back to top
9.5 C
Tirana
E premte, 22 Nëntor, 2024

Gurët e Borxheve… nga Klodi Stralla

Gazeta

Klodi Stralla
Klodi Stralla

Gurët e Borxheve…

nga Klodi Stralla

Persiatje rreth krizës greke

Ka një thënie shumë kuptimplote nga fusha e huamarrjes (borxhit), që thotë se “…Kur borxhi është i vogël, koka i dhemb atij që ka marrë borxhin (debitorit), ndërsa kur borxhi është i madh, koka i dhemb më shumë atij që e ka dhënë borxhin (kreditorit)…!” Meqë jemi në rastin grek, dua t’u kujtoj një ngjarje historike që ka ndodhur po në Greqi, këtu e 2500 vjet më parë. Ato që Historia i njeh edhe si “Reformat e Solonit” dhe “Gurët e Borxheve!”.

Soloni
Soloni

Aty nga vitet 590-580, p.e.r Grekët e Lashtë jetonin në njesi politike që quheshin Qytete Shtete (të ngjashme me shtetet e sotme), të tilla si Athina, Sparta, Teba, etj. Shoqëria ishte aristokratike: një grusht i vogël njerëzish, eupatridët, zotëronin shumicën e tokave dhe bashkë me to edhe pushtetin politik, ndërsa shumica e popullsisë ishin të lirë, e të zhytur në borxhe për të siguruar jetesën, aq sa ishte e detyruar të binte në skllavëri për t’i larë borxhet. Athina ishte mbushur ane e mbanë me gurë, ku shënohej borxhi i gjithsecilit: Këto ishin të ashtuquajturit “Gurët e Borxheve”. Aq masive u bë kjo dukuri sa një eupatrid i mençur, Soloni, ndërmori një reformë të guximshme: një mëngjez Athina u gdhi pa gurët e borxheve. Ato u asgjësuan me urdhër të tij dhe bashkë me to edhe borxhet dhe skllavëria e lidhur me to. Ndërkohë ai ndërmori edhe reforma të tjera drejt demokratizimit të pushtetit, ndalimin e rënies në skllavëri të qytetarëve të lirë për arësye borxhi, hapjes të punëve publike etj… (që nuk janë objekt i këtij shkrimi). Kështu u shmang lufta civile qytetare që ish në prag dhe shoqëria nisi e mori fryme lirisht, duke nxitur rimëkëmbjen ekonomike të asfiksuar nga borxhet.
E ngjashme është edhe situata në Greqinë e sotme mbas 2500 vjeteve. Tre “eupatridë” (trojka), FMN, BQE dhe KE, kanë shëndruar në “skllevër” 11 milion grekë, të cilët me borxhin që kanë (400 miliard euro), sikur të punojnë me rendimet të lartë dhe të jetojnë si spartanët e dikurshëm, do t’u duhen t’i shlyejnë borxhet pas një shekulli. Europa duhet të nxjerrë Solonë të kohëve moderne. Sot flitet shumë për huamarrësin (Greqinë)… për abuzimet qeveritare që e shkaktuan ndër vite këtë borxh të frikshëm, nuk flitet aspak… as për huadhënsit: si u krijua gjithë ky borxh? Pse iu dhanë Greqisë gjithë këto miliarda euro, kur dihej aftësia e saj paguese? Nuk kanë fare përgjegjësi këta huadhënës, edhe nëse nuk kanë pasur ndonjë qëllim të keq? Patjetër që përgjegjësia është e dyanshme, dhe kur borxhi është i madh, le t’i dhëmbë ca koka më shumë huadhënësve!!

Aleksis Cipras (1974)
Aleksis Cipras (1974)

Në një situatë të tillë, kur përgjegjësia është reciproke, e vetmja mënyrë për të dalë nga situata është pjestimi i përgjegjesisë, midis huadhënësve (trojkës) dhe huamarrësit (shtetit grek). Kështu bënë amerikanët me borxhet e Gjermanisë dhe Japonisë pas LDB. Greqia duhet sa me parë të ristrukturojë ekonominë e vet, t’i rikthehet punës dhe prodhimit, të braktisë informalitetin dhe shpenzimet megalomane që janë tej fuqive të saj dhe “Trojka” të falë gradualisht pjesë të borxhit, në mënyrë që brenda një dhjetvjeçari, qytetari grek t’i kthehet normalitetit, duke bërë një jetë në përputhje me madhësinë e punës së vet.
Besoj se kjo do të jetë zgjidhja, pavarësisht se secila palë do të “ruajë nderin” në këtë proces negocimi.
(Marrë nga muri i Fb i Klodi Strallës 2 korrik, 2015)

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.