back to top
8.5 C
Tirana
E enjte, 26 Dhjetor, 2024

Heroinat e mospërkuljes e mosshëmtimit… – nga Ervina Toptani

Gazeta

Gjuliana (Beba) Pervizi - Malaj
Gjuliana (Beba) Pervizi – Malaj

Heroinat e mospërkuljes e mosshëmtimit…

nga Ervina Toptani

Kushtuar Xhuliana (Beba) Pervizit e familjes së saj

Në fund të vitit ’44, gjeneral majori i xhandarmërisë së Mbretit Zog, Preng Pervizi, i veshur si malësor, shkon në shtëpinë e mikut të tij të hershëm e fort të dashur, Bedri Toptanit. Ai kthehej nga rezistenca në male ku shumë djem të këtyre familjeve kishin humbur jetën në luftën e vërtetë për liri e demokraci, kur komunistët në luftën vëllavrasëse kishin filluar raprezaljet në masë në shumë fshatra e qytete ndaj popullsisë civile, bashkëqytetarëve e bashkëfshatarëve të këtyre familjeve nacionaliste që përfaqësonin elitën e kohës së Shqipërisë. 
Pasi u ishte bërë e qartë nga oficerët madhorë anglezë se urdhrat kishin ndryshuar e anglo-amerikanët kishin kohë që përkrahnin kampin e kundërt me ata që bënin rezistencën në male, nuk kishte më asnjë dyshim se në Shqipëri do të instalohej komunizmi, si derivat i marrëveshjeve të më të fortëve. Gjeneralit Preng Pervizi e të tjerëve iu kërkua të largoheshin nga Shqipëria dhe si këmbim fëmijët, gratë e pleqtë e këtyre familjeve si e tij nuk do të prekeshin, të paktën këtë e garantonin anglezët, që këto punë i dinin mirë meqë vendosnin ata! Por ne e dimë mirë çfarë ndodhi me familjet e tyre përgjatë 46 viteve dhe sa e mbajtën fjalën anglezët e miqtë e tjerë perëndimorë të Shqipërisë! 
Preng Pervizin nga shtëpia e mikut të tij Bedri Toptani e përcjell i biri i tij Sali Toptani duke e dërguar tek një mik tjetër i familjes në Korçë. Të nesërmen në orët e para të mëngjesit, miku nga Korça (të më ndjeni por emrin nuk ia kujtonte njeri nga të mbeturit në familje mikut nga Korça) e përcjell Preng Pervizin në kufi me Greqinë. Më pas u mor vesh vetëm që ai ishte vendosur në Bruksel ku dhe jetoi derisa vdiq. 
…Vitet që jetoja në Bruksel, pas 69 vitesh nga kjo histori, më ftojnë në një ekspozitë pikture shumë të veçantë, të piktorit e artistit të mrekullueshëm shqiptar, Leonard Pervizit, nipit të Preng Pervizit e djali i Lekë Pervizit. Shkova me shumë dëshirë e përveç kënaqësisë që më dhanë pikturat e mrekullueshme të Leonardit e sidomos la Santa Maria, që më la të “ngujuar” në vend përreth 30 minuta, atë mbrëmje njoha dhe Beba Pervizin, mamanë e artistit.

Beba (Gjuliana Pervizi) duke punuar në Pluk
Beba (Gjuliana Pervizi) duke punuar në Pluk

Beba, në fakt Xhuliana, por e internuar sapo kishte ardhur në jetë, 4 muajshe, të gjithë i thërrisnin bebit të vogël pa emër, Beba. Dhe ajo mbeti “bebja” e të gjithëve derisa u rrit, por dhe vite më pas. Një zonjë e mrekullueshme, me një optimizëm e një buzëqeshje që mund të ngrinte dhe të vdekurit nga varri. Dukej sikur jeta i kishte dhuruar vetëm kënaqësi asaj gruaje, sikur kish jetuar mbi re… sikur të mos e njihje historine e saj e mbiemrin që i peshonte mbi kurriz…
Unë e takova Bebën edhe disa herë të tjera, sigurisht sepse për familjen e tyre, Toptansit ishin më shumë se miq, ishin njerëzit e shtëpisë të ditëve më të vështira. Leonardi më tregoi se kur kishte leje nga kampi i internimit për të ardhur në Tiranë pak ditë, shkonte vetëm në shtëpinë e Uran Toptanit, djalit të Bedri Toptanit, mikut të ngushtë të gjyshit të tij e sigurisht dhe Lekë Pervizi, i biri i gjeneralit vazhdonte të njëjtën miqësi me këtë familje që nuk e prishi dot as internimi e telat me gjemba e as burgjet e torturat. Ishin shqiptarët që e njihnin besën, e mbanin fjalën e ruanin mikun e nuk tradhëtonin as me jetë! Ishte koha kur shqiptari kishte gjak shqiptari e nuk i bëhej ujë as kur me të laheshin muret e birucave apo dhomat e hetuesive, as kur jepej fryma e fundit. Ishte koha kur shqiptari vdiste nga torturat e vëllezërve të të njëjtit gjak me togfjalëshin rrënqethës “Rrnoftë Shqipnia e lirë”! 
Leonardi kishte pasion vizatimin e pikturën e kështu kur vinte në Tiranë të vetmit që mund ta ndihmonin në blerjen e bojërave, lapsave e penelëve ishin Uran Toptani e vëllezërit e tij. Këtë ma tregoi Beba me Leonardin atë mbrëmje arti në Bruksel e nuk munda më ta harroj. Djaloshi kishte mundur kështu ne kushte ekstreme ku mungonte dhe ajri, të vazhdonte pasionin e tij sa të mundej. 
E ulur në një bar, një të shtunë paradite munda të jem gjatë me Bebën, bebin që u rrit, u bë grua, u martua, u bë nënë, e i dolën thinjat e para në internim, sa në Pluk, në Gradishtë e gjetkë. Ndërkohë që të pushkatuarit, të burgosurit e të vdekurit në familjen e saj për 46 vjet nuk kishin të numëruar. 

