back to top
14.5 C
Tirana
E enjte, 21 Nëntor, 2024

Hafiz Sherif Langu, Shqyptarizma për fe e për atdhe – nga Eugen Shehu

Gazeta

Hafiz Sherif Langu dhe Luigj Gurakuqi ulur në mes në këmbë Lef Nosi (arkivi i familjes Langu)
Hafiz Sherif Langu dhe Luigj Gurakuqi ulur në mes në këmbë Lef Nosi
(arkivi i familjes Langu)

Hafiz Sherif Langu, Shqyptarizma për fe e për atdhe

nga Eugen Shehu

Dibra e Madhe, ajo trevë e lume shqiptare,
qarkuar prej lumenjëve gumëzhitës dhe maleve të larta,
nëpër shekuj ka tundur kurdoherë djepe trimash.
Këta në çdo moment, i kanë dale zot fateve të kombit të tyre.
Por, në ato djepe janë përkundur edhe burra të mençur,
fjala e të cilëve është përcjellë me respekt së pari në odat dibrane,
është shëndrruar që prej shekujsh në institucion besimi dhe krenarie njëherësh.
Një gur i rëndë themeli në këtë institucion të besës dhe burrërisë dibrane,
mbetet përjetësisht edhe Sherif Langu.
.
Eugen Shehu
Eugen Shehu
Sherif Langu, ka lindur në tetorin e largët të vitit 1877, në Dibër të Madhe. Qysh herët në fëmijëri, do të ndjente shtypjen dhe peshën e rëndë disashekullore osmane. Familja e tij, do të ishte kurdoherë nën kontrollin e rreptë të xhandarëve të Portës së Lartë, për shkakun se gjyshi i tij, Selim Bej Rusi, pati qenë nën udhëheqësit ushtarak të Dibrës së Madhe, në vitet e lavdishme të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Ndonëse kjo lidhje u shtyp në mënyrë të dhunshme, burrat që e ideuan dhe e drejtuan atë, përcillnin pa u friguar në gjeneratat më të reja heroizmin dhe shpirtin e madh të sakrificës që patën karakterizuar krejt ato vite. Sherifi i vogël, do të ndikohej së tepërmi nga jeta prej kaçaku dhe udhëheqësi luftarak e gjyshit të tij, ndaj dhe nuk i ndahej për asnjë çast atij. Në moshën 8 vjeçare, Sherif Langu shkon të studiojë në Medresenë e famshme të Dibrës së Madhe, jo shumë larg shtëpisë së tij. Mësuesit e donin pse ai karakterizohej nga një vullnet i madh për të përvetsuar çdo dituri, sado e largët të ishte ajo në kohë. Por ata e donin se gjithashtu, shihnin tek tiparet fisnike të nxënësit 8-9 vjeçar një ndjenjë të thellë dhembshurie që jo rrallë lexohej në sytë e tij, për vendlindjen e dashur. Dhe fshehtas, në vitet e shkollimit në Medresenë e qytetit, kishte dëshirë t’u fliste bashkëkombasve të tij, për heronjtë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, pa harruar natyrisht gjyshin e tij. “Pas mbarimit me rezultate të shkëlqyera të Medresesë së qytetit, Sherif Langu shkon në Manastir, duke vazhduar mësimet në gjimnazin, ku veçanërisht në vitet e para të shekullit që lamë pas, pati nisur të zgjohej vetëdija nacionale jona. Qysh në vitet shkollore në Manastir, Sherif Langu, bashkëpunoi me atdhetarët e njohur Hamdi Ohri, Zyhdi bej Ohri dhe Hajdar Blloshmi”. (B. Gaçe “Ata që shpallën pavarsinë kombëtare” Tiranë 1997, faqe 100).
