back to top
6.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Hebrejtë marrin e japin veten – tregim nga Faruk Myrtaj

Gazeta

Faruk Myrtaj
Faruk Myrtaj
Hebrejtë marrin e japin veten
– tregim nga Faruk Myrtaj
marrë nga libri i ri – “Për shkak të Heminguejit”

“Kemi tri apartamente me tri dhoma e kuzhinë, por s’ka nevojë t’i tregosh tek të tjerë, pasi rentohen nga vet ata…”, më tha Diego.
“Nga kush ‘Ata’?”, pyeta unë.
“Hebrenjtë!”, m’u gjegj ai, a thua bëhej fjalë për diçka misterioze apo për ndonjë konspiracion.
“Ata i vendosin vet kontaktet me telefon, ose tjetërkush i lidhë, pastaj bien dakord t’ia kalojnë pajisjet e mobilet që kanë atyre që vijnë më pas në apartamentin e tyre. Tërë mobilet, divanet, tavolinat, gjer edhe kompjuterët e kolltukët e karriget, gjërat voluminoze, gjer plaçkat e lodrat e fëmijëve dhe librat… tërë shtëpinë, thuajse, siç e kanë, të ngrehur, ia lenë njeri-tjetrit. Neve, si super-intendentë, na mbetet të bëjmë vetëm lyerjen e mureve e tavaneve…”
Diego vuri re mos-dijen time, që vazhdoi të fliste edhe duke zbritur të-poshtë shkallëve të brendshme.
Në këtë vend ku kemi ardhur edhe ne, hebrenjtë vijnë me specializime të gjata, profesionale, i marrin familjet e fëmijët me vete, aplikojnë dhe bëhen qytetarë të këtushëm edhe kur, pasi mbarojnë kualifikimet apo studimet, kthehen në vendin e tyre sipas Biblës së Vjetër. Nuk jam vetëm unë që besoj se prandaj janë të pazakonshëm.
Nuk është fjala për qeveritë, jo: kombet janë tjetër gjë nga qeveritë. Këto të fundit, kudo, janë gjendje të përkohshme, subjektive dhe subjekte ndaj korrupsionit apo gabimeve në mënyrën se si funksionojnë.
Kombet janë vetiu të pafajshme, vetiu delikate, mund të kundrohen si qenie vetjake, si një njeri i vetëm. Hebrenjtë, sipas censuseve, rezultojnë popullsi në masë të pa-neglizhueshme në shumë vende e shtete. Mbase me asnjë komb tjetër nuk ndodh kjo…
Ata nuk dalin “për shëtitje”, siç ndodh me ne, bie fjala, vazhdoi Diego. Besoj se edhe me ju ballkanasit. Edhe kur dalin në rrugë, edhe ditëve të festave të tyre, ata punojnë, sa herë që bisedojnë, flasin për punë. Zakonisht kooperojnë mirë me njeri tjetrin, por më beso, nuk janë të mbyllur për të tjerët. Nuk është aq e vështirë sa thuhet të hysh në marrëdhënie apo marrëveshje me ta. Problem bëhet se nuk është aq kollaj t’u mbetesh kontratave me ta. Janë shumë skrupulozë. Tragjikisht serioz në përgjegjësitë e tyre.
Mbase për të gjithë kombet, fati historik dhe ai kombëtar krijon fate njerëzish, por në rastin e tyre ka krijuar një komb unik, të patjetër. Përtej konceptit që vjen prej kredisë, si fatalitet përtej religjioz.
Sem, hebreu me të cilin kam punuar, ishte shumë i shtruar, korrekt dhe gjithnjë ligjor me mua.

