back to top
5.5 C
Tirana
E martë, 5 Nëntor, 2024

Hamit Matjani – luftoi me fashistët, me nazistët, dhe… u var nga komunistët…

Gazeta

Hamit Matjani (1911-1954)
Hamit Matjani (1911-1954)

Hamit Matjani –

luftoi me fashistët, me nazistët, dhe… u var nga komunistët…

Flet Xhavit Matjani: E vërteta e babait tim,

Legjenda dhe jeta reale i tij

Si “vrau” vajzën e tij kryediversanti Hamit Matjani për t’i shpëtuar kapjes nga Sigurimi. Xhevit Matjani, djali i vetëm i një prej “komandantëve” më të shquar shqiptar në vitet ´30-të, Hamit Matjanit, rrëfen… ekskluzivisht për “Panorma” gjithçka që kujton dhe di për babanë e tij “legjendar”. Transferimi i fisit Matjani nga zonat e Burrelit për hir të hasmërisë në kodrat e Peqinit dhe gjakmarrja e re që e bëri Hamit Matjanin, pas hakmarjes, një nga figurat më të njohura të zonës. Si u çua më pas në Napoli të Italisë, nga mbreti Zog, ku mbaroi shkollën e xhandarmërisë dhe emërimi në qytetin e Fierit. Beteja e trupave të xhandarmërisë së Hamit Matjanit me trupat e Riza Cerovës, gjatë kryengritjes së Fierit në vitin 1935 dhe shtypja e saj me ndihmën e forca të ardhura nga Tirana.

 

Xhevit Matjani (1936-2010)
Xhevit Matjani (1936-2010)

Eshtë pikërisht kjo periudhë, kur Hamiti martohet me Kadifen dhe u lind Xhevit, i vetmi fëmijë nga kjo martesë, të cilin do ta donte aq shumë saqë gjatë internimit në kohën e regjimit Hoxha, do ta takonte shpesh, duke çarë rrethimet e Ushtrisë dhe Sigurimit. Në vijim të rrëfimit për jetën e babait të tij, Xhavit Matjani tregon se si Hamit Matjani, ashtu si Mujo Ulqinaku, e priti me armë pushtuesit italianë në qytetin e Vlorës në prill të vitit 1939. Më pas, ai shpallet nga italianët si person shumë i rrezikshëm dhe shumë i kërkuar. Pas arrestimit dënohet me vdekje, por me ndihmën e një miku arratiset nga burgu i Peqinit, jo për t’u larguar jashtë vendit, por për të krijuar një nga çetat e para antifashiste në vend. Kush ishin më pas kontaktet e para të Matjanit me krerët komunistë, që i afruan bashkëpunim dhe përse Hamit Matjani e refuzoi dy herë ofertën e Mustafa Gjinishtit. Përse Hamiti si shumë të tjerë pas fitores së komunistëve nuk u arratis, por vazhdoi luftën deri kur ushtria e rrethoi në Papër, të Cërrikut, e ku humbi vëllanë dhe 3 nipër. Arratisja në Greqi dhe letra që i la një bariu për ta dorëzuar në postën kufitare, ku shkruante se premtonte që do të kthehej në Shqipëri për të luftuar komunistët. Si u përhap Miti i Hamit Matjanit si desant “i pakapshëm” dhe përse autori i librit “Tradhtia e madhe”, Nikolas Bethel e quan “Robin Hudi” Shqiptar. Njëkohësisht në pjesën e parë të kësaj interviste djali i Hamit Matjanit tregon edhe të vërtetën e historisë së përhapur nga Sigurimi, e cila u besua për 45 vjet, se kryedesanti e kishte vrarë me dorën e tij vajzën e vetme dhe 26 desantimet e tij në kohën e regjimt të Enver Hoxhës.

