Haxhiademi si piketë
për ata që shohin larg dhe ata që shohin rrotull…
vazhdim i një reagimi nga Jozef Radi
Në rrekje për të kuptuar pse autori i “Peisazheve të fjalës”, vazhdon ta përmendë emrin e Haxhiademit, e së fundi edhe të citojë pjesë që i volisin nga “Nymfat e Shkumbinit”, gjithnjë me konotacione negative, a thua se syri i tij nuk merret me të bukurën, ndjehem i detyruar t’i dëshmoj, e t’i sjell në vemendje të vet atij dhe ndjekësve të tij, e lexuesve në përgjithësi disa të vërteta, në mënyrë që me kohë ai të kuptojë e të ftillohet se figura e Haxhiademit tejkalon dukshëm si fuqinë e tij fyese edhe përbaltëse…
Por, parasëgjithash desha t’u prezantoj lexuesve të portalit radiandradi.com ca fakte rreth akademikut të jashtëm të Akademisë të Tiranës, bazuar në Curriculum Vitae, profilin profesional të tij. Pas vitit 1995, ai është shpërngulur në NY, dhe ka bërë thjesht jetën e një ish-pedagogu, ish-punonjësi të Institutit të Gjuhësisë.
Aktiviteti i tij pas 1995, në lidhje me kontributin e tij në mediat shqiptare, ka qënë kryesisht i llojit të një ‘freelance’, pra të një autori në krijimtari të lirë në distancë nga atdheu, duke shkruar kryesisht për gazetat lokale të Tiranës, e duke u aktivizuar në blogjet shqipëfolëse, e së fundi, keto 15 vite, në rolin e një lloj blogeri në faqet online të “Peisazheve të Fjalës” si pronar i saj, ku shkrimet e tij kanë përfshirë një tematikë gjithëfarëshe, e në shumicën e rasteve këto materiale i kanë shërbyer si skelete mbushëse të librave të tij, botuar kryesisht nga iniciativa e tij o në bashkëpunim me shtëpitë botuese të Tiranës.
Rreth tij si person dhe “Peisazhe të Fjalëve”, gjithnjë është sjellë në vëmendjen e lexuesve e komentuesve, qoftë në revistën e tij, siç e quan ai, apo në botën shqiptare online, natyra kontroversale, provokuese, sharëse, tallëse, ironizuese, jashtë kritereve të një akademiku, madje deri në një farë ligësie të pashpjegueshme, e cila lexohet, ndjehet, vërehet në shkrimet e tij, apo edhe të një grushti të vogël bashkëpunëtorësh të revistës së tij. Ndërkohë, bota akademike shqiptare, universitetet shqiptare e mbajnë në periferi si autor.
Rasti i Haxhiademit te “Peisazhe të Fjalës” kur një akademik i jashtëm, bën një sulm të paprinciptë ndaj krejt një vepre të krijuar herët, në kushtet e lirisë dhe rinisë, e më vonë përjashtuar përdhunshëm prej një regjimi që merrte në unison njeriun dhe veprën në një ndëshkim të paprecedent. Përmes një cinizmi të pashoq, aq sa na detyroi t’ia trajtojmë përqasjen e tij si barbare ndaj kësaj vepre (dhe jo thjesht ndaj saj), e cila edhe sikur të ishte në vlera edhe më modeste, duhej lexuar dhe kuptuar se brenda saj është sakrifica dhe përkushtimi i njerëzve të përgjakur dhe veprave të masakruara barbarisht. Sigurisht, ketë duhet t’ia rrokte mendja se do të përballej me beteja jo të lehta dhe të ishte koshient se përgjigja ndaj tij, do të ishte në proporcion të drejtë me atë gjuhë tinzare, spekulative, të helmët, përbuzëse e me doza të maskuara e të shfaqura urrejtje, (autori mund të mos e ndjejë, pse ndoshta i është të trupëzuar tashmë) ndaj një figure si Haxhiademi, aq e shpeshcituar në vitet ’20-’40 (janë të mbledhura rreth 40 shkrime kritiket e asaj kohe) rreth produktit të tij letrar, i cili na u rishfaq fatmirësisht i plotë, përtej tragjedisë së heshtjes dhe do të vazhdojë gjithnjë në fushën akademike.
