Hapja e shkollave shqipe në Kosovë, 75 vite më parë,
Mision i shenjtë kombëtar
nga Dr. Sadik Elshani
Hapja e shkollave shqipe në Kosovë, 75 vite më parë
është faqe e ndritur dhe e lavdishme atdhedashurie e arsimit tonë kombëtar,
është njëra ndër ngjarjet më të rëndësishme në historinë e Kosovës.
Figurë kyçe, ai që e ndërmori këtë mision për hapjen
e shkollave shqipe në Kosovë dhe trojet tjera shqiptare (“Tokat e Lirueme”),
ka qenë intelektuali, studiusi, publicist dhe shkrimtari i njohur,
Ernest Koliqi (1903-1975), i cili në atë kohë (1941) ka qene ministër i arsimit në Shqipëri.
Me këtë mision të jashtëzakonshëm shkollor
ai e kishte ngarkuar intelektualin dhe pedagogun gjirokastrit, Ali Hashorva.
.
Ishte ky mision arsimor, atdhetar e vizionar që mishëronte programin e madh të Rilindjes Kombëtare, përhapjen e diturisë e përparimit, zgjimin dhe ngritjen e ndërgjegjes kombëtare te shqiptarët. Ky ishte misioni më i rëndësishëm, më atdhetar që ka ndërmarrë ndonjëherë ndonjë qeveri shqiptare për shqiptarët që mbetën jashtë kufijve shtetëror.
Me vendimin e padrejtë të Konferencës së Ambasadorëve në Londër me 1913, më shumë se gjysma e tokave dhe popullsisë shqiptare mbeti jashtë kufijve të shtetit të pavarur shqiptar. Kosova dhe trojet shqiptare në Maqedoni e Sanxhak iu dhanë Serbisë, pjesa tjetër Malit të Zi, ndërsa Çamëria iu dha Greqisë. Për shqiptarët regjimi serb ishte shumë më i egër se ai turk. Në periudhën në mes të dy luftërave botërore (1918-1941), shqiptarët në të ashtuquajturën Mbretëri e Sërbëve, Kroatëve e Sllovenëve po përjetonin një shtypje të padurueshme të egër e çnjerëzore. Në kujtesën e shqiptarëve të Kosovës kjo periudhë njihet si “Koha e Serbisë”. Dhuna ishtë bërë pjesë e përditshme dhe e pandarë e jetës së shqiptarëve. Dhuna ushtrohej në të gjitha mënyrat fizike e shpirtërore vetëm e vetëm për ta bërë jetën e shqiptarëve sa më të mjerueshme dhe për t’i detyruar ata që t’i braktisnin trojet e tyre e të shpërnguleshin në Turqi, ndërsa në vend të tyre t’i sillnin kolonet serbe e malazeze. Po zbatohej me përpikëri plani famëkeq, “Memorandumi” i akademikut, po ashtu famekeq, Vasa. Çubriloviq.
Nuk kishte shkolla në gjuhën shqipe, gjuha shqipe ishte e ndaluar në jetën publike dhe në administratë. Në ato pak shkolla që kishte hapur qeveria jugosllave, nxënësit shqiptare mësonin në gjuhën serbokroate: mësonin letërsinë, kulturën, historinë serbe – po mësonin për Kraleviq Markun, Karagjorgjeviqët e Pashiqët, mitet e stërzmadhuara e të rrejshme serbe. Qëllimi kryesor i këtyre shkollave nuk ishte arsimimi i shqiptarëve, por tjetërsimi, asimilimi, serbizimi i tyre. Nëpër disa mejtepe gjuha shqipe mësohej ilegalisht nga hoxhallarët atdhetarë. Të etur për t’u shkolluar në gjuhën amtare, shumë të rinj kosovare u arratisën në Shqipëri. Gati në të gjitha shkollat e mesme të Shqipërisë kishte nxënës nga Kosova dhe trojet tjera shqiptare në ish Jugosllavi. Konvikti “Kosova” në Krumë ishte shndërruar në një vatër të ngrohtë për nxënësit nga Kosova. Atdhetarët shqiptarë edhe përkundër rrezikut të madh, sillnin ilegalisht libra shqip nga Shqipëria. Ende më ka mbetur i freskët në kujtesën time rrëfimi i një plaku atdhetar në një emision të Televizionit të Prishtinës ku rrëfente se si kishte sjellur fshehurazi libra nga Shqipëria dhe nga frika e ndonjë kontrolli të befasishëm, nuk i kishte mbajtur në shtëpi, por i kishte fshehur ato në mal, në një të çarë të lisit. Përkundër këtyre vuajtjeve të mëdha, shqiptarët nuk u dorëzuan, por bënë përpjekje mbinjerëzore për t’i dalë zot vendit, duke ruajtur gjuhën, zakonet e traditat tona burrërore, qenien shqiptare.