Bruksel, 1995 Albina, Vidra,Valentini e Beba
Bruksel, 1995
Albina, Vidra, Valentini e Beba

Varfëria e tejskajshme në kasollen e mjerimit në internim nuk ishte më e rëndë sesa puna që duhet të kryenin, nga ora 6 e mëngjesit e deri në 6 të mbrëmjes. 3 djem të vegjël, të cilëve iu arnoheshin rrobat me fije floku në vend të perit që ishte luks. E kishit dëgjuar ndonjëherë që nëna këput fijet e flokut të saj, 4-5 fije njëherësh dhe i kalon në gjilpërë në vend të perit? Kështu arnoheshin rrobat (nëse mund të quheshin të tilla) të 3 djemve të familjes por edhe të të rriturve. Beba, gratë e vajzat e tjera, heroinat e mospërkuljes e mosshëmtimit përballë armikut të vërtetë, diktaturës, shpesh ishin të detyruara që kanalet ku punonin t’i hapnin me duar, me thonj sepse xhelatët (ata zgjidheshin nga populli, ishin shqiptarë e këtë vërtet nuk arrij ta përtyp dot!) ua hiqnin dhe ato lopata të shtrembëra që kishin. Qëndronin mbuluar në ujë deri në brez gjithë ditën duke hapur kanalet e mezi hiqnin nga trupi ato gjallesat që ngulen në mish e nuk shqiten derisa të jenë fryrë me gjak. 

Gjuliana Pervizi sot
Gjuliana Pervizi sot

Pak fjalë po shkruaj nga përjetimet e treguara të 46 viteve të një gruaje që i kishte bërë llogaritë me vuajtjen e palimit dhe me vdekjen njëkohësisht qysh në moshën 4 muajshe. Sa herë e kishin dënuar Bebën se ndihmonte zonjat më të vjetra e të pamundura në internim duke u bërë normën e detyruar. Sa herë e kishin lënë mbi 24 orë pa marrë racionin e bollgurit me krimba, bukës së misrit ku gjeje lidhëse këpucësh brenda apo supes me ujë ku lundronte tek tuk ndonjë fije makarone që nuk dihej nëse ishte vërtet e tillë. Sa herë e kishte provuar Beba urinë e tejskajshme, keqtrajtimin e urrejtjen e pamëshirshme të gardianëve të kampit e atyre që paguheshin për t’i torturuar këta shqiptarë. 
Kam shumë për të treguar për Bebën, sidomos për ditën kur u largua nga Shqipëria për në Bruksel, në vitin ’91, kur e vetmja “shtëpi” që kish pasur gjithë jetën ishte kasollja prej balte e dërrase në internim. Shock-u që ajo pësoi kur shkeli në perëndim për herë të parë, trajtimi nga murgeshat, nga mjeku e nga të tjerë qytetarë belgë të cilët kur dëgjonin këto histori nuk mundnin kurrsesi të besonin, nuk mundnin.
Beba Pervizi, si shumë zonja e vajza të hekurta përgjatë 46 viteve treguan se shqiptaret e vërteta jetuan përtej vdekjes duke qenë gjallë vetëm me frymë. I treguan xhelatëve se mirësia e shpirtit nuk vritet as me dhunën më barbare, se amaneti i të parëve është më i shenjtë sesa agonia e tmerrit. Këto gra janë frymëzimi im në jetë, janë ADN-ja e çdo dite kur zgjohem, janë idhujt e mi deri sa të mbyll sytë. E konsideroj veten me shumë fat që kam njohur shumë heroina të tilla e do të vazhdoj t’i kujtoj në shkrimet e mia gjithmonë.

Leonard Pervizi - Europe re d'Atomium.
Leonard Pervizi – Europe re d’Atomium.

Marrë nga muri i Fb Ervina Toptanit, 13 gusht 2021

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.