back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Haremi – nga Klodi Stralla

Gazeta

J. G. Delincourt - Vallzimi në Harem
J. G. Delincourt – Vallzimi në Harem

Haremi

nga Klodi Stralla

Dijenia popullore ka rreth Haremit një perceptim tejet të gabuar, shpesh të karakterit moral, e lidhur ngushtë me traditën lindore të poligamisë, në kontrast me monogaminë në qytetërimin perëndimor. Nuk do të merrja mundimin ta postoja një status të tillë nëse nuk do t’ju tregoja një mision krejt të ndryshëm të Haremit, që funksionoj në Perandorinë osmane për qindra vjet. Ai ishte një institucion me funksione të shumëllojta dhe të dobishme, duke qënë njeri prej faktorëve që përcaktoi ekzistencën jetëgjatë të vetë Perandorisë.
Problemi më i madh i çdo Pushteti ka qënë problemi i vijimësisë së tij dhe për rrjedhojë mënyra se si do të trashëgohet ai. Regjimet Republikane e kanë zgjidhur nëpërmjet sistemit të zgjedhjeve periodike, duke ju dhënë pushtetarëve një mandat qeverises per nje kohe te caktuar; Monarkitë përdorin sistemin e trashëgimisë, pra pasardhës do të jetë njeri prej fëmijëve të sundimtarit, duke e trajtuar Pushtetin (Fronin) si pronë vetiake. Por cili prej fëmijëve të tij do të qe Pasardhësi?!
Europa Perëndimore, qysh pas rënies së perandorisë Romake në vitin 476 pas Krishtit, ka përdorur sistemin e “Majoratit”. Trashëgimtar i fronit ishte djali më i madh i sundimtarit dhe gjithë fëmijët e tjerë ishin princa dhe princesha. Ai trashëgonte jo vetëm pushtetin (imperiumin) por edhe pasuritë e familjes mbretërore. Ligjërisht Mbreti kishte vetëm një grua – Mbretëreshën. Ajo zgjidhej jo shumë për bukurinë fizike apo mënçurinë e saj se sa ishte frut i përzgjedhjes sipas aleancave që bënte mbreti me mbretërit e tjerë. Vetëm fëmija më i madh i saj mashkull do të trashëgonte pushtetin; çdo fëmijë i lindur jashtë martese nga mbreti nuk mund të ishte trashëgimtar i tij. Ndërsa përcaktimi paraprak i Pasardhësit ishte i garantuar dhe kjo sillte stabilitet në momentin e vdekjes së sundimtarit, e meta themelore e tij ishte që jo gjithmonë përputhej aftësia drejtuese dhe menaxhuese e pushtetit nga djali më i madh. Kjo sillte atë që shpesh njerëz të ditur drejtonin në hije si “eminence grise” dhe Mbreti nuk kishte pushtet real. 

Heinz Pinggera - Haremi
Heinz Pinggera – Haremi

Në perandorinë Osmane, Sulltani nuk kishte një grua të vetme; aty nuk kishte Mbretëreshë por Sulltanesha. Sipas traditës, në fushatat e shumta luftarake kapëshin si robina dhjetra apo qindra femra të reja, kryesisht kristjane; prej tyre bëhej një seleksionin i imtë, duke përdorur si kritere bukurinë fizike, shëndetin, por edhe mençurinë. Pas seleksionimit paraprak fillonte trajnimi fizik dhe moral i tyre, duke ju mësuar shkrimin, leximin, muzikën dhe njohuri bazë të Kuranit. Këtë funksion të parë përzgjedhës dhe edukues për femrat me të cilat do të çiftohej Sulltani, e luante Haremi. 
Sulltanët me këto vajza të reja lindnin shumë fëmijë, meshkujt e të cilave ligjërisht quheshin Pasardhës, pra potencialisht të mundshëm për të trashëguar pushtetin; ndërsa nënat e tyre quheshin Sulltanesha. Ato ishin skllave të sulltanit në kuptimin ligjor. Pasardhësit i nënshtroheshin që fëmijë një edukimi të mirëmenduar si në aspektin fizik, luftarak por edhe mësimor. Ata mësonin histori, gjeografi, filozofi, veçanërisht Kuranin. Prodhimi i Pasardhësve ishte funksioni i dytë i rëndësishëm i Haremit.
Pasi mbrrinin në një moshë të caktuar dhe kishin marrë pjesë në disa beteja krahas të atit, Sulltanit, Pasardhësit caktoheshin si Sanxhakbejlerë, pra si administratorë të një njësie administrative – Sanxhakut. Me vdekjen e Sulltanit, midis Pasardhësve pretendentë fillonte një luftë e ashpër për pushtet; ai nga Pasardhësit që bëntë për vehte Jeniçerët (Gardën e zgjedhur e sulltanit), Vezirin e Madh (pushtetin administrativ), Valide Sulltanen (nënën e sulltanit) apo Ulematë (funksionarët e lartë fetare muslimanë), dilte fitimtar dhe shpallej Sulltan, duke eliminuar fizikisht gjithë Pasardhesit e tjerë pretendentë. Pra trashëgimia e pushtetit osman i përgjante seleksionit natyror në botën e gjallë duke prodhuar në mënyrë më të sukseshme – Liderin!

Marrë nga muri i Fb. i Klodi Strallës, 15 janar 2022

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.