“Kohës së Serbisë” i erdhi fundi, Jugosllavia e Kralit kapitulloi dhe u pushtua nga Gjermania e Italia. Pas 30 viteve nën sundimin e egër serb, Kosova dhe trojet tjera shqiptare në ish Jugosllavi iu bashkuan Dheut Mëmë, shqiptarët po merrnin frymë pak më lehtë. U hapën shkollat shqipe, u vendos administrata në gjuhën shqipe, me nëpunës shqiptare, me prefektë e nënprefektë shqiptare. Përsëri po valonte Flamuri Kuq e Zi! Thirrjes së ministrit të arsimit, Ernest Koliqi, iu përgjigjën qindra mësues atdhetarë dhe shkuan vullnetarisht për të punuar në Kosovë dhe trojet tjera shqiptare në Maqedoni e Mal të Zi. Ishin këta mësues të rinj me plot energji rinore, entuziazëm, mësues që kishin kryer Normalen e Elbasanit. E gjetën Kosovën ashtu siç e kishin paramenduar: kreshnike, kështjellë burrërie e trimërie, djep të shqiptarizmës. Edhe pse po ballafaqoheshin me shumë probleme e vështirësi të mëdha, sepse ishin shkolla që po hapeshin për herë të parë, ata punuan me vetmohim të papërshkrueshëm, pa u ndalur ditë e natë. Mësonin fëmijet që ishin të etur për dituri, mësonin edhe të rriturit, sepse në atë kohë popullsia e Kosovës ishte mbi 90 % analfabete. Edhe populli i Kosovës i priti mësuesit me dashuri vllazërore, respekt e mirënjohje të thellë për misionin e tyre të shenjtë.
Këta mësues u bënë pishtarë të arsimit shqip në Kosovë. Në vitin shkollor 1941-1942 u hapën 173 shkolla fillore, 3 të mesme dhe disa gjimnaze të ulëta. Ndërsa në nëntor të vitit 1941, u hap Shkolla Normale në Prishtinë. Në fillim në këtë mision u angazhuan 80 mësues. Në mesin e këtyre mësuesve kishte edhe mjaft të rinj nga Kosova që ishin shkolluar në Shqipëri, por nuk kishin mundur të ktheheshin më parë në Kosovë. Ky numër me vonë arriti në 264, ndërsa në vitin shkollor 1943-1944 ky numër u rrit në 400. Po në këtë vit shkollor mësimet i vazhdonin mbi 25 mijë nxënës. Këto shkolla u bënë vatra të diturisë dhe atdhedashurisë. Tani nxënësit e Kosovës po mësonin për herë të parë historinë tonë kombëtare, po mësonin për ilirët, Skënderbeun, Lidhjen e Prizrenit, Ismail Qemalin. Po mësonin vjershat e Naimit, Çajupit, At Gjergj Fishtës, Dom Ndre Mjedës, Asdrenit – vjersha që me dashuri i këndonin atdheut, gjuhës shqipe, i thurnin himne Shqipërisë. Përveç njohurive që po merrnin për gjuhën, letërsinë, kulturën, historinë shqiptare, ata po brumoseshin edhe me ndjenjat e atdhedashurisë e krenarisë sonë kombëtare. Për herë të parë e kanë parë flamurin duke u valvitur përpara syve të tyre, e kanë kënduar Himnin e Flamurit, me shumë dashuri i kanë kënduar këngët atdhetare: “Për Mëmëdhenë”, “Dalëngadalë po vjen behari”, etj. Përveç punës me përkushtim me nxënësit, ata përmes kurseve të ndryshme përgatitën edhe mësuesit e parë shqiptarë, të cilët më vonë do ta vazhdonin këtë mision.
