back to top
6.5 C
Tirana
E premte, 27 Dhjetor, 2024

Günter Grass dhe kompasi i thyer i moralit shqiptar… nga Ilir Seci

Gazeta

Gunter Grass (1927-2015)
Gunter Grass (1927-2015)

Günter Grass dhe kompasi i thyer i moralit shqiptar…

nga Ilir Seci

Günter Grass një nga shkrimtarët më të mëdhenj të botës, vdiq të hënën me 13 prill 2015, në moshën 87 vjeçare…
Günter Grass ishte shkrimtari më i madh gjerman i periudhës së mbas Luftës së Dytë Botërore, i njohur dhe i përkthyer në shumë gjuhë të botës. Günter Grass është autori i romanit mirënjohur në Gjermaninë e pasluftës, romanit “Daullja e llamarintë”… Një roman që u bë simbol i kompleksit të fajit kolektiv gjerman për krimet e kryera nga nazistët gjatë periudhës famëkeqe të indoktrinimit hitlerian. Romani “Daullja e llamarintë” ka si meta-simbol refuzimin për t’u rritur të Oskar Matzerath-ut, refuzimi i një fëmijë që nuk do të rritet në një mjedis shoqëror të atillë siç ishte Gjermania naziste në periudhën e diktaturës së nazizmit. Oskar Matzerath nuk do të rritet në një kohë kur hebrenjtë shfaroseshin nëpër kampet e përqëndrimit apo kur polakët masakroheshin në vendin e vet të pushtuar nga nazistët… Pse kishte aq shumë brerje në ndërgjegjen e Günter Grass-it kur ai ishte ende fëmijë në kohën që Gjermania pushtoi Poloninë?! Çfarë e bënte atë që të ndjehej aq fajtor për krimet e kohës së nazizmit?! Romani “Daullja e llamarintë” në shtjellën e vet, përçon pikërisht mesazhin e peshës së rëndë të vrasjes së ndërgjegjes, të barrës së rëndë të fajit kolektiv, për gjithshka ndodhi. Ai kompleks faji bëhet lajtmotiv te “Daullja e llamarintë”, askush nuk mund t’i shpëtojë ndjenjës kolektive të përgjegjësisë! Ndjehet fajtor për dështimin e një shoqërie të tërë që nuk mbrojti dot qytetarët e vet… Günter Grass nuk e shfajëson veten nga përgjegjësia si gjerman edhe pse ishte vetëm 17 vjeçar kur u kap rob lufte nga forcat aleate në mbarim të Luftës së Dytë Botërore… Dihet që Gjermania naziste në mbarim të luftës kishte thirrur nën armë edhe djemtë nën moshë…

Gunter Grassi gjatë Luftës së II Botërore
Gunter Grassi gjatë Luftës së II Botërore

Vite më vonë Günter Grass-i tregon peër angazhimin e vet vullnetar me forcat detare naziste që në rininë e hershme, kur kishte qenë vetëm 15 vjeçar… E tregoi vetë në vazhdën e shlirimit nga ajo barrë e brejtjes së ndërgjegjes. Kuptohet mbasi tha atë të vërtetë, u sulmua nga të gjithë anët!… Por ai zgjodhi të vdiste pa mbajtur të fshehta! Lexuesi shqiptar kur ndeshet me shembullin e Günter Grass-it, kur përballet me modelin e jetës dhe veprës së tij, dashje pa dashje do heqë paralele mes sistemeve diktatoriale që patën Gjermania dhe Shqipëria, njejtë mund të hiqen paralele mes modeleve të shkrimtarëve ku pyetja pastaj shtrohet a kemi ne një shkrimtar si Günter Grass?!… A ka letërsia shqiptare një model të tillë!?… A ka letërsia shqipe shkrimtarë që kanë reflektuar ndaj të shkuarës totalitariste në atë mënyrë si ka reaguar Gunter Grass?!Autorë që mbas rënies së diktaturës e kanë mbajtur një qëndrim të denjë intelektual ndaj asaj diktature duke dënuar atë periudhë të errët?!… Eshtë një numër i vogël autorësh që e kanë trajtuar atë temë, që të gjithë janë autorë që vijnë nga shtresa e të përndjekurve nga diktatura, ndërsa për autorët e realizmit socialist as bëhet fjalë! Menjëherë mbas rënies së diktaturës, autorët e realizmit socialist, ata më të kompromentuarit dolën me moton: “Veprave tona nuk u heqim asnjë presje!” Asnjë presje nuk donin t’i hiqnin veprave të tyre shkruar me frymën e soc-realizmit, vepra ku glorifikohej figura e diktatorit Enver Hoxha!? Veprave ku nxitej Lufta e Klasave, vrasjet dhe burgosjet e armiqve të klasës!?… Veprat e realizmit socialist ishin jo vetëm një justifikim moral i gjithë krimeve të kryera në emër të revolucionit. por shumë nga ato vepra ishin edhe pararendëse të fushatave politike që herë pas here ndërmerrte diktatura, sic kanë qenë fushata për eleminimin e “Armiqve të Popullit dhe Pushtetit”, fushata që përfunduan me vrasjet dhe dënimet e kundërshtarëve politikë të PKSH-së!…Fushata per ndalimin e fese kur u denuan dhe u masakruan qindra klerike te pafajshem!… Fushata kundër denigrimit të trashëgimisë kombëtare dhe vlerave të krijuara në shekuj të cilat u shkatërruan me themel!… Fushata kundër shfaqjeve mikro-borgjeze si rezultat i të cilës mijra të rinj dhe të reja përfunduan në burgje apo kampe pune vetëm e vetëm pse mbanin pak flokët e gjata apo visheshin sipas “modës”!… Veprat e realizmit socialist bënin gjithë kohës justifikimin moral të vrasjeve të burgosjeve dhe internimeve të njerëzve të pafajshëm nëpër kampet famëkeqe të Tepelenës e Lushnjes, ku fëmijëve të lindur atje u hiqej e drejta elementare e arsimimit!Pamfletet politike, veprat dhe shkrimet e korifenjeve të diktaturës së proletariatit gjithmonë u kanë paraprirë fushatave të Sigurimit famekeq të Shtetit sepse drejtuesit hierarkë të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve kanë qenë njerëz të afërt të PPSH-së dhe armës së saj më të dashur Sigurimit të Shtetit…

