back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Habilitacjoni i dr. Martin Camajt si docent n’albanologjí – nga Redaksia e revistës “Shêjzat”

Gazeta

Shejzat e Koliqit - 1971
Shejzat e Koliqit – 1971

Habilitacjoni i dr. Martin Camajt si docent n’albanologjí

nga Redaksia e revistës “Shêjzat”

Familja e “Shêjzavet” u gëzue në dhetuer të vjetit 1964, nga nji fitore e madhe në lamijet kulturore, nji fitore jo vetëm e së përkohëshmes, por e mbarë gjindes shqiptare Patëm darsëm, nji darsëm intelektuale me të cilën kremtuem marrjen me sukses nga kryeredaktori i ynë. dr. Martin Camaj të habilitacionit për docenzën n’albanologji n’Universitet te München-it. Ngjarja merr nji theksim të randsishëm sepse studjuesi i ri shqiptar, tue hym në radhën e docentave të njânit prej Universiteteve mâ të çmueme të botës sidomos për sá i përket balkanologjís, do të mundohet me përtri traditat e mëdhaja gjermane në sferën albanologjike, shkencë së cilës i vûni themelet në qindvjetin e kaluem Georg v. Hahn qi me të drejtë quhet Ati i albanologjísë. Rrethâna të ndryshme e kishin ndërpré veprimtarin e Universitetit të München-it në degën e studimeve shqiptare. Historiani zâmadh prof. Franz Babinger vazhdon në veprat e veta me ndriçue sa mâ tepër mëndoret shqiptare t’errta e të ngatrrueme të qindvjetave XV e XVI ashtu prof. Georg Stadimüller përpiqet të shtojë njohunít mbi ngjarje të qindvjetave mâ të vonë të historísë sonë, por deri tash mungonte nji qandër gjermane qi t’i u kushtohej veçan studimeve shqiptare Në Lipsìa i paharrueshmi prof. Lambertz, ndonse shumë i shtŷm në moshë, e mbajti gjallë me zéll e qëndrim tejèt t’admirueshëm deri vonë veprimtarínë albanologjike por, si Atê e ngrini mardha e vdekjes, albanologjia në krejt Gjermaninë s’pat mâ nji kathedër pagëzue n’emën të vet. Këndej randësija e habilitacionit të dr. Camajt dhe emnimi i tij si docent i albanologjísë n’Universitetin e përmendun të München-it.
Martin Camaj lindi me 21 korrik 1925, nga nji familje e njoftun të Dushmanit (Dukagjin) e qysh në vjetët e parë shkollore u dallue për mende të mprehtë e dishirë me zgjâ njohunít e veta në degë të ditunísë. Kreu mâ s’miri studimet e mesme në gjymnazin klasik t’Etënvet jezuitë në Shkodër, qi qe shumë i çmuem për methudhë e acarim ndër mësime (ku i vúnë themelet e kulturës së tyne edhe Luigj Gurakuqi e Faik Konica) Ngjarjet e rrebta të mbasluftës e shtrënguen Camajn si shumë të tjerë të ri studjuesa të lâjë atdhénë e të nisi me rrahë udhët e vështira të mërgimit. U nënshkrue në Fakultetin e Filozofísë t’Universitetit të Beogradit. Me e marrë licenzën mbas katër vjetve me nji punim krye nën udhëheqjen e linguistit të famshëm Henrik Bariç. Gjatë qindrimit në Jugosllaví mori pjesë me dalldí rinore në lindjen e mrekullueshme të letrësísë kosovare me vepra qi tashmâ xánë vend në zhvillim të saj bashkë me ato të shkrimtarvet kosovarë mâ në shêj, të cilët Martinin e njehin të tyne. Dhe me të vërtetë dý përmbledhjet vjerrshash “Nji fyell ndër male” (1951) e “Kânga e vërrinit” (1954) si edhe “Djella” botue në Romë me 1958, i përkasin, – për frymë qi i dallon dhe shqetësim shpirtnuer bashkue me nji dishírë të ndezet palingjeneze vetiake e shoqnore, rrethit letrar të Kosovës e radhiten në numër të produkteve letrare typike të tij.
.
Ernest Koliqi, Martin Camaj e Krist Maloku
Ernest Koliqi, Martin Camaj e Krist Maloku
Përveç artikujve me subjekte të ndryshme botue në Shtyllat e kësaj së përkohëshme, letrari i ynë, botoi me 1984 nji tubë poemthash, krejt origjinalë, nën titullin “Legjenda”. Këtu arti i tij jep dishmí të qartë pjekunije. Nji dishirë i avullueshëm m’u lëshue n’andrrime prallzore përsjellë gjithëkund me nji ndiesí t’idhët se jeta nuk zhvillohet në hullí të trilleve të fantazís, âsht karakteristika kryesore e legjendave. Bota e vjetër mythologjike e maleve t’ona shërben si pikënisje për fluturime lyrike me trajtën e frymën mâ moderne. Motive gojdhânore të lashta lulzojnë në kët poezí të ré, ku ngashërim e rrëmbim, klithime të nji mjerimi të mbytun e tinguj magjikë të nji muzike së nënzâshme, qi përshkon palcin e vargjeve, shkríhen lumnisht, të metamorfozuem nëpërmjet t’nji shije në përkim me atë të poezísë së sotshëme botnore ku landë e trajtë thjesht shqiptare paraqiten në nji dritë së papritun letërsie së guximshëme bashkëkohore.
Nga Jugosllavija Camaj erdhi n’Italí me qëllim të specializohet n’Universitet të Romës në degën albanologjike. Mbas pak kohe u emnue Lektor vûllnetár pranë Institutit të Studimeve shqiptare të Fakultetit të Letravet e të Filozofísë. Ndërkohë, bashkë me shokë tjerë, shqiptarë e arbëreshë, themeloi të përkohëshmen “Shêjzat”. Ndoq rregullisht në Romë për disá vjet me radhë mësimet e Fakultetit të Letravet e të Filozofís dhe u kunorzue me larin akademik tue rrahë përpara Komisionit të Laurës thezën me titull: “Il Messale di Gjon Buzuku (Contributi linguistici allo studio della genesi”. Unanimisht Komisioni i dha votat e plota të cilave u shtoi lavdinë, mbi propozimin e Prof. Mayer, relator i dytë i thezës Dijetarë në zâ si proff. Pagliaro, Schirò, Picchio etj. miratuen veprën gjuhsore të Camajt. Por nuk u kënaq me suksese të korruna në Jugoslavi e në qarqe universitare t’ltalís. Qiti cekën me u thellue në gjuhësí edhe në nji qendër studimesh me emën të madh si âsht Universiteti i München-it sidomos, po e përsrisim, në studime qi i përkasin Europës jug-lindore. Kuptohet vetvetiu se për të marrë habilitacionin lypej mâ së pari njoftja e gjuhës gjermane. Në pak vjet Camaj, me nji përpjekje kryeneçe ku shkëlqen natyra e fortë e brumit të maleve shqiptare, u vû në gjendje me përballue me at gjuhë çdo provim. Punoi për pesë vjet pa i falë vetes asnji çast frymëmarrje pushuese, nën drejtimin e indo-germanistit të shquem prof. Wilhelm Wissmann, mbi themën “Formimi i fjalve të vjetra shqipe”, (Albanitche Wortbildung – Die Bildung der altere Nomina). Natyrisht thema përfshin edhe lidhjet e gjuhës shqipe me gjuhët balkanike. Camaj i fortë në gjuhët klasike e neo-latine si edhe në sllavishte, e me njofje të plotë mbi shkrimet albanologjike të gjermanve, kishte tashmâ veglat me i a hŷ zhvillimit të themës së vështirë.