"The Great Betrayal" Nicholas Bethel
“The Great Betrayal” Nicholas Bethel

Zoti Xhevit, ju jeni djali i vetëm i të famshmit Hamit Matjani… Po. Unë jam pinjoll i fisit Matjani, dhe djalë i vetëm i Hamit Matjanit, i vrarë në vitin 1953, pasi u kap nga forcat e Sigurimit të Shtetit si një nga diversantët më të rrezikshëm që donte të rrëzonte pushtetin e Enver Hoxhës dhe komunizmin në Shqipëri me dhunë. Fisi Matjani e ka prejardhjen nga zona e Burrelit dhe më saktë nga fshati Ketë. Por, për arsye hasmërie, u zhvendos prej andej në kodrat e Peqinit dhe Lushnjes. Pikërisht prejt tyre aty u krijua edhe fshati Matjan, me rreth 30 shtëpi të të njëjtit fis, që merrej kryesisht me blegtori dhe bujqësi. Por hasmëria edhe aty nuk na u nda, mbasi një person i një katundi tjetër, na plagosi xhaxhanë, Asllan Matjani, për punë të një koshereje me bletë.
A mund të na flisni për babanë tuaj në këtë periudhë? Babai im në këtë kohë ishte i mobilizuar ushtar në Vlorë. Pas vdekjes së të vëllait në spitalin e Tiranës, ai mori hak pas tre muajve, duke e vrarë personin që e kishte plagosur. Pasi kreu ekzekutimin, kthehet në Vlorë dhe vazhdon ushtrinë pranë xhandarmërisë, aty. Që atëherë iu hap nami si trim dhe kokëkrisur. Më pas, eprorët e bindën që pas ushtrisë ai të shërbente në xhandarmërinë e mbretit Zog, nga viti 1931 deri në 1935. Kjo pasi panë tek ai mjaft cilësi dhe aftësi ushtarake. Më pas e dërguan në Napoli për të studiuar shkollën ushtarake të xhandarmërisë. Pasi mbaroi këtë shkollë, kthehet përsëri në Vlorë. Shumë shpejt për merita të veçanta e transferuan në Fier.
Është ajo periudhë historike kur në këtë qytet një grup oficerësh të xhandarmërisë së Zogut u rebeluan me armë.
Cili ka qenë pozicioni i Hamit Matjanit në këto ngjarje? Në njëzet dhjetor të vitit 1935, mjaft njerëz të armatosur dhe të udhëhequr nga Riza Cerova, tentuan të marrin qytetin e Fierit. Në krye të forcave të xhandarmërisë që mbronin qytetin nga kryengritësit u vu babai im, Hamit Matjani. Pati përleshje të ashpra, dhe vetëm pas ndërhyrjes së forcave të tjera të ardhura nga Tirana, me në krye Ali Rizain, kryengritja u shtyp.
Cila është historia e familjes së Hamit Matjanit. Ju kur keni lindur? Babai im është martuar pikërisht në këto vite të vrullshme me nënën time Kadife Kuqi, nga Peqini. Unë u linda në vitin 1936 dhe kjo lindje pati lënë mbresa të mëdha tek im atë, sepse më vonë bënte shumë për mua. Kaq e vërtetë është kjo saqë kur kemi qenë të interrnuar në Krujë, Sukth dhe Tepelenë, pas çlirimit, ai kapërcente rrethimin e ushtarakëve dhe të Sigurimit të Shtetit dhe vinte më takonte, edhe pse më pas u diktua.

