back to top
13.5 C
Tirana
E enjte, 21 Nëntor, 2024

Han Gank – Nobeli i Letërsisë 2024 – “Refuzimi i dhunës dhe kërkimi i një ekzistence alternative…” (Mujë Buçpapaj & Edmond Shallvari)

Gazeta

Han Gank - Nobeli i Letërsisë 2024
Han Gank – Nobeli i Letërsisë 2024
Han Gank – Nobeli i Letërsisë 2024
Refuzimi i dhunës dhe kërkimi i një ekzistence alternative…

Shkrimtarja koreano-jugore Han Kang (e lindur në Gwangju më 27 nëntor 1970), është 53 vjeç, dhe e bija e romancierit Han Seung – Won. U bë e njohur me romane si: “Vegjetariani”. Veprat e saj trajtojne histori thellësisht njerëzore. Autorja filloi të shkruante që në moshë të re, por debutimi i saj zyrtar daton në vitet ’90, me tregimin e saj të parë, Red Anchor, botuar në 1993 në një revistë letrare të Koresë së Jugut. Që në fillim ajo tregoi një ndjeshmëri të thellë në trajtimin e temave të vuajtjes njerëzore, kujtesës dhe identitetit, karakteristika që më vonë përcaktuan veprat e saj më të pjekura dhe më të famshme.)
Han Kang është fituesja e Çmimit Nobel për Letërsinë 2024. Çmimi iu dha asaj nga Akademia Suedeze në njohje të stilit të saj të të shkruarit që ndërthur poezinë dhe prozën dhe temat e trajtuara. Në veprat e saj, të cilat ofrojnë reflektime të thella mbi brishtësinë dhe qëndrueshmërinë njerëzore. Nobeli është një nga nderimet më të larta në botën e letërsisë, që u jepet shkrimtarëve të prozës dhe poezisë që kanë pasuruar trashëgiminë kulturore botërore me artin e tyre.
Shkrimtarja Han Kang nuk ishte ndër favoritët në prag të shpalljes së Çmimit, dhe fitorja e saj u mirëprit me entuziazëm dhe kuriozitet, duke iu bashkuar listës së autorëve të mëdhenj të vlerësuar në të kaluarën, si Gabriel García Márquez, Kazuo Ishiguro, Annie Ernaux ose, për të përmendur vetëm disa italianë, si Giosué Carducci, Luigi Pirandello dhe Grazia Deledda.
Han Kang është fituesja e dytë më e re e Nobelit pas Rudyard Kipling, i cili e fitoi atë në vitin 1907, në moshën 41-vjeçare dhe është gruaja e 17-të në histori që fiton çmimin.
Vegjetariani (2007) fitoi Çmimin Ndërkombëtar Man Booker në 2016. Romani tregon historinë e Yeong-hye, një gruaje koreano-jugore që vendos të mos hajë mish. Prej këtu autori hulumton refuzimin e dhunës dhe kërkimin e një ekzistence alternative nëpërmjet refuzimit të ushqimit, duke u kthyer në një rebelim personal ndaj normave shoqërore e familjare dhe të metamorfozës, me një prozë që e bën jetën e përditshme shqetësuese dhe surreale…
Human Acts (2014) përballet me masakrën e Gwangju të vitit 1980. Libri mbledh dëshmitë e atyre që përjetuan atë tragjedi, duke përzier zërat e të gjallëve dhe të vdekurve në një histori që eksploron traumën, humbjen dhe kujtesën. Është një vepër që trajton me delikatesë dhimbjen kolektive dhe reflekton thellë mbi plagët e lëna nga historia, duke ndihmuar në nxjerrjen në pah të vlerës universale të shkrimit të Han Kang. Kjo aftësi për të shndërruar tragjedinë historike në një reflektim poetik dhe universal është i lidhur ngushtë me motivimet e Akademisë Suedeze, e cila njohu në veprën e saj forcën e “adresimit të traumave historike dhe zbulimit të brishtësisë së jetës njerëzore.”
Klasa greke (botuar në koreanisht në vitin 2011) është një vepër që fokusohet në intimitetin e kujtesës dhe humbjes, duke përdorur metaforën e gjuhës klasike për të eksploruar lidhjet familjare dhe boshllëqet e lënë nga ata që nuk janë më me ne. Reflektimi për gjuhën si mjet për të përballuar dhimbjen dhe të shkuarën ndërthuret me tema të dashura për autorin, si brishtësia e ekzistencës dhe aftësia për të gjetur të bukurën edhe në përjetimet më të dhimbshme.

