back to top
6.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Hikmet: Historia e arrës dhe Junuz topallit (1940)

Gazeta

Nazim Hikmet (1902-1963)
Nazim Hikmet (1901-1963)

Nazim Hikmet (1901-1963)

Nazim Hikmet
asht poeti ma i randsishëm turk i epokës moderne,
i lindun në Selanik në vjetin 1902,
në rini jetoi për nji kohë të gjatë në Moskë,
ku u vu në kontakt me lëvizjen avangardiste ruse,
mbas kthimit në Turqi në kohën e qeverisjes së Ataturkut
burgoset për dymbëdhjetë vjet
për shkak të përmbajtjes shoqnore që kishin veprat e botueme prej tij,
u lirue në 1950, dhe u vendos përfundimisht në Bashkimin Sovjetik.
vdes në Moskë në vjetin 1963,
njohës i thellë si i kulturës lindore dhe asaj perendimore,
ka kontribue ndjeshëm në përtëritjen e poezisë turke.

Nazim Hikmet para derës së burgut
Nazim Hikmet para derës së burgut

Historia e arrës dhe Junuz topallit (1940)

nga Nazim Hikmet

Kemi këtu nji mik
prej fshatit Kareak në Çerkez.
Ruen gjana të fshehuna n’vetvedi
njashtu si n’librat e trashë.
Interesohet për njerzit e shkolluem
për lajmet që jepen në radio
dhe për gjagjazat.

Emni i tij asht Junuz.

Ai na e ndez zjarrin dhe na bjen ujë me pi
dhe ne flasim me të për pemët dhe ditët.
“Kan me ardhë me siguri ditë ma t’bukura me u jetue…”
E megjithatë
në krejt muhabetet tona  mbetet trishtimi
i nji peme arre të sharrueme dhe të shitun.

E njohim arrën e tij
që naltohej në kopështin e tij
atje majë porte.
E Junuzi ishte veç gjashtë vjeç kur
kur nji dege e asaj arre u kput
dhe prej asaj dite ai topallon prej njenës kambë…

Qetë i duen topallët
se topallët ecin gjithnji duke u mendue,
oh, sa zemërmirë janë ata
pse ecin ashtu qetë e ngadalë
e qetë i duen topallët.
Pema e arrës nuk i do topallët
pse s’munden me u ngjiten deri te kokrrat
pse s’munden me u kacavjerrë pemëve
e me i shkundë degët
Jo, arrat nuk i duen hiç topallët.

Histori qesharake dashnie:
kanë ata që s’kanë ra në dashni kurrë
po s’asht e domosdoshme të hidhet
gjithçka në lumë.
Burrat janë qenie mendjemprehta
burrat dinë me dashtë pa qenë të dashuruem…
Histori qesharake dashnie
histori qesharake si ajo e arrës
dhe e Junuz topallit.

I linte arrat me rà në shtator
gjethet të blerta mbeteshin deri në nantor.
E kur rrugës mbi Çerkez
vinte plot vezullim
ora e lutjes së mëngjesit
degët e saj zgjoheshin
ma shpejt se gratë.
Nën diell hija e saj bahej madhështore
dhe fliste veç me erën
e Junuzi çdo mëngjes
kalamendesh nën degët e saj.

Me mendue, për Junuzin,
s’ishte diçka e shenjtë
po as nji fatkeqësi
dhe as ndonji fat i madh.
Kështu që vdekja për Junuzin ishte
sigurisht nji fshat prej të cilit s’ktheheshe mà
dhe për kët ai s’kishte asgja me u mendue.

I linte arrat me rà në shtator
gjethet e blerta mbeteshin deri në nantor.
rranjët rraseshin thellë e ma thellë nën tokë
degët prej së nalti e kqyrnin Junuzin
ishte vërtet aq e madhe dhe aq e gjanë
që nëse shtriheshe netëve pranë trungut të saj
yjet s’i shihje ma.

Junuzi s’e dinte pse
ditën yjet shuheshin
as pse toka ishte e rrumbullaktë
dhe i rrotullohej rreth diellit.
Të tana kto ishim ne që ia rrëfenim
po ai asnjiherë s’mbetej gojëhapun.

I linte arrat me rà në shtator
gjethet të blerta mbeteshin deri në nantor
po s’mund ta pushtoje trungun e saj
nëse s’baheshin tre burra bashkë
dhe Junuzi mëngjeseve
ecejakej nën degët e saj…

Për muslimanët e Kinës
për rinocerontët me brinin mbi hundë
për mikrobet që jetonin me mija
në nji pikëz uji
Junuzi as ia kishte idenë.
Dhe ditën që i mësoi këto gjana prej nesh
s’mbeti ma aspak gojëhapun.

I linte arrat me ra në shtator
për diellin ajo hij’e saj qe e famshme
veç erës i fliste
dhe gjethet të blerta mbeteshin deri në nantor.

