back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Hasan Dajaku – ose Dramaturgu i profecisë tragjike! nga Dr. Erenestina Halili

Gazeta

Shkrimtari Hasan Dajaku (1944-2001)
Shkrimtari Hasan Dajaku (1944-2001)

Prej çmimeve të mëdha te harresa moderne!

Hasan Dajaku –

ose Dramaturgu i profecisë tragjike!

nga Dr. Erenestina Halili

Nuk di se çfarë mund të më rezervojë e ardhmja
në hulumtime e zbulime  të tjera,
por mund të them se takimi me fatummin e shkruar në art
Hasan Dajakut, nuk mund ta harroj
erenestina halili

Dr. Erenestina Halili
Dr. Erenestina Halili

Kur më ranë në dorë veprat dramatike të Hasan Dajakut, u keqardha… Mendoja se e njihja mirë bibliografinë e veprave dramatike të autorëve shqiptarë të Kosovës…
Sot, kolana e veprave të tij, jo vetëm dramatike, ndodhet edhe në bibliotekën e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë së UT, dhuratë prej të birit të autorit, i cili është kujdesur posaçërisht, për dritësimin e kontributit letrar të të atit.
Unë nuk dua të ndalem në prodhimin e gjerë letrar të tij, këtë mund ta bëjë fare mirë një studiues i poetikës, apo gazetar i kulturës, të cilët duhet të qëmtojnë në vlerat ende të zëna me pluhur harrese, për shkaqe të cilat dihen po edhe nuk dihen…

Vepra e Hasan Dajakut
Vepra e Hasan Dajakut

Dua të vë në fokus, detajin që konsideroj tragjik dhe unik në dramatikën e Hasan Dajakut, detajin, që nisi me “Bengëzën” e hyn në historinë e krijimit dramaturgjik, si parathënie e fatummit tragjik.
Pak raste kemi njohur në letërsi, ku autori prind, parasheh, paralajmëron, se karakteri i përzgjedhur prej tij, (biri o bija) do të ketë të njëjtin fat edhe në jetën reale, si fati i fiktionit letrar. E këtu dramaturgu herë dashtë e herë padashtë, herë ditë e herë jo, qaset në arsenalin e semiologjisë së numrave mistikë, si për ta ngarkuar edhe më shumë lexuesin, dëgjuesin e radio dramës apo studiuesin e saj.
“Bengëza në faqe”, është një poemë e dramatizuar. Para se të botohej, me titull “Pranë Lapidarit” në 1978, u dramatizua në Radio Prishtina me një kast aktorësh elitë, me bazë muzikore të Jusuf Gërvallës e regji të Atdhe Gashit. Ishte një kohë kur gjinia e dramës dhe dramatizimet radiofonike, madje edhe dramat shkruar për mikrofonin e radios, në Kosovë e në Shqipëri, mbeteshin emetimet më të dëshiruara për publikun. Sot, për njëmijë arsye mungojnë, ose janë të rralla…

