back to top
3.5 C
Tirana
E martë, 17 Dhjetor, 2024

Hermetizmi ynë, jo si ai europian, më i vrazhdë, ekzistencial… – Visar Zhiti, intervistuar Violeta Murati

Gazeta

Visar Zhiti 1952
Visar Zhiti 1952

Hermetizmi ynë, jo si ai europian, më i vrazhdë, ekzistencial…

Visar Zhiti, intervistuar Violeta Murati

Jeni njeriu dhe shkrimtari në vëmendje të medias, së fundmi edhe për dosjen tuaj të dënimit në burgjet e diktaturës. Ka një kërshëri gati barbare për këtë. Të gjithë duan të dinë ç’ka ndodhur me ju, ndërsa e keni thënë tashmë të vërtetën tuaj nëpër libra. A mund të na tregoni pse vazhdojnë të jenë aq të kundërta raportet mes historisë, letërsisë dhe realitetit? – Nëqoftëse është kështu, që jam vërtet në vëmendje të medias dhe për dosjen e dënimit tim, nuk më vjen mirë, përkundrazi, por do të doja të thosha se dosja s’është imja, por e atyre që e bënë. Është “punë” e frikshme dhe absurde, kafkiane, duket si e askujt dhe e të gjithëve, por gjithsesi ajo ka autorë të posaçëm. Dosjet janë “vepër” e mynxyrshme e atij grupi të njohurish dhe të panjohurish, denoncuesish dhe provokatorësh, operativësh të sigurimit të dikurshëm të shtetit, kryetarësh të degëve të punëve të brendshme dhe sekretarësh të parë, të hetuesve dhe atyre që kishin profesion torturat, të prokurorëve, gjykatësve dhe dëshmitarëve të rremë ose jo nëpër gjyqe, të komandave të burgjeve, komisarëve dhe deri te skuadrat e pushkatimit.
Prapë s’është e gjitha, sepse më në krye është Komiteti Qendror i Partisë sunduese, shefi i saj në majë dhe supershefat e tij makabër më tutje, deri te Stalini, Mao Ce Duni e Titoja, tek ideologjia e urrejtjes dhe politizimi i saj, te Lenini, madje edhe te Marksi, te doktrina dhe doktrinizimi delirant me paranoja kontinentale. Kërshëria për dosjet është barbarizuar, siç e thoni ju me të drejtë dhe qortueshëm, sepse nuk duan të shohin të keqen, por se sa keq e ke pasur ti, ai, ne. Kërshëri për të mos ditur përballjen ndaj së keqes, qëndresën, kundërshtitë dhe martirizimin, ndërkaq ka një fanatizëm egocentrik të dëmshëm dhe drejtësia vazhdon të jetë e mangët, drejtësi e padrejtë, pa fajtorë e përgjegjësi, pa ndjesa, dhembje e ndëshkime, së paku morale. Ka pasur dhe ka shpërdorim të dosjeve, kërcënime abuzuese që nga thashethemet kafeneve, parlamenti real i shqiptarëve dhe deri te kreu i shtetit. Nëpër librat e mi kam sjellë vuajtjen time, persekutimin tonë general, jetën nën diktaturë, veçanërisht në burg dhe pas tij, si dhe kalimin e gjatë posdiktatorial për te normaliteti që ende mbetet anormal, për tek ëndrra që vazhdimisht zbehet.
Më vjen mirë që thoni se e kam sjellë tashmë të vërtetën time, por ngul këmbë që s’është vetëm imja. Ne u hakmorëm ndaj së keqes dhe persekutimit duke sjellë urtësi e duke bërë letërsi dhe art, pikërisht atë që na e kishin ndaluar. Mendoj se raportet janë aq të kundërta mes historisë, letërsisë dhe realitetit, sepse ne nuk kemi bërë paqe me historinë tonë, madje e kemi ndarë me sherr duke pronësuar pjesë të saj nga pjesë të ndryshme të shoqërisë, gati me heronj të personalizuar, ndërsa letërsinë nuk e duam ashtu siç ajo e meriton, si jetë e jetës sonë, si pushtet tjetër, ai shpirtërori, pra më i forti, madje edhe atë sikur e kemi të ndarë dhe ruhen ende ato mendësi e ndjesi të traditës përjashtuese që mbolli regjimi, nuk pranohen sa duhet, aq sa ç’janë prurjet e begata si pasuri e përbashkët, prandaj edhe realiteti është si ne dhe ne nuk jemi më të mirë se ai.