Pas vitit 1944, një pjesë e këtyre mësuesve u largua nga Kosova, ndërsa pjesa dërmuese u largua më 1948, kur u prishën marrëdheniet shqiptaro-jugosllave. Por, disa qëndruan edhe pas vitit 1948 dhe tërë jetën e kaluan në Kosovë. Mehmet Gjevori (1910-2007), Tajar Hatipi (1918-1977) e shumë të tjerë e panë të nevojshme që të qëndronin në Kosovë dhe ta vazhdonin këtë mision, duke u bërë bartësit kryesorë të zhvillimit të arsimit shqip, veprimtarisë botuese, hartimit të teksteve shkollore, etj.
Periudha 1941-1944 njihet në Kosovë si “Koha e Shqipnisë”, sepse shkollat, administrata ishin të gjitha në gjuhën shqipe, nëpunësit dhe drejtuesit e pushtetit vendor ishin shqiptarë. Kuptohet, vendi ishte i pushtuar nga Italia e më vonë Gjermania. Pushtues të mirë nuk ka, por për shqiptarët e Kosovës, “Koha e Shqipnisë” as që mund të krahasohet me kohën e egër e barbare, “Kohën e Serbisë”. Për fat të keq të shqiptarëve të Kosovës dhe trojeve tjera shqiptare në ish Jugosllavi, pas vitit 1944, përsëri erdhi “Koha e Serbisë” – këtë radhë nën maskën e komunizmit. Sidomos e vështirë ka qënë periudha 1945-1966, e njohur si “Koha e Rankoviqit”, Ministrit të Punëve të Brendshme të Jugosllavisë. Ata u munduan t’i mbyllnin shkollat shqipe, por shqiptarët i mbrojtën ato me këmbëngulje e vendosmëri. Tani autoritetet jugosllave nuk mund të loznin edhe aq lehtë me shqiptarët e shkolluar. Pas rënies së Rankoviqit (korrik, 1966) u hapën shumë shkolla të mesme e të larta anembanë Kosovës, u formuan institucionet e larta arsimore, shkencore e kulturore, u themelua Universiteti i Prishtinës (1970), Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës (1975), Televizioni i Prishtinës (1975), etj. Dhe të gjitha këto të arritura, burimin dhe rrënjët i kanë te “Koha e Shqipnisë”.
Në Suharekën time (tani Theranda) mësues ka qënë zotni Ilmi Duli, nga Shkodra. Të gjithë ish nxënësit e tij, gjithë qytetarët e Suharekës që e kanë njohur atëe, gjithmonë e kujtonin me shumë mall, me shumë dashuri dhe respekt. Edhe pse Shqipëria e para viteve 1990, ishte e mbyllur hermetikisht, suharekasit kurrë nuk i kanë ndërprerë lidhjet me mësuesin e tyre të dashur. Dikush e kontaktonte përmes letrave, dikush i dërgonte të fala përmes familjarëve që i kishin në Shqipëri, dikush u dërgonte të fala përmes pjestarëve të grupeve sportive e artistike që e vizitonin Kosovën, ndërsa disa, pak nga ata që kishin patur rastin të vizitonin Shqipërinë, gjithësesi janë munduar që ta takonin mësuesin e tyre të dashur, të nderuarin Ilmi Duli. Pas përmbysjes së komunizmit në Shqipëri, kur u hapen edhe kufijtë, atëhere shumë ish nxënës kanë shkuar për ta vizituar mësuesin e tyre të parë. Këto lidhje, takime janë duke vazhduar edhe sot me familjarët e mësues Ilmiut. Janë këto lidhje shumë të forta, sepse janë farkuar në një kohë të jashtëzakonshme, në “Kohën e Shqipnisë”