 
Në vitin 1904, Sherif Langu do të merrte rrugën drejt Stambollit. Ndonëse pat shprehur dëshirën të studionte Teologjinë Islame, në vetvete ishte i prirur që nëpërmjet mundësive që i jepte rroba e një patriarku të ndikonte sa të mundte për t’u orientuar bashkatdhetarëve të vetnë dritën e munguar të Shqiptarizmit. Në Stamboll, në ato vite, vlen të thuhet se vepronin një varg patriotësh të mëdhenj të Shqipërisë, në krye të të cilëve, padyshim ishin vëllezërit Frashëri. Së pari, Sherif Langu do të takohej me Ibrahim Temon dhe Dervish Himën, të cilët duke njohur se nga çfar familjeje vinte dibrani i ri, i besuan atij mjaft të fshehta të lëvizjes autonomiste shqiptare e cila po gatuhej, pikërisht në zemër të perandorisë osmane. Bashkëbisedimet e gjata me këta dy burra, do ta bindnin Sherif Langun se Teologjia Islame që ai studionte, do të vlente vetëm atëherë kur ajo do të shpalosej si mesazh për të ndriçuar udhën e lirisë së kombit të vet. Por, në Stamboll, biri i Dibrës së Madhe do të takohej edhe me Mehmet Pashë Derallën, Ali Riza Shkupin dhe Hasan Prishtinën. Prej këtyre ai do të merrte fjalën se në rastin e parë që do t’u jepej, kur vatanit t’i kërkonte besë të lidhur burrash, e bashkuan edhe Sherif Langun, i cili sapo mbaroi Universitetin Telogjik Islam, kërkoi të shërbente në një prej institucioneve fetare në vilajetet shqiptare. Në vjeshtën e vitit 1907 shkon në Dibër të Madhe dhe nën titullin fetar të Hafizit, nis menjëherë nga veprimtaria kombëtare. Në këtë mënyrë, në pranverë të vitit 1908, pas kontakteve të drejtpërsëdrejta me Dervish Himën dhe Vehbi Dibrën, Hafiz Sherif Langu nis nga puna për krijimin e klubit “Bashkimi” i paraqitur asaj kohe si klub për përhapjen e gjuhës shqipe, por që në të vërtetë kërkonte të zhvillohej sipas modelit të Komitetit të Fshehtë të Manastirit. Me punë dhe përpejkje trimërore, klubi “Bashkimi” ndonëse ende i pashpallur, u shëndrrua në një fole të ngohtë të atdhetarëve që vepronin sidomos në Manastir. Pavarsisht se formimi i klubit “Bashkimi” u shpall në dhjetor të vitit 1908, (me kryetar Hafiz Sherif Langun) ky pati ndikuar drejtëpërsëdrejti në mbarëvajtjen e Kongresit të Manastirit për alfabetin e gjuhës shqipe. “Pranë klubit “Bashkimi” dhjetra antarë zhvillonin një propagandë të gjërë në qytet dhe në krahina për të mbajtur të gjallë në popull dashurinë për atdheun, dëshirën për të kënduar e shkruar shqip. Kudo dëgjohej me interes fjala e kryetarit Sherif Langu dhe Vehbi Agollit për këto probleme, duke i bërë kështu një shërbim të çmuar çështjes kombëtare”. (Arkivi i Institutit të Historisë – Tiranë, Dosja A.VII.63 , fleta 4).