Shkrimtari Gunter Grass
Shkrimtari Gunter Grass

Shumë nga ata shkrimtarë dhe artistë shqiptarë që mbas viteve ’90, thane se: “…nuk i heqin asnjë presje veprave të Realizmit Socialist”, kanë qenë anëtarë të Komitetit Qendror të PPSH-së, kanë qenë deputetë të Parlamentit Komunist duke mbajtur nga dy-tre herë mandate… Pra kanë qenë pjesë e vetë sistemit, nuk bëhet fjalë thjesht për kompromentim, bëhet fjalë për angazhim të vetëdijshëm politik dhe shoqëror nga i cili edhe përfituan mjaft prej sistemit! Imagjinoni për një moment sikur të ndodhte diçka e tillë në Gjermaninë e mbas nazizmit! Por në Gjermaninë e Günter Grass-it, u krye denazifikimi, kurse në Shqipërinë tonë të pas-diktaturës nuk është kryer dhe as mendohet të kryhet ndonjëherë dekomunistifikimi…! Ndryshim është i madh!

Dora, llulla, tymi, syzet , mustaqet dhe... Gunter Grass
Dora, llulla, tymi, syzet , mustaqet dhe… Gunter Grass

Gunter Grass u kritikua pse kishte fshehur një angazhim vullnetar në moshën 15 vjeçare kurse shkrimtarët dhe artistët tanë jo vetëm që nuk kanë fshehur ndonjë gjë por edhe mburren gjithë ditës me të kaluarën e tyre! Ndokush mund të thotë se dy diktaturat kanë qenë të ndryshme!! E vërteta është se diktatura komuniste ndryshonte nga ajo naziste vetëm në një pikë, nëse nazistët vranë dhe masakruan gjithë Europën, komunistët e Enverit bënë të njetën gjë… por brenda kufijve të Shqipërisë! Në njëzet e tetë mije kilometrat katrore të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë janë kryer po aq krime dhe burgosje sa çkanë kryer nazistet ndaj popujve të Evropës! Mirëpo ndryshe nga Gjermania e mbasluftës së Dytë Botërore, në Shqipërinë e këtyre 25 viteve të demokracisë kompasi moral duket se është thyer dhe asgjë nuk funksionon sipas kompasit moral të botës demokratike!

Gynter Grass (1927-2015)
Gunter Grass (1927-2015)

Në gjithë botën demokratike ka një kompas moral me të cilin bëhen matjet… Shoqëritë e përgjegjshme mbajnë qëndrim ndaj gabimeve historike dhe nxjerrin mësime. Mbas Luftës së Dytë Botërore, Gjermania e Gunter Grass-it doli e shkatërruar totalisht nga humbja e luftës… Përpara se të bënin rindërtimin e vendit gjermanët bënë rindërtimin moral të shoqërisë duke u ndarë nga e kaluara e errët përmes dënimit të krimeve të kryera, edukimit të brezit të ri me vlerat demokratike, imunizimit të shoqërisë nga virusi totalitar! Mbas restaurimit moral restaurimi fizik i Gjermanisë ishte thjesht formalitet… Pikërisht në këtë pikë në shqiptarët e kemi humbur fillin… ne mbas diktaturës komuniste nuk bëmë asnjëherë një rindërtim moral të shoqërisë së shkatërruar! Përkundrazi…Rezultati, 25 vjet mbas Luftës së Dytë Botërore Gjermania e rrafshuar u bë superfuqi botërore kurse Shqipëria edhe mbas 25 vitesh demokraci post-komuniste ende sillet kuturu, sepse shoqëria nuk mund të orientohet me një kompas moral të thyer…

 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.