Arsyet e fitores së Han Kang
Akademia Suedeze i ka dhënë çmimin Nobel për Letërsinë 2024 Han Kang
“Për prozën e saj poetike intensive që trajton traumat historike dhe zbulon brishtësinë e jetës njerëzore”.
Është një eulogji që përmbledh thelbin e shkrimit të autores koreano-jugore, e aftë për të eksploruar anët më të errëta të gjendjes njerëzore dhe për të hedhur dritë mbi çështje të vështira me një ndjeshmëri të rrallë. Ajo vetë tha: “Ashtu si shumë shkrimtarë të brezit tim, ndjej se kam fituar lirinë për të hetuar aspektet më intime dhe më të fshehura të qenieve njerëzore pa fajin e atyre që mendojnë se duhet të bëjnë proklamata politike përmes letërsisë.”
Kështu, rrëfimi i saj shpesh zhvillohet në një mënyrë jolineare, si një rrjedhë e vetëdijes që gërmohet në kujtime dhe përvoja traumatike. Kjo mënyrë shprehëse është ajo që e shtyu Akademinë Suedeze të përcaktojë prozën e saj si “poetike”, të aftë për ta shndërruar vuajtjen në art.
Duke i dhënë shkrimtares Han Kang, Çmimin Nobel për Letërsinë 2024, Akademia donte të njihte një shkrimtare që sfidon konvencionet dhe që gjen forcën e saj në eksplorimin e cënueshmërisë njerëzore. Vepra e saj nuk ofron përgjigje të thjeshta, por fton ata që e lexojnë të përballen me paqartësitë e jetës, dhunën e heshtur dhe sekretet që formojnë identitetin tonë.
Përktheu e përshtati Mujë Buçpapaj

Han Gank - Nobeli i Letërsisë 2024
Han Gank – Nobeli i Letërsisë 2024
Nobelistja më e re e 2024 – Opinion nga Edmond-Andrea Shallvari

Shkrimtarja 54 vjeçare nga Koreja e Jugut, Han Gank, është fituesja e re për këtë vit, e Çmimit Nobel për Letërsinë.
Shkrimtarja merr Çmimin Nobel, “për prozën e saj të fuqishme poetike, që trajton plagët historike dhe ekspozon karakterin e brishtë të jetës njerëzore”, njoftoi Akademia Suedeze.
Han Kang është e njohur për veprat e saj që trajtojnë çështje të thella ekzistenciale dhe të shoqërisë, me njërën nga veprat më të famshme të saj, “The Vegetarian”, që ka marrë vlerësime ndërkombëtare.
Unë, ndryshe nga disa miq të penës dhe komentues skeptikë, që pa u tharrë mirë boja e motivacionit, nxituan të shprehen negativisht për fituesen e Nobelit për Letërsinë, shkrimtaren Han Gank, edhe në kaq sa lexova në greqisht dhe e përshtata në shqip, ndjeva kënaqësi dhe interes, për ta lexuar më të plotë krijimtarinë e saj.

Pjesë nga libri “The Vegetarian”