Në krye të klubit patriotik “Bashkimi” Hafiz Sherif Langu do të përpiqej të mblidhte rreth çështjes kombëtare jo vetëm atdhetarë Dibranë, por edhe ata të Kosovës e Malit të Zi. Edhe atëherë kur turqit e rinj u vërsulën me zjarr dhe hekur për të shtypur çdo aspiratë autonomiste të popullit tonë, burri i Dibrës nuk u frigua. Mjaft pjestarë të klubit që ai drejtonte u shpërndan ç’prej Kukësi e deri në Ohër e Strugë, duke krijuar e mbajtur të ndezur arsimimin e fëmijëve me gjuhën e bukur shqipe. Ishte pikërisht veprimtaria e këtyre Komiteteve, e cila mbajti të ndezur arsimimin e fëmijëve me gjuhën e bukur shqipe. Ndonëse turqit e rinj përpiqeshin të digjnin çdo libër shqip, karavane të tëra librash, të ardhura nga Sofja apo Bukureshti, shkonin deri në fshatrat e kullat më të largëta të Dibrës. Hafiz Sherif Langu, do të predikonte me dashuri e urti, midis bashkëkombasve të vet se “shqiptarizma asht për Fe e Atdhe. Sa ma shumë ta përqafojmë atë aq më pranë zotit jemi dhe ai padyshim do t’na ndihmojë në dëshirat e hallet tona”.
Hafiz Sherif Langu, çdo ditë më tepër ishte i bindur se përballë veprimeve dhunuese dhe përçarëse të Portës së Lartë shqiptarët duhej të ngriheshin e të kërkonin pavarsinë e tyre me grykën e pushkës. Kështu në fillim të marsit 1912, patriotët dibranë organizuan në rrethina të fshatit Homesh, një kuvend madhor, në të cilin muarën pjesë rreth 4500 burra ç’prej Grykës së Vogël e Luznisë deri në Bulqizë. Në këtë kuvend, Hafiz Sherif Langu lexoi një program i cili sipas dokumentave ka qenë pikërisht urdhëri i Komitetit të Manastirit për përgaditjen e kryengritjes së armatosur. Ky program në dallim nga herët e tjera apo kuvendet e tjera, përcaktonte në mënyrë tejet të qartë se: “Tash do të bajmë kryengritje jo për me kërku lirinë e mësimit të gjuhës sonë, por për me ngritë flamurin kuqezi” (Arkivi i Institutit të Historisë-Tiranë. Fondi A.VII 63, fleta 69).
“Dhe pikërisht këtu pas ndëgjimit të fjalës së Hafiz Sherif Langut, i cili disa herë u ndërpre nga duartrokitjet e nxehta dibrane dhe po në atë lëndinë, si rrufeja u lidh besa për t’i dëbuar osmanët nga Dibra. Me anë të korrierëve të posaçëm, kërkesa e burrave të Dibrës u dërgua pranë deputetëve shqiptarë në parlamentin osman dhe veçanërisht iu bë e njohur Hasan Prishtinës, i cili dha udhëzime për mbajtjen e kontakteve me gjitha vilajetet shqiptare. Më 24 mars 1912, në fshatin Çidhnë të Dibrës së Poshtme, luftëtarët shqiptarë u përballën me një batalion osman të futur në pozicione të fortifikuara dhe të armatosur deri në dhëmbë. U deshën disa orë luftime të rrepta që batalioni turk në Çidhën të shpartallohej tërësisht, duke lënë me qindra të vrarë e të plagosur dhe një sasi të konsiderueshme të materialeve luftarake. Ndërkaq flakët e kryengritjes po përhapeshin me shpejtësi të madhe. Më 27 mars 1912, forcat dibrane të udhëhequra nga Elez Isufi dhe Sufë Xhelili rrethuan garnizonin turk në Reç e Dardhë dhe pas luftimesh të papara, mundën t’i shpartallojnë këto forca. Tashmë për çdo dibran të ndershëm, ashtu sikundër për çdo shqiptar të tillë, ishte më se e qartë. “Në qershor kryengritja përfshiu edhe Dibrën e Sipërme, kurse më 21 qershor filluan lëvizjet brenda në qytetin e Dibrës. Tek Ura e Spiles u grumbulluan forca të shumta kryengritëse, të prira nga Sadulla Strazimiri, Sheh Latifi, Ismail Strazimiri, Hafiz Sherif Langu, Eqrem Cami, Shahin Cami, Nurçe Xhuglini, Qamil Daci, Ali Zeqja, Rifat Mizoja, Dan Cani, Dine bej Maqellara, Abdulla bej Allabegija, Izet Dalipi, Sefedin Ilimca etj. Shihej qartë se e tërë Dibra ishte e përfshirë nga ideja dhe valët e kryengritjes”. (Q. Xhelili, “Vehbi Dibra personalitet dhe veprimtar i shquar i lëvizjes kombëtare” – Tiranë 1998, faqe 83).