Daja im, Bafti Gashi (ndjesë pastë), nga Suhareka, ka qënë nxënës i mësues Ilmiut dhe ai gjithmonë na fliste për përvojën e tij shkollore, për mësuesin që i kishte mësuar, edukuar më shumë dashuri e përkushtim. Ai i ka ruajtur me kujdes librat dhe çantën e tij shkollore. I kishte fshehur në tavanin e shtëpisë së tij dhe ne fëmijët duke luajtur “fsheza”, duke u fshehur në tavan i zbuluam ato libra margaritarë. Ende më kujtohet përmbajtja e dy nga ato librave, “Libri i Këndimit” dhe “Gjeografia e Shqipërisë” e profesor Ahmet Gashit. Për ne ato libra ishin një thesar i vërtetë. Aty për herë të parë jemi njohur me vjershat e Naimit, Çajupit, Dom Ndre Mjedës e shumë autorëve të tjerë që për herë të parë po ua dëgjonim emrin. Ato vjersha me përmbajtje atdhetare, ato shkrime për Pirron, Skënderbeun, Ismail Qemalin, Flamurin Kuq e Zi, dhe shumë atdhetarë të tjerë e ngjarje historike, ato pjesë leximi me motive mjaft edukative, na ngjallën ndjenjat e atdhedashurisë që në atë moshë të njomë fëmijërore. Tavani ishte bërë vendi më i dashur për ne, aty fshiheshin thesare shumë të çmuara.
Ato libra përmbanin diçka krejt ndryshe nga librat tanë që ne atëhere i përdornim në Kosovë. Libri “Gjeografia e Shqipërisë”, siç e tregon edhe vetë titulli, e përshkruante në imtësi gjeografinë e tërë Shqipërisë Etnike, duke përfshirë shumë fotografi dhe duke i përshkruar të gjitha qytetet dhe qytezat e Shqipërisë Etnike, përfshirë edhe Suharekën time. Aty për herë të parë i kemi parë se si dukeshin qytetet e Shqipërisë. Profesor Ahmet Gashi, si një atdhetar i vërtetë që ishte, e kishte shkruar këtë libër me shumë atdhedashuri. Ato libra ishin bërë për ne ura kontakti me Shqipërinë. Kishte kohë që “Koha e Shqipnisë” kishte kaluar, mësuesit ishin kthyer në Shqipëri, por ja ato libra ende vazhdonin t’i edukonin, t’i brumosnin me ndjenjat e atdhedashurisë edhe shumë breza të rinj të Kosovës, pse jo edhe të rriturit. Shpesh ulesha në mes të odës dhe burrave të pranishëm në ato ndeja u lexoja vjershat atdhetare nga ato libra me vlera të padiskutueshme edukative e atdhetare. Kam dëgjuar e lexuar se edhe shumë të tjerë e kanë bërë të njëjtën gjë.
Në fund të letrës që Ministri i Arsimit, Ernest Koliqi, i dërgonte kryetarit të këtij Misioni të Jashtëzakonshëm Shkollor, Ali Hashorvës, shkruante: “Ju uroj të gjithëve punë të mbarë në të kryemit e kësaj detyre të shenjtë kombëtare e me randësi historike” (23 qershor, 1941).
Dhe vërtet i tillë ishte ky mision: i shenjtë e me rëndësi të jashtëzakonshme historike që dha të korra mjajt të begatëshme. Kjo periudhë duhet të analizohet në imtësi, të shkruhen studime e disertacione për të mbajtur gjallë në kujtesën e kombit tonë. Populli i Kosovës gjithmonë e ka shprehur mirënjohjen për të gjithë mësuesit që punuan në atë kohë me shumë përkushtim. Por institucionet shtetërore, dy qeveritë shqiptare, në Tiranë e Prishtinë janë duke e kaluar në heshtje këtë përvjetor historik mjaft të rëndësishëm për të gjitha arsyet që janë cekur më lartë. Shkollat, rrugët, sheshet, institucionet arsimore, pedagogjike e kulturore duhet të mbajnë emrat e Ernest Koliqit, Ali Hashorvës dhe të gjithë atyre mësuesve atdhetarë që punuan në të katër anët e Kosovës ne ato rrethana te jashtezakonshme historike.