Hamit Matjani - Robin Hudi Shqiptar
Hamit Matjani – Robin Hudi Shqiptar

Le të kthehemi pas në kohë. Çfarë bëri babai juaj si besnik i njohur i Mbretit Zog, kur ky u largua nga Shqipëria dhe vendi u pushtua nga fashistët italianë? Hamit Matjani nuk u largua nga vendi dhe as i priti me lule italianët, si shumë të tjerë. Së bashku me një grup shokësh, ai shkoi në Vlorë dhe luftoi kundër tyre, njësoj si patrioti Mujo Ulqinaku. Pas pushtimit, italianët, në bashkëpunim me mercenarë dhe spiunë të shitur shqiptarë, që e dinin se ai kishte luftuar kundër tyre, e arrestuan dhe e dënuan me vdekje, me varje në litar pa i bërë as gjyq. Por ai nuk priti ta varnin. U arratis me ndihmën e një miku, i cili i futi në qeli bashkë me ushqimin edhe një sharrë. Italianët e rrethuan disa herë, por nuk arritën ta kapin kurrë, sepse ai lëvizte në zonën e Lushnjës në vende që i njihte mirë dhe ku kishte miq të shumtë.
Çfarë bëri më pas? Ai nuk iku nga Shqipëria, siç bënë shumë të tjerë. Aktivizoi shokë e miq aktivistë dhe krijoi një nga çetat e para në vend, që u hapi luftë pushtuesve italianë.
Si i kishte marrëdhëniet me çetat partizane, që luftonin gjithashtu pushtuesit italianë? Në të njëjtën kohë po formoheshin edhe çetat partizane. Eshtë e vërtetë që krerët komunistë i kërkuan bashkëpunim për të luftuar së bashku. Janë të njohura dy takimet e babait me Mustafa Gjinishtin, një nga komunistët e parë, i cili gëzonte mjaft respekt në zonën e Peqinit dhe ishte i shkolluar në Perëndim. Miq të babait më kanë treguar se në njërin prej këtyre takimeve babai, pasi ka refuzuar të bashkëpunojë me komunistët i ka thënë atij. “Vërtet ti Mustafa je njeri i kulturuar, por s’po e kupton yllin e kuq bolshevik që mban në kapele!!Një ditë populli ynë ka për të vuajtur nga bolshevizmi. Më mirë hajde me mua dhe vdis si burrë sesa të vdesësh nga vetë komunistët. Ti ke për të vdekur para meje”. Dhe fatkeqësisht ashtu ndodhi. Që pas këtyre bisedimeve, babai me çetën e tij luftonte në kushte të vështira, në njërin krah kundër pushtuesve dhe në anën tjetër kundër partizanëve nga Peqini deri në Skrapar.
Po pas fitores së luftës nga komunistët, çfarë bëri Hamit Matjani? Vazhdoi të vepronte në zonën e tij të preferuar, ku edhe një ditë u rrethua nga qindra ushtarë të regjimit të sapokrijuar të Enver Hoxhës. Përleshja e madhe ka ndodhur në Papër të Cërrikut, ku edhe humbi të vëllanë dhe tre nipër, dhe disa pjesëtarë të çetës. Ai vetë arriti të dalë nga rrethimi i plagosur dhe u arratis për në Greqi. Gjatë rrugës mblodhi shumë njerëz të pakënaqur nga regjimi i Enver Hoxhës, me të cilët do të riorganizonte çetën përtej kufirit. Ka një fakt interesant për këmbënguljen e tij për të luftuar komunistët. Kur arriti afër kufirit me Greqinë, takoi një bari dhe i dha një letër, për të cilën e porositi ta dorëzonte në postën kufitare shqiptare. Në të shkruhej se “Hamit Matjani ishte plagosur dhe nuk mundej të vazhdonte luftën. Por sapo të shërohej në spitalet e Athinës do të rikthehej për të luftuar pa mëshirë komunistët”.
Eshtë pikërisht kjo periudha që emri dhe përplasjet e tij me Sigurimin e Shtetit u kthyen në mit? Sido që ta shikosh figurën e Hamit Matjanit, ajo është vërtet e mitizuar si nga ata që e kanë vrarë dhe sharë, edhe ata që e kanë dashur dhe e duan. Po t’i referohemi Nikolas Betheles, “…veprimtaria e tij është jo vetëm legjendare, por edhe reale, një njeri që luftoi si patriot për atdheun pa asnjë lloj kompromisi me çdo regjim…” Ky personalitet, autor i librit “Tradhtia e madhe”, e cilëson Hamit Matjanin si “Robin Hud” Shqiptar. Edhe kur e vranë ai tha: “Rroftë Shqipëria e lirë”.
Faktikisht për babanë tuaj ka mjaft legjenda, si përfundoi ai? Po është e vërtetë se ka shumë legjenda, por të gjitha këto vijnë nga realiteti. Ata që e kanë njohur nga afër, tregojnë se ishte jo vetëm shumë trim, por edhe jashtëzakonisht i zgjuar dhe i përgatitur si desant. Njëherë që nuk hyri në Shqipëri sipas planit të tij, e kapën. Në verën e vitit 1947, kohë e përgatitjes së kryengritjes në Myzeqe, gati hapur, në atë zonë këndohej kënga “Gjëmon vendi anembanë, kush e mban Hamit Matjanë”. Por le t’i përgjigjem pyetjes suaj. Babai im erdhi për herë të fundit në Shqipëri më 1 maj të vitit 1953, për herë të parë dhe të fundit nëpërmjet ajrit. Ai parashutoi te Shkëmbi i Vashës, në Bizë, të Martaneshit së bashku me dy shokët e tij, Gani Malushin dhe Naun Sulën, duke u mashtruar nga “Radio-Loja” e Sigurimit, e drejtuar nga ish-desanti Et’hem Çako dhe e vazhduar nga dy ish-desantët e kapur nga Sigurimi në Bizë, Zenel Shehu dhe Halil Branica, ish-pjesëtarë të Gardës Mbretërore të Zogut në Aleksandri të Egjiptit. Babai im, Hamit Matjani, u dënua nga gjyqi me varje në litar në qytetin e Lushnjës dhe u ekzekutua më 14 prill 1954, në moshën 44-vjeçare.
Për babanë tuaj thuhet se ishte “i pakapshëm” dhe se preferonte të hynte në Shqipëri vetëm nëpërmjet tokës në zona që i njihte mirë… Po, babai im brenda dhe jashtë vendit, konsiderohej si desant “i pakapshëm”, “i lindur me këmishë”, “njeri që s’e kap plumbi”, “Anteu i Mitologjisë greke”, që besohej si i pamposhtur derisa kishte kontakt me tokën. Dhe ja arritën duke e desantuar nga ajri nën preteksin, se “qendra fokusale e kryengritjes, Mati, ishte larg me kufirin grek”, nga edhe kalonte gjithmonë ai. Babai im quhet me plotë gojë nga specialistët më të mirë të spiunazhit në botë si “Desanti më i përgatitur” i operacioneve që u kryen për të rrëzuar regjimin komunist të Enver Hoxhës. Ai ka hyrë në Shqipëri 26 herë, prej të cilave vetëm njëherë nga ajri.