Merret lehtë me mend se ngjarja kulmore në jetën e Hafiz Sherif Langut është padyshim pjesmarrja e tij në kuvendin historik të Vlorës. Në kushtet e shpartallimit të plotë të perandorisë osmane si dhe të rrezikut që u vinte trojeve shqiptare prej shovenëve sllavo-grek, ishte e natyrshme që vetëm pavarsia do të mund të shpëtonte shqiptarët. Më 18 nëndor 1912, në zyrën e telegrafisë së bashkisë së Dibrës, do të mbërinte telegrami i plakut Ismail Qemali, i cili ftonte dibranët një orë e më parë të zgjidhnin përfaqësuesin e tyre, për të ngritur Flamurin në Vlorë dhe për të shpallur pavarsinë e trojeve shqiptare. Në këto kushte, në 19 nëndor 1912, paria e Dibrës në bashkëpunim me udhëheqësit e shquar të maleve, u mblodhën në një kuvend madhështor, i cili u çel me leximin e telegramit të plakut të Vlorës. Dy ditë pas këtij kuvendi, mes bisedimesh të shumta, u caktuan edhe dy delegatë që do të përfaqsonin popullin dibran në Vlorë. “Është interesant fakti që mandati i përfaqsimit të Dibrës në kuvendin e Vlorës iu dha njëzëri dhe pa asnjë hezitim Vehbi Dibrës dhe Hafiz Sherif Langut. Të dy burra të shquar dhe të nderuar, të njohur si klerikë por edhe si luftëtarë aktivë të çështjes kombëtare.” (Q. Xhelili” Vehbi Dibra personalitet dhe veprimtar i shquar i lëvizjes kombëtare” – Tiranë 1998, faqe 90).
Menjëherë pas marrjes së mandateve, të dy burrat e Dibrës të përcjellë nga dashuria dhe respekti i mijëra dibranëve, nisen për në Vlorë. Atyre do t’u duhej të udhëtonin herë në këmbë e herë në kuaj, ditën e natën, duke iu shmangur sidomos luftimeve me formacionet e ushtrisë serbe. Dhe kurdoherë ata do të gjendeshin të rrethuar prej bujarisë dhe fisnikërisë shqiptare. Udhëtimi i tyre zgjati plot 7 ditë dhe anipse në kushtet e vështira të mjeteve të komunikimit me të mbrritur në Elbasan, ata morën vesh për interesimin e vazhdueshëm, të Ismail Qemal Vlorës. Kështu, në një telegram që ky i niste në Elbasan, Aqif pashë Elbasanit, pos të tjerave pyeste: “A erdhën përfaqsuesit e Dibrës? Sa më i madh të jetë rreziku aq më rëndësi kanë masat për ta përballuar këtë rrezik…” (A.Q.Sh-Tiranë. Fondi “Kuvendi Kombëtar i Vlorës” Dos.1. fl.23)
.
