back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

“Harroj të ndihem femër… ” Cikel Poetik nga Alketa Stefania Caca

Gazeta

Alketa Stefania Caca
Alketa Stefania Caca

“Harroj të ndihem femër… ”

Cikel Poetik nga Alketa Stefania Caca

Alketa Stefania Caca ka lindur në vitin 1972, në Korçë.
Ka mbaruar shkollën e mesme të përgjithshme“Themistokli Germënji”
dhe është nëna krenare e Kristit 26 vjeçar. 
Alketa jeton dhe krijon prej 6 vjetësh në Melbourn, Australi. 
Ka botuar librin e saj të parë me poezi, në shtator 2016 titulluar “Si vdes një grua”.
Në nëntor 2016, poezia me titull “Ati ynë pse na ke braktisur”
marrë nga ky vëllim me poezi, është vlerësuar fituese e çmimit ndërkombëtar “Frank Bardhi”.
Aktualisht, Alketa ndjek kursin “Poezi e literature”
pranë Council of Adult Education, në Melbourne – Victoria.
Po përgatit librin e saj të dytë me poezi.
.
Alketa Stefania Caca - Si vdes nji grua - Poezi
Alketa Stefania Caca – Si vdes nji grua – Poezi

Ati ynë, pse na ke braktisur?

Nuk dua të luftoj me ty Zoti im,
bota ka ngelur pa mëngjes,
nata mban peng yjet,
sy të dehur gromësijnë në kazane plehrash,
shitësin e luleve po e dëbojnë nga qyteti,
miza si vampire pështyjnë vagina qorre,
mbi plagë qensh ulet urrejtja e lotit.
Zoti im,
bota ka ngelur pa nerv, pa muskul,
ujqërit shëtisin serbes në piaca dëshmish,
pirgje me kocka thatanike zihen me gurë,
prifti dhe një hoxhë i moçëm
mbajnë shënim emrat e vdekjes,
qielli nga lart vajton psalmet e shenjtërve.
Zoti im,
Kurvëria dendet me mish e raki,
kamja e mullirit bluan pantallona burrash,
korbat ngushëllojnë kamxhikët e lodhur,
nuk gjendet balsam për jetën që dergjet,
turma të kërrusura presin lindjen e diellit.
Zoti im,
nuk mundem të luftoj me ty,
bota po zhegërlitet nga pabesia,
po zbres poshtë,
shumë poshtë tokës së errët,
të pres Zotin e fjalës,
për 7 ditë Zotin e zjarrit.
 

Është ora…

Është ora të shkruaj,
të bëj një ponç portokalli,
të ndez një cigare Davidoff,
nga flaka e qirinjve me aromë dardhe.
 
Do shkruaj,
për kuaj blu, të zinj, të murrmë,
për qyqen kur e mallkojnë dhimbjet e yjeve,
për ëndrrat e shkurtra, të dalldisura,
për belbëzimet e mpira.
 
Do shkruaj për Shakespeare-n,
për metaforat sensuale,
për Sappho-n e dëshpëruar që dashuronte
netët e bardha binjake,
në breg të detit rrethuar me korba lakuriqe.
 
Ohh, po afron ora të bjerë këmbana,
ajo, që zgjon nga varrezat kureshtjen,
duke çliruar rënkimet e natës,
e djeg leshrat e mjegullës me temjan dehës
para kungimit të trupit hakmarrës.
 
Është ora të shkruaj,
për heshtjen e kuqe të përqeshur
nga hija e gishtave mbi buzë,
përzier me lëngun e gjetheve të fundit,
në kopshtin me jargavanë.
 
Ështe ora të fle,
për ëndrra të reja…
.
Çdo çast jam vetëm, me vetminë...
Çdo çast jam vetëm, me vetminë…