Le të jetë ky shkrim modest një shprehje mirënjohjeje e falenderimi për të gjithë ata titullarë, arsimtarë, administratorë, nxënës e prindër që u angazhuan në këtë Mision të Shenjtë e Historik Kombëtar – mision që i ringjalli shpresat e shqiptarëve të Kosovës dhe e mbajti të ndezur zjarrin e atdhedashurisë.
Ju falaminderit perjete!
Philadelphia, 12 korrik, 2016
Sadik Elshani është doktor i shkencave të kimisë dhe veprimtar i bashkësisë shqiptaro-amerikane.
.
Shkolla shqipe në trevën e Lypjanit nga Ismail
Këtij shkrimi iu bashkangjit edhe ky shënim, i lene nga dikush i quajtur Ismail,
pa mbiemër, i cili ka sjellë një informacion mjaft interesant që e pamë të arsyeshme
t’ia bashkangjisin shkrimit e që mund t’u vjejë studiesve në të ardhmen… j.radi
12.11.2016 .
Koha mes dy luftërave botërore krijoi dy rryma ideologjike politike skajshmërisht të kundërta e të rrezikshme për mbarë njerëzimin. Derisa fashizmi ishte ideologji e rrezikshme përplasjesh mes popujve dhe grupeve etnike që i pushtonte, kjo ideologji me shtrirje luftërash e pushtimesh, shumë popujve ju shkaktoi shkatërrime të mëdha materiale e vuajtje të dhembshme me zhdukjen e substancës njerëzore e të vlerave shpirtërore, fetare, historike e kombëtare. Përhapja e komunizmi që nisi nga Rusia e depërtoi në shtetet e ndryshme evropiane e deri në Kubë, nuk ishte më pak i mëshirshëm se fashizmi. Popujt që i kapi kjo flakë e kuqe shkaktoi dëme te paparashikueshme materiale e shkatërrimin të vlerave shpirtërore e sidomos kombëtare, historike e fetare te popujve. Fatkeqësisht shqiptarët ishim ndër popujt fatkeq që kaluam nëpër purgator të këtyre dy ideologjive të dyja këto ideologji, përkundër rezistencës së madhe shqiptare, ato morën haraç të madh nga populli ynë.
Për kundër politizimit nga fryma ideologjike, shkolla shqipe në përgjithësi, në trevën e Lypjanit dhe të Kosovës në veçanti, në këtë periudhë kohore, për herë të parë mori shtrirje zyrtare e legale, shqiptarët në këto hapësira për herë të parë gjatë luftës së dytë botërore 1941/45 dëgjuan zërin e mësuesit shqiptar dhe lirshëm mësuan për herë të parë në institucionet shkollore, për herë të parë lexuan librin, për herë të parë fëmijët shqiptarë u ndanë nga mësimi në gjuhë të huaj dhe për herë të parë mësuan gjuhën, historinë dhe vlerat pozitive të traditës shqiptare. Shkollat shqipe të kësaj kohë u hapën dhe punuan për disa vjet në disa vendbanime shqiptare në gjithë Kosovës e mes tyre në trevën e Lypjanit u hapën tetë shkolla të tilla shqipe. Ky sistemi shkollor përfshiu një numër të konsiderueshëm fëmijësh. Kjo shkollë kishte dekor të tejdukshëm ideologjik nga transformimi i jashtëm, por në përmbajtje të procesit mësimor nga reforma e brendshme, për herë të parë në këto treva nxënësit shqiptarë dëgjonin mësuesit dhe leksionet për lëndët mësimore me përmbajtje të pakufizuar kombëtare, si gjuhën shqipe, historinë shqiptare, gjeografinë e trojeve shqiptare, artin muzikor dhe artin figurativ të materializuar shqip, shkruanin me alfabet të shqipes e përdornin tekste e plan-programe shkollore kombëtare shqiptare, përkundër se përmbajtja ishte përshkuar me ideologjinë fashiste të lëndës mësimore. Këto ishin vite kur shkollën shqipe e administrohej e udhëhiqej nga shqiptarët e etshëm për kombëtaren e atdhetarinë. Sikur që do të veprohet më vonë edhe në sundimin mbi katër dekadash të ideologjisë antinjerëzore, antikombëtare e antifetare në kohën e sundimit komunist. Përveç këtyre fazave kalimtare, kur paksa frymoi shpirti i kombëtares. Në etapa të tjera historike, shkolla shqipe ka kaluar nëpër duart e administrimit e drejtimit nga të huajt, kur tekstet, alfabeti e gjuha mësimore ishin ato të okupuesit, turqishtja e arabishtja në mejtepet e medresetë të mësimit fetar gjatë sundimit të Perandorisë Osmane, dhe pas perandorisë turke, anësuesi sllav në sistemin arsimor të shqiptarëve zbatoi serbishten gjuhë të mësimit dhe tekstet me alfabetin çirilik e dhaskallët ortodoksë ishin mjete e veprimtarë të arsimimit me qëllim tjetërsimi të nxënësve shqiptarë.
