back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Harta e zërit të nënës time tregim nga Rezart Palluqi

Gazeta

Rezart Palluqi
Rezart Palluqi

Harta e zërit të nënës time

tregim nga Rezart Palluqi

Këndo fort nënë, këndo fort, që zëri yt të depërtojë në damarët e gurëve, në kurrizin e rrugëve të gjata të jetës time, në barkun e hordhive të reve barbare. Së shpejti do të rikthehesh andej nga erdhe dhe mua do më mungojë për një kohë të gjatë zëri yt, siç më ka munguar njëzet e tre vite.
Për sa kohë qëndrova në Greqi, të paktën pesëmbëdhjetë vjet, zëri yt më mungoi çdo ditë. Në fillim, bodrumi im mesjetar dhe më vonë, dhoma ime me mure të plasaritura nuk e njohën kurrë zërin dhe këngët e tua. Shteti primitiv helen ta ndaloi ty çdo lloj vizite njerëzore për të ardhur si zonjë e rëndë në mes të ditës. Ti mund të vije vetëm në mes të natës si shtrigë malesh.
Vetëm aparatura e telefonit të kabinës e njohu zërin tënd.
 

...ju keni të dy shpirtra delikatë...
…ju keni të dy shpirtra delikatë…
Tani, që erdhe të më vizitosh në Holandë, dua që ta bekosh me zërin tënd çdo rrugë ku kam ecur dhe do të eci, çdo kthesë me të papritura të këndshme ose me vështirësi…
Nëna ime nuk i fshehu dot lotët.
Renda t’ia fshij ato me petalet e një tulipani të kuq, që avitej buzë trotuarit të lulishtes së lagjes nga flladi i lehtë dhe i butë.
-Lotët e tua nuk duhet të lagin rrugët hollandeze, nënë. Qielli qan këtu si njeri depresiv dhe urinon si fëmijë i sëmurë orë e minutë.
Nëna ime e ndjeshme më përqafoi fort. Tashmë lotët e saj u derdhën mbi shpatullat e mia…
Në mbrëmje i kërkova nënës të sodisë gjithë shtëpinë me këngë të gëzueshme.
-Mos harro cepat e shtëpisë! Hap dollapët e rrobave dhe fute gojën në xhepat e palltos time dimërore, në hapësirën e këpucëve, në xhepat katrorë të këmishave! Mbushi nënë me këngë, me zërin tënd amënor, me tinguj dashurie. Nuk i dihet se kur do të më vizitosh përsëri, nënë – iu luta me përgjërim.
-O, bir! Me këto fjalë që më thua, unë dua vetëm të qaj! – u përgjigj ajo me të drejtë.
-Bëhu burrë, o bir, se e ligështove nënën. E di unë, keni të dy shpirtra delikatë ju. E di, e di! Ty ajo të mungon më shumë – reagoi babai xheloz.
-Baba, o babai im naiv dhe i djallëzuar, pikës i re. Qysh kur erdha në Hollandë, nëna më mungon më shumë, sepse ky vend është i butë, shumë i butë, si qielli, lulet edhe zemra e shoqërisë.
 
Kur jetoja në Shqipëri dhe më vonë në Greqi, më shumë të kujtoja ty, sepse atje shoqëritë janë të egra. Vetëm një burrë me zemër dhe me mustaqe alumini mbijeton atje. Njerëzit me zemër dhe me mustaqe trëndafili gjunjëzohen. Më kujtoheshin këshillat tuaja, se një burrë duhet të bëhet çelik. Dhe unë çelik u bëra, kur i mora malet greke me këmbë. Nuk u gjunjëzova përpara dhunës, shantazhit të policisë greke, ditëve të stërgjatura të ngarkuara me punë të rëndë fizike dhe fjalëve raciste greke se ne shqiptarët jemi kafshë dhe jo njerëz normalë. Tani, këtu në Holandë me shpirt femre, o baba, babai im sakrifikues,që më ke rritur me vuajtje të mëdha, më mungon më shumë nëna. Më fal, baba, më fal, por ti e di, unë kam shpirt artisti dhe gënjeshtrat nuk i kam në thua.
Babai më rrahu shpatullat dhe tundi kokën plot mirëkuptim. Pastaj filloi t’i ledhatonte mamasë shpatullat, që vazhdonte të këndonte me intensitet në të gjithë cepat e shtëpisë.
Të nesërmen dhe të pasnesërmen, qielli mbeti i prangosur nga retë e radhitura trup më trup si ushtri diktatoriale.
-Nënë, e di që të mundova, por të lutem, këndo disa këngë me gojën e drejtuar drejt qiellit. Ngjizi retë e lagështa, të shëmtuara, zorrëgrisura me timbrin e zërit tënd. Të nesërmen, kur të bjerë shi, pikat e shiut do të përplasen në qelqin e dritares time dhe do të shkërmoqen në qindra pikëza uji në sipërfaqen e betontë të rrugëve ku unë do të eci. Ato do të kumbojnë nga tingujt e këngëve të tua dhe mua do të më zbukurohet dita e nuk do të më mungojë kurrë zëri yt.
 
