back to top
6.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Guri prehistorik i zbuluar në Xhuxhe të Mirditës strehohet në Muzeun Kombëtar – Fakte dhe Opinione

Gazeta

Guri prehistorik në Mirditë zhvendoset në Muzeun Kombëtar
Guri prehistorik në Mirditë zhvendoset në Muzeun Kombëtar

Guri prehistorik zbuluar në Xhuxhe të Mirditës

mbrrin në Muzeun Kombëtar –

Fakte dhe Opinione rreth gurit më të lashtë

Guri prehistorik strehohet në Muzeun Kombëtar

nga Dhurata Hamzai

Guri i gjetur rreth dy javë më parë në zonën e Fanit të Mirditës mbërriti sot në Muzeun Historik Kombëtar. Flet arkeologu Rudenc Ruka për Report TV:
“Zbulim me rëndësi. Lëvizja nga Mirdita, një vendim i drejtë institucional për mbrojtjen e veprës arkeologjike
“Zbulimi i këtij guri paraqet një rast të veçantë, sepse të gjitha rastet e tjera të ngjashme të artit shkëmbor të zbuluara në Shqipëri janë të pamundura për të lëvizur dhe për rrjedhojë publiku ka shumë vështirësi për t’i parë. Kështu që ky është rasti i parë që kemi mundësi për ta sjellë pranë publikut shqiptar, por edhe të huaj. Për më tepër, në këtë lloj mënyre arrijmë ta mbrojmë nga ekspozimi ndaj rreziqeve, derisa të merret një vendim final sesi do të ekspozohet apo çfarë do të bëhet në të ardhmen”
“Kushte atmosferike do të ndikonin. Guri kur është gjetur ka patur krisje. Pasi shkruam një kontratë me ministrin dhe ta takonim do t’i kërkojmë që fshati të shpallet turistik dhe të vihet dorë për relievin që janë mahnitur të gjithë. Edhe pse me brengë. Është një zonë fantastike, kur të shohin me sytë e tyre duhet mbrojtur nga shtetit” – ka deklaruar Frrok Bardhi.
Ky zbulimi i rrallë, ka emocionuar së tepërmi banorët e kësaj zone, të cilët fillimisht e kundërshtuan idenë e lëvizjes së gurit nga vendi ku u zbulua, por tashmë duket se gjërat janë ndryshe.

Objekti me simbole prehistorike konsiderohet si një nga zbulimet më të rëndësishme nga arkeologët dhe renditet krahas “simotrave” të zbuluara në vitet ’60-’70 në Xibër të Matit, në Rubik, apo në Lepenicë të Vlorës. Ndërsa arkeologu Rudenc Ruka rrëfen për rëndësinë e këtij zbulimi të ri në vendin tonë. (marre me shkurtime nga”Shqiptarja.com”)

.

Guri i Xhuxhes dhe mjetet e Transporti
Guri i Xhuxhes dhe mjetet e Transporti

Gurë që ikin e gurë që rrijnë

nga Dom Gjergj Meta

Nëse kjo është më mirë për të gjithë dhe, komuniteti i Gjugjës, ai i arkeologëve dhe Institucionet janë të kënaqura, nuk mbetet vetëm se të urojmë më të mirën.
Ai Gur ama nuk do të kthehet më aty kurrë. Dhe pikëpyetjet janë të mëdhaja, qysh nga mënyra se si është vënë në kamion, e deri te fakti që nuk është bërë publik asnjë argument, asnjë komision verifikues e asnjë vendim i Institucioneve përkatëse.
Por kjo është Shqipëria, e kështu punohet këtu. Fatkeqësia e mungesës së Institucioneve lokale kulturore, studimore, etnografike dhe etnokultrore, që merren më shumë me bejte se me gjëra serioze, sjell në varfërimin e periferive e pasurimin e qëndrave.
Në fund të fundit a nuk është bërë kështu me pyjet, mineralet dhe ujërat? Të gjithë heshtin për hatër të partisë dhe qendrat vazhdojnë të pasurohen më periferitë që mbesin në pikë të hallit.
Vetë si Ipeshkëv i Rrëshenit mendoj se e kreva tagrin tim, aq sa më përket. Më tej nuk mund të shkoj dhe as duhet të shkoj.
Guri i Gjugjës iku, por unë dhe Kisha të cilës i shërbej, jo me korrespondencë, jemi këtu. Ka ende gurë, e Kisha Katolike është ndër ata gurë, që kanë vendosë me ndejt në vend të vet derisa të mbetet edhe mirditori i fundit.
Në Gjugjë do të vazhdoj të shkoj si Ipeshkëv e me datë 29 Gusht, për festën e Shën Gjon Kryepremit, do të them meshë atje me ata njerëz që kanë mbetë nga zbrazja e tranzicionit që as gurët s’po na i len.
Gjugjas të dashur ju bëtë mirë dhe e bëtë detyrën tuaj. Por ju jeni po aq të pafuqishëm sa edhe unë në këto punë.
Zoti ju bekoftë!
.
E fundmja ditë e Gurit - Aty ku peshonte randë
E fundmja ditë e Gurit – Aty ku peshonte randë