Sapo keni marrë në Itali çmimin e karrierës, si krijues, për veprën “Nata është atdheu im”, ku motivacioni shkon nga burgjet në universalizimin estetik të dhimbjes njerëzore… Krijimtaria juaj pas ’90-ës në prozë dhe poezi është vërshuese. Çfarë reflektoni mbi këtë karrierë të pasur, të dhimbshme – e quani “fat”? – Thjesht kam shkruar. Kam treguar fatin tim. A mund ta quajmë këtë fat? U dënova me burg për shkrimet e mia dhe vazhdova të shkruaj edhe në burg fshehurazi, aq sa mundej atje. Kapja e tyre mund të ishte edhe asgjësim. Pata “fatin” të mbetem gjallë unë dhe poezitë e mia, dhe pas ’90-ës pata mundësinë e botimit. Pra, u zhbë sentenca që më ndalonte dhe vazhdova të shkruaj poezi, tregime, romane, ese deri më tani dhe po, kam botuar jo pak, ndoshta çdo vit kam nxjerrë nga një libër, përfshij edhe përkthimet. Besoj se letërsia ime është vetvetja, udhëtim, arritje në Golgotë, kryqi dhe ringjallja ime, dhimbje dhe dashuri, megjithëse të gjitha letërsitë, sado të ndryshme, të tilla janë besoj. Ju më pyesni për çmimin letrar të sapomarrë në Itali. Më duket se është i teti që më jepet nga andej, ku kam botuar nja tre libra në prozë, tregime, dy romane dhe më shumë se dyfishin e tyre libra me poezi. Italia ndoshta është vendi që jep më shumë çmime në botë, është tejet bujare edhe me të huajt, patjetër edhe me shqiptarët apo me histori të përzier, teksa te ne më duket se janë mpakur çmimet vjetore në letërsi, kanë mbetur një-dy shtetërorë, një për librin më të mirë në prozë, po poezia, drama, kritika letrare, libri për fëmijë? – dhe tjetri për përkthimin. Bëhet mirë që jepen çmimet e panairit të librit nga shoqata e botuesve dhe që ka edhe një çmim me emrin “Kadare”. Vitin që shkoi m’u botua në Itali përmbledhja me poezi dygjuhëshe “Nata është atdheu im”, me përkthimin brilant të Elio Miracco-s. Pati jehonë edhe në media, shkroi gazeta më e madhe italiane “Corriere della sera”. Dhe botuesi “Pazzini” e dërgoi në këtë festival poezie, pjesëmarrës në konkurrim, që në 13 prill bëhet ceremonia e çmimeve, ku jam i ftuar. Siç e vutë në dukje edhe ju, është parë si një dalje pindarike nga burgjet e së kaluarës në universalizimin estetik të dhimbjes njerëzore… Unë besoj se kjo është deviza e gjithë letërsisë sonë, dalje nga mbyllja. Të huajt, të tjerët më saktë, që kanë edhe letërsi më të mëdha se jona, Franca, Gjermania, SHBA-ja, Vendet Nordike, Greqia, etj., Italia e Dantes dhe e disa poetëve botërorë, nobelistëve, janë kaq vlerësues ndaj letërsisë sonë dhe është detyrë jona që ne, së pari, duhet ta besojmë që kemi letërsi të denjë e pastaj, prapë së pari, të dimë t’ua tregojmë të tjerëve. E përsëris, vetes mbi të gjitha. Skepticizmi e nënvleftësimet, fobia ndaj vlerave tona të përbashkëta ndoshta vijnë po aq sa nga padija dhe nga trashëgimia, ideologjike më shumë sesa kulturore. Ndonjëherë na duket si vazhdim i përndjekjes.
Duket sikur jeni ende në fillime, kur vjen fjala për një botim të ri, krijime të reja. Sapo keni botuar vëllimin me poezi në Rumani, “Flatra e mundur”. Tjetër peizazh, sikur shkoni mbi jetën tuaj, tani të shkruar. Çfarë i nxit këto botime, pse në italisht dhe në rumanisht? – E thatë shumë bukur, çdo botim i ri duhet t’i ngjajë një fillimi të ri. Të dy këta libra me poezi, ai që doli në Itali dhe ky tjetri i porsadalë në Rumani, kanë edhe poezi të reja, të pabotuara ende në Shqipëri, por edhe poezi të njohura të miat. “Nata është atdheu im” u përzgjodh nga përgatitësi italian, kritiku i njohur letrar Ennio Grassi. Botimin në Rumani, “Flatra e mundur”, e përmbushi përgatitësi dr. Luan Topçiu, një nga kritikët tanë më të mirë, i nivelit europian, duke e përkthyer së bashku me bashkëshorten, dr. Renata Melonashi – Topçiu.
Puna e Luanit në Rumani për kulturën shqiptare dhe letërsinë shqipe është e një rëndësie të veçantë dhe me nivel të lartë, më e madhe se e një akademie apo e një ambasade bashkë, që shpesh nuk e kupton rëndësinë e librit dhe të kulturës, aq të rëndësishme në marrëdhëniet mes popujve, aq më tepër që Shqipëria s’ka më të mirë se çfarë t’i tregojë Europës dhe botës.
Po, po, është shtuar kështu një peisazh tjetër imi, ku një flatër e mundur, siç u tha në përurimin e librit, endet nëpër natën që është atdhe, sipër maleve të dhembjes, ku moria e çmendur e yjeve përshkënditet ethshëm, teksa qielli përgatit flatrën tjetër, atë të agimit…
Më ka bërë përshtypje poezia “Foletë e zbrazëta”, është e ashpër, me dhimbje, me reminishencë… Çfarë ka ndodhur, ç’përjetim është: kujtesë apo plagë? – Edhe unë e dua çastin dhe vendin e asaj poezie, e kam shkruar në Rumani, në Curtea de Arges. Kujtoj se pashë një rresht të gjatë folesh prej bari dhe balte në një mur dhe më tronditi zbrazëtia e tyre ulëritëse, por edhe që nuk i kishin prishur. Pra, që kishte shpresa, dallëndyshet do të vinin me stinën e ardhme bashkë me gëzimet. Ato folé ashtu më dhanë imazhin e gjinjve të tokës dhe menjëherë m’u nëpërmendën gjinjtë prej Rozafe të gruas dhe drama e jetëve të tyre, sakrifica, pritja… Është një dënesë ballkanike. Më thanë se kur u recitua në Rumani nga një aktor i teatrit, kamerat kishin kapur edhe lot në sy.