…Para se gruaja ime të bëhej vegjetariane, kurrë nuk kisha menduar se ajo ishte një person i veçantë. Për të qenë i sinqertë, kur e takova për herë të parë, as nuk më tërhoqi vëmendjen. Trup mesatar, flokët as të gjata as të shkurtra, lëkura e ashpër, e zbehtë, qepallat e rëna, mollëza të theksuara, rroba pa ngjyrë, asgjë që të tregonte diçka nga personaliteti i saj. Duke veshur një palë këpucë të thjeshta të zeza me taka, ajo iu afrua tavolinës ku po prisja. Ecja e saj nuk ishte as e shpejtë, as e ngadaltë, as dinamike, por as e plogësht.
Fakti që u martova me të lidhet pikërisht me atë se nuk kishte ndonjë magjepsje të veçantë mbi të, por as ndonjë mangësi të caktuar. Karakteri i saj i thjeshtë, në të cilin nuk kishte asnjë shkëlqim, zgjuarsi apo ndonjë anë të rafinuar, më bënte të ndihesha rehat. Në të vërtetë, nuk kisha nevojë të shtiresha si intelektual për ta tërhequr, as të vrapoja si i çmendur nëse vonohesha në takimet tona. Nuk kisha arsye të humbisja vetëbesimin duke e krahasuar veten me burrat që shfaqeshin në katalogët e modës. Para saj, nuk më interesonte as barku që më ishte shfaqur pas të njëzetave, as gjymtyrët e mia të holla që nuk po forcoheshin pavarësisht sa përpiqesha, as penisi im i vogël – që ishte arsyeja e kompleksit të fshehtë të inferioritetit që kisha.
Kurrë nuk më kanë pëlqyer madhështitë. Kur isha fëmijë, shoqërohesha dhe kujdesesha për fëmijët e lagjes që ishin dy deri në tre vjet më të vegjël se unë, duke luajtur rolin e udhëheqësit. Kur u rrita, aplikova në universitete ku isha i sigurt se mund të fitoja lehtësisht një bursë. Isha i kënaqur me marrjen e një rroge të respektueshme në një kompani të vogël që do të vlerësonte aftësitë e mia të kufizuara. Prandaj, ishte krejt e natyrshme për mua të martohesha me gruan më të zakonshme në botë. Gjithmonë më kanë shkaktuar shqetësim gratë që ishin të bukura, inteligjente, sensuale ose vajza familjesh të pasura.
Ajo mori me lehtësi, sipas pritshmërive të mia, rolin e një bashkëshorteje tipike. Çdo mëngjes në orën gjashtë ngrihej dhe gatuante oriz e supë dhe më përgatiste e shërbente peshk. Ajo kontribuonte në të ardhurat që nxirrja duke bërë punë me kohë të pjesshme që nga koha kur ishte ende beqare, gjë që na ndihmonte financiarisht, edhe pse shuma ishte e vogël. Punonte si asistente në një shkollë të grafikës ku kishte studiuar për një vit. Si bashkëpunëtore e jashtme, një botues komikësh i kishte besuar përpunimin e fjalëve që përfshiheshin në flluskat e dialogut, një punë që mund ta bënte nga shtëpia.
Gruaja ime ishte pak folëse. Rrallëherë kërkonte diçka nga unë dhe kurrë nuk tregonte se ishte e shqetësuar, pavarësisht sa vonë kthehesha në shtëpi. Në ditët e pushimit që kalonim së bashku, as që më kërkonte të dilnim jashtë për të shkuar diku. Ndërsa unë shihja televizor dhe humbisja kohë me telekomandën në dorë, ajo mbyllej në dhomën e saj. Sigurisht, ajo po bënte ndonjë punë ose po lexonte ndonjë libër – e vetmja gjë që mund të quhej hobi i saj, për sa më të mirën, ishte leximi, megjithatë shumica e kopertinave të librave të saj duken kaq të mërzitshme, saqë nuk doja as t’i hapja. Vetëm gjatë kohës së ngrënies ajo hapte derën, dilte nga dhoma e saj dhe përgatiste gjithçka pa shkëmbyer asnjë fjalë. Për ta thënë të vërtetën, jeta me një grua të tillë nuk ishte aq emocionuese. Nga ana tjetër, isha mirënjohës, sepse vetëm ideja e grave që telefononin disa herë gjatë ditës kolegët e mi në punë ose miqtë e mi, dhe që herë pas here ankohej, ulërinte dhe shkaktonte grindje bashkëshortore, më lodhiste.
E vetmja gjë e pazakontë që do të ishte e vlefshme të përmendja në lidhje me gruan time është se ajo nuk i pëlqente sytjenat. Gjatë marrëdhënies sonë të shkurtër para martesës, kur një herë, rastësisht, preka shpinën e saj dhe kuptova se nën pulovrin e saj nuk mund të ndjeja shiritin e sytjenës, u shqetësova pak. Fillova të vëzhgoja sjelljen e saj me një sy më të qartë për të parë nëse më dërgonte ndonjë sinjal të fshehtë. Rezultati i hetimit tim ishte se ajo nuk më dërgonte asnjë sinjal. Nëse nuk ishte sinjal, atëherë ndoshta ishte lënie pas dore apo indiferencë? Nuk arrija ta kuptoja fare. Nuk i përshtatej një gruaje të zakonshme si ajo të mos kishte sytjena. Do të ishte më mirë të ecte me një sytjenë të forcuar për të mos më bërë të ndihesha keq para shokëve të mi.
Kur u martuam, gruaja ime kurrë nuk vishte sytjena brenda shtëpisë. Në verë, nëse rastësisht dilte jashtë, sepse nuk dëshironin që thithkat e saj të mëdha dhe të rrumbullakosura të duken, detyrohej të vishte sytjena, por brenda një minuti e kishte çmontuar. Nëse ajo kishte veshur një bluzë të lehtë me ngjyrë të hapur ose rroba pak të ngushta, edhe kur ishte e qartë që sytjena ishte e çmontuar, nuk e shqetësonte fare. Kur e qortova, ajo, në mes të vapës së verës, e zëvendësoi sytjenën me një jelek. Më shpjegoi se, për shkak se sytjena e ngushtonte gjoksin, ajo asfiksohej dhe nuk e duronte. Nuk kishte asnjë mënyrë për mua, që nuk kisha veshur kurrë një sytjenë në jetë, ta kuptoja ndjenjën e të veshurit të diçkaje që të kufizon frymëmarrjen. Megjithatë, ishte e qartë se asnjë grua tjetër nuk e urrente sytjenën aq sa ajo, dhe kjo hiper ndjeshmëri e saj më dukej krejtësisht e pakuptueshme.
Përveç kësaj, të gjitha gjërat e tjera kalonin qetësisht. Këtë vit do të bënim pesë vjet martesë. Dhe duke qenë se nuk ishim çmendurisht të dashuruar që nga fillimi, nuk kishte ndonjë zhvillim të veçantë në martesën tonë. Pasi e kishim shtyrë të bënim fëmijë derisa të blinim këtë shtëpi vitin e kaluar në vjeshtë, po mendoja ngadalë se ndoshta kishte ardhur koha të bëhesha baba. Deri në momentin kur pashë gruan time atë mëngjes të kaluar në shkurt duke qëndruar në kuzhinë me një pizhamë, kurrë nuk e kisha imagjinuar se jeta jonë do të ndryshonte në ndonjë mënyrë.
Përshtatur në shqip nga greqishtja
@Edmond-Andrea Shallvari

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.