.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore në trevat shqiptare në Kosovë, shqipja u bë edhe gjuhë e administratës zyrtare dhe gjuhë mësimore për shqiptarët. Shqiptarët edhe pse me rezervë kishin pranuar ndihmën gjermane dhe administratën e pushtuesit, morali i arsyes në këto vite ishte ndërtua me hapjen e shkollës shqipe, por edhe kudo dhe për të gjitha nevojat lejohej përdorimi i shqipes në administratë dhe përdorimin e flamurit kombëtar shqiptarë edhe pse të dekoruar me ideologji të Sëpatës së Likorit. Këto vite shqiptarët kishin mundësinë e lëvizjes së lirë në gjitha trojet e tyre etnike. Në këtë periodë shqiptarët jashtë hapësirave të shtetit historik pësuan ndarje e copëzime. Kosova ishte ndarë në tri zona të pushtuesit. Në fund të 1941, pushteti gjerman dorëzoi Mitrovicës e Llapin që të bashkohen me Shqipërinë, atë mot u vendos që hapësirën e rrafshit të Lypjanit ta administrojë forca Italiane. Këtu forcat Italo-Shqiptare krijuan njësi mbrojtëse të kufirit të administratës së re. Ndërsa në shkollat e porsahapura shqipe në disa nga mjediset më të mëdha shqiptare, në të cilat punonin përveç numrit të vogël të mësuesve vendor shqiptarë, më shumicë ishin mësuesit e ardhur nga Shqipëria. Praktikisht në mes luftërave botërore në hapësirën komunale të Lypjanit punonin disa shkolla fillore, në të cilat punon kryesisht mësuesi të ardhur nga Shqipëria. Mësuesit vendorë lokalë zakonisht ishin intelektualë të cilët mësimet e para i kishin marrë në shkollat serbe, nga kanë vazhduar në shkollat e mesme shqiptare të Shqipërisë apo mejtepe e medrese të mësimeve fetare e laike jashtë vendit. Në vitet gjatë Luftës së Dytë Botërore edhe në trevën komunale të Lypjanit punuan shkollat fillore shqipe. E kësaj kohe është shkolla në Gadime, e cila pas përfundimit të luftës 1945, do të rifillojë vazhdimësinë e punës së shkollës shqipe. Në këtë shkollë në vitet 1941/45 punoi mësuesi e parë Shefik Spahiu nga Shqipëria, kurse në vitin shkollor 1943/44, mësuesi nga Elbasani Ruzhdi Guranjaku që kishte 55 nxënës, e më 1945 Kadri Breca, nga Elbasani, Sabit Dema e Shaban Kajtazi nga fshati Babush. Pas luftës 1945, nga kjo shkollë dolën shumë nxënës të vyer, shumë nga të cilët në mungesë të kuadrit pas mbarimit të klasës së tetë/VIII/, punuan mësues në shkollat ekzistuese të trevës së Lypjanit e më gjerë. E kësaj kohe/1941-1945/, është edhe shkolla shqipe në Janjevë me mësues Tomë Shoshi e Viktore Ukaj bashkëshorte e Tomë Shoshit që kishin 38 nxënës, dy bashkëshortët më vonë 1943/44 punuan në Prishtinë. Ana Geqovaj me 29 nxënës e Shyqeri Sokoli me 13 nxënës. Vitet tjera 1943/44 punoi Bahtiar Fazliu që kishte lidhje të ngushta me Iljaz Agushin. Këtë kohë shkolla e Janjevës kishte edhe klasën e pestë/V-të/, dhe mësues i saj ishte Idriz Ajeti nga Pjetërshtica. Janjeva me