back to top
8.5 C
Tirana
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

Hajdutëri kulturore – nga Artan Kafexhiu

Gazeta

Artan Kafexhiu
Artan Kafexhiu

Hajdutëri kulturore…

nga Artan Kafexhiu

Si do të ndjehej një adhurues i nacionalistit, e antikomunistit Mid’hat Frashëri (a ka “lumoskëndist” në fushën e pendës), kur një pjesë e konsiderueshme e asaj kulture dhe domethënie e kontributit të tij, të përçudnohet, t’i tjetërsohet kuptimi dhe të shitet si një lloj slogani, posteri reklame mode?
Këtë po e bëjnë “celebritete”, e pushtetarë, tepër fashionabël të postkomunizmit të Hoxhës; një pjesë e mirë, të mbetur adhurues të hapur, apo të fshehtë të diktatorit, e të adhuruarve prej tij, si Stalini, Marksi, Lenini, deri tek themeluesja, teoriciene politike, cytësja e pasuksesshme e revolucionit të kuq terrorist në Europën Perendimore, komunistja polake, Roza Luksemburg.
Kjo është pjesë e një trendi botëror, që është hapur, e njihet si “cultural appropriation”, – me vënë nën kontroll e zotërim, kulturën, historinë, kontributin, heronjtë e një grupi, e kulture tjetër. Me fjalë të tjera, vjedhje e kulturës, e çka është e shenjtë për një grup tjetër, madje krejt antagonistë të ideve dhe kulturës komuniste.
Dikush mund të mendojë, se pavarsisht flitet për kultura të ndryshme, e madje përqasje krejt të kundërta, kjo nuk është ndonjë gjë e madhe. Këtë do të ketë menduar edhe Uran Butka, kur me bekimin e qeverisë, nxitoi të krijonte një poster reklame të re, për t’iu adaptuar vjedhjes se heronjve, kjo shumë në modë në Atdhe. E quajtën çmimi “Lumo Skëndo”, kur dihej që në fillim, i paravendosur, destinacioni i këtij çmimi. Madje e bërë me zell e nxitim të hatashëm, për të rrahur hekurin sa është i nxehtë. Nuk mjafton të vjedhësh heronjtë e kulturës kundërshtare politike, por emrat e tyre i kthen në pengje me vlerë, për të mbajtur të njollosur, një ideal të tërë për të cilën luftuan këta heronj, duke përçudnuar, tradhëtuar, e tjetërsuar kontributin e tyre politik e letrar.

Mit'hat Frashëri dhe rinia e emigracionit shqiptar
Mit’hat Frashëri dhe rinia e emigracionit shqiptar

Ka ndryshim, shumë të madh madje, – sigurisht shoqëruar me një ligësi, e djallëzi të pashoq, – të vlerësosh një kulturë, ideal e traditë, siç është kontributi kombëtar, e letrar i Lumo Skëndos, e të kërkosh, e të mësosh nga ky kontribut, ndërkohë, kur në fakt bën të pabërën: ta rrëmbesh, ta mbash tashmë rob, sikur Lumo Skëndo të ishte “i tyre”, e më keq të demostrosh me hipokrizi, e në fund të fundit tallje, mungesë totale respekti për emrin e traditën e krijuar prej tij.
Kështu ngjan, që një emblemë kulturore, një ideal, një emër i panjollosur, adaptohet nga pushtetarët e sotëm shqiptarë, për t’ia bërë dhuratë, një “celebriteteje” të pompuar nga vetë ata, dhe e majta europiane, që duan të vazhdojnë të mbajnë gjallë ideale kriminale, që kanë shkaktuar miliona viktima, por kësaj here, nën një petk të ri, një lloj trendi të ri, por me rrënjët në gjakun e këtyre miliona viktimave të dhunuara mizorisht. Kjo dëshmon vetëm përdhosje, mungesë respekti për rëndësinë dhe domethënien kulturore e kombëtare të traditës nacionaliste të krijuar nga Frashërllinjtë, dhe veçanërisht pinjolli i fundit të tyre, Mid’hati.
Çmimi “Lumo Skëndo” është një lloj veshje mashtruese, për t’u përdorur nga kllounët qeverisës, dhe “celebritetes” marksiste, që iu akordua çmimi. Këtë lloj kostumi të ri, ajo e fut në garderobë në të mbrame, kur nuk i duhet. Ndërkohë, asaj pjesë të vërtetë të shqiptarëve të terrorizuar, të sakrifikuar, të vdekur burgjeve e torturave, e të trashëgimtarëve të tyre, që mbajtën gjallë, respektuan traditën e Lumo Skëndos, i është rrëmbyer, vjedhur e adaptuar, dhunuar e tradhëtuar, e drejta themelore dhe shenjtëria e idealit të tyre.
© AK

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.