back to top
7.5 C
Tirana
E shtunë, 21 Dhjetor, 2024

Heroina që s’u lodh kurrë, tue përballue sfidat e jetës – recensë nga Mariana Naçaj

Gazeta

Marjana Naçaj gjatë fjalës së saj në promovim
Mariana Naçaj gjatë fjalës së saj në promovim

Heroina që s’u lodh kurrë, tue përballue sfidat e jetës

recensë nga Mariana Naçaj

Rreth librit të autorit Jozef Radi me titull:
“Mri Dedja e Merrnaçajve – Zoja e Hekurt me Shpirt Florini”
mbajtur në sallën e kulturës “Nanë Tereza” – Hartsdale në NY – 16 shtator 2023 

Libri që promovojme sot ka një paraqitje të jashtme mjaft serioze, letër speciale, kopertinë të trashë dhe kopertinë të dytë mbrojtëse e ka plot 400 faqe. Kopertina e librit që asht edhe prezantimi i parë tek lexuesi, të fton ta shfletosh atë, asht e piktorit Anton Përdoda që paraqet në ballinë portretin e skalitun të Mri Merrnaçajt. Një zgjidhje e drejtë në përshtatje me përmbajtjen e vetë librit.
E gjithë përmbajtja e librit mbështetet mbi rrëfimet e Mrì Merrnaçajt që së bashku me pendën e dashtun të shkrimtarit të mirënjohur Jozef Radi, e bajnë këtë libër mjaft interesant për lexuesin e gjanë.
Për ne që e njofim në detaje krejt jetën e sajë dhe kemi lexue gjithçka asht shkru nga autorë të ndryshëm, përfshi edhe librin e autorit Ndue Ukcamaj “Lotët e Françeskut dhe rrëfimet e Mrisë” bindemi plotësisht se sa i nevojshëm asht kenë ky libër i plotë, i shoqnuem me gjithë dokumentet e sigurueme nga arkiva të ndryshme.
Ngarkesa emocionale që vjen nga njohja me rrugëtimin jetësor të Mrì Dedjes i kalon të gjitha parashikimet e një lexuesi të zakonshëm. Rrëfime të nevojshme për t’u arkivu në kanalet e historisë. Për ne, që e jetuem pjesën ma të madhe të jetës tonë nën ate regjim kuptojmë se si zhvilloheshin ngjarjet e rrethanat, por kurrsesi s’arrin ta kuptojnë brezat e mavonshëm e aq ma tepër këta të sotmit që kujtojnë se gjithçka ka kenë ashtu siç është në ditët e sotme.
Këto rrëfime të sistemueme aq bukur, duke ruejt me fanatizëm shprehjet origjinale të Mrisë, në përshtatje me të folmen e zonës së Kelmendit e pasunojnë dukshëm librin dhe e ban atë të dashtun për cilindo që e lexon, qoftë ai me njohje a jo me farefisin e sajë deri tek lexuesi i gjanë. E pame në kët aspekt libri rrjeshtohet pa frikë në naltësinë e librit legjendë të At Zef Pllumit “Rrno për me tregu”
Nga biseda me autorin Jozef Radi, mëson se për realizimin e këtij libri janë zbardhë mbi 120 orë regjistrime në manjetofon për t’ju afrue sa ma shumë së vërtetës e për t’i sistemue e përpunue ato në laboratorin e shkrimtarit e sjellë lexuesit në mënyrën ma të kandshme të mundshme. Një punë vërtet e madhe dhe kjo do të shihet nga çdo lexues i këtij libri.
Ajo që e ban krejt të veçantë historinë e realizimit të këtij libri asht fakti se po flitet për vite e ngjarje të ndodhuna qysh para mesit të shekullit të kaluem e deri në ditët e sotme për një njeri, i cila asht këtu në sallë me ne e që me kujtesën e sajë brilante, ajo kreu një detyrë të madhe e fisnike, ndaj brezave trashëgues të saj e ma gjanë.