traditë shkollore shekullore që nga 1665, kur qe hapur shkolla e parë me mësuesin e saj Pjetër Mazreku të cilës ekspedita turke pas disa vjetësh ia ndaloi punën e kësaj shkolle. Në mes dy luftërave botërore shkolla shqipe punoi edhe në Shalë/Sedllar/ e cila që në vitin shkollor 1941/42 kishte 74 nxënës me mësues të vetëm Luigj Ndreca-Marku e Bajram Nura nga Gjakova. Kurse shkolla e Kroishtës në vitin shkollor 1941/42 kishte 41 nxënës me mësues Sadik Prishtina, vendas nga ky fshat, i njohur edhe me emrin Mulla Sadiku i lagjes Luma. Ai hapi edhe kursin e shqipes për 32 të rinj shqiptarë të cilët paraprakisht kishin kryer shkollën në gjuhën serbe, kurs të cilin e përcillnin edhe 6 të rinj serbë. Shkollë shqipe kishte edhe në Ruc të Ri/1942/ me mësues Hasan Teteli, i cili ka vazhduar deri pasluftës asaj kohe nuk kishte mësues serb dhe fëmijët serbe mësonin me shqiptarët, i cili nga këtu u arrestua më 1944. Shkolla e Llugaxhisë 1941/42 mësuesi i parë Kadri Brecaj nga Elbasani, i cili kaloi në Gadime kurse punën e tij e vazhdoi Isuf Islami vendas deri 1945, i cili më vonë kaloi inspektor komunal në Lypjan të cilin pushteti atëhershëm e arrestoi. Ndërsa Sahit Islami, babai i publicistit e gazetarit me famë, Nehat Islamit kishte Medresen e Shkupit me Adem Gllavicën e Shaban Kajtazin ishte mësues në mejtepin e Llugaxhisë para Isuf Islamit. Më 1941/43, në Ribar të Madh mësues punoi Emin Hoti nga Shkodra, dhe kishte 27 nxënës. Edhe Dobrajë të Madhe për herë të parë në historinë e kësaj treve u hap shkolla shqipe, më 1941/2 Me mësuesin Ibrahim Mustafa nxënës i Normales së Elbasanit këtu nxënësve shqiptarë ju mbante mësim në gjuhën e tyre shqipe dhe mësuesi nga Elbasani Halim Subashi. Efekti pozitiv shkollave në gjuhën shqipe ishte njohja dhe lindja dhe rritja e dashurisë për gjuhën shqipe. Këto nisma shkollimi në gjuhën shqipe i mundësoi ideologjia nazizmit e fashizmit gjerman e shijuar pozitivisht në aspektin kombëtar nga shqiptarët në Kosovë përgjithësisht. Kjo ndenjë pozitive doli m’u nga hapja e shkollave në gjuhën shqipe, lejimi i simboleve kombëtare dhe përdorimi i lirë i gjuhës shqipe edhe në administratën shtetërore.
Realiteti i traditës historike për shkollën shqipe edhe në këto treva për nismën e shkollës shqipe, nuk i bie sistemit komunist pas Luftës së Dytë Botërore apo komunizmit sllav, siç zakonisht krekoseshin edhe udhëheqësit shqiptarë të cilët verbërisht i shërbyen atij sistemi antishqiptar. Shijen e kënaqësinë e gjuhës, alfabetit e librit shqip shqiptarët e përjetuan edhe para ardhjes së pushtuesit tonë të dyfishtë, Serbisë që na aneksoi si popull dhe komunizmit sllav që mësyu të na tjetërsojë e të na ndajë nga ndjenja e tërësisë kombëtare.
.
Marre nga http://illyriapress.com/hapja-e-shkollave-shqipe-ne-kosove-75-vite-me-pare-mision-i-shenjte-kombetar