
Histori nga Lufta e Klasave
nga Xhaferr Sadiku
-Të kam thirrur për një detyrë të rëndësishme, – iu drejtua sekretari i parë i partisë shefit të financave të rrethit, Ferrikut. Do të shkosh në Dëshnicë, në fshatrat që kemi cilësuar kulakë dhe do të bësh një llogaritje për detyrimet e tyre.
-I kemi bërë llogaritë, – u përgjigj Ferriku, – i kanë shlyer detyrimet në kohë.
Sekretari hapi kasafortën dhe nxori një letër të ruajtur me kujdes.
-Ne e dimë që i kanë shlyer po do të paguajnë edhe një herë, – u vrenjt sekretari dhe tundi letrën.
-Si të paguajnë dy herë, nuk kanë, – ndërhyri shefi, – i kemi tatuar rëndë.
-Shoku Ferrik! – ngriti zërin sekretari, ka ardhur një urdhëresë nga Komandanti. Ata do të paguajnë edhe një herë se janë të cilësuar kulakë. Ti do ta fillosh nga Shelqi se atje kemi cilësuar tre kulakë, do të kërkosh në organizatën bazë të partisë një komunist që të tregojë arat e tyre. Gjithçka të mbahet sekret. Ata nuk duhet të dinë asgjë përse shkon atje.
Financieri u nis që të nesërmen dhe bëri si i tha sekretari.
Kur mbaroi punë, u kthye në një shtëpi të takonte hallën plakë, që ishte e shoqja e kulakut që partia e konsideronte të rrezikshëm. E pritën me dashuri të madhe dhe e mbajtën për drekë.
Pas disa muajve u zhvillua konferenca e partisë së rrethit me rend dite: Ashpërsimi i luftës së klasave në fshat. Folën gjerë e gjatë për shokun Stalin e për Komandantin dhe për mësimet e tyre kundër kulakëve.
-Me leje, – u ngrit një shok partie nga Dëshnica. Shoku Ferrik duhet përjashtuar nga partia se kur ka qenë në Shelq, ka vajtur për drekë te shtëpia e kulakut.
Ç’të bënte Ferriku, i zënë ngushtë, vendosi ta mohonte.
-Nuk kam qenë, iu drejtua sallës.
Ata të shqyenin. U ngritën disa njëherësh: Jo vetëm ka qenë, por ky e ka edhe mik atë kulak. Ta përjashtojmë nga partia.
-Me ngadalë, shokë, – i qetësoi Batua, -meqë shoku Ferrik është shok i mirë partie, një autokritikë këtë radhë mjafton.
Ferriku ia hodhi, por nuk shkeli më në derën e hallos, as atëherë, as më vonë, asnjëherë.
As ai, as i biri, asnjë.
Marrë nga Muri i Xhaferr Sadiku, 9 shkurt 2025