Mariana & Zef Naçaj me Mrì Merrnaçajn
Mariana & Zef Naçaj me Mrì Merrnaçajn

E vërteta ashtu siç ka ndodhë duhet të njihet, dokumentohet e ruhet në faqet e historisë. Autori shpjegon se si shkak për shkruemjen e këtij libri u ba Mark Merrnaçaj, një njohës i gjithë situatës së vuajtjeve dhe bashkëvuajtës dhe pjestar aktiv i familjes së Merrnaçajve të Pshtanit. Unë si lexuese ndër te parat e këtij libri për të mos thanë e para, e them me plot gojë, zoti Mark, të falnderojmë me gjithë zemër të gjithë, se ke ba një punë fisnike që koha do ta diftojë gjithnji e ma tepër e bekimi i Zotit do të bjerë mbi ju e mbi familjen tande, se je pjesë jo e vogël e vuajtjeve të familjes Merrnaçaj.
Mria nuk ishte ma shumë se pesë vjeçe kur u ba dëshmitare okulare e krimeve monstruoze të kryme nga nji ushtri… çuditërisht shqiptare.
Ishte janar i vitit 1945. Shqipëria thuhej se ishte çlirue në 1944, e nuk mund të kuptohet se çfarë kërkonte me çlirue nji ushtri e tillë në nji krahinë që nuk kishte pasë asnji kambë të ushtrive të huaja. Kishte vetëm malësorë kelmendas që i kanë mbrojtë trojet e tyne brez pas brezi.
Më kujtohen fjalët e At Zef Pllumit në një intervistë të tij ku thotë: “Ne nuk kena luftue me të huejt. Ata kanë pasë punën e vet e kanë shkue kur kanë dashtë. Lufta jonë ka kenë lufte civile, na kena luftu me njeni-tjetrin…”
Ngjarjet e zhvillume në at janar të 1945, e dëshmojnë ma s’miri nji gjà të tillë, ku mbetën mbi 100 të vramë… e të gjithë shqiptarë. Autori i librit nuk ka për qëllim të analizojë veprimet e diktaturës së re që po instalohej, por trajton pasojat e traumat që krijoi në popullin e pafajshëm të Vuklit e të krejt Kelmendit e në veçanti atë të Bajraktarit të Vuklit, që ishte edhe dera prijëse e flamurtarëve.
Nuk mund ta imagjinosh që krime të tilla të jenë të pandëshkueme historikisht. Asht koha që historia të zhveshet nga politika dhe ta thotë fjalën e saj mbi këto të vërteta. Të vërtetat vijnë në këtë formë prej kontributeve si ky që Mri Merrnaçaj sjell nëpërmes autorit Jozef Radi, në kët libër me shumë vlera.