Hasan Dajaku dhe i biri Besimi
Hasan Dajaku dhe i biri Besimi

Piramida dramatike e “Bengëzës” vjen e përmbysur, prej epilogut në prolog, pranë një lapidari, vijnë vizitorë të vegjël, një burrë i moshuar, si ciceron i tragjedisë, tregon për Besimin, djalin që i fali jetën lirisë. Veprimi ekskalohet në retrospektivë, duke mbërritur në kulminacionin e vrasjes në pritë, nën tradhëti të heroit kryesor të poemës dramatike. Dramaturgu përzgjedh personin kryesor dramatik, ndoshta për vokacion karakterial birin e tij, Besim Dajakun, djalin me një bengëz në faqe, djalin që u rrit me frymën e lirisë së munguar, djalin e heroin e dramës – tragjedi të babait, djalin që vritet me një plumb në zemër, ashtu si Besimi në poemën dramatike. Vepra botohet kur Besimi mbushi moshën 9-vjeçare… numri nëntë (9)! Tek shumë bestytni të popujve të lashtë, numri nëntë është konsideruar me nivelin e numrit të përsosur 3. Në thelb, nënta plotpjesëtohet me treshin, dhe këta dy numra do të jenë bashkëshoqërues në datat e tjera më të rëndësishme të jetës së Besim Dajakut
Duke i hyrë rrafshnaltave të Semiologjisë, apo studimit të “mbartjes së kuptimit”, teorisë filozofike të shenjave dhe simboleve, studimit të shenjave dhe proçeseve shenjore (semiozave), gjithë këto numra profetikë e bëjnë fabulën si lexim, rrënqethëse.
Profecia e dramaturgut, mbetet tragjike përtej poetikës dhe estetikës dramatike. A do ta zgjidhte ai baba-autor këtë fatumm për birin e tij, më ngjasues e më të dashur për të? A veproi profecia, apo jeta rendit skedarët e saj, pa pritur vullnetin tonë njerëzor e tokësor? Po këta numra? Po si mund të ndodhë me vërtetësi matematikore e njëjta ngjarje pas 23 vitesh jetë?
Njeriu dëshmohet si qenie që dëshiron të mbartë e të jetojë me kuptime, duke krijuar, formësuar dhe interpretuar shenjat. Në të vërtetë është fakt që “ne mendojmë vetëm me anë të shenjave”. Këto shenja vijnë në formën e fjalëve, tingujve, imazheve, objekteve, veprimeve, bisedave, teksteve ose aromave. I gjithë ky arsenal shenjash ndodhet në poemën “Bengëza në faqe”, prej bjeshkës deri te fruti i mollës së kuqe: Jam me yllin/ jam me tokën/ e dua si lokën/ pra jam me tokën/ jam me lokën.

Ibrahim Rugova dhe Besim Dajaku
Ibrahim Rugova dhe Besim Dajaku

Çarls Sanders Pirs pohon se: “Asgjë nuk është shenjë nëse nuk interpretohet si e tillë!”. Kjo do të thotë se çdo gjë mund të bëhet një shenjë për aq kohë sa ajo shenjon diçka – i referohet ose qëndron për diçka, në jetën tonë.
Besimi i dramës, vritet në tradhëti e pritë, Besimi i familjes, të njëjtin fat në moshën 33 vjeçare…
13 ditë pas vdekjes natyrale të dramaturgut, Besimi i cili kishte shtyrë datën më të bukur të jetës së tij, dasmën (një tjetër shenjë mistike), e cila nuk do të bëhej kurrë. Ai vritet pabesisht në pritë. Jo vetëm kaq, me të njejtën saktësi tragjike, profetësia  e hedhur në 11 (njëmbëdhjetë) si heroi i dramës “Bengëza…”, i cili plagoset në krahëror e jeton 3 (tre) orë, i njëjti fat, e njëjta skenë edhe me Besimin në jetë, plagoset në kraharor e rron 3 (tre) orë…
Ky numër, kudo 3 (tre), 9 (nëntë), 13 (trembëdhjetë)…
Trembëdhjeta simbolizon në shumicën e kulturave, numrin e lashtë të përfundimit, ky numër është i lidhur edhe me kuptimin e fundin e një cikli. Por trembëdhjeta parathotë fillime të reja, gjithashtu do të thotë se sistemet e vjetra duhet të ndërpriten për të lehtësuar ndryshimet e kërkuara. Edhe muzika, si  krijimi absolut i shpirtit njerëzor, mban 12 + 1, pra  një oktavë, pasi  ngjyra muzikore përbëhet nga 13 tinguj të ndryshëm. Në gjeometrinë e shenjtë, 13-ta simbolizon shkatërrimin e përjetshëm dhe krijimin e jetës.