Kthehemi mbrapsht si në një roman tuajin, ka një ecje mbrapsht aty… Në vitin 1973, u bëtë gati të nxirrni një libër me poezi, “Rapsodia e jetës së trëndafilave”, por nuk mundët, ju dënuan. Akuza, poezi të trishtuara që flasin gjuhën e Ezopit kundër regjimit dhe socializmit. S’dua të ndalem në këtë pjesë, por për të pasur një kujtesë nga ju, në distancën e sotme, çfarë ishin këto poezi, çfarë frymëzimi? – Ishin poezitë e një të riu gjimnazist, student. Nuk ishin trakte. Nuk e mendoj si libër të pazakonshëm. Në gjeneratën time kishte emra që shkruanin shkëlqyer, që botimet i gjymtonin, por prapë vargje, strofa e poezi shpesh ngjanin me ato copat e mermerit, të gjetura nëntokë, një krah a këmbë, kokë të thyer etj., dhe ti mund të përfytyroje bukurinë e gjithë statujës. Ishte një kohë që të donte të statujtë, pa ndjenja dhe të gjymtuar, ndërkaq statujat janë edhe bosh përbrenda. Ne mundoheshim t’i vidheshim gjendjes. Mbase desha të sjell një tufë me trëndafila të prerë, por ende të gjallë. Lejomëni t’ju sjell një thënie të Umberto Eco-s, shkrimtar, semiolog, eseist, akademik, një nga mendimtarët më të mëdhenj të kohëve tona, që është në parathënien e dr. Luan Topçiut në librin “Flatra e mundur”. Eco mendon se nuk jemi dënuar padrejtësisht dhe duke më cituar edhe mua, ja ç’thotë: “Për të justifikuar nevojën e dënimit, nuk është e nevojshme që një shkrimtar të veprojë si subjekt politik, por ashtu si Zenone, ai komploton në mënyrë aktive kundër tiranit. Shihet qartë në këtë libër rasti i Visar Zhitit: mjaftoi të shkruante poezi të konsideruara nga redaktorët e një shtëpie botuese “të trishtuara dhe hermetike”, e pra, kundër regjimit. Pastaj, praktika i kaloi automatikisht Komitetit Qendror të Partisë Komuniste shqiptare e Ministrisë së Brendshme dhe Zhiti fitoi drejtësisht dhjetë vjet burg. Kjo poezi u shkakton frikë regjimeve autoritare e diktatoriale edhe nëse flet, si në rastin e Zhitit, edhe për trëndafila.”
Nuk ka poezi të pafajshme në diktaturë. Ose do t’i dënojë diktatura, kur nuk janë për atë, ose do t’i dënojë e ardhmja, kur janë për diktaturën.
Dua të shtoj këtu se përmbledhja “Rapsodia e jetës së trëndafilave”, pas konfiskimit, ka humbur. E kam kërkuar dhe nuk e kam gjetur. Poezi të saj kanë mbetur, por jo libri në formën e tij parake. Ndërkaq mua më kanë konfiskuar 39 fletore e blloqe me poezi e ditar, shënime e tregime dhe i kam kërkuar në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Brendshme në Tiranë, si dhe në Degën e Punëve të Brendshme të Lushnjës, ku banoja, dhe të Kukësit, ku punoja. S’janë. Në dosje, jo dhe jo. Për herë të fundit ia kisha parë ndër duar hetuesit tim, Nexhat Selimit, gjatë hetuesive të rënda netëve. Nëse nuk i kanë djegur, mundësia më e madhe kjo, një mendje më thotë që mund t’i ketë mbajtur hetuesi si relikte, siç mbajnë gjahtarët lëkurën apo brirët e drerit të vrarë prej tyre.
Më dhimbet ditari dhe tregimet, që nuk i kam rishkruar dot. Ylli Xhaferri, autor librash edhe ai, që i kisha lexuar disa nga tregimet atëherë, kur punonim të dy fshatrave të Kukësit, më kishte thënë se ishin tejet të veçanta, tërheqëse, të çlirëta, që nuk e besonte se mund të shkruhej ashtu… Kur kujtoj se te ne janë konfiskuar, vjedhur, tjetërsuar dhe botuar me emër tjetër vepra të ndryshme, fjalori i madh i Mustafa Krujës, p.sh., punime gjuhësore dhe antropologjike të Klerit Katolik në Shkodër, të martirizuar, dorëshkrime të Lef Nosit, romani i Mitrush Kutelit, punime të shkencëtares Sabiha Kasimati etj., po kështu edhe në Bashkimin Sovjetik janë përvetësuar vepra, aq sa thuhet se edhe romani epope “Doni i qetë” i Shollohovit nuk është i tiji etj., edhe mua më kap ndonjëherë një merak halucinant, e kam thënë edhe më parë, se mos edhe ditari dhe tregimet e mia mbase ndonjë ditë dalin me emër tjetër si dëshmi e një kohe të vdekur. Nëse do të duheshin, më mirë se sa humbja…
Visar Zhiti - "Hedh një Kafkë te këmbët tuaja" 1994
Visar Zhiti – “Hedh një Kafkë te këmbët tuaja” 1994

.

Çfarë donit në rininë tuaj? – Rininë time, asgjë më shumë…
Cila është poezia që mbani mend, ajo e para e krijuar në burg? Nën ç’psikozë u krijua? Mund të na e thoni, a ishte poezi e cakut të ekzistencës? – Në tmerr, i porsaarrestuar, në qelinë nëntokë, dëshpërimisht të zbrazët, më të zbrazët se ato foletë prej balte e bari që folëm, edhe pse unë isha brenda, por i vrarë. Dera e rëndë e mbyllur brutalisht me hekur, ndiheshin hapat e këpucëve me gozhdë të policit. Dhe unë endesha i zbathur mbi një dysheme ku nga fundi ishte kalbur druri dhe bëja kujdes të mos shkelja mizat e dheut, jetëza të vogla edhe ato. Përballë një dritare, frëngji më saktë, rrafsh me dheun jashtë, që përveç hekurave të kryqëzuar, kishte edhe një thurimë tjetër teli të sertë. Vinte dritë e turbullt. Dhe befas dëgjova cicërima. Nuk kisha as letër, as stilolaps apo një copëz lapsi, nuk lejoheshin. Dhe nisa të them me vete:
Kaq bukur këndoi bilbili/ te hekurat e frëngjisë sime,
sa dhe hekurat m’u bënë/ degë të gjelbra qershie.