Mri Dedja e Merrnaçajve
Mri Dedja e Merrnaçajve

E gjithë shtrirja e librit me pasazhet që kalojnë para lexuesit të jep përshtypjen e nji romani ku në qendër të të cilit asht Mrì Merrnaçaj. E vështirë me e mendue, e vështirë me e lexue, që nji njeriu t’i ndodhin në nji jetë kaq shumë ngjarje të randa e kaq lëvizje në jetën e sajë.
Kujtoj kohën kur im shoq Zef Naçaj, po shkruente librin “Forca e Kelmendit” hyna në studion e tij dhe e gjeta me lot ndër sy: E shqetësueme e pyeta:
 – Çka ka ndodhë?
-Asgja, – më tha, – por po shkruej pjesën e Mrìsë!
Heroina e librit nuk lodhet kurrë, por vazhdon me përballue sfidat e jetës bashkë me bashkëshortin e saj, burrin legjendë Marash Merrnaçaj (sot në amshim). Ato lëvizën në një numër shtetesh në kërkim të lirisë së munguar, dhe nji jete ma të mirë për fmijet e të ardhmen e tyne.
Mbas shumë vitesh, me mundime e sakrifica ato arritën të shkelin në tokën e lirë, në Amerikë. Kur leximi përpatron, tashma Mrìa gjindet në nji situatë krejt tjetër. E vendosun në Westchester County kur gjithçka ecën si s’ka ma mirë në jetën e sajë me plot djem e vajza që ishte mbushë shpia, mendon se ma në fund ka ardhë momenti me gëzu e ma harru të djeshmen.
Po nuk ndodh taman kështu!
Ngjarjet trishtuese që ndodhën në at dhjetor të 1990 që i morën jetën djalit të sajë, Nik Merrnaçaj, krijuen at plagë që vetëm nji zemër nane e di çka don me thanë. Nika mori nderimet që mund të merrte nga dy shtete, Shqipëria dhe Amerika, po për nanën e vet ai mbeti nji plagë që nuk mbyllet kurrë.
Ikja e Marashit në amshim krijoi edhe nji tjetër plagë. Marashi për Mrìnë nuk ishte thjesht nji bashkëshort, po edhe nji vlla, motër, nanë e babë e gjithçka tjetër.
Të gjitha këto vuejtje qe evidentohen në faqet e këtij libri, e kanë ba Mrì Merrnaçajn të fortë, të papërkulun, tamam bijë e denjë e Bajraktarit të Vuklit, siç ajo ishte. Fëmijtë e saj të integruem plotësisht në jetën amerikane, trashëgimi me nipa e mbesa i krijojnë asaj gëzimin e jetës pavarsisht pengjeve të së kaluemes!
Të flasësh për këtë libër asht krejt e lehtë. Mundesh me mbushë faqe të tana dhe s’e tepron, po detyra jeme si recensente dhe lexuese e këtij libri asht t’ju baj të njoftun gjithë pjesëmarrësve këtu në sallë e nëpërmes mediave edhe nji opinioni ma të gjanë që ta lexojnë e ta shpërndajnë këtë libër me vlera të jashtëzakonëshme. Sigurimi nga autori i leximit audio të librit asht nji favor i madh për cilindo. Mund të jeshë në shpì, në makinë dhe ndigjon të gjithë librin të lexohet nga një shqipe e dashtun të realizueme më shumë kujdes nga Violeta Volumi.
Në mbyllje: edhe nji herë: Përgëzime Jozef Radi, për librin e ri, i cili pasunon të vërtetat historike, pasunon kolanën e librave të shumtë të Radëve (Babë e bir Lazër & Jozef Radi) dhe ju kujton brezave, mos me e harrue të kaluemen tonë, për mos me lejue kurrë ma nji përsëritje të saj. Zoti të dhashtë shndet e jetë Mrì Dedja që me këtë rrëfim ndihmuet në realizimin e këtij libri.
New York, 16 Shtator 2023 (fjala e mbajtur në promovimin e librit “Mrì Dedja e Merrnaçajve”

Marjana & Zef Naçaj
Mariana & Zef Naçaj

Biografi e shkurtë e Mariana Naçaj

-Mariana Naçaj ka lindë në qytetin e Shkodrës në marsin të vitit 1956.
-Ajo ka krye shkollën fillore dhe tetëvjeçare te shkolla “Vasil Shanto”.
-Ka krye shkollën e mesme teknologjike në degën ushqimore me rezultate të larta. 

-Ka punue për shumë vite në fabrikën e përpunimit të qumështit në Shkodër me detyrat e teknologut te prodhimit, laborante e deri te përgjegjese turni.
-Ka punue teknologe në dy fabrika të prodhimit të birrës pas ardhjes së demokracisë. 

-Ka punue mësuese e Biokimisë në Shkollën 8-vjeçare në Vermosh.
-Në moshën 47 vjeçe, ka emigru në USA.
 Ka mbrojtë gjuhën anglishte. 

-Ka vazhdue e përfundue studimet në Globe Institute of Teknology në Manhattan: 
Associate degree in Applied Science Management.
-Associate degree in Healthcare Management.
-Bachelor of Business Administration
-Ka punue për shumë vite në shkollë publike në Florida. 

-Flet dhe shkruen Italisht dhe Anglisht.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.