Heshtni! Po flasin vrasësit…
nga Ervina Toptani
Qemal Lame! Këtë emër e njohim mirë të gjithë ne që u lindëm, u rritëm e jetuam në periudha të ndryshme të pesë dekadave të përçudnimit njerëzor në Shqipëri. Shumëkush e quan komunizëm atë periudhë. Për mua nuk ka një konotacion gjuhësor përcaktues si periudhë që përshkruan në terminologjinë politike pesë dekada vrastare, ku mbi të gjitha lufta më e egër i bëhej kultit të së mirës, të njerëzores, ku mbi të gjitha vritej pafajësia.
Kam menduar se i kisha parë të gjitha të ndodhnin në Shqipëri, por gabohesha rëndë. Kam heshtur, në një heshtje që m’u duk se do të zgjaste përjetësisht mbrëmjen kur në ekranin e televizorit, në Atdheun tim, në gjuhën shqipe, i ftuar nga një gazetar që fërkon duart me çdo fatkeqësi kombëtare që mund të ndodhë sepse kështu do t’i rritet shikueshmëria e emisionit të tij, tek fliste një vrasës.
Vrasësi Qemal Lame, Kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme nga viti 1981 deri në 1992 tregonte se kishte bërë detyrën e tij, konform ligjeve të shtetit në fuqi e se nuk ishte penduar aspak duke qenë se nuk ndjehej fajtor për kurrgjë. Ende nuk është tharë mirë varri i Luftëtar Protoduarit e Riza Hazizit që Qemal Lame i dënoi me vdekje, me pushkatim për akuzën e “rëndë”, agjitacion e propagandë. E mban mend Shkodra siç e mban mend Shqipëria çfarë u ndodhi djemve fare të rinj në moshë që guxuan të hedhin bustin e diktatorit vrasës në vitin 1990, janë ende gjallë djemtë e flasin vetë, por gazetari i miliona eurove nuk i fton në studio e në asnjë studio tjetër nuk i kanë thërritur ndonjëherë.
Unë kam heshtur sepse kur flet një vrasës për drejtësinë e për kryerje detyre me moral, njeriu i mjerë vetëm të heshtë mundet…
32 vjet që armiku është populli e ish komunistët janë shpëtimtarët e tij! 47 vjet që i shkulën këtij kombi çdo rrënjë ku rritej dinjiteti, që vranë mendjen e arsimuar, vranë kulturën, që i kthyen të gjithë të tjerët në skllevër të bindur. Varrosën çdo filiz të shpresës që lindi në vitin ’90 duke bërë mashtrimin më të madh që i ndodhte popullit, pluralizmin politik! E ideuan, e inskenuan, e instaluan benjaminët e tyre, të cilëve ua ndërruan teserat e partisë brenda natës e i vunë në krye të partive të reja të sapoformuara, “njeriun e ri” që i kemi sot e kësaj dite në politikë, lidera të vërtetë!
Çfarë populli jemi ne? Çfarë protestash apo tubimesh pritet të bëjë një popull që hesht kur flasin vrasësit? Si mundemi t’i shpjegojmë fëmijëve çfarë është liria e çfarë çmimi kanë paguar për tê të pafajshmit, kur ne vetë, fëmijët e djeshëm e prindër të sotëm, heshtim e ulim kryet kur flet një vrasës?
Atrofizohet dhimbja përpara heshtjes e çdo gjë që jetojmë sot e që do të vijë nesër do të jetë e merituar sepse ne nuk jemi në gjendje t’i përgjigjemi një vrasësi që mbron krimet e kryera e i quan “detyrë me moral”, as një gazetari multimilioner që e fton dhe e sajdis me respektin më të madh një vrasës të këtij kalibri. Kam frikë se ne nuk e meritojmë lirinë!
Tani mund të protestojmë të qetë! Në 32 vite ata që pushtetin ua dhanë njëri-tjetrit me rotacion këta lloj vrasësish i mbrojtën deri në fund! Këtyre lloj gazetarëve iu dhanë pushtet e krijuan mbi kurrizin tonë oligarkinë që vendos fatet e këtij kombi! Ne na mbetet vetëm të protestojmë për çmimet e larta e pastaj… pastaj vjen heshtja, siç ka ndodhur në dekada!
.