Dyshemeja u mbush plot me cicërima/ dhe unë mëgjunjazi
si thërrime buke,/ si thërrime jete/ një nga një po i mblidhja.
Pra, isha gjallë. M’u duk sikur përftova çaste të mrekullueshme lirie, rishpika emocionin e krijimit, kështu m’u duk. Në ditët e tjera do të vërsulesha për poezi të tjera, i bëja me mend. Ndërrova robërinë. Homeri ekzistonte, nuk ishte trill… Ja, fantazma e tij në mur. Gjersa e pashë, domethënë unë isha.
Ç’ishte Lushnja për ju? Pas dënimit aty u rikthyet duke iu rikthyer edhe letërsisë dhe mbani kujtimet e para të lëvizjes për demokraci. – Më pëlqente ta quaja Lushnjën atëherë “Kryeqyteti i dhimbjes”, sipas një vargu të poetit francez Pol Eluar. Pas burgut të tim eti dhe përndjekjeve, ai mori familjen dhe iku të fshihej në qytete më të mëdha. Në Durrës punoi si hamall porti, por e zbuluan dhe e hoqën, se porti ishte “zonë kufitare”. Shtronte rrugët me kalldrëm dhe bënte shkallët e qytetit. Ato që të çojnë tek amfiteatri, ai i ka bërë. Një ditë e pa aty me çekan në dorë shoku i tij, student i Sorbonës, rektori i parë i universitetit shqiptar, ministri i Arsimit Kahreman Ylli. “Ç’bën aty?” – i tha. “E di Partia”, – iu përgjigj im atë. “Ne nuk mund të lëmë në rrugë “normalistët e Elbasanit”, arsimtarët e talentuar”, – kishte thënë ai dhe kështu im atë u emërua mësues në Lushnjë.
Duke qenë krijues dhe pasionant i teatrit, me shumë talent, u bë themelues i Estradës profesioniste të Lushnjës, aktor i saj, libretist etj. Lushnja na priti mjaft mirë. Na deshi. Krijuam miqësi të mira, shokë… Nisa të shkruaj, madje edhe të botoj qysh gjimnazist. Rrinim bashkë ashtu si me vëllezërit, me Fatbardh Rustemin e me poetin Faslli Haliti, që ishte edhe mësuesi ynë, me prozatorin Halil Jaçellari, me Sherif Balin, eseniniani ynë, por nuk mund të botonte dot nga shkaku i biografisë. Më donin shumë mësuesit e letërsisë, në 8-vjeçare Liri Kazazi që e kisha si shenjtë dhe në gjimnaz Murat Nexha që ishte edhe sekretar partie. Kur ashpërsohej lufta e klasave, luftë civile në kohë paqeje, kam shkruar, kujtoheshin për ne që s’ishim me biografi të mirë politike. Ndodhi një pranverë e shkurtër shqiptare, që u dënua më pas si vitet e liberalizmit dhe unë pata fat, më çojnë të kryej studimet e larta në Shkodër, më emëruan mësues pastaj larg, shumë larg, në fshatrat e Kukësit, ku edhe arrestohem.
Mbas shumë vjetësh burg kthehem në Lushnjë, pranë prindërve. Punoja në fabrikën e tullave, punëtor krahu me turne. Poeti Bujar Xhaferri më ndenji pranë si mik i hershëm. Njoha shokë të rinj që guxonin të rrinin me mua, si Ilir Prifti, Gazmend Kapllani, shkrimtari i ardhshëm me njohje edhe jashtë vendit tani, motrat Lloti, njëra mjeke dhe tjetra aktore, pianistja Mira Zyrakja, protagoniste në një film, skulptori Arian Bafa etj. I përmend jo vetëm për t’u treguar mirënjohjen, por për të thënë që edhe në diktaturë mund të thyhen ligjet dhe të krijohen miqësi të ndaluara. Mua më tërhiqnin fushëtirat, andej nga të internuarit, ku kisha edhe shokë të burgut, shkoja në këmbë, në Savër, te shkrimtari Lazër Radi dhe i biri i tij Jozefi, që shkruante. Më habiste një poezi e tij për Venecian, meraku se mbytej si një gondolë. Ç’ishte ky shqetësim kështu që nga internimet? Apo meraku për vetë jetën.
Ra Muri i Berlinit. Ia ndiem rropamën, sikur të ishte shembur diku pranë. Po binte perandoria komuniste. Dhe diktaturat e saj… Ishim dëshmitarë të ngjarjeve të mëdha, epokale, botërore. Historia ishte te këmbët tona, po na bënte, po e bënim. Jam me të parët në Lushnjë që u përfshimë në protesta, në lëvizjen për “liri dhe demokraci”, “Për një Shqipëri si e gjithë Europa”, që ende vazhdojmë dhe bërtasim po kështu si gati 30 vjet më parë.
Jemi themelues të opozitës në Lushnjë së bashku me, – po përmend vetëm njerëz të letrave, – Bujar Xhaferrin, Halil Jaçellarin, Shpend Sollakun, Gëzim Hajdarin. Merrnim pjesë në mitingje, prisnim Azem Hajdarin, Sali Berishën, Gramoz Pashkon, Neritan Cekën, etj.