Baron Nicholas Bethel (1938-2007)
Baron Nicholas Bethel (1938-2007)

Te libri i Nikolas Bethel, “Tradhtia e madhe”, ka shifër tjetër për desantimet e Matjanit në Shqipëri? Po, është e vërtet se ky personalitet shkruan në librin e tij se “Hamit Matjani ka hyrë vetëm 15 herë në Shqipëri..”, por shifra 26, është sipas dëshmive të nipit të tij, Kadri Sina, i cili nuk i është ndarë për asnjë moment babait tim, jashtë dhe brenda vendit.
Për Hamit Matjanin është thënë jo rrallë se ishe superkriminel dhe që ka vrarë edhe të pafajshëm, madje edhe fëmijën e tij… Kjo është një përrallë e shpikur dhe përhapur nga komunistët, e cila faktikisht funksionoi deri në vitin 1990. Shpifja e ka zanafillën që në vitin 1945. Që në ditët e para të vendosjes së pushtetit komunist, unë dhe nëna ime, Kadife, së bashku me kushërinj të tjerë u internuam në Lushnjë. Në këto kushte, babai im më vonë bashkëjetonte me një tjetër grua në male, të cilën e kishte edhe bashkëluftëtare të ngushtë. Kjo grua quhej Fatime dhe u martua edhe me celebrim me babanë tim, duke lindur një vajzë, të cilën e quajtën Edije. Pikërisht për këtë fëmijë Sigurimi përhapi legjendën sikur Hamit Matjani e vrau, vetëm që të mos binte në duart e tyre. Qëllimi ishte i qartë, ata kërkonin që të diskretitonin figurën e babait tim në popull, ku respekti edhe pse nga frika ishte i madh. Thjesht donin që figurën e tij heroike dhe patriotike ta shndëronin në kriminale dhe të pashpirt. Një ditë forcat e Sigurimit arritën të zbulojnë bazën ku strehohej gruaja e dytë e Hamit Matjanit së bashku me foshnjën e vogël, në fshatin Dëshiraj. Fëmijën e çuan fillimisht në jetimoren e Elbasanit dhe pastaj në atë të Shkodrës. Ajo sot rron me gjithë burrin dhe është nënë e gjashtë fëmijve. Nëna e saj Fatimja, u dënua me 10 vjet burg dhe vdiq tre vjet pas kapjes së babait tim…
Panorama 5 mars 2011

Hamit Matjani dhe Miftar Spahija
Hamit Matjani dhe Miftar Spahija

Hamit Matjani:

“Rëndësi ka që ju po luani me CIA-n amerikane”.