Nji ditë ndërsa Junuzi ndizte zjarrin
dhe po na sillte ujë
i thamë: “Jemi shërbëtorët e tu, Junuz
dhe ti je padroni ynë!”
Dhe vetëm atëherë
Junuzi mbeti gojëhapun!!

I linte arrat me ra në shtator
veç erës i fliste
dhe ishte vërtet kaq e naltë dhe kaq e gjanë
sa s’mund t’ia përqafoje trungun
nëse s’baheshin tre burra bashkë
E nëse netve shtriheshe pranë trungut të saj
yjet s’i shihje ma
nata derdhesh mbi të si ujnat
rranjët shtriheshin thellë e ma thellë nën tokë
degat nga nalt e kqyrnin Jonuzin.

“Të randa janë punët e fshatit, sigurisht
dhe trupin ta dërrmojnë.
Shtrihu përtokë
dhe kqyr në të katër anët
kushedi në ç’strofull mënxyra asht në pritë
e sigurisht ka me të goditë, me i hikë asht e pamundun…”

Mënxyra e kish goditë Junuzin
mespërmes gjoksin e tij.

“Nuk e kemi jetue kët botë
ashtu siç kemi ardhë kemi me hikë
Stambolli asht i mrekullueshëm, më kanë thanë
pse Fati s’ma dha kurr dorën
që ta shoh
po kushedi vallë pse
ndër tridhjetë shtëpi nga gjashtëdhjetë
nuk kanë asnji dele…”
As Junuzi nuk kishte dele.

“Guri me të cilin ti merr shenjë
s’e godet zogun që ti dëshiron.
Bota tashma ikën mbi trena
Bota s’mbështetet ma mbi brinat e nji bualli.
Por kau për ne asht dora dhe këmba
asht e vështirë me e shitë kaun
pse je gjysëm i vdekun
dhe pa kaun ti s’vlen asgjà…”

E kau i Junuzit qe shitë.

“Fundi i rrugës sigurisht asht afër
gjithçka prej kësaj që ndodh sot
asht përtej arsyes.
Toka asht si nji copë sapuni:
të rrëshqet ndër duar.
Çdo krijesë e ka nji banesë diku
veç ujku s’ka banesë askund
e kur toka të rrëshqet mes gishtash
bahesh nji ujk…”

Toka Junuzit i kishte rrëshqitë duersh

I linte arrat me rà në shtator
gjethet të blerta mbeteshin deri në nantor.
për diellin hija e saj qe e famshme
ishte e gjatë dhe e gjanë sa i donte qejfi.

Jonuzi mendonte për të vazhdimisht
e sa ma n’thellësi zhytej aq ma tepër kujtohej
se rranjët e saj zhyteshin thellë nën tokë
e s’pyeste askënd. as shpjegim i jepte kujt
njashtu fillikat veç me erën fliste.

Vetmia e vuni nën vete Junuzin
djersa e tij derdhej në tokën e të tjerëve
nga frika se mos arra e tij zhdukej netëve
roje i pagjumë rrinte deri në të zbardhun të ditës.
Rranjët e saj shkonin thellë e ma thellë nën tokë
degët prej së nalti e kqyrnin Junuzin.

Me dru arre bahen sergjenë të bukur
po me Junuz topallin ç’mund të bahet?
Ia behën dimna të akullt, mbrohu po deshe
me dru arre bahen sergjenë
po ti nëse s’i ban dot ballë
shite arrën, Junuz.
Fisnikët s’shtrojnë qylyme
për ata që gjà mbas shpirti s’u ka mbetë
keq për arrën, ma keq për ty, Junuz.

Mes ftohtit të madh ujqit shfaqen të uritun
prej drunit të arrës bahen sergjenë.
Arsyeja hyn pak me vonesë në rrashtin e nji turku
shite arrën tande, o Junuz.

Fisnikët s’shtrojnë qylyme
për ata që gja mbas shpirti s’u ka mbetë.
keq për arrën, ma keq për ty, Junuz.
Për ujkun e pastrehë u gjet nji kasolle
prej drunit të arrës bahen sergjenë
ndjehesh gjysmapemë, e gjysmanjerì
shite arrën tande Junuz.

Si nji e vdekun lakuriq shtri mbi borën e bardhë
prej drunit të arrës bahen sergjenë
ua presin krahët degëve
shite arrën tande Junuz
fisnikët s’shtrojnë qylyme
për ata që gjà mbas shpirti s’u ka mbetë
keq për arrën, ma keq për ty, Junuz.

“Mëngjesi i përket dikujt
e dielli s’mbetet përgjithmonë mbas resh
ditët ma t’bukura për me u jetue
me siguri do të vijnë…”
Prej gjithë muhabeteve tona
ka mbetë veç trishtimi
i nji arre t’sharrueme dhe t’shitun nji ditë.
Përktheu Jozef Radi 2009

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.