Lushnja ziente. Protesta. Madje edhe funeralet e atyre që vrisnin në kufi se donin të arratiseshin, shndërroheshin në protesta. Fillova punë në gazetën e parë opozitare. Po guxonim. Kaosi tregoi se njerëzit donim lirinë, por s’dinin ta përdornin, kishim ide dhe dëshira. Nisën eksodet e mëdha. Si arbëreshët gjatë pushtimit otoman. Tek ne shekulli XX po përndiqej si në mesjetë.
Si e keni besuar lirinë, atë që do të vinte pas ’90-ës? Se prej saj, besoj, ju mbijetuat, rezistuat, në burgje, në miniera… – Mbas ’90-ës, ne befas ishim të lirë për së jashtmi, për të mos qenë aq të lirë së brendshmi, në mendësi. Liria është përgjegjëse dhe atë nuk ta sjell kush, nuk vjen ashtu si stinët, ajo vetëkrijohet, së pari së brendshmi nga të gjithë bashkë. Liria është kulturë. Ne ende nuk jemi të lirë. Por më ngushëllon liria për të folur për lirinë.
Liri e shqetësuar… Nisët të vargëzoni si dikur në qeli për murin, hekurat, minjtë, bukën e thatë, policët që, siç e keni thënë, harruat përse ishit arrestuar, por nuk harruat përse ishit liruar. Po shkruanit, përveç artikujve të shumtë nëpër gazeta, edhe poezi, tregime, romane… Ç’kujton në këtë përpjekje, ç’ishin përsiatjet e një njeriu, poeti, nën këto “ndërrime kushtesh”, a ndryshon edhe të shkruarit? – Jo. Për mua jo, në thelb natyrisht. Emocioni i krijimit është po ai, ndryshojnë dridhmat, frekuencat. Ndryshon sasia e krijimeve dramatikisht, merr thellësinë e nëntokës së burgut, madje edhe shterr, kur je brenda ose merr gjerësinë e hapësirave, kur je jashtë dhe shterr në tjetër mënyrë. Varet. Por emocioni i krijimit mbetet po ai, hyjnor.
Patjetër që ndryshojnë fletorja e lagështitur e burgut me kompjuterin në studio, nuk të vezullon bajoneta e ushtarit përballë, por sasia e stilolapsave mbi një vazo porcelani, ndryshon shkëmbi i minierës nën tokë, ku dëgjon mërmërimën tënde të heshtur për të gjetur rima me skrivaninë, teksa dëgjon muzikë, rrugët e burgut në Spaç a Qafë Bari, ecejaket në Burrel me rrugët e Romës, Parisit, Uashingtonit, por të shkruarit është po ai, i njëjtë, po ajo përhumbje dhe dalldi, ajo vuajtje, grackë dhe ngazëllim. Kur shkruan në burg, fshehurazi dhe i uritur, do që të ndihesh i lirë, madje prandaj edhe shkruan, bashkohesh me të gjithë ata që shkruajnë kudo nëpër botë, shkruan se shpik liri tënden, të paktë si qiri i vobektë, gati të fiket, por përfton emocionin e krijuesit. Burgu ndërkaq s’ekziston më për ty, qoftë edhe një çast, ç’mrekulli të çmendesh, por nuk lejohet me ligj, dhe më të çmendur janë ata që të kanë dënuar e të mbajnë brenda telave me gjemba, ndërsa kur je jashtë i lirë dhe i ngopur, shkon vullnetarisht të mbyllesh për të shkruar, e do atë robëri se pas pak bëhesh krijuesi. Ajo që shkruhet në burg është e dobët si një tigër i pangrënë me vite, se edhe kohë s’ke pasur, s’ke kohë tënden fare, koha është e të tjerëve dhe jo vetëm që nuk do të botohet, por edhe duhet ta fshehësh, pasi ua ke treguar ca miqve më besnikë, që edhe ata sakrifikojnë për ato pak fleta të çjerra si nga kthetrat e atij tigrit të uritur, ndërsa jashtë, ah, jashtë ke kohë, madje edhe nge, tymos, pi kafe, shfleton enciklopedi, fjalorë, ngrihesh natën për të shkruar prapë etj., telefonon, smirëzinjtë ndoshta janë më të shumtë se policët në burg, por ti zgjedh vetë të bëhesh “i burgosuri” i krijimit tënd, kjo është mrekullia e njënjëshme, kur krijuesi është po ai, me fat ose pa fat, i gjallë ose fantazmë, i shpërblyer me çmime të republikës ose me plumba ballit a varje, siç ka ndodhur te ne. Prandaj, qoftë edhe një poezi e mirë e dalë nga burgu, apo një faqe romani, duhen nderuar, së pari akti i të shkruarit, atje ku ishte e ndaluar dhe e pamundur, kurse për fat kanë dalë dhjetëra vepra të vërteta nga burgjet dhe internimet, poezi e romane, drama, ditarë e letra, të cilave u duhet dhënë vendi i merituar në letërsinë e përbashkët, në skena e filma dhe në tekstet shkollore. Jo vlerësime vetëm pas vdekjes, se kjo na bind se paskëshim qenë ne, të vdekurit. Natyrisht, i di mirë edhe vështirësitë e sotme, që edhe tani ka diktaturë të varfërisë, moskohë, mosmundësira botimi, braktisje, klane, prapashpinëri, ndërhyrje të dëmshme, vjedhje, mosshpërblim total, por gjithsesi lavdi krijimit dhe Krijuesit. Prandaj është bota, prandaj është jeta.
