back to top
7.5 C
Tirana
E shtunë, 21 Dhjetor, 2024

Hija – nga Gentiana Kone

Gazeta

Gentiana Kone
Gentiana Kone
Hija
nga Gentiana Kone

E zgjoi zani i atij më vetarit ndër shpendë. Hana ishte mshef pas nji reje të brydhët e gjithësia gjumonte mes andrrash.
U ngrit e me hapa t’lehta doli në ballkon, zbathun. Pllakat rujshin ende zjarmin e zhegut dhe ajria e natës nuk i kishte fresku as nji grimë.
Shpendi lëshoi sërish thirmën e tij ndjellakeqe, ksaj here edhe më fort.
S’dihej sa vjet s’e kishte ndigju atë za zogu e për nji çast iu duk që ishte ende t’u u përkund në mbretninë e hijeve, por zani erdhi sërish, ksaj radhe i kjartë, me at kumbë që veç qyqja e ka.
Ishte zgju krejt. Hijet, përveç njanës, ishin largu ashtu siç kishin ardh, pa pritun.
Në qoshin pranë bibliotekës, kjo e fundit pushtonte nji faqe muri, ndodhej prej vitesh nji kolltuk kadifje, në ngjyrën e gjakut që gulfon nga plaga e sapohapur. Ishte i vetmi send nga shtëpia e të gjyshit. S’dihej si kishte shpëtu e kishte ardhë deri tek ajo kaq vite mbas pushkatimit e hedhjes në nji gropë të përbashkët, të të zotit.
Asnji foto e tij nuk gjindej në albumet e vjetra të familjes. Me vdekjen e tij, ajo derë e madhe u mbyll një herë e mirë. Së fundi edhe emri i atij oxhaku humbi, kur të birit motak, gjyshi nga mëma i dha emrin e tij për ta shpëtuar nga përndjekja.
Kapërdiu nji komb që n’grykë i mbeti e s’po donte me i lëshu frymën me kalu, kur kujtoj të jatin. Diku, dikur, kishte ik edhe ai e në shtëpi kishin mbet veç zanat e nanës e t’motrës, shtatë vjet ma t’re se ajo vetë, që përsilleshin e përplaseshin mureve me ankim.
Mbushi nji gotë ujë e nisi me e pi me gllënjka t’shkurtra, sa nji kambë zogu.
Terri vijonte me rigu, n’heshtje, kur nji za (a pëshpërimë?) iu duk që e thirri n’emën.
Breftas i ktheu sytë nga kolltuku e aty pa t’gjyshin, ma saktë hijen e tij.
U ul e nisi me e kundru, pa folë me zemrën që rrifte me tingullimë kambane katedraleje.
Eshtnat e duerve kishin mbet të lidhuna me nji zinxhir, që prej dheut e kohës kishte marr ngjyrën e gjakut t’mehun mbi këmishën e kujt ka ra n’prit e asht vra mbas shpine. N’fytyrë kishte mbet ende ajo habi e së papritunës, që i kishte ra dhe e kishte marr për n’at’bot ashtu t’çkujdesun, si foshnjë, si fmi.
Qetshëm, me zanin që pluskonte mbi rigat e territ, ai i tregoi ditën e tij t’fundit, në atë muaj maji, kur gjelbimi ishte harlis si kurrë ma parë. Dukej sikur natyra po donte me i ndih njerzit me i harru ato vite lufte ku vllai kishte vra vllanë e miku të zotin e shpisë që e kishte mbajtë me bukë, tu ja heq gjindjes t’vet.
Nji tellall si n’kohë t’turkut kishte lajmue që “Ata ishin t’lirë. Sot e ma tej t’gjithë ishin njasoj e ma t’mirët e t’mençmit do drejtojshin vendin. Le t’vijshin e të votojshin për kë kandidat ishte zgjedh, me vullnet nga lart, nga komanda…”
Kur kishte pa emnin e t’zgjedhunit, (ma sorran s’kishte pa ai vend), kishte mbyll derën e s’kishte dal ma nga shtëpia, pa pyt për lutjet e s’shoqes, nuse e re, me fëmi ende n’trup.
“Asht e drejta ime me u mbyll e mos me dalë ma për t’u marrë me punët e vdektarve”.
Kishin ardh me e marr nji natë para zgjedhjeve, nji natë të zezë si blozë, ku as hanë as yje nuk kishte n’kuben e qielltë.
E vranë ashtu me duert të lidhuna e varrit ku kishin hedh të tjerë para tij, nuk i vunë asnji shenj.
Me kohë edhe vrastarët i zu gjaku e vdiqën, e kërkush nuk mbeti me kallzu ku i kishin mbulue ata fatzinj.
“Prej vitesh endem mes dy botve e nuk gjej nji rrugë, a shteg, për me kalue n’at’botë”, – vijoi i gjyshi.
“Sot ma në fund nji portë asht hap e më kanë mbet veç pak çaste me t’besu ankimin tim dhe emnin e sorranit që urdhnin dha për t’më marrë atë që Zoti ma dhuroi, jetën”.
Ajo u përkul dhe veshin afroi tek buzët e tij. Pëshpërima i erdhi e kjartë, pa dyzim. Kceu n’kambë e klithma i mbeti diku n’mushkri, tu u përplasë rrokapjekthi mes brinjëve.
Zogu thirri sërish, ksaj here me kumbën që largohet mes territ. Nji dritëz e hollë si flok fëmije u shfaq në terrin që e kishte përreth.
U ngrit e ditën priti të plotë të mugonte. Rruga përposh ishte e shkretë. Në krahun tjetër, karshi shtëpisë së saj, në nji tabelë të stërmadhe, puntorët e bashkisë kishin ngjit afishen me foton e kandidatit të rradhës.
E njihte atë fytyrë, ishte i biri i sorranit.
Me nji lëvizje dore mbylli persianet e ballkonit e më pas derën.
Heshtja ra.
Ditë e dielë, ditë votimesh.
© GK☘️

Ky shkrim është një përkujtesë për babain e atit tim, fytyra e të cilit, për ne pasardhësit do mbetet përherë e fshehur në hije (fotot janë djegë).
Veç nji gjetje e eshtrave, në nji varr të përbashkët, me duart lidhur me zinxhirë, 50 vjet pas vdekjes.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.