Nga e majta Dhimiter Berati, Ferid Vokopola, Ali Asllani, Rauf Fico, Elefter Nosi, Hafiz Sherif Langu, Dervish Bej Bicaku, Rexhep Aga Mitrovica, Eqrem Bej Vlora,
Nga e majta Dhimiter Berati, Ferid Vokopola, Ali Asllani, Rauf Fico, Elefter Nosi,
Hafiz Sherif Langu, Dervish Bej Bicaku, Rexhep Aga Mitrovica, Eqrem Bej Vlora,
Më pas ditët historike të kuvendit, Hafiz Sherif Langu do të jetonte në dashurinë e qindra atdhetarëve të tjerë shqiptarë, momentet e lavdisë dhe krenarisë për ngritjen e flamurit tonë kuqezi. Shqipëria shpallte aktin e madh të pavarsisë duke lënë pas lumenj të tërë gjaku. Së bashku me Vehbi Dibrën, burri i Dibrës harton “Fetfanë”, duke iu përgjigjur flakë për flakë qëndrimit antikombëtar të disa prej parisë shqiptare, të cilët mohonin jo vetëm kombësinë e fenë por edhe flamurin tonë. Duke shfrytëzuar faktin që tradicionalisht, nëpër kuvendet shqiptare klerikët e lartë fetarë do e thonin domosdoshmërisht fjalën e tyre, patriotët dibranë përfaqësues në Vlorë hartuan brenda 3-4 ditëve “Fetfanë”, një lloj përshëndetjeje e cila do të hidhte dritë mbi të kaluarën dhe të ardhmen e kombit tonë. Në vështrimin e parë kjo “Fetfa” të ngjan me një predikim të zakonshëm të klerikut, ndërsa në të vërtetë përmbajtja dhe idetë e saj, bënin apelin e madh të kohës, drejtuar gjithë shqiptarëve për në dashuri gjer në amshim për të kaluarën dhe flamurin tonë. Në aspektin juridik kjo përshëndetje mund të merrej edhe si model i ndërthyrjes së detyrave të pushtetit legjislativ me atë egzekutiv të shtetit. Në qeverinë e parë shqiptare të dalë prej kuvendit të Vlorës, Hafiz Sherif Langu bashkëpunon me Mid’hat Frashërin, i caktuar në atë qeveri si ministër i punëve botërore. Në prillin e vitit 1913, atëherë kur trupat serbe po largoheshin nga Dibra dhe Mati, qeveria e përkohshme e Vlorës mendoi të dërgonte atje një komision të veçantë, i cili do të organizonte pushtetin lokal në ato treva. Me porosi direkte të Mid’hat Frashërit ky komision përbëhet prej: Hafiz Sherif Langut, Tajar Tetovës dhe Ahmet Daklit. Ndërkaq ishte qeveria e Vlorës, e cila i pat porositur komisionerët e saj të merrnin në Mat, patjetër lidhje sa më të ngushta me djaloshin 18 vjeçar Ahmet Zogun, i cili i pat deklaruar në Vlorë, Ismail Qemalit se do të ishte krahu i djathtë i shtetit të parë shqiptar, në ato treva. Rreth këtij misioni, më 22 maj 1913 ministri i Brendshëm i Qeverisë së Vlorës, Myfid bej Libohova i shkruan prefekturës së Elbasanit, midis të tjerash se: “Telegramet e zotërinjëve Tajari, Sherif dhe Ahmet i morëm. Është e nevojshme që Dibra dhe krahina e Matit të lidhen me qeverinë e përkohshme sa më shpejt. Bajram bej Curri dhe krerët e tjerë ndodhen në Mat, ku presin udhëzime nga qeveria e përkohshme. Zotërinjtë Sherif, Tajar dhe Ahmet të nisen sa më shpejt për në Mat!” (Arkivi Qëndror i Shtetit-Tiranë, Fondi 71, dosja 2, dokumenti nr. 11223). Anipse në kushte tejet të vështira, përballë trazirave të mbrendshme si edhe intrigave serbe e malazeze, patriotët dibranë, të kryesuar nga burri i shquar Sherif Langu, mundën të kryenin në trevat veriore shqiptare një veprimtari të madhe në dobi të shtetit të parë shqiptar. Ngase kishte njohuri jo vetëm në teologji por edhe në jurispondencë burri i Dibrës do të ngarendte prej Mati e deri në Dibër e Gjakovë, duke u përpjekur të bindë parinë e këtyre trevave se ishte e domosdoshme të shmangej anarkia për t’iu bindur deri në fund ligjeve të shtetit. Me ndihmën e drejtëpërsëdrejti të Sherif Langut, u ngrit prefektura e re e Dibrës, në të cilën përveç viseve të çliruara nga serbët të kësaj treve, u vendos të futeshin në krahinat e Lumës dhe të Matit. Në të njëjtën kohë, ndonëse përballë vështirësive u ngritën administratat vendore në Dibër të Epërme dhe Dibër të Poshtme ku kontributi i Sherif Langut ka qenë dhe mbetet i padiskutueshëm.