.

Papa Françesku dhe Visar Zhiti
Papa Françesku dhe Visar Zhiti
Si është koha për Njeriun? – Si uji. Siç thoshin grekët e lashtë. Si gjaku, siç na tregon historia. Ka antikohë dhe njerëz, ka antinjerëz dhe kohë. Koha bën njerëz dhe njerëzit bëjnë kohë.
A ikën koha apo ikim ne? – Letërsia na jep nga koha e përhershme edhe jetë të tjera. Siç duket, koha është krijim, ndryshe s’do të ishte. Dua ta tregoj prapë se kam marrë së fundmi një libër të Papa Françeskut, që më mrekullon qysh në titull, “Zoti është poet” (“Dio é un poeta”). Mbase kështu përftohet koha, kujtesa e saj e hatashme, vetë letërsia.
“Kujtesa e ajrit”, libri juaj i parë që botohet në Tiranë në vitin ’93, nuk më duket i rastësishëm titulli, kujtesë dhe ajër. Pas një viti botuat “Hedh një kafkë te këmbët tuaja”, ajo kafkë është burgu, ku përmblidhen poezitë e ferrit, të viteve ’79-’89 të shekullit të kaluar që, siç ke treguar, një pjesë e mirë kishin mbijetuar vetëm në kujtesë, si letërsia në zanafillë, pastaj i shkrove, i fshehe, t’i fshehën edhe nën tokë. Vazhdojmë me librat e tjerë: “Mbjellja e vetëtimave” në Shkup; “Dyert e gjalla”, “Kohë e vrarë në sy” në Prishtinë; “Thesaret e frikës” prapë në Tiranë dhe pastaj një përmbledhje monotematike, “Si shkohet në Kosovë”, që del këtej dhe andej në Tiranë dhe e dyfishuar në Prishtinë. Një mori titujsh si porosi me vetëtima, sy, mbjellje, dyer, frikë, udhëtime… Pse? – Janë të kohëve të ndryshme, pjesë jete, i ka bërë koha. Mua më dhanë tani një si marramendth dhe “pse-të” e tyre kanë mërguar nga autori te lexuesi. Se edhe librat janë të tijtë. Ndoshta ai s’i di apo s’i di të gjithë, normale, ndoshta presin të takohen, mjafton pritja edhe në s’u takofshin. Nëse duhet të them patjetër diçka për ta, po e nis nga fundi. Tashmë, siç ka një Itakë, sipas meje ka edhe një Kosovë të njeriut, që për ta arritur duhet të udhëtosh brenda vetes, ishte vendi yt dhe jo yti, ta kishin marrë pa ta marrë dot dhe në kundërshtim me Trojën që u mblodhën ushtritë e botës së hershme për ta rrënuar dhe ajo u bë më e fortë duke mos qenë, edhe për Kosovën u mblodhën ushtritë e botës sot dhe u bë e para luftë morale që ajo të çlirohej, të bëhej vetvetja. Kosova si metaforë. “Thesaret e frikës” – është fjala për frikën divine, nga vetja më shumë sesa nga tjetri, prej së cilës krijohen thesaret e virtyteve. Ka dyer të gjalla të rastësive që s’janë rastësi, ashtu siç ka edhe dyer që u vjen turp që janë dyer. “Kohë e vrarë në sy” është titulli i përgatitësit të antologjisë, e pranova. Kurse “Mbjellja e vetëtimave” mëton se drita ndonjëherë vjen e beftë, rrufeshëm, por ti mbill dritë. Kaq, se titujt e tjerë ju i shpjeguat fare mirë. Unë u jap rëndësi titujve, janë si adresat mbi zarfe, më duket se e ka thënës Shopenhauri këtë. Në fund të fundit, sa më shumë jetë në poezi, aq më shumë poezi në jetë…
Keni kaluar në prozë, keni shkruar tregime dhe romane, të rënda do të thosha, “Funerali i pafundmë”, “Perëndia mbrapsht dhe e dashura”, “Në kohën e britmës”, madje edhe “Rrugët e ferrit” dhe Ferri i çarë”, që ju i quani “burgologji”, term i veçantë juaji, memuaristikë që lexohen si romane. Pse ky kalim, s’të nxinte më poezia? – Mbase. S’e di. Desha “me tregue, prandaj rrnojmë”. Herë-herë kam ndjesinë sikur krijuesi shkruan mbi pergamenën e lëkurës së vet, nga brenda ka poezinë, nga jashtë prozën.
Me “Funeralin e pafundmë” ç’ndolla? E kisha nisur në diktaturë, nga fundi i saj, dhe u botua si tregim. Në Çikago e përfundova si roman. Është përkthyer dhe botuar në Itali dhe Rumani, është pritur mjaft mirë nga kritika e këtyre vendeve, duke u konsideruar si roman postkubist e postkafkian kundër totalitarizmit kudo e në çdo kohë.
