back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Histori e një nëne shqiptare – nga Shkëlqim Abazi – me rastin e 45 Vjetorit të Revoltës së Spaçit

Gazeta

Nji nënë shqiptare
Nji nënë shqiptare

Histori e një nëne shqiptare

nga Shkëlqim Abazi

me rastin e 45 Vjetorit të Revoltës së Spaçit

Meqë jemi në prag të 45 vjetorit të Revoltës Spaçit, po hedh një homazh për “Nanën e burgut”.
Gjithë të dënuarit e viteve ’70 -’73 e kujtojnë nanën e Franit, që ishte aq e vobektë sa nisej më këmbë nga fshatrat e Pukës dhe mberrinte ne Spac pas tri ditë-netësh. Mbasi mbushte torbën me fruta pylli, si arra, lajthi, mollçinka, gështenja apo çdo gjë tjetër që i ofronte natyra, mësynte derën e burgut me rregullsi ciklike dymujore.
Aq e përpiktë ishte nëna fisnike sa kur mbushej dy muajshi dilnim në tarracë dhe vrojtonim drejt portës. Dhe asnjëherë s’na zhgënjeu, ajo vinte në ditën fikse, sillte frutat e pyllit duke e porositë të birin të na i ndante secilit nga një kokërr.
Por një ditë s’e pamë më!
Pas një jave plakën e gjorë e kishin gjetur të ngrirë në malet mes Pukës dhe Spaçit. Humbjen e saj e përjetuam si të na kishte lënë njeriu ynë më i afërt.
Lavdi nanës së Franit, që njëzëri e quajtëm Ajkunë!
.
Shkëlqim Abazi
Shkëlqim Abazi

Nana e burgut

poezi nga Shkëlqim Abazi

I

Nuk lindi bijë mbreti,
kamjen nuk e njohu kurrë.
Gjithë jetën bjeshkëve mbeti,
fjeti nën borë e mbi gurë.
E vobektë ish nan’e mirë,
përshtatej me ç’të gjente.
Pak bukë, pak gjizë dhe shëllirë,
lëpjeta, lakra dhe mente.
Supeve një zhgun të dhirtë,
mbledhur flokët nën shami,
në dorë një strajcë të hirtë,
endej pa plang, pa shtëpi.
Shlodhej ku ta zinte ora,
rropatur nga udha e gjatë.
Shpesh e kishte mbuluar bora
staneve me barkun thatë.
.

II

Me torbën majë kurrizi,
në terren e gjente ylli.
Gështenja dhe lende lisi,
mblidhte ç’t’i ofronte pylli.
Dhe fanitej çdo dy muaj,
si Feniks që lind prej hirit…
Si Ajkuna e tërbuar
hapte krahët drejt të birit.
Ish gati telat t’i shqyente,
zemër zhurritur nga malli.
Në shpirt dufi i zjente,
gjersa paraqitej djali.
Zinte portën me durim,
priste e priste gjithë natën
Gjersa gdhihej, në agim
birit t’i jepte uratën.
Të gjithëve nana fisnike
na falte pak dashuri.
Vizitat e saja ciklike
na sillnin një grimë liri.
Kësisoj e mira nanë
na mëkoi vite dhe vite.
Çdo lajthi, një kokërr thanë,
na hapte një rreze drite.
.

III

Por kaluan dy tremujor,
për nanën s’mësuam gjë…
Një thikë në kraharor
na u ngul dhe s’u shkul më.
Spaçin e pllakosi zia,
Nana e burgut mungonte…
Secili si mëmën e tija
Ajkunën do ta kujtonte.
Marre nga faqja e Fb e Shkëlqim Abazit, 19 maj 2018
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.