Mesnatën e 30 prill-1 maj 1953, në masivet pyjore të Lurës, në vendin e quajtur “Guri i Vashës”, sipas lojës së përgatitur nga Zbulimi e Kundërzbulimi Shqiptar, parashutoi i arratisuri dhe i shumëkërkuari Hamit Matjani, eksponent i “Ballit Kombëtar” dhe drejtues i disa grupeve të armatosura në Shqipëri, pas ikjes në arrati. Misioni i Matjanit ishte përgatitur dhe mbështetej nga CIA amerikane, koloneli John, që në rastin konkret ra në grackën e Sigurimit Shqiptar. (Arkiva e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Dosja “H. Matjani”)
Nga gjithë ngjarja e mesnatës së 30 prillit ‘53 te “Guri i Vashës”, në pyjet e Lurës, për njërin nga dëshmitarët e operacionit, përballja e Kadri Hazbiut me Hamit Matjanin, ka qenë diçka e jashtëzakonshme. Fillimisht, njerëzit e Sigurimit kanë pritur te vendi i caktuar zbritjen me parashutë të diversantit të rrezikshëm. Pas përballjes në distancë, Hamit Matjani me “Tomson”-in në duar ka kërkuar parullën. “Burreli!”, i është përgjigjur njëri nga oficerët e Zbulimit, duke i kërkuar kundërparullën. “Berati!”, ka shqiptuar aty për aty Hamit Matjani, duke u përpjekur të shquajë portretet e “aleatëve” që e kanë “ftuar” nga larg. Pastaj, “loja” ka filluar të zbulohet çast pas çasti. Më në fund, Hamit Matjani kishte mbetur i kryqëzuar dhe duhej të zbatonte çdo urdhër të aty…
Hamit Matjani, ballë për ballë me Kadri Hazbiun që e kishin shtënë në grackë. I thanë se duhej paraqitur te “Besniku” i çarmatosur. “Mysafiri” i ardhur me porosi, “Besnikun” (Kadri Hazbiun) e njihte si emër që nga viti 1949, i cili, sipas legjendave, drejtonte “Komitetin Qendror” të Frontit të Rezistencës. Nuk vonoi dhe, ashtu i shoqëruar, hyri në çadrën ku e priste Kadri Hazbiu. “Mirë se na urdhërove Hamit Matjani!”, ia priu Kadri Hazbiu. “Ju lumtë!” – u përgjigj Hamiti, në vend të fjalës “mirë se ju gjeta!”. “Po të prisnim së bashku me kapedan Zenelin!”, – i tha Kadriu Hamit Matjanit. Në këto çaste, Hamiti, pa e humbur toruan iu kthye: “Kuptoj qartë. Rëndësi ka që ju po luani me CIA-n amerikane.” “Si do t’ia bëjmë që kjo luftë shqiptar me shqiptar të marrë fund një herë e mirë?” – shtoi Kadri Hazbiu, duke orientuar bisedën për veprimet e mëtejshme.
http://botasot.info

Hamit Matjani para Gjyqit te Sigurimit
Hamit Matjani para Gjyqit te Sigurimit

Nga Arkivat: Enver Hoxha e Mehmet Shehu:

Si duhet vrarë Hamit Matjani

U fol për Bandën e Hamit Matjanit dhe Zenel Shehut. Për gjykimin e saj, përveç trupave gjyqësore, impenjohet dhe Byroja Politike… Në këtë mbledhje, në prani të Enver Hoxhës, Mehmet Shehu kërkoi që për anëtarët e bandave të merren dënimet më të rënda, duke mos qenë dakord dhe me qëndrimin e mbajtur ndaj tyre dhe Kadri Hazbiu… Ja pjesë nga debati në Byronë Politike

