku i mbajtën katër vjet, 1954-1958.
Aty në Kuç, Lemi nisi punёn e madhe tё pёrkthimit tё poemit tё Lodoviko Ariostos “Orlando Furioso” (Orlandi i çmendun). Ndёrkaq ata i çuen në Savër të Lushnjes, qё ishte caktue si qendёr internimi. Ku pёrveç disa pleqve tё tjerёt i detyruen tё punonin nё bujqёsi. Mё 1962, Lemi martohet me zonjushёn Marie Muzhani, bija e Prof. Luigj Muzhanit, e cila kishte pranue tё martohet me Lemin, duke nda internimin me tё.
Mё 1964 u ba njё lirim, ku Lemi pёrfitoi dhe u vendos nё Tiranё pranё familjёs sё grues. U duk sikur morёn fund telashet e tij. Por jo, pati një pësim tjetër.
S’kaluen veç dy-tre muej dhe e arrestuen e ngarkuen mbi njё kamion me gjithё gruen dhe i degdisёn nё fshatin e humbun Ndёrnenas tё Fierit, ku qëndroi plot 25 vjet deri 1989. Kёtu ai e vazhdoi punёn e pёrkthimit, nё kondita tё tilla tё pamundshme. Arriti ta pёrfundojё mbas 17 vjetësh, njё kryevepёr nё kryevepёr.
.
Guljeln Deda - Ariosto - Orlando i çmendun 2013
Guljeln Deda – Ariosto – Orlando i çmendun 2016
Kështu heroi ynë, i përmbushi 45 vjet dënime të ndryshme, burgje, kampe pune e internimi. Pasojat i shkaktuen një sëmundje të randë, që i dridheshin duert e nuk mund të shkruente. Kaloi në Itali, ku pas disa muejve u vendos në qytetin Perugia, i ndihmuem prej njё shoqate humanitare. Aty, me gjithё ndёrhymjet e mjekёsisё, kaloi nё gjendje të pa shpresё dhe vdiq në mars 1994. Por ai kishte lanё një vepër poetike monumentale, kryevepra e tij, “Orlandi i çmendun”, prej 40 mije vargjesh. Diçka qё njё mendje e shёndoshё s’mund ta konceptojё as ta pёrfytyrojё, pёr kushtet nё tё cilat u krye. Kurajoja s’i mungoi kurrë. Me atё vepёr ai iu kundёrvue me vendosmëni e vullnet tё pathyeshёm diktaturёs qё deshti ta shuente fizikisht e mendërisht.
Njё hero i vёrtetё i mendimit.
 
Ishte e bukur, kur rrinte nё shoqni tonё, qeshte duke na tregue katёr vёllimet dorёshkrim prej 400 faqёsh secili:
-Tani e kuptoj se paskam qenё ma i çmendun se Orlandi, se me mend nё kokё s’do ia kisha nisë kurrё kёsaj pune. Rri tuj mendue, a jam a s’jam unё qё i kam shkrue me dorёn time kёto libra? Aq sa çuditem me vetveten. Jo or Lem, asht nji tjetër Lem qё i ka shkrue!
 
Ai u shkëput nga jeta toksore, i ndjekun nga e shoqja, pa lanё trashёgimtarë, pёrveç kujtimin e kalvarit të tij të mundimeve. Por njëkohësisht, tue lanë një vepër me të cilën do të jetë i pranishëm në faqet e letёrsisё e shoqnisë shqiptare. Përmbyllja, sa e trishtë aq edhe heroike asht qёndresa e tij, për si ai e përballoi me vendosmëni.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.