Faruk Myrtaj - Për shkak të Heminguejit
Faruk Myrtaj – Për shkak të Heminguejit

Një herë, i shkoi syri tek shtrati i një merimange, në një qoshk shkallësh dhe ma rrëfeu, me gishtin tregues. E qartë, thashë unë. Do ta pastroj. “Nëse merimanga do paguante rentë, mund ta linim!”, tha ai. Nuk po isha i sigurt nëse bëri humor. Po ky Sem, dhe jo vetëm ai, kishte dëgjuar për faktin historik se njerëzit e fisit tim kishin shpëtuar shumë hebrenj, gjatë Luftës së Dytë. Ne vetë, kishim ngut e dëshirë ta rrëfenim gjithandej këtë fakt, sa herë që merrnim vesh se tjetri ishte hebre.
“Numri i hebrenjve në trojet tona pas lufte, u bë më i madh se numri i tyre para Lufte”, përsëritnim ne. Sem na dëgjonte, megjithatë, deri në fund, pastaj a thua sikur e kishim fjalën për një komb tjetër, jo të tijin, na pyeste:
“Po, po, e kam dëgjuar edhe këtë, por… nuk më thoni, pse na shpëtuat? Pse na deshët ju neve?!”
“Si ‘pse ju donim, si pse ju shpëtuam’?!”
“Po, pra, për ç’interes na shpëtuat?”
Dukej sikur biseda nuk vazhdonte dot në mënyrën klasike, tonën. Merre me mend, sikur të hynim në detaje të tjera, p.sh. që kjo, shpëtimi i hebrenjve, ndodhi nën qeverisjen e kolaboracionistëve tanë me gjermanët, gjë që edhe kjo ishte fakt, edhe pse komunistët e vendit tim, sa ishin të sigurt në sundimin e tyre, kurrë nuk e kishin zënë ngoje këtë të vërtetë.
Apo, më keq akoma, sikur t’i thuhej Semit se ishte e vërtetë që gjermanët kurrë nuk kishin qenë në luftë me popullin tim! Kjo mund të na bënte edhe më të dyshuar!
Mos o njeri, sikur dyshimi ta çonte deri në largimin nga puna me motivacionin “si individ njëjtë-kombas me kolaboracionistët”! Pak a shumë si nga ato praktikat e sigurisë duke marrë nën kontroll troje rreth shtetit, për të garantuar vet kufirin, si të rusëve në Ukrainë!
E shihja, Diego qeshej për dilemën tek unë, edhe pse një apartament i vet-rentuar ishte lehtësim për të dy. Sikur të tërë banorët e pallatit të ishin hebrenj, s’do kishim asnjë problem për rentimet! Vetëm do thërritnim bojaxhinjtë e teknikët!
Edhe banori i deri-asaj-dite nuk po hapte punë pastrimi për ne, për mua, po thosha me vete, edhe unë si Diego, duke shkuar të ulesha pak në atë stolin matanë rrugës, përballë pallatit ku punoja.
“Nesër a do jeni këtu? Se duam t’ju takojmë para se të ndahemi”, erdhi deri aty, dhe më tha doktori i 417-ës, hebreu pra, që do largohej.
“Po, sigurisht këtu jam! Ku të jem tjetër?!”
Më pyeti sërish, të nesërmen në mëngjes, po ai, përpara se të ikte në punë të vet. Mbase kërkoi të dinte në isha unë, apo Diego, on duty, kur duhej të vendosnim ashensorin në shërbim të posaçëm për ta. Ia bëra të ditur: Diego ishte On-duty, por, sërish, edhe unë mund ta ndihmoja për ashensorin, edhe po të mos gjendej Diego në atë orë.
Hebreu nguli këmbë: donte të më takonte edhe mua. Edhe pse nuk do isha on duty.
Pak orë më vonë, teksa njomja lulet përballë pallatit, kaloi aty gruaja e tij, me fëmijën e tretë të sa-lindur këtu, qytetar edhe ai si të gjithë ne, dhe më pyeti:
“Këtu do jeni pasdite, zoti Farook…”
Kot ta sqaroja sërish, edhe ditën e fundit, se si shqiptohej realisht emri im!
“Po, po këtu jam!”
Sinqerisht mendova se mund të ishte fjala për ndonjë dhuratë prej tyre, natyrisht simbolike.
Diego ma kishte bërë të ditur këtë zakon të tyre. Sa herë largohen, ata lenë diçka si fale-nderje, për shërbimin, edhe për ta, si super-intendentë. Me dikë tjetër, më kishte ndodhur t’ia refuzoja një kartëmonedhë, veprim që e la Diegon pa mend.
“Çfarë problemi paske me dollarin ti, Faruk?! Tjetri kërkon të dhurojë diçka, ti pse e refuzon?! Aq më keq, me njerëz që largohen, ti s’do kesh punë më me ta, ata vetë duan të lenë diçka simbolike…”
Okay, thashë, përderisa edhe sipas Diegos, me që të dy bashkëshortët ngulnin këmbë të dinin a do të isha aty, dhe aty isha, u ula dhe, si për ta ndihur, e prita zonjën, meqë sapo më pyeti për shkurt:
“Këtu do jesh pas pak, Farook?”
Pra, mendja të thoshte se ajo do shkonte në shtëpi dhe do kthehej, tek unë që u ula ta pritja aty.
Iku, por s’u kthye as gjysmë ore më pas, ndonëse sipas fjalës dhe gjestit m’u bë se tha, “ja, po vij, po zbres, some minutes, only’!
Nuk kisha pse e prisja aty, as pak minuta, isha edhe ca i lodhur, hyra brenda, në shtëpi, pasi kishte mbaruar edhe orari im i punës. Kisha për të bërë dy tri punë shtëpie. Po tu duhej, le të trokisnin te apartamenti im! Sigurisht që e dinin. Kush s’e di apartamentin e super-intendentit ndër rentuesit?!
Dhe ashtu ndodhi vërtet. Erdhën, aty, te apartamentin im. Thuajse në mbrëmje, të dy. Burrë e grua.
Sollën një botim të ri, të “Modern Man In Search of a Soul” të C. G. Jung. Natyrisht I falënderova me tërë respekt për librin, si dhuratë, dhe ata u larguan po aq heshtur.
Vetëm atëherë vura re se botimi i parë i këtij libri datonte në vitin 1933.

Marrë nga Muri i FB i Faruk Myrtaj…

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.