Mehmet Shehu: -Ne duhet të shikojmë grupin e këtyre njerëzve që për herë të parë na del se kanë pasur qëllim diversioni, po edhe për të shkaktuar turbullira në vendin tonë. Faktet për këtë gjë janë schioccante (dërrmuese – shënim). Tek ne për këto gjëra vendos gjykata dhe Presidiumi i Kuvendit Popullor, por ne si organet e brendshme, kemi të drejtë t’i shfaqim mendimin tonë Byrosë Politike. Ky gjyq ka rëndësi jo vetëm në shkallën nacionale, por edhe ndërkombëtare, pse me këtë goditet spiunazhi amerikan, grek dhe italian gjer diku, demaskon në popull organizatat tradhtare të jashtme, varros Zogun dhe godit reaksionin e brendshëm. Ky është një gjyq me karakter politik dhe ideologjik. Unë mendoj që ky grup të mos dënohet si grupet e tjera, por më rëndë. Atje janë 6 diversantë. Mendimi im është që për rëndësinë politike që ka për ne dhe për kampin tonë dhe duke marrë parasysh edhe aktivitetin praktik të këtyre diversantëve, ata të dënohen me vdekje. Me këtë mënyrë ne godasim rëndë për herë të parë imperializmin amerikan, demaskojmë edhe grekët. Prandaj mendoj të ekzekutohen që të 6 dhe nga të gjithë këtë Hamit Matjanin me litar në Lushnje. Këtë lloj dënimi e parashikon edhe ligji. Nga të dy bazat e tyre, meqenëse është Puçe Moçani si baza kryesore dhe që gjatë luftës na ka luftuar si ballist dhe si njeri që ka spiunuar patriotin Riza Cerova, i cili është vrarë për shkak të tij, pastaj edhe për qëndrimin e tij të poshtër të mëvonshëm. Edhe në gjyq qëndrimi i tij ka qenë jashtëzakonisht i poshtër, prandaj mendoj që edhe ky të ekzekutohet me litar. Ai që ka qenë bazë e dytë në Elbasan, mendoj të mos ekzekutohet, po të dënohet me 5 ose me 10 vjet. Domethënë nga të 6 këta mbetet gjallë vetëm një. Si konkluzion them që Zenel Shehu të dënohet me vdekje, Hamit Matjani me litar, Adem Kabashi, Naun Sula, Gani Malushi dhe Halil Branica me vdekje. Ky është mendimi im dhe si të vendoset, të dalë një komunikatë e Ministrisë sonë për të njoftuar ekzekutimin e tyre.
Byroja politike këtu duhet të ndërhyjë se Kadriu nuk është dakord që këta njerëz të ekzekutohen, sidomos për Zenel Shehun. Ai e sheh çështjen jo nga ana politike, por thjeshtë agjenturiale. Po të mos dënohet ky, atëherë me përjashtim të Hamit Matjanit, të tjerët nuk i dënon dot se Zeneli është kryesori. Kadriu niset nga koncepcione shumë të gabuara, sentimentale, ndoshta dhe jo krejt sentimentale, por ngushtësisht agjenturiale, meqenëse Zenel Shehu u vu në shërbimin tonë. Tani Kadriu preket kur dëgjon që Zenel Shehu do të dënohet me vdekje. Bile, mua më ka propozuar ta lirojmë fare dhe me gjithë drunë që dhashë prapë të falet. Unë i thashë se ai me shokë do të ekzekutohen, po u prek shumë dhe më tha se nuk është i qartë, pse të dënohet me vdekje. E gjithë bota e di, thotë Kadriu, se ai na ka shërbyer dhe nga ai u sigurua suksesi që ne kemi arritur në kapjen e të tjerëve. Unë i thashë se nuk është puna e atyre, po është puna jonë që i kemi kapur këta armiq. Kadriu tha se po të ekzekutohet, do të preket rrethi i tij familjar, po unë i thashë se po të mos vritet Zeneli, do të preket i gjithë populli shqiptar dhe miqtë tonë jashtë. Unë mendoj se Kadriu duhet sqaruar ndoshta nga shoku Komandant mendoj unë, se pikëpamjen time ai nuk e pranoi. Ndoshta kjo çështje është pak më e thellë dhe i ka rrënjët në pikëpamjen që ai ka për luftën e klasës. Kadriu një njeri që nuk e njeh, mundet ta vrasë në vend, kurse një tjetri, qoftë edhe armik, e mbron, e trajton si shok. Gjëra të tilla në Sigurim janë të palejueshme, madje të dëmshme. Me Halil Branicën, Kadriu ka pirë raki dhe ka rënë në familjaritet, domethënë, një trajtim të çuditshëm, aspak të hijshëm, ky nuk pajtohet me qëndrimin që duhet të mbahet kundër një armiku nga një funksionar i lartë i organeve të brendshme.
Prandaj si anëtar i Komitetit Qendror, ai duhet të kuptojë se gjëra të tilla nuk lejohen në Organet e Sigurimit, nuk i lejon atij sidomos që është zëvendësministër i parë dhe zëvendëson ministrin, kur ai mungon. Në shtator të 1952, koloneli sovjetik më tha se si një zëvendës ministër i punëve të brendshme, mund të puthet me një diversant? Unë Kadriun e kam kritikuar për këto gabime megjithëkëtë, ai nuk e ka kuptuar gabimin e tij, prandaj byroja politike të japë opinionin e saj, që kjo gjë të jetë e qartë edhe për Presidiumin e Kuvendit Popullor.

