Heroina Bardha Krosi pas një qëndrese katërvjeçare
u mbyt me torture nga komunistët
nga Msc. Kristine Oroshi
Dheu i tokës shqiptare në mbrendësinë e tij bartë shumë heronj dhe heroina të cilët u përpjekën që ta mbronin tokën shqiptare duke luftuar me sa fuqi kishin dhe më në fund duke e dhënë edhe jetën si me le, por pa u frikësuar asnjëherë se do të vdesin. Sepse të vdesësh për atdhe është një vdekje e bardhë e me faqe të bardhë që do të mbetet e shkruar përgjithmonë në historinë shqiptare. E për të mos mbetur e shkruar heroizmi i nacionalistëve dhe nacionalisteve shqiptarë, komunistët pansllavistë u kujdesën që pasi i masakruan trupat e heroinave shqiptare nëpër qelitë më të errta ato trupa i gjuajtën për të mos u parë asnjëherë nga shqiptarët atdhetarë dhe familjarët e tyre. Në mesin e heroinave shqiptare që ende edhe sot është e panjohur është edhe Bardha Krosi, apo siç është e njohur me emrin e pagëzimit Bardhe Cubë Marku. Bardha në bazë të dëshmive të familjarve e konkretisht nipit të saj Edmond Markut, ka lindur në vitin 1921. Arsimimin e ka mbaru në kolegjin e motrave Stigmatine në Shkodër, ku aty thirrej Bianka Krosi mbiemri i fisit, emri familjes siç edhe e kam potencuar edhe më lartë ishte Bardhe Cubë Marku. Në atë kohë ishte e fejuar me Dedë Gjon Markun djalin e katërt të Kapidanit të Mirditës Gjon Marka Gjonit. Në vitin 1947, është arrestuar sepse i ka ndihmuar komitetin e maleve anti-komunist, për 14 muaj. Bardha ka marrë turturat më mizore që mund t’i bëhen një njeriu dhe aty vdiq në burg në vitin 1949.
Varri i saj nuk dihet. Për të ka shkruajtur Gjon Sinishta në librin e tij “Premtimi i përmbushur” botuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në vitin 1976. Duke mbledhur faktet për të shkruar këtë studim për Bardhe Krosin, një dëshmi shumë interesante na dha edhe Bianka Maria Gjomarkaj vajza e Kapidan Ndue Gjon Markut, e cila tha: “Bardha Krosi ka qenë e fejuara e Dedës, djalit të katërt të Kapidan Gjon Marka Gjonit dhe ka qenë shumë aktive në përkrahjen e luftëtarve të lirisë në malet e Mirditës. Ajo iu ka dërguar barna, ushqime,veshmbathje si dhe iu ka përcjellur postën grupeve të ushtrisë kombëtare që udhëhiqej nga Komandanti i përgjithshëm Kapidan Mark Gjon Marku. Meqenëse i fejuari i saj Kapidan Dedë Gjon Marku u arrestua nga komunistët më 29 nëntor 1944, ku u arrestua edhe e tërë familja, pra gratë dhe fëmijët e tjerë të familjes së Kapidanit, Bardha në këtë periudhë kohore ishte në Simon në fshatin e saj të lindjes në familje, por shumë shpejt u aktivizua dhe filloj të shërbejë në logjistikën e luftës. Këtë detyrë kombëtare ajo e kreu që nga lëshimi i Shkodrës nga forcat nacionaliste dhe në kalimin në Mirditë në nëntorin e vitit 1944 e derisa arrestohet në gushtin e vitit 1947”.
Arrestimi i Bardha Markut bëhet pikrisht pas vrasjës së Kapidan Llesh Gjon Markut më 9 gusht 1947. Për datën e lindjes si dhe atë të vdekjes se Bardha Krosit janë shkruar shumë pasaktësi. Përderisa për datën e lindjes data e saktë është viti 1921 e jo viti 1927, siç është botuar në një enciklopedi ende nuk e kemi një datë të saktë edhe për vitin e vdekjes. Në disa shkrime shumë të shkurtëra si datë e vdekjes paraqitej viti 1949, këtë të dhënë e jep edhe familjari Edmond Marku. Kurse në një enciklopedi të Mirditës me shumë pasaktësi jepet data e lindjes në vitin 1927, kurse ajo ka lindur 6 vjet më herët në vitin 1921. Kurse data e vdekjes jepet 10 tetor 1948, ndërsa në disa shkrime të tjera si datë e vdekjes jepet pranvera e vitit 1949, konkretisht marsi apo prilli i këtij viti.
