Haki Taha, mësues patriot, martir i Kosovës
nga Faik Smajli
Haki Taha meriton një libër, por këtu pak nga jeta e tij. Hakiu shkollën fillore e nisi në vendlindje dhe e kreu në shkollën fillore “Kosova” në Krumë të Hasit në Shqipëri. Gjimnazin e ulët e kreu në Shkodër e Shkollën Normale në Elbasan, në vitin 1939, kur edhe u emërua mësues në Shnavlash të Shqipërisë. Në vitin 1941, me grupin e parë të mësuesve që erdhën në Kosovë, erdhi në vendlindje dhe Haki Taha, bashkë me shokët e vet Hysni Zajmi, Fadil Hoxha, Xheladin Hana, Zeki Shehu, Muharrem Gazia etj., gjatë verës, organizoi kurset e gjuhës për të rinjtë shqiptarë të shkolluar më parë nëpër shkollat në gjuhën serbe. Aty edhe ngjalli ndër të rinjtë ndjenjat patriotike dhe frymën e atdhedashurisë.
Patriot dhe atdhetar i flaktë, me shëndet të shkatërruar dhe i zhgënjyer me gjendjen dhe situatën e krijuar pas përfundimit të luftës, kur u mor vesh mashtrimi gjatë luftës dhe në Konferencën e Bunjajt, e duke e konsideruar Miladin Popoviçin kreun dhe ideologun e sllavokomunistëve në Kosovë dhe fajtorin kryesor për prishjen e Marrëveshjes së Mukjes, Haki Taha me gjakftohtësi të madhe kreu aktin e vrasjes politike të Miladin Popoviçit. Gjatë kohës sa ishte Miladin Popoviçi në pozitën më të lartë politike në Kosovë ndodhën të gjitha ato që ndodhën: masakrat pothuaj në të gjitha qendrat e Kosovës, luftërat dhe masakrat në Ferizaj, Gjilan e Drenicë, largimi i brigadave shqiptare të Kosovës dhe i brigadave të Shqipërisë nga Kosova për të ardhur në vend të tyre brigadat serbomalazeze dhe famëkeqja brigadë kriminale e Bokës që bëri kërdinë në Rrafshin e Dukagjinit, ploja e të rinjve të mobilizuar shqiptarë dhe masakrimi i tyre në rrugë për në Shkodër, Tivar, Dubrovnik e Trogir, vendosja e pushtetit ushtarak në Kosovë etj. E politikisht, Kosova që atëherë ishte tradhtuar dhe e mbetur definitivisht në kuadër të Serbisë. Haki Taha me këtë nuk mund të pajtohej kurrsesi. Prandaj nuk i mbeti tjetër përveç të bënte një gjest heroik, qoftë edhe duke e sakrifikuar me vetëdije të plotë jetën e vet dhe të tregonte me vepër atë që thoshte me gojë dhe e shkruante me penë. Me atentatin e tij heroik e flijoi veten për Kosovën martire, së cilës i këndoi në kushtrimin e tij, botuar në revistën “Alternativa” të shoqatës “Migjeni” të Ljubljanës.
.
Ndajfolet “ndoshta”!
“Ndoshta” e parë e Jevrem Berkoviçit: “Ndoshta ky është shkaku i vrasjes së tij [Miladinit]”: që Miladini nuk mundi të mbajë premtimin që i kishte dhënë palës shqiptare se do t’iu kthente Kosmet-in (Kosovë e Metohi). “Një gjë është e sigurt, – përfundon Zogoviçi, – se shqiptarët nuk e kanë vrarë Miladinin.” Atyre që e besojnë këtë, iu mbetet të shpjegojnë, pse Tito edhe e vrau Miladinin, edhe e mbuloi me lavdi dhe e heroizoi atë, dhe për këtë duhet të ketë një arsye të fortë, cila është ajo?
“Ndoshta” e dytë e Prof. Kristo Frashërit: “Ndoshta përgjigjen e saktë po e jep një militant i vjetër komunist jugosllav, Jevrem Berkoviç…” dhe sërish pyetja: Si e shpjegon profesori faktin që Miladini pushkatohej nga njerëzit e Titos dhe njëkohësisht dekretohej “Hero i Popujve të Jugosllavisë” nga Tito, ngrihej Muzeu i Miladinit në Pejë, shumë shkolla e rrugë në Pejë, Prishtinë e Shkup etj., mbanin emrin e Miladinit? Një pyetje që kërkon përgjigje!
Përballë dy ndajfoljeve “ndoshta” të akademikut Berkoviç e të akademikut Prof. Frashëri, solla një sërë faktesh e argumentesh, se Miladin Popoviçi është simboli i së keqes për të gjithë shqiptarët e Kosovës e të Shqipërisë dhe nuk ka asnjë fije argumenti historik të pretendohet se Miladini është vrarë nga rankoviçët e Titos, ngaqë ishte në mbrojtje të Kosovës për vetëvendosje, sepse, në fund të fundit, nuk ka asnjë shpjegim pse Tito heroizoi aq shumë Miladinin, kundërshtarin e tij politik. Nderimi i Miladinit bëhej për meritat e tij dhe s’ka asnjë arsye të besohet se nderohej për gabime e qëndrime nacionaliste në të mirë të Kosovës, e ky do të ishte absurdi vetë. Si përfundim, s’ka asnjë fije dyshimi se vrasësi i Miladin Popoviçit është nacionalisti gjakovar, Haki Taha.
.
Shënime
1.E. Hoxha. “Kur lindi partia”, 1981, 394
2.“Gazeta Shqiptare” 2008,12 shkurt
3.Santa Kruz 08-11-2006. Nga Fehmi Ajvazi, Prishtinë
4.Santa Kruz 08-11-2006. Nga Fehmi Ajvazi, Prishtinë
5.Ymer Minxhozi. Letra e panjohur e Enver Hoxhës mbi Kosovën
6.AQSH. Fondi 14/AP, dosja 4, viti 1948
7.Trajtimi im në gazetën “TemA”, 2007
8.AQSH. Fondi 14, dosja 2/1, 1944
9.AQSH. Fondi 14, dosja 5, 1942
10.AQSH. Fondi 14/AP, dosja 5, 1942
11.E. Hoxha. “Kur lindi partia”, Tiranë 1981, 394
12.By Andreas Riedlmyr, Harvard University. New Series nr. 15/16, 2000
13.By Alex Dragnich & Slavko Todorovich Vanderbilt University Maryland USA, 2001
14.Kosovo in the New Yugoslavia. By Wiliam Durich, 2005
15.Wikipedia the free Enciklopedia, 2001
16.Tahir Z. Berishës: “Emra që nuk harrohen – Arsimtarët veteranë (1941-1951)”, vëllimi I, Prishtinë 1994
17.Faik Smajli. Haki Taha- mësues patriot, martir e dëshmor. Prishtinë
.
Marre nga gazeta “Tema” 2008