Enver Hoxha: – Unë jam dakord me sa tha Mehmeti që të ekzekutohen, por jo me litar.

Beqir Balluku e Hysni Kapo: – Ne jemi dakord që Hamit Matjani të varet në litar se kështu do të kënaqet populli, ta shohë nja 3-4 orë.

Enver Hoxha: – Unë e kisha nga kjo anë se krijohet një farë frike e padeklaruar në popull, kur sheh një njeri në atë gjendje me gjuhën jashtë, prandaj më mirë me pushkatim si të tjerët.

Mehmet Shehu: – Edhe në lidhje me armiqtë e tjerë, Kadriu ka raste të tilla. Në Durrës ai i dha tokën e shtetit një armiku ose automatikun. Ai nuk e ka të qartë qëndrimin që duhet mbajtur kundrejt armikut.

Enver Hoxha: – Edhe taktika e njerëzve të Ministrisë së Brendshme nuk mund të jetë kështu. Zenel Shehu nëse u bë bashkëpunëtor, ka pasur frikë dhe jo se na do ne, prandaj si t’ia hedhësh dorën në qafë atij qeni? Ahere jemi dakord të ekzekutohen ata njerëz me përjashtim të strehuesit të Elbasanit. Për çështjen e varjes në litar, të Hamit Matjanit, ta shohim më vonë. Edhe çështjen e Kadriut ta shohim në Sekretariat ku të vijë edhe Mehmet Shehu.

Mehmet Shehu: – Është një gjë që Kadriu e mbajti 8 muaj procesin në dorë dhe më në fund pashë se ishte krejt ndryshe nga ai që është sot. Kadriu me atë proces që kish përgatitur Zenel Shehun e linte të lirë. Në proces nuk përmendej asgjë për kryengritje të armatosur, atje dilte sikur kishte ardhur këtu vetëm për të parë se si ishte gjendja në Shqipëri. Për të gjitha dokumentet që iu gjetën si: radio, pushkë, helm etj, nuk bëhej fjalë fare në procesverbalin hetimor.

Enver Hoxha: – Duke i ekzekutuar, ne evidentojmë rrezikshmërinë për të bërë kryengritje nga ana e tyre, se ai nuk erdhi kot këtu.

Mehmet Shehu: – Ai më tha mua se nuk dorëzohej i gjallë, aq armik i vendosur është. Unë mendoj se Kadriu ka bërë gabim të rëndë në pikëpamje politike ai i ka mbajtur zgjidhur këta armiq gjatë të gjithë kohës dhe në shumë raste edhe në pyll, kurse në Organet e Sigurimit nuk mund të ecet kështu, dhe Kadriut i duhet të bëjë kthesën.
http://www.gazetadita.al

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Fakte mjaft interesante në këtë shkrim, disa i kam pasë të dëgjuara nga gjyshja ime dhe miq të familjes të jetuar në ato anë, por në shkrim ka dhe fakte që për herë të parë që i lexoj! Një nga këto tradhëtia e organizatorëve të desantimit të fundit dhe qënia në jetë e vajzës së Hamit Matjanit nga martesa e dytë. Gjyshja ime kur shikonte djem të fisit të guximshëm dhe të zgjuar thoshte: “Ky djalë do bëhet si Hamit Matjani, po o Zot mos pastw fatin e tij…!”

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.