.

Martin Camaj (1925-1992)
Martin Camaj (1925-1992)
Colloquiu-mi u mbajt me 9 dhetuer 1964, para nji Kolegjiumit ku mirrshin pjesë të gjithë titullarët e Fakultetit të Filozofísë të Munhen-it nën kryesínë e dekanit Prof. Hans Müller e ku dijetarët mâ të spikatun për landën e provimit ishin, posë prof. Wissmann-it, edhe profesorat Alois Schmaus (slavist e balkanolog), Georg Stadtmüller (historian i Shqipnísë dhe specialist i historís europjane jug-lindore) e të tjerë mjeshtra të përmendun. Pyetjeve të shumta, kandidati u dha përgjegje të plotë. Mâ tepër pyetjet u sollën rreth methodikës në përkim me studime shqipe e balkanike.
Kalue me lavd prova para Kolegjiumit provimtar, dekani prof. dr. Müller caktoi aty për aty ditën e referatit publik me kët themë “Reflekset e Kanunit të Lek Dukagjinit n’epikën popullore”. Edhe kjo provë u kalue mâ së miri para një publiku të zgjedhun miqësh, nxansish, kolegësh qi deshtën me pranínë e vet t’ia shfaqin docentit të ri admirimin e sympathínë e tyne; ndër këta edhe disa shqiptarë qi banojnë në Gjermani. Në referat gjâja qi bâni përshtypje qe krahasimi i skâjeve kanunorë (terminologjia) të shqipes me ata të Malit të Zi dhe përpjekja për caktime kronologjike në zhvillimin e Kanunit nëpërmjet mjeteve gjuhsore. U vû në dukje edhe vlera e hulumtimeve mbi ligjet dokësore të Padre Valentinit, veprat e të cilit janë shumë pak të njoftuna nga ethnologët ballkanas.
Dr. Camaj, si kreu referatin ndjekun me vëmendje të paprème nga ndëgjuesit, u përgëzue nga mjeshtrat e nga miqtë e dashamirët qi aty gjindeshin pranë.
Tashti docenti i ri i a ka hŷ punës së rregullt tue vazhdue kursin e shqipes dhe tue bashkëpunue me kolegët tjerë në lamije të studimeve balkanologjike.
Kryeredaktorit të Shêjzavet, mikut e shokut e kolegut, na, redaktorët e bashkëpuntorët e së përkohëshmes, i drejtojmë urimet tona vëllaznore për nji karrierë të ndritëshme universitare në dobi e në lavdi të vet e të Shqipnísë dhe lusim Zotin ta kemi pranë nesh shumë vjet në fushën e veprimtarísë kulturore.
.
Revista “Shêjzat”, kallënduer-fruer, 1965, fqt. 5-7
.
Marrë nga Muri i Agim Morinës, shtator 2017

 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.