Heroi Besim Dajaku
Heroi Besim Dajaku

Numri 13 (trembëdhjetë): shihet edhe gjatë “Darkës së fundit” ku përmendet nga Jezusi në kontestin negative e ka mbetur ashtu i pandryshuar në filozofinë mistike të popujve të ndryshëm, si një numër sjellës fatkeqësie. E nëse rrëmojmë gjejmë dëshmi të tjera…
A nuk është unik ky rast letrar-jetësor? Dhe është yni, i letërsisë sonë. Për fat të keq i papërmendur kurrë…
T’i kthehemi dramës “Bengëza…” ku fleksibiliteti kohor i historisë me paralele në vendin e ngjarjes, duket se sjell instiktivisht veprimin e ligjit të Karmës – të shkakut dhe pasojës, ligjit të Darmës – se asgjë në këtë botë nuk është krijuar dhe nuk ndodh rastësisht, si dhe Reinkarnimin – transformimi i shpirtit nga një jetë në jetën tjetër – ligjshmëri të cilat vijnë në invers në dramën poetike e fatale, në tragjedinë e familjes së dramaturgut.
Besim Dajaku, djali me bengëz ne faqe, ish truprojë e Presidentit Ibrahim Rugova, stërnip i Shaban Polluzhës vritet në pritë bashkë me gazetarin Bekim Kastrati natën e 19 Tetorit 2001. E si për ta mbyllur aktin final të tragjedisë së shkruar nga dora e babait, u ngrit edhe lapidari në nder të dëshmorit.

Vepra e Hasan Dajakut
Vepra e Hasan Dajakut

Hasan Dajaku, ka shprehur edhe në vepra të tjera dramatike, alteregon e tij artistike e letrare; vargëzohen “Njeriu që rrëfehej kur ishte vetëm”, e cila në 1978, u vlerësua me çmim të parë në konkursin për radiodramë, ndërsa në vitin 1984, nga RTP, është realizuar si teledramë me nëntitull “Fluturimi i Micakut” “Kallogjeri”, (e cila pas realizimit nga regjisori Atdhe Gashi, dhe transmetimit të saj në Radio Prishtina, është ndaluar për t’u ritransmetuar. Kjo vepër është botuar falë transkriptimit nga incizimi radiofonik, ndaj nuk paraqitet tërësore, apo e plotë), “Mjergull, Mjergull” (është realizuar si radiodramë në Radio Prishtina me regji të Atdhe Gashit), “Në krahët e epsheve” (skenar për dramë televizive), dramat poetike “Zemër e ndarë”, “Buqja” (punim i konkursit “Pionieri” – revistë letrare për fëmijë, 1975), dy monodrama “Shenjtëria e madhe” dhe “Komandanti”, por edhe tituj të tjerë në lëmi të tjera letrare, si poezi e skenar filmi dokumentar-televiz, të cilat nën kujdesin e pasardhësve të tij, publiku i merr në dorë sot.
Përgjithësisht vepra dramatike e Hasan Dajakut shquhet për nota romantike, aty-këtu tipare të realizmit e soc-realizmit, të cilat parë në kontekstin ideor, shfaqen më së shumti si ide e dëshirës për një tjetër realitet, aty ku liria vjen si ontologji e etiologji. Gjenden edhe elemente moderne, sidomos në emrat e cilësuar të karaktereve si Hops, Tin Tan Ferr, etj, të cilat e kanë ndihmuar autorin për t’i thënë në një mënyrë hermetike të themi, linjën ideo-artistike të tij.
Rasti i paracaktimit të fatit, si prej krijimi antik me Olimp e Zeus, është i rrallë në letërsinë botërore, kjo e bën poemën e dramatizuar “Bengëza në faqe” edhe pse një tragjedi jetësore, një vlerë të shtuar të dramaturgjisë shqiptare, por edhe një monument letrar dramatik, për heroin e Kosovës së lirë.