Latini thotë: “Qui Nimium Probat Nihil Probat”, çka e sqarojmë autorin e “Peisazheve…” se shprehja në fjalë, vlen ndaj asaj kategorie ngulmonjësish që sjellin një pafundësi provash për të mos provuar asgjë… duke dëshmuar se me kokëfortësinë këmbëngulëse mund ta spostojë të drejtën në kahun e tyre…!! Madje kjo sjellje na jep të drejtën të mendojme se Haxhiademi është përzgjedhur pikerisht target, si një pikë e lartë në mënyrë që të mbjellë heshtje varri për të tjerë që janë më poshtë se ai në cilësitë letrare.
Një të shkolluari në gjuhësi/leksikologji, s’mund t’i lejohet kurrsesi të përmendë një emër dhe mbasi e bën përpjekje ta përbaltë atë emër, befas na thotë se s’paska njohje të thellë mbi veprën e autorit. Kjo mund t’i lejohet çdokujt tjetër, që në rrafshin kulturor të jetë i papërgatitur, apo që s’është i fushës së letrave apo gjuhës, por jo një ish-profesori që e ka në detyrën e vet, po edhe për bagazhet e tija kulturore t’i zotërojë majegishtash këto njohje; mbasi mendoj se Haxhiademin mund ta kishte pasur edhe si kryesubjekt në rrafshin gjuhësor, meqë produkti i tij letrar i mbushi me dritë vitet ’30, e ku studiues e kritikë të thukët të kohës veç të tjerash, e konsideruan kontributin e tij gjuhësor, si “e mesme e artë e gjuhës shqipe”, dhe mendohej qysh herët se lëvrimi i saj mund të shërbente në një periudhë të mëvonë si bazament përbashkues i gjuhës shqipe.
Në këtë rrafsh autori i “Peisazheve” do të ishte profesional e në raport të drejtë edhe me shkollimin e tij, edhe me statusin e akademikut të jashtëm që ai përfaqëson! Por… autori i “Peisazheve…” u shfaq me provokimin e rradhës dhe me gjuhën tashmë tipike të tij. Kësaj rradhe midis qindra XY, që as emrat ua di, kishte Haxhiademin, të cilin fillimisht e përmend shkaras në shkrimin e tij “Idhuj të Zgavërt”, por për çdo observues të gjuhës së tij të komunikimit, e kupton se në një natë, apo ditë, Haxhiademi do t’i ketë dalë në ëndërr me sy hapur, apo mbyllur, e t’i ketë shkaktuar zemërimin e rradhës. Mund t’i jetë bërë shkak për diçka në dukje krejt e rastësishme, por që mund t’i ketë folur me një gjuhë trazuese egos së tij akademike. Siç mund të ishte ajo konferencë shkencore, me emra të lakuar akademikësh universitarë, profesorësh e letrarësh shqiptarë, të mbledhur në një nga sallat e të njëjtës akademi, ku ai është anëtar, (si i jashtëm), e ta kishin mbajtur atë jashtë konference!! Pikërisht për të risjellë në skenën letrare dhe akademike, Et’hem Haxhiademin, për të shpalosur kontributin e tij letrar, risinë neoklasike në eksplorimin e miteve historike kryesore shqiptare, përdorimin e gjuhës të thjeshtë poetike me figuracion të kuptueshëm për masat shqiptare, dhe për t’i dhënë përgjigje përse Haxhiademi, nuk donte të bëhej një poet si Migjeni, me një angazhim social, për të zgjuar instikte, apo pakënaqësi sociale, kur Shqiperia kishte nevojë për ngjizje të ndjenjës e krenarisë kombëtare, pa nevojën për të hedhur dyshime për shtetin shqiptar lehonë, krijimin e një përkatësie etnike solide, organizimin e shoqërisë, unifikimin e saj, pa nevojën e krizave identitare etnike, krizave të pakënaqësive sociale, apo deri thirrje për përmbysje sociale, e zbythjen e traditës e kohezionit social.
Në përfundim për t’i ardhur në ndihmë autorit të “Peisazheve…” po edhe ndjekësve të tij me njohuri mediokre ose skarse rreth kesaj figure i ofrojmë programin e konferencës shkencore së realizuar më 21 qershor të vitit 2021, me gjithë temat e diskutuara rreth veprës së plotë të Haxhiademit, mbështetur e gjitha në origjinalet e kohës kur u botua për së pari.
