back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Hera e Fundit nga Dario Sztajnszrajber

Gazeta

Manjola Brahaj - pastel Adriatik Baliaj
Manjola Brahaj – pastel Adriatik Baliaj

Hera e Fundit

nga Dario Sztajnszrajber

Kur ishte hera e fundit që pyete veten? Jo duke kërkuar një përgjigje, as duke gjetur një siguri, por hera e fundit që ke ikë nga e përditshmja dhe je ndalë. Jo prej lodhjes as prej përtacisë, por thjesht kot?
 
Kur ishte hera e fundit që u ndale dhe le gjithçka rreth teje të rridhte? Si ai që gëzohet kur i shkëput gjërat, u heq karakterin e tyre të dobiprurës, i nxjerr prej logjikës së llogarisë.
 
Kur ishte hera e fundit që bëre një gjë që s’shërbente për asgjë? Për asgjë dhe për askënd, tani që shërbëtorët paraqiten në forma shumë misterioze. Diçka që nuk ishte e menduar prej garancisë, interesit apo egoizmit.
 
Kur ishte hera e fundit që bëre diçka pa arsye? Jo sepse të leverdiste a pse kishe nevojë, a madje sepse e dëshiroje; por thjesht pa arsye. Ose e kundërta: kur ishte hera e fundit që rastësia bëri diçka me ty? Jo diçka të vlefshme, as të thellë, as diçka në formë të prerë.
 
Kur ishte hera e fundit që i dhe një përqafim dikujt? Jo njerëzve të tu të dashur, as personave të njohur, por “dikujt”, s’ka rëndësi kujt.
 
Kur ishte hera e fundit që dhurove? S’ka rëndësi çka. Një dhuratë nuk vlen për atë çka është, por vlen si e tillë, si dhuratë. Një dhuratë nuk vlen. Një dhuratë nuk është. Jepet e nuk kthehet.
 
Kur ishte hera e fundit që u hape? Ose që nuk u mbylle? Ose që shembe portat e tua? Ose që e le të hynte të varfërin? Ose që ky tjetri hovi në ty dhe të mori?
 
Kur ishte hera e fundit që kujtove? Jo kur vjen fatura e gazit apo data e provimit, por që e kujtove si një motiv, si një gjurmë, si pjesë e një historie në të cilën dukesh i zhytur, si dëshira që don të vazhdojë duke të rrëfyer.
 
Kur ishte hera e fundit që qave? Thjesht qave. Nga gëzimi, nga trishtimi, s’ka rëndësi. Të qash, si ai që shpreh në këtë akt primitiv ekzistencën e jetës; si ai që kërkon, lutet, përgjërohet, por nuk pretendon, as nuk lypë, as nuk mendon se meriton.
 
Kur ishte hera e fundit që humbe? Jo në këtë rrugë apo në këtë punë, apo me këtë projekt të përbashkët. Të humbësh, duke lënë që të marrë kjo ndodhi e paparashikueshme, duke u lënë me qenë. Bota është plot me afishe dhe shenja. Bota është e mbushur rrast me heronj që të propozojnë një format industrial të të qenit i njejti dhe një karrierë të suksesshme të bazuar në konsolidimin e asaj çka je. Nuk ka rëndësi çka je, por të mbrosh atë që ke, dhe mbi të gjitha të ngresh muret që e bëjnë tjetrin nga tjetri diçka të padukshme. Prandaj të humbësh, si dikush që ecën pa drejtim ose flet me një breshkë, ose i kërkon të falur një akullorje ngaqë po e han. Si ai që i ikën turmës për të ecur nëpër ato udhët e çuditshme, si ai i cili gjen një shikim që e kthen përbrenda dhe bjen në humnerë.
 
Kur ishte hera e fundit që pate frikë? Jo nga ajo që mundet të të ndodhë, por ngaqë mendove se ndoshta kurrë nuk do të të ndodhë asgjë.
 
Kur ishte hera e fundit që pëlqeve asgjënë para të qenit, një erë më shumë se një koncept, pagjumësinë më shumë se një antidepresiv, një pemë të vjetër më shumë se një ashensor?
 
Kur ishte hera e fundit që tradhëtove, që u ngazëlleve, që shkele, që u lëshove, që pate një ëndërr, që besove, që nuk besove, që u pendove, që pohove, që pyete, që lëshove çka të përkiste dhe ju hape pyetjes?
 
Kur ishte hera e fundit që pyete veten?
.
E përktheu Manjola Brahaj
.
Darío Sztajnszrajber
Darío Sztajnszrajber

Kush  është Darío Sztajnszrajber

Darío Sztajnszrajber (/shtáin shráiber), lindi në Buenos Aires më 16 qershor 1968
Është filozof, mësues, profesor dhe mendimtar i telelevizionit argjentinas. Zhvillon një punë në fushën e filozofisë, për të cilën është vlerësuar nga Fondacioni Konex në 2017, në disiplinën Zbulimit. Drejton programin “Gënjeshtër e vërteta” (Në kanalin Encuentro).
Është autor i librit “Pse shërben filozofia?”Trajtim i shkurtë për rrënimin”
Jep mësim në Universitetin FLACSO në fushat e komunikimit. Është docent në CBC të Universitetit të Buenios Aires në temën “Probleme filozofike” të Universitetit Nacional Hurlingham.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.