Një shkrim më të plotë deri me tani rreth torturave të Bardhe Krosit e jep studiuesi Gjon Sinishta, në librin e tij të botuar në vitin 1976 në gjuhën angleze “The Fulfilled Promiese” faqe 166-167, i cili kur shkruan për torturat në burgjet komuniste që i pësoj Bardhe Krosi thotë: “Bardhe Krosi nga fshati (Simon) Kaçinar i qarkut të Mirditës, ishte rreth me shumë se njëzet vjeçe, kur u arrestua në gusht të vitit 1947. Ajo akuzohej se ndihmonte luftëtarët e lirisë duke i furnizuar me ushqime dhe ilaçe. Që nga dita e parë e burgimit, ajo u torturua brutalisht. Ajo u rrah me shkopinj druri dhe konop të lagur. Vezët të cilat ishin zier në ujë të vluar ju vendosën nën sqetull dhe u mbajtën aty derisa lëkura e butë ju bë flluska me djegie të shkallës së dytë. Çdo ditë asaj i jepej një dozë rryme elektrike në të gjitha pjesët e trupit. Kur asnjë nga këto trajtime çnjerëzore nuk bëri që Bardha Krosi të mohonte besimin e saj, policia e detyroi të hante nje kilogram kripë dhe nuk e lejoi të pinte as një pikë ujë për disa ditë. Ia mbuluan kokën dhe pjesët e tjera të trupit me morra (torturë e krijuar nga fantazia makabre e komunistëve ruso-shqiptarë, e cila është një nga torturat më të padurueshme që ekziston). Ata gjithashtu e vaksinuan atë me një serum që synonte të dobësonte aftësinë e saj për të rezistuar dhe ta bënte atë t’u përgjigjej pyetjeve të tyre. Por ilaçi nuk dha asnjë efekt mbi këtë të re heroike shqiptare dhe nga goja e saj nuk u shqiptua asnjë fjalë për të tradhtuar vëllezërit e saj, që qëndronin heroikisht në male. Me forcën supreme Bardha Krosi duroi çdo mundim që i shkaktohej dhe kjo heroinë shqiptare e krishterë i mbajti sekretet në zemrën e saj deri në vdekje. Policia komuniste u zemërua jashtëzakonisht shumë nga një rezistencë e tillë, saqë i shkulën dhëmbët me pincë dhe ia shkulën të gjitha flokët. Për katërmbëdhjetë muaj ajo vuajti këto agoni e mbyllur në një qeli të ftohtë çimentoje dhe në fund u sëmur nga tuberkulozi. Në pranverën e vitit 1949, vdiq e reja shqiptare e krishterë, Bardha Krosi, duke dhënë një shembull se si duhet besuar në Zot dhe si të fitohet kundër armiqve të Zotit dhe atdheut.”
Edhe studiuesja e nacionalizmës shqiptare znj. Fatbardha Mulleti Saraçi, shkruan disa të dhëna për Bardha Krosin “se ajo mëson në shkollën e Motrave Stigmatine në qytetin e Shkodrës. Më mbylljen e shkollës se motrave Stigmatine largohet nga Shkodra e arrestuan si strehuese e luftëtarve të Rezistencës. Provoj torturat e tmerrshme në hetuesi siç ishte korenti elektrik, mungesa e ujit, etje, të thahesh për një pikë ujë, mungesën e ushqimit. Pra, me një fjalë i provoi dhimbjet e urisë. Provoj birucat e errëta të hetuesisë, të ftohtit dhe lagshtirën që të hynte deri në palcë. U sëmur nga tuberkulozi. Nuk e mjekuan. Bashkëvuajtëset që i ndihmuan ishin: Ana Daja, Agime Pipa, Adile Boletini dhe në mënyrë të veçantë Terezina Pali. Madje Terezina Pali edhe pse ditët e fundit të jetës Bardha Krosi që kishte shumë plagë të torturave në trup ju shtua edhe tuberkuozi i qendroi afër pa frikën se po infektohet edhe ajo nga tuberkulozi.”
Arrestimi i Bardhe Krosit pikërisht më 9 gusht 1947, në ditën e rënies heroike të Kapidan Llesh Gjon Markut, paraqet dy faza të jetës se saj. Faza e parë: lufta për liri nga 28 nëntori i vitit 1944, e deri më 9 gusht 1947, që paraqet një kohëzgjatje prej 33 muajsh të qëndresës në malet e Mirditës e bëjnë Bardha Krosin femrën që qëndroj më së gjati në malet e Shqipërisë Etnike në rezistencë antikomuniste pas heroinës Marie Shllaku. Kurse faza tjetër prej më shumë se dhjetra muajsh rezistencë në hetuesi duke i sfiduar kriminelët e egër komunistë dhe duke mos e nxjerrë asnjë fjalë nga goja për kundër torturave shtazarake, na tregojnë qartë se heroina Bardhe Krosi përplot katër vite iu bëri rezistencë komunizmit duke u treguar një heroinë e vërtetë. Ajo ishte një shembull trimërie dhe atdhedashurie që e sakrifikoj jetën në moshën diellore 28 vjeçare për lirinë e Shqipërisë. Bardha Krosi është heroina e cila duhet të ringjallët. Është heroina që për qëndresën e saj brezat në të ardhmën duhët të lexojnë nepër librat shkollorë, dhe të edukohën se si duhet dashur atdheu. Bardha Krosi krahas Marie Shllakut e Marie Tucit hyn në mesin e tri femrave shqiptare që sakrifikuan jetën për Shqipërinë Etnike, e maleve, kreshtave dhe bjeshkëve të Mirditës kreshnike dhe heroike gjithmonë ju kanë dalë zot djemtë drangonj dhe vajzat sy shqiponjë, të cilët për besën e Zotit për gjakun e Gjergj Kastriotit dhanë jetën si me le. Edhe Bardha kishte mësuar shumë nga nënat mirditore që për 5 shekuj mbajtën zi për vdekjen e Gjergj Kastriotit. Bardha këto gjera i kishte mësuar nga kujdesi i grave heroina të familjes së Kapidanit te Mirditës, por nuk e kishte pasur fatin që të mësonte nga nëna e saj të cilën nuk e kishte parë kurrë pasi i kishte vdekur pas lindjes se Bardhës. E Bardha jetime me qëndresën sublime nuk mbeti vetëm Bardha e Cubë Markut krahut të djathtë të Kapidanit të Mirditës, po me emrin e saj e nderoj edhe fisin ku e mori emrin Bardhe Krosi, kurse me qëndresën e saj e nderoj gjithë Mirditën dhe u bë heroinë e gjithë shqiptarizmës për mbrojten e Shqipërisë Etnike
Marrë nga https://www.voal.ch/ VOAL – Voice of Albanians