Trazirat e mëdha në vitet 1913-1914, atëherë kur shqiptarët po vriteshin midis tyre për të kënaqur orekset e fqinjëve tanë të vjetër e lakmitarë, nuk do të kalonin lehtë në shpirtin e burrit të Dibrës. Në këto momente, në fjalën e tij të ngrohtë dhe sidomos mendimin e pjekur, Sherif Langu do të ishte kurdoherë në vargun e burrave që vunë shqiptarizmën mbi gjithçka. Në shoqërinë e Rexhep Mitrovicës, Ahmet Zogut, Murat Toptanit, Mid’hat Frashërit, Myfid Libohovës, Aqif Biçakut etj, burri i Dibrës do të ngarendte nga një cep i Shqipërisë në tjetrin duke luftuar me pushkë dhe pendë që pavarsia e shtetit shqiptar, si ajo foshnja e sapolindur të mos përpihej prej tallazeve të egër të luftrave dhe ambicieve të fqinjëve tanë shoven. Edhe në vitet 1914-1918, kur ai kreu detyrën e gjykatësit në disa prej gjykatoreve shqiptare të asaj kohe, Sherif Langu u karakterizua nga një drejtësi dhe urtësia në marrjen e vendimeve. Për të, të gjithë ishin të barabartë përballë ligjeve, ndaj secili vlente të përgjigjej deri me jetën e tij. Por dënimet e rrepta ishin tejet të rrallë për atdhetarin dhe fetarin e madh, këto dënime janë dhënë vetëm në ato raste kur tradhëtia ndaj Shqipërisë dilte sheshit. Ndërkaq në asnjë mënyrë ai nuk do të pranonte bashkëpunimin me Esat Pashë Toptanin, i cili duke parë guximin e tij, e mbajti të mbyllur në burgun e Elbasanit për 7-8 muaj, burrin e shquar të Dibrës. Më tej, Hafiz Sherif Langun do ta shohim të japë kontributin e tij të çmuar, përkrah Vehbi Dibrës, për pavarsinë e objekteve dhe kulteve fetare shqiptare nga Stambolli. Vlen të merret në konsideratë se një gjë e tillë, ka qenë shumë e vështirë të realizohej në ato kohra, po të kemi parasysh mentalitetin dhe prapambetjen që trashëgonte populli ynë nga e kaluara. Në këtë mënyrë, krahas mendimit teologjik dhe filozofik, kontributi i Sherif Langut mbetet me vlera të thella, pasi në çdo veprim e fjalë të tij, vihen re ndjenjat e thella dhe fryma nacionaliste. Si rrallëkush në ato momente të vështira, Hafiz Sherif Langu u përpoq të ngjallte në shpirtërat e besimtarëve apo shqiptarëve të tjerë që e rrethonin, ndjenjën e krenarisë kombëtare, evokimin e traditave më të vyera të popullit tonë si parakusht për të flakur tutje fanatizmin e verbër dhe përqarjet krahinore. Që këto tradita të evokoheshin e përcilleshin, që ato të shiheshin si modele që mund të vlenin ende, sipas mendimit të burrit të Dibrës, të gjithë shqiptarët duhej të shtonin përpjekjet për gjuhën dhe kulturën shqiptare. Veçanërisht në kushtet kur mbretëria shqiptare, po u jepte prioritete të mëdha shkollës dhe gjuhës shqipe, Sherif Langu do të nxiste plejadën e shkëlqyer të klerikëve të asaj periudhe që të përkrahin pa rezerva shqiptarët këndej e andej kufirit, për të lartësuar mendjen e tyre vetëm në anën e diturisë.