Nëna, si një skllave e ëmbël iu bind dëshirës time. Dhe ndërsa ajo këndonte me gojën drejt qiellit, babai i fërkonte asaj muskujt e qafës.
-Po e bëj këtë, që të këndosh sa më gjatë dhe të të mos lodhet qafa shpejt – i tha babai me zë të lagur.
Më pas, së bashku me nënën, shëtita me biçikletë të gjitha rrugët, që përshkoj më shpesh në jetën e përditshme. Kaluam përbri shkollës së fëmijve, qendrës tregtare, parqeve dhe pyjeve që unë i shëtis shpesh, ndërtesës gjigande të spitalit. Kur iu afruam ndërtesës së bibliotekës, i kërkova mamasë ta ngrinte zërin më shumë.
-Ngrije zërin nënë fort, shumë fort, që ai të përshkojë miliardat e faqeve të miliona librave, që flenë atje si varre të mençur. Notat melankolike të zërit tënd le të përhapen si pika shiu në faqet e tyre.
 
Tre javët e vizitës së prindëve të mi, avulluan shpejt dhe nata e fundit u ul këmbëkryq ndërmjet valixheve, që nëna po i paketonte, jo duke kënduar, por duke qarë.
Ndërkaq unë u përvesha të vizatoj rrugët, që ajo i bekoi me zërin e saj. Dalëngadalë vizat zigzage, harkore ose të drejta të rrugëve krijuan një hartë, e cila mori formë të rrumbullakët, atë të globit tokësor.
-Mos u pikëllo! Rrugët e kurbetit të Greqisë vërtetë nuk i pagëzove me zërin tënd, ama rrugët e Holandës, po. Pa shihi rrugët që kemi shëtitur bashkë.
Mamaja zgjati kokën dhe, në heshtje të ngashërueshme, ndoqi me lëvizje të ngadalta sysh të gjitha rrugët, që patëm përshkuar së bashku gjatë vizitës së saj tri javore.
-Po kjo hartë ngjan me globin e Tokës? – pyeti nëna me zë melodramatik.
-Po, po! Nuk të duket mrekulli e gjallë? Zëre se i ke kënduar rrugëve të kurbetit të gjithë emigrantëve të Botës.
Ajo pohoi me kokë, por nuk u mjaftua me gëzimin tim. Më rrëmbeu e më shtrëngoi fort në kraharor.
-Biri im, je rritur gjysëmjetim. Emigracion i mallkuar – murmuriti ajo duke palosur këmishën e gjelbër të babait.
 
Të nesërmen nëna u largua për në Shqipëri. Ajo humbi në barkun e ngushtë e të gjatë të një pelikani të bardhë, të gjatë, me mish dhe krahë prej hekuri.
Si zakonisht, zhurma e aeroplanëve dëgjohet fare qartë, mbasi ata fluturojnë mjaft ulët; këtu Zoti i bëri malet mish të grirë…
Por, sot për herë të parë, zhurma e aeroplanëve nuk dëgjohej kurrkund. Zëri i nënës time kumbonte herë butë, herë pak më fort nga gjethet e pemëve, nga vijat ndarëse të pllakave të trotuarëve, nga dyert e qendrave tregtare ose të bibliotekës, sa herë që ato hapeshin për të hyrë dhe dalë dikush. Por, më fort zërin e saj e ndesha kudo nëpër shtëpi, në të gjitha qoshet. Mbasi bëra një dush, shkova në dollap dhe mora një këmishë. Sapo ajo preku lëkurën time të freskuar, nga xhepi i saj i majtë shpërthyen këngët e nënës.
Fjalët “Të falem nderit nënë !” – i thashë me lotë të trashë, që u thyen si diamantë të butë në faqen e hartës së zërit të nënës time, të cilën e palosa dhe e futa thellë në gji…
Holandë, Gusht 2013

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.