Kur shkruaja romanin “Perëndia mbrapsht dhe e dashura”, këtu është ai personazhi i fantaksur që vendos të ecë mbrapsht për sfidë, pasi ka hedhur në gjyq në Hagë gjithë atdheun etj., kam vuajtur edhe fizikisht. Është përkthyer edhe ky në italisht dhe ka pasur artikuj edhe në “Corriere della sera”. Ndërkaq vazhdova me një tjetër roman, “Në kohën e britmës”, më i komplikuar si intrigë, ku është edhe eksodi, tragjedia e Otrantos, pak realizëm magjik etj., por ka edhe diçka tjetër si dukuri e tanishme, si ta them, ja, që prej të persekutuarve pranohen dëshirat e tyre, ëndrrat, vizionet, por për paradoks jo ata vetë, pra idetë pa ideatorët, persekutorët e tyre vazhdimisht i shmangin ata, i nëpërkëmbin, i braktisin, për t’i bërë të paqenë, pa guxuar t’i vrasin. Nëse tregova ca si shumë, thjesht desha të thosha se në konkurset tona letrare këto romane janë shmangur. Në fakt, doja të thosha se letërsia që erdhi nga burgjet, më duket se nuk mirëpritet, harrohet qëllimshëm, nuk duan të shqetësohen prej saj. Për të hapur ndërkaq atë që s’po hapej, “Dosjen e diktaturës”, letërsia jonë e nisi e para. I jam bashkuar këtij akti madhor, kam botuar dy burgologjitë, “Rrugët e ferrit” dhe “Ferri i çarë”, kampet e Spaçit dhe të Qafë Barit, antijetën e të burgosurve, dhunën, revoltën, qëndresën, përpjekjet mbinjerëzore për të mbetur njeri.
U mora nja 10 vjet me burgologjitë. Kur i shkruaja, ime shoqe u bë merak, s’isha mirë, zbehesha shpesh, kisha makthe. Isha vetëburgosur sërish…
Të shkruarit tuaj është poetik, mendoj se poezia të ka shpëtuar, siç e thua edhe vetë, nga shumë mistere, sekrete, që i “zbulojnë” ndjesitë, ajo çfarë ke përjetuar… Po hermetizmi, thënë ndryshe, përse të është dashur? Keni pasur ndikime, referenca, çfarë e shoqëronte formimin tuaj si letrar? – Keni të drejtë. Hermetizëm, jo si ai europian që jo s’e fsheh, por do që të nënkuptohet e paarritshmja. Më i vrazhdë është yni, ekzistencial, i mbijetesës. Absolutisht, ndikimet janë të pashmangshme, madje me to krijohesh, por edhe zhbëhesh. E thotë mjaft bukur Oscar Wilde: “Bëj vetveten se vendet e tjera janë të zëna.” Si? S’ta mëson askush. Duhet ta zbulosh vetë. Ky është një proces i gjatë, shpesh i pakuptueshëm dhe i patregueshëm. Më vështirë e ka ta shpjegojë ai që pyetet dhe më lehtë ai që pyet. Di të them që në fëmijërinë time im atë na tregonte shkëlqyer përrallat, pastaj na dha adhurimin për Naimin dhe Fishtën. Për estradën ku ai punonte. Më magjepsën disa ikona që kishin mbetur në rrënojat e kishës së Golemit në Lushnjë, gjatë shembjes barbare të kishave dhe xhamive. I solla në shtëpi…
Gjimnazist lexoja dhe mbushesha me poezi me Kadarenë, Fatos Arapin, Dritëro Agollin dhe isha i magjepsur nga Esenini, Uitmani dhe Kahjami i Nolit, libra gjysmë të ndaluar, aq gjenim, por edhe nga Majakovskij futurist. Poezitë e Realizmit Socialist më dukeshin si aksionet dhe punët vullnetare që ishin me detyrim e britma. Kishim në shtëpi “Visaret e Kombit”. Shekspiri i Nolit ishte si një kështjellë gjithë mister dhe frikë që më tërhiqte. Desha Tolstoin, Gollsuorthin… “Shvejkun” ia lexoja me zë tim eti dhe qeshnim me lot. Student u mora si një student me Homerin, Danten, Lorkën, Eluarin… Lexova fshehurazi poezi nga Kosova, u ndikova nga Shkreli dhe Podrimja, do i bëja miq në epokën tjetër… Edhe Kanunin e Lekë Dukagjinit… Dëgjoja pa u ngopur këngëtarin Demis Roussos dhe Simfoninë e Fatit, Bethoven… “Don Kishoti” i Petro Zhejit më ndolli sa ai i Nolit dhe Petroja më pataksi për mirë me Asturiasin. Pashë disa riprodhime të Pikasos në një revistë sovjetike dhe mbeta pa gjumë… Edhe nga këpucët e Van Gogut… Më vonë u lidha me Borgesin dhe aty mbeta. Një roman të Dostojevskit kur punoja mësues në fshat arrita ta lexoj nën një llambë me vajguri, fshehurazi, që të mos më shikonin ata me të cilët isha në dhomë. Nja dy prej tyre ua di pseudonimet tani, ishin informatorë. Në burg lexova të plotë Sofokliun, të shtatë tragjeditë e tij, përkthim burgu nga miku im poet Kujtim Aliaj, shkruar me dorë në disa fletore dhe s’desha gjë tjetër, aq sa m’u duk se letërsia më vonë ishte prishur, gjë që m’u përforcua me Eskilin, e lexova mbas burgut, ishte botuar ndërkaq dhe më priste. Edhe Markezi. Më dhuruan Kafkën, ah, sa vonë! Se ç’gjeta, atë që kishte humbur nëpër shekuj nga tragjedianët e mëdhenj, por ndryshe. Më argëtoi trishtueshëm Uliksi i James Jouce-t. Ah, Anton Pashku i gjorë… Dhe dëgjoja si një i ri këngët e Michael Jackson-it. Shallamovi me tregimet po aq dërrmuese sa “Arqipelagu Gulag” i Sollzhenicit, në mos më shumë. U jam rikthyer Ernest Koliqit dhe Mitrush Kutelit, janë dy themeltarë të pazëvendësueshëm. Shtoj këtu Martin Camajn, dukuria më e arrirë e letërsisë së diasporës. “Darka e Fundit” e Da Vinci-t dhe “Cappella Sistina” e Michelngelo-s më shastisën. Duhej të vinin rojat e muzeut për të nxjerrë, se do të mbyllej. Po kështu edhe Picasso origjinal, Salvador Dali, Marc Chagall, Egon Schiele, Henry Moore… Shtatë tragjeditë e Et’hem Haxhaidemit dhe shtatë komeditë e Hekuran Zhitit them se janë një pasuri e madhe e skenës shqiptare dhe bashkohem me kritikën ndaj tyre. Vazhdoj ta kërkoj letërsinë që erdhi nga burgjet dhe internimet. Është pjesë panteonike e letërsisë shqipe.