Vepra e Hasan Dajakut
Vepra e Hasan Dajakut

Pak Biografi mbi Hasan Dajakun

Hasan Azem Dajaku, dramaturg, poet dhe prozator, u lind më 2 mars 1944, në fshatin Rakinicë,  Skënderaj, në një familje të njohur në këtë anë për urtësi, bujari e atdhetarizëm.
Gjatë viteve 1969-1971, mbaroi studimet në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prizren – Dega Gjuhë dhe Letërsi Shqipe. Pas përfundimit të studimeve u punësua si arsimtar i Gjuhës Shqipe në shkollën fillore “Liria” në fshatin Turiçefc të Skënderajt.
Që në rini ka shkruar poezi e më pastaj ka kultivuar edhe zhanrin e prozës e dramës. Në vitet ‘70 të shekullit të kaluar, në Kosovë është afirmuar si dramaturg. Në vitin 1978, vepra “Njeriu që rrëfehej kur ishte vetëm”, u shpall drama më e mirë e vitit në Kosovë. Kjo dramë është realizuar si radiodramë dhe si teledramë (me nëntitull“Fluturimi i Micakut” (1984) nga Radio Televizoni i Prishtinës.
Hasan Dajaku është autor edhe i disa veprave dramatike, të cilat janë realizuar nga ish-Radio Prishtina, të vlerësuara me çmime në atë kohë: “Njeriu që rrëfehej kur ishte vetëm”,“Pranë Lapidarit”,“Mjegull, Mjegull”, “Kallogjeri”.
Poema e dramatizuar për fëmijë “Bengëza në faqe”, është botuar nga NGB “Rilindja” në Prishtinë, në vitin 1978. Gjithashtu, dramat dhe tregimet e tij janë botuar edhe në revistat letrare të asaj kohe.
Duke dëshmuar talentin e tij në fushën e letërsisë, në mënyrë të veçantë në fushën e dramaturgjisë, Hasan Dajaku në atë kohë u ftua nga Instituti Abanologjik i Kosovës për t’u bërë pjesë e tij, përgjigjja e tij qe e shkurtër: “Nuk mund të shkruaj për dëshirën e disave!”.
Në fillim të viteve ’80 të shekullit të kaluar, filluan një seri masash represive ndaj tij me arsyetimin se prishte shoqërinë; se ishte i papërshtatshëm për punë në arsim dhe i papërshtashëm politikisht, etj. Këto masa dhe  akuza filluan pas transmetimit të radiodramës “Kallogjeri” nga Radio Prishtina dhe, pas reagimit publikisht të komunistëve serbë. Kështu, me urdhër të organeve të asaj kohe, u ndalua transmetimi i kësaj radiodrame.
1984, Komisioni disiplinor, me urdhër të Komitetit, mori vendimin nr. 1275 dhe 1241, me të cilin Hasan Dajakut iu ndërpre marrëdhënia e punës me akuzën: “I papërshtatshëm moralo-politikisht për punë në proçesin arsimor”. Kështu ia vranë shenjtërinë, dashurinë për nxënësit dhe misionin e mësuesisë. E la ditarin në shkollën fillore “Vëllezërit Frashëri” në Rakinicë, për t’u marrë me punë fizike… Ky ishte diferencimi i parë në arsim në komunën e Skënderajt, që u pasua me diferencime të tjera të njohura gjatë viteve ’80 të shekullit të kaluar.
Edhe pse i larguar nga puna, organet e pushtetit e mbanin nën vëzhgim Hasan Dajakun. Kështu, autori ballafaqohej vazhdimisht me akuza, shantazhe, gjyqe dhe izolime nga jeta shoqërore e kohës. Po ashtu, atij i janë çensuruar dhe i janë shkatërruar disa vepra letrare të shkruara asokohe… Masat represive  ndërkohë u shtrinë edhe ndaj familjes së tij.
Hasan Dajaku kurrë nuk u largua nga Kosova!
Si mësues, Hasan Dajaku punoi gjatë gjithë viteve ’90 të shekullit të kaluar, kohë  kur  arsimi u pavarësua dhe u organizua në bazë të sistemit  të Republikës së Kosovës.
Një ditë vjeshte, pikërisht më 7 tetor 2001 ndërroi jetë… në rrugën drejt shkollës…
Shtator 2016

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.