29 korrik 2022
“Dramaturgu-Poet – Etëhem Haxhiademi
në fokusin e trajtimeve Letrare dhe Gjuhësore”
Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë
Departamenti i Studimeve Letrare
Konferencë shkencore mbarëkombëtare:
(Konferenca i zhvillon punimet ditën e premte, në datën 25 qershor 2021,
në sallën “Aleks Buda”, pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë)
Seanca e parë: 9.30-11.00
Fjala përshëndetëse: Prof. dr. Valter Memisha,
drejtor i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë
Drejtojnë seancën: Prof. dr. Valter Memisha; prof. dr. Laura Smaqi; prof. as. dr. Evalda Paci
-Prof. dr. Valter Memisha: Dukuri të frazeologjisë në tragjedinë e Et’hem Haxhiademit
-Prof. dr. Shaban Sinani: “Faji” i të parilemit me sytë e Kainit në dy tragjedi të Haxhiademit
-Prof. dr. Laura Smaqi: Haxhiademi dhe procesi letrar mes dy luftërave botërore
-Prof. dr. Tomorr Plangarica: Prurjet teorike në shkencat e ligjërimit si mundësi për një qasje më shumë në leximin e vlerësimin e dramatikës së Haxhiademit
-Prof. dr. Kujtim M. Shala: Drama fisnike
-Dr. Arian Leka: Tipare dhe veçori të estetikës dhe stilistikës së Etëhem Haxhiademit, vëzhguar përmes dëshmive të tij
-Prof. as. dr. Evalda Paci: Profili kompleks i një shqipëruesi përmes një varianti të Bukolikeve të Vergilit (1932)
-Ekspozim i varianteve të botimit të veprave e shqipërimeve të E. Haxhiademit (9 vëllime): nga më të hershmet në ato të ditëve tona, përgatitur nga botimet Poeteka.
Pushim për kafe: 11.00-11.30
Seanca e parë paralele: 11.30-13.00
(Akademia e Shkencave e Shqipërisë)
Drejtojnë seancën: Prof. dr. Tomorr Plangarica; dr. Arian Leka; dr. Virion Graçi
Prof. as. dr. Abdulla Rexhepi: Turku si koncept i Tjetrit në veprën e Etëhem Haxhiademit
-Dr. Virion Graçi: Figura e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut në përthyerjen e zhanreve letrare të ndryshme; shikim krahasues i veprave “Kështjella” (I. Kadare), “Skënderbeu” (S. Godo) dhe “Skënderbeu” (E. Haxhiademi)
-Prof. as. dr. Emin Z. Emini: Aspekte dramatologjike dhe semiotike të personazhit si subjekt i diskursit në dramaturgjinë e E. Haxhiademit
-Dr. Gëzim Puka: Jehona e tragjedive të Etwhem Haxhiademit në vështrimin e kritikëve të kohës
-Dr. Durim Çaça: Semiociteti i shoqërisë së diskursit (tragjedia “Skënderbeu” në një vështrim semiolinguistik)
-Dr. Blerina Harizaj: Transfigurimi dhe risemantizimi i miteve biblike në tragjedinë “Abeli” të Et’hem Haxhiademit
-Dr. Irma Bilali: Figura femërore në tragjedinë e Etëhem Haxhiademit
Seanca e dytë paralele: 11.30-13.00
(Akademia e Shkencave e Shqipërisë)
Drejtojnë seancën: Prof. as. dr. Merita Bruci; prof. dr. Mimoza Priku; dr. Valbona Sinanaj
-Prof. as. dr. Merita Bruci: Et’hem Haxhiademi dhe Andon Zako Çajupi: dy fate botimi
-Prof. dr. Mimoza Priku: Patosi komunikativ në tekstin poetik të E. Haxhiademit
-Dr. Valbona Sinanaj: Theksi logjik dhe emocional në tragjedinë “Skënderbeu” të E. Haxhiademit
-Dr. Silvana Leka: Etëhem Haxhiademi – çështje të rikonceptimit të termave brenda (neo)klasicizmit
–Neli Naço: Etëhem Haxhiademi dhe poezia. Veçori të “ideografisë” dhe stilit të tij poetik
–Erjena Lamaj: Dimensione të injoruara dhe vlera të anashkaluara të një krijuesi dhe të veprës së tij letrare – artistike
-Dr. Dea Temali-Karakaçi: Stili gjuhësor në penën e Etëhem Haxhiademit
Përfundime e diskutime: ora 13.15-13.50