Të shkruash kundër dëshirës

Po shkruaj i dashur kartolinën e fundit,
(ti, i ke ruajtur të gjitha që të kam dërguar).
E di, Krishtlindjet janë larg,
nuk mund të përfundoj urimin e rradhës,
më pengojnë gishtat e mpirë.
Çdo çast jam vetëm, me vetminë e grumbulluar.
Koha është e ftohtë, shiu nuk bie më si më parë.
Pikat e tij të ëmbla, kanë gjetur prehje
tek një shpirt tjetër.
Dorëzohem pikëllimit,
e nuk dua askush të më qortojë për këtë.
Ti e di, besnike e lotëve
shkaktuar nga telashet e zemrës,
çdo vjeshtë.
O perëndi, sa e dua vjeshtën,
por ajo kurrë nuk më kursen dhimbjen,
po shkruaj i dashur kundër dëshirës.
Kjo kartolinë do të jetë me të vërtetë e fundit.
Aktet e marrëzisë,
i kam paketuar e lidhur me fiongot që i bleva
te kinkaleria e zonjës Potter.
Ajo, sikur të mi kishte lexuar mendimet,
më pyeti: vajzë e mbarë,
e di çdo të thotë një kartolinë
me imazhin e një gruaje që mban
një trëndafil të bardhë, të vyshkur, në dorë?
 

Turrë drush…

Kam mall për veten,
kur ditët ngjanin me flamuj të bardhë,
kur rrija me orë të tëra në ballkonin e shtëpisë
e thithja aromën e drurëve të stivuar,
përzierë me sapunin larës të rrobave.
Kam mall për vitet,
kur nuk e njihja luftën me veten,
kur kungullin
e krahasoja me diellin e bukur të mëngjesit,
ndërsa shiun me zukamën e bletëve
deri sa gjumi më rrëmbente për ëndrra…
 
Malli për veten më ka braktisur,
ecen vetja mbi perona të holla,
hurmat kalben duke pritur t’i ha,
nuk e dinë gjithashtu se unë harroj ta vadis
borzilokun në poçen e vogël pranë çezmës.
Harroj të trukohem,
harroj të ndihem femër
e kështu ditët ngjajnë me një kaktus të tharë,
vetja ime përplaset me hijet e hijeve,
violat nuk kanë shkëlqim
në gotën që mban shkronjën e emrit tim.
 
Kam mall për zemrën
që fle në varrezat pranë detit,
rrethuar me valët e grunjta të moshës.
Mall për sytë jeshile
që më puthnin dhimbjet në heshtje,
pa kërkuar lëkurën time si shkëmbim
frikësuar si hëna kur e gëlltit pabesia.
Kam mall për veten,
për sandalet që më blinte mamka
në ditën e lindjes
dhe nga gëzimi i mbaja poshtë jastëkut…
.
Kam mall... për sandalet që më blinte mamka...
Kam mall… për sandalet që më blinte mamka…

Zemër, zemër…

Zemër qorre,
eh sa dashuron,
të pëlqen loja e petaleve.
Ti e di, që nuk do jetosh,
më shumë se sherret e mia,
as sa kërcenjtë e shtrembër të luleve.
 
Zemër budallaqe
i shkruan letra dashurisë,
kur qielli i shtrin yjet për gjumë,
kur deti vallëzon mbi vela anijesh,
kur e verdha e hënës dalldiset
nxjerr si e çmendur majat e gishtave tej errësirës,
e gërmëzon epshin mbi buzët e mëngjesit.
 
Ah ti zemër që më zgjodhe,
je si penda e vjetër e Dantes.
Më ler të lumturohem.
 

Pilivesës

Në ç’ishull,
është burgosur rruga,
për të ardhur tek ti?
Bie shi i kripur,
mbi xhaketën time të zezë,
ca fije floku të kokolepsur,
çelën ca petale të purpurta.
Nesër mbase e gjej shtegun
e rrugës së artë.
Sot një pikë e errët,
më ngacmon ta zvogëloj qiellin
dhe ëndrra për të arritur tek ti,
më humb të rrahurat e zemrës.
Zjarri digjet brenda meje,
flakët shkëlqejnë frymëzimin,
duke përvjedhur ritmin e çmendurisë
e nata nën akrepa magjistare,
duket e bukur si një muzë.
Pilivesa në shallin tim,
udhëton për të ardhur tek ti,
lëkundur e përkundur nga unë,
tek unë, për ty…
.
Nesër mbase e gjej shtegun e rrugës së artë...
Nesër mbase e gjej shtegun e rrugës së artë…