Zhvendosen vlerat e “malokëve” me i pa “qytetarët”

nga Kastriot Marku

Prej ditësh jetuam fortlumturisht gjetjen e gurit interesant të mbishkruar në Xhuxhë të Fanit të Mirditës. Bashkë me interesin diçka më dogji për vendgjetjen dhe kushtet e sigurisë, për me tepër kur ne kemi mbi krye një shtet arrogant që nuk di ta lerë kulturën të qetë në natyrshmërinë e saj atje ku gjendet në shtratin e saj, por dëshiron ta magazinojë si përqëndrim ushtarak, në kundërshtim të hapur me praktikat e ndjekura sipas konventave ndërkombëtare për gjetje të tilla. Përkundrejt vështirësisë për t’u ruajtur e konservuar në vend, ngaqë guri është i grryeshëm nga kushtet atmosferike, do të ishte interesant nëse pushteti vendor atje është vënë në dijeni me praktikën dokumentare argumentuese për këtë zhvendosje, dhe për garancitë e institucionit përkatës (Ministria e Kulturës dhe Instituti i Monumenteve apo Muzeu Historik Kombëtar) lidhur me këtë objekt me vlerë arkeologjike e për rrjedhojë historike kombëtare. Ruajtja, restaurimi, studimi dhe ekspozimi një objekti me rëndësi të veçantë për trashëgiminë tonë kulturore, sikurse ky objekt i artit shkëmbor, sikurse objekti në fjalë i përket studiuesve dhe institucioneve kompetente, por ai gur do të mbetet gjithnjë “Guri i Xhuxhës”.
Të gjitha mbishkrimet e tjera janë gjetë në shkamb të gjallë e ky ishte gjah i mirë se ishte i shkëputur ndaj u duhej për ekspozim.
Fotografia pa autor ne rrjet.
.
Guri i Neolitikut në Muzeun Kombëtar
Guri i Neolitikut në Muzeun Kombëtar

I pari gur i periudhës së Neolitit

nga Mario Paloka

Don me thânë që, me aq info sa kam unë, guri me petroglife (dhe jo piktograme) i përket periudhës së Neolitit dhe asht i pari që zbulohet në Shqipní, kshtu asht pá e arsyeshme të dërgohet në Muzeun Kombtar, kjo dhe për shkak të nji pastrimi prej mykut dhe mikroorganizmave të tjera.
Sa i përket transportit, kam info që asht transportue mbrenda rregullave (me vinç me litarë dhe e shtrueme me ranë poshtë). Aty ka kênë dhe nji dashamirë i joti që ka eksperiencë të hershme mbi lëvizjen e gurve të përmasave të tilla.
M’vjen keq që n’kët vend nxihet gjithçka, pa hekë aspak problemet që ti ke citue mâ nalt.
.
Guri i Xhuxhës nga afër (fragment)
Guri i Xhuxhës nga afër (fragment)

Shkëmb prehistorik të kthehet e të ruhet në vendin e vet!

nga Martin Gjonaj

Para pak kohësh, në Mirdite, në fshatin Xhuxhë, banorët e zonës zbuluan një masiv guri me petroglife prehistorike (foto 1).
Nga shumë specialistë të fushës ky zbulim është konsideruar si një nga më të rëndësishmit në vend dhe ky objekt u shtohet objekteve të tjera prehistorike të Trashëgimisë Kulturore të Shqipërisë, të cilat ndodhen në Mirditë. Nga natyra e shkrimeve mbi gur dhe duke e krahasuar me zbulime të ngjashme, si petroglifet e zbuluara në Rubik, nga specialistët çmohet të jenë rreth 3000 deri 4000 vjeçare.
Një grup specialistësh të pushtetit qendror patën propozuar zhvendosjen drejt Tiranës, por banorët e zonës e së bashku me ta edhe shumë specialistë të tjerë jashtë ndikimeve politike e kundërshtuan me të drejtë lëvizjen.
Por me sa duket të gjitha kundërshtitë ranë në vesh të shurdhër, dhe sot ky gur është zhvendosur (foto 2), pa asnjë transparencë në drejtim akoma të paditur.
Së pari, e gjithë praktika botërore bazohet në mos-zhvendosje dhe në të gjitha konventat ndërkombëtare, është e shkruar që objektet duhet të qëndrojnë në vendin ku janë zbuluar!
Se dyti, nuk mund t’i rrëmbehet pasuria arkeologjike një toke dhe një vendi, pasi ai gur prehistorik e ka përkatësinë aty prej mijëra vjetësh. Ky masiv i përket komunitetit të Mirditës dhe është plotësisht e mundur me shumë pak investim të ruhet aty ku është zbuluar.
Se treti, ky zbulim duhet të pasohet nga kërkime të tjera arkeologjike përreth vendit ku u gjet, për të zbuluar objekte të tjera që me siguri ndodhen aty, pasi ky shkëmb mund të jetë pjesë e një mozaiku më të gjerë mbetjesh prehistorike, të cilës i përket.
Së katërti, institucionet vendore dhe ato qëndrore në bashkëpunim me komunitetin vendas do mund ta promovonin si një vlerë të shtuar të trashëgimisë kulturore të Mirditës duke përfituar nga të ardhurat e shtuara nga turizmi dhe duke ndikuar sado pak në përmirësimin e jetesës se komunitetit atje.
Ndaj ky shkëmb prehistorik duhet të kthehet e të ruhet në vendin e vet, aty ku qëndron prej mijëra vjetësh. Që të jetë një arsye më shumë që turistët vendas dhe të huaj të vizitojnë këtë zonë me traditë dhe histori unikale dhe me një natyrë piktoreske, pa harruar mikpritjen e veçantë të banorëve vendas.
E gjithë bota kështu vepron. Ne nuk mund të bëjmë ndryshe nga praktika botërore në prezervimin e trashëgimisë kulturore e historike!
 

 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.