Mund të kenë ndikuar tek unë edhe të tjera që s’e kam kuptuar si. Vuajtja duhet të jetë më e madhja. Së fundmi, do doja të thosha se kam qenë lexues profesionist, i përditshëm, nuk jam më. Më kanë thënë se edhe unë kam ndikuar, madje edhe jam marrë, jo vetëm nga më të rinjtë. Mbase. Po kjo “mbase” ka rëndësi…
Vepra juaj vazhdon pafund të jetë mbi dhimbjen, shpirtin… A ka pasur te ju një kërkim mbi thelbin e poetit, shkrimtarit? – Thelbi nuk kërkohet. Ai është. Vetë krijuesi është thelb.
Dua të krijoj një raport reflektimi për gjeneratën: babai, dramaturgu Hekuran Zhiti, ju dhe yt bir Atjoni, engjëllori, etër dhe bij, ku ju qëndroni në mes tyre, herë shkruani për paraardhësin dhe nuk pushon malli për pasardhësin që është në Qiell. Një Shqipëri më të mirë se sa e etërve, keni thënë se është shprehur Atjoni… – Në emër të Atit, Birit dhe Shpirtit të Shenjtë! Unë lutem. Ndiej misionin… Prandaj vazhdoj të jetoj. Me rrugën e së shkuarës në errësirë dhe të së ardhmes po ashtu. I rënë në fundbotë, nuk flas dot për këtë… Teksa doja të tregoja etërit, por edhe letërsinë e tyre si pjesë e kujtesës, të cilët bijtë duhet ta dinë, ta njohin, ta vazhdojnë, ta kundërshtojnë, sepse do t’i ndihmojë për një Shqipëri më të mirë. Sidomos shpirtërisht… Besoj se ajo ç’kam shkruar unë, nuk ngjan me letërsinë e tim eti, është tjetër, ndryshe do ta kisha lënë me kohë. Libri i tim biri, siç e thotë edhe titulli “Për atë që dua(m)”, prapë është tjetër gjë, përmbledh ese dhe përsiatjet e një studenti, ëndrrën rinore, të ndërprerë. Ai nuk do ta besonte dhe as do ta pranonte një libër të tij qysh 19 vjeç. E solli fati. Gjenerata e tij, ata që i do dhe e duan pa ndërprerje, pranojnë se kanë marrë prej tij ca porosi të çmuara dhe ngjyra gëzimi të moshës, pikturat, kanë marrë guximin dhe dashurinë, dhe një buzëqeshje kryevepër, një mrekulli që gjithmonë vjen nga kudo, e di ajo si dhe qysh. Ne jemi një trini ku unë shungulloj në mes si një pemë në shtrëngatë mes vetëtimave. Dritën e tyre desha të sjell dhe qëndresën mbi tokë.
-Ka prehje, ka qetësi për ju? – Do të ketë në të përtejmen…
Me sa dimë, bëtë në fillim të viteve ’90 një aventurë për të ikur nga Shqipëria, u rikthyet. Shkoni më duket shpesh në SHBA, lëvizni, por keni “mbetur” këtu. Çfarë graviteti është vendi yt? – Jo, s’kam pasur ndonjë aventurë për të ikur, por m’u dha një e drejtë atëherë, bëra specializime gazetarie në Milano, pranë gazetave të mëdha “Il sole 24 ore”, “Corriere della sera”, “Avenire”, njoha Italinë, sa piktoreske, italianët të mirë sa Italia, punova shumë vjet në ambasadë në Romë, kreva një master më vonë, kam shkuar edhe në Gjermani, në shtëpinë e shkrimtarit nobelist Heinrich Böll me një bursë disamujore dhe vërtet kam parë edhe në vende të tjera, në Ballkan, në Europë, dhe shpesh kam shkuar në SHBA, madje punova së fundmi si diplomat në Uashington. Jam bindur se vendet e mëdha janë të tilla se kanë dashuri të madhe dhe për rrjedhojë, edhe njerëz të mëdhenj. Unë e dua shumë Shqipërinë e ëndërruar dhe nuk mund të ikja dot pa u ngopur me të, domethënë pa e njohur, pa u bërë bir i saj, se s’na kishin lënë, pa bërë detyrat e mia dhe nëse jam penduar që s’kam ikur, shkak është, më shumë se varfëria, mosdashuria mes njerëzve, ky çvllazërim i përditshëm, brutaliteti dhe rëndomtësia e ligë etj., dhe gjithsesi, kudo që të jemi, jemi copëza Shqipërie, me rrënjët plot dhé të saj.
Tiranë, Prishtinë, Shkup – këto janë qendrat ku jeni botuar. Sipas jush, çfarë nuk është arritur ende mes tyre? – Libri që na bashkon, që nuk po na bashkon si duhet… Kur them “libri”, kuptoj shumë më shumë…
Për cilin lexues mendon shkrimtari?Atë që është vetvetja.
.
Marre nga Gazeta Ex-libris
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.