Sipas librit “Dibra dhe etnokultura e saj”, mësohet se Hafiz Sherif Langu, nga 1938 e deri në vitin 1941, kryen detyrën e kryetarit të Këshillit të Ylemave në Shkup. Në muajin tetor 1941, kisha sllavomaqedonase i përgaditi atentat burrit të Dibrës, pasi kishte parë tek figura e tij më shumë se klerikun e besimit islam, ndjenjën e thellë kombëtare që përcillte në çdo veprim kryetari i Këshillit të Ylemave. Kanë qenë pikërisht disa miq të tij në Shkup të cilët bien në erë të atentatit. Fshehurazi duke e veshur me kostum të fshatarëve të atyre anëve, këta mundën ta nxjerrin Sherif Langun përtej kufijve politikë politik, duke e dërguar në Tiranë. Aty, burri i Dibrës pritet me gëzim prej qeveritarëve shqiptarë, madje kleri i lartë mysliman u vendos në funksionin më të lartë atë të kryetarit të Komunitetit Mysliman. Falë atdhetarizmit të kulluar të tij, luftës pa kompromis me kundërshtarët e Shqipërisë, si edhe përgaditjes së lartë teologjike e filozofike, ai qëndroi në këtë detyrë deri në tetor 1943. I prirur kurdoherë nga ideja e Shqipërisë Etnike, Hafiz Sherif Langu pranon me kënqësi të jetë në tetorin e vitit 1943, në Këshillin e Naltë të Shtetit Shqiptar si anëtar i këtij Këshilli. Ai do të bashkëpunonte me burra të tillë të shquar si Rexhep Mitrovica, Lef Nosi, Patër Anton Arapi, Mehdi Frashëri, Xhafer Deva, Thoma Orollogaj, Fuad Dibra etj, pavarisht se këta u sulmuan me armë në dorë nga klika komuniste e Tiranës.
Në janarin e vitit 1945, ndërsa po jepte mësim në Medresenë e Tiranës, Hafiz Sherif Langu arrestohet. Akuza ndaj tij mund të përmblidhet “bashkëpuntor me Ballin Kombëtar” e “Legalitetin”, mik i ngushtë me Rexhep Mitrovicën dhe Lef Nosin, ka luftuar për Shqipëri Etnike duke sabotuar rëndë lëvizjen nacional-çlirimtare”. Burri i Dibrës e bëri vetë mbrojtjen, pa avokat. Në esencë fjala e tij në gjyqin butaforesk të komunistëve të Tiranës përfundonte: “Nuk mund të quhem armik pse due me jetue së toku me vllaznit e mij, çka e realizon Shqipnija Etnike. Përkundrazi armiq jeni ju. Vetëm për këtë ideal timin në Shkup deshën me m’vra. Por sllavomaqedonasit po e realizojnë këtë në Tiranë!” Dënohet së pari me burg të përjetshëm e mandej me 25 vjet burg.
Hafiz Sherif Langu, nacionalisti i pakompromis, mbyll jetën e tij i torturuar mizorisht nga bolshevikët e shtetit amë, më 9 mars 1956, burri që pati ngritur flamurin në Vlorë, ai që për 7 decenie punoi e jetoi vetëm për kombin e vet. Ishte plot 79 vjeç kur mbyllte sytë, ndërsa shpirti i lirë ngarendte përtej hekurave të qelive në kufijtë Etnike të Shqipërisë.
.
Bern-Zvicër, 28 qershor 2015
.
marrë nga www.drenicapress.info/hafiz-sherif-langu-shqyptarizma-per-fe-e-per-atdhe/

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.