Parfum i murrmë trishtimi

Buzët nuk fishken më si më parë
sa herë i pikas të klithin,
duke gërmëzuar fjalën “të dua”.
Si stoli nusërie rreth syve,
më vargëzohen rrudhat
kur të mendoj.
Sa herë përmallohem
e zbut pakëz inatin,
por një cërritje kokëshkrepse
është gjithnjë gati,
për të përzhitur ngacmimin e etheve,
të së djeshmes
që më kujton përqafimet.
Hyj në sherr me veten,
kur mërmërit emrin
në pjesën e krevatit
me aromën tënde.
Rrotullohem si mbi një pistë
bardh e zi,
duke çjerrë pasionin
mes afshit të nxehtë,
e mbjell mbi çarçaf
copëza këmishe të grisur nga vetmia.
Ndiej dhimbje në gjithë qenien,
nga nginjja me ofshamat e tua
që kullonin nëpër damarët,
ndërsa tani mendoj si të hakmerrem.
Jo, ndaj teje jo,
por ndaj zemrës
që nuk zëvendëson dashurinë.
 
Ngrihem me marrje mendsh,
sepse thellë brendësisë sime
vdes diçka nga trishtimi,
dhe rrëshqet mbi trupin tim.
Dal nga shtëpia
për të nisur ditën,
një erë e murrme lundron nëpër rrugë.
Shpejtoj hapat…
.

Bie dhe ngrihem

Ndihem e huaj brenda vetes.
Qeshja dhe përqeshja
ulen në tryezë,
shtyhen për t’u ngopur
e shkrirë,
si trëndafili mbi buzë.
Flasin e dehen
me verë të thartuar.
Pastaj prap i merr uria,
një uri përbindshe
e lakmuar si floriri.
Nuk duan të dinë,
për pushtetin e dashurisë,
po me epshet e çastit,
takohen si me perënditë.
Rendin të kapin,
çmimin e shitjes
për thikat më të mprehta,
nga kasapi më i vjetër i qytetit.
Po qesh,
qeshja me përqeshjen.
Përqeshja po qan,
kur kufoma e parë e zhgënjimit
ra në duart e qeshjes.
 
Nuk jam më e huaj brenda vetes,
ku rreziku dhe gënjeshtra
shtrihen në shtrat,
e duan t’më mbysin zërin,
me gjarpërin fshehur,
mes gjetheve të hardhisë.
 
Jam vetja brenda vetes,
ulur në tryezën prej drurit të arrës,
e qëroj një portokall
duke kundruar tutje,
më tutje se qielli
që bie në kopësht,
ku zambakëve të bardhë
u mungojnë petalet,
nga rrebeshi i natës.
 
Makina ime shket
mbi bulevardin e madh,
rrezet e diellit,
më ndjekin qëllimshëm.
.
një erë e murrme lundron nëpër rrugë
një erë e murrme lundron nëpër rrugë…

Kohë për puthje…?

Erdhi dhurata që prisja,
mbështjellë me letër pishe,
pulla e postimit e pikturuar,
me gjurmë këmbësh.
Brenda ka një karficë flokësh,
gjysma argjend,
gjysma tjetër prej gishtash
dhe, një lodër e vjetër druri.
Ka një pendë dallëndyshe,
ca fije enkas të shkëputura,
lyer me ngjyrën e syve,
buzëve të mia, të lidhura nyje.
Në një filxhan të thurur,
nga dromca qumështi,
ora jote e dorës pa akrepa,
mbuluar me shallin e gushës.
Nën kumbonzën e kristaltë,
kishte të fshehur letrën,
të shkruar nxituar,
me fjalë cimbithëse…
E dashur,
do të puth,
kur të kem kohë…
 

Në të dyzetepestën sekondë

është e enjte 1…
 
Në të dyzetepestën sekondë,
zëri yt më çik,
më grish,
më mposht,
me ëmbëlton.
 
Zëri yt,
në të dyzetepestën sekondë,
më kurorëzon me gardenja,
kopshtin tim
që përhap flluska drite në ajër.
 
Zëri yt,
si ëngjëll lajmëtar,
më mbërthen klithmën e lutjes,
më trazon hiret e diellit,
më këndon,
baladën e luleve të qershorit.
 
Zëri yt,
më puth,
më shtrydh retë qumështore.
Në, të dyzetepestën sekondë,
zëri yt,
merr ngjyrën e shtegut të puthjes.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.