Historia e Florës…
tregim nga Gjergj Kola
(Love story)
Flora sapo hyni në studion e radios e unë po e shoh se si krahët e saj të drejtë kacavjerren nëpër mure tuj e mbushë hapsinën e bardhë plot me jetë. Kambët e gjata në nji elegancë gati kozmike përhapen nëpër dysheme me nji gjelbërim tanë freski shplodhëse. Trupi i dridhet dhe gjoksi i saj lëviz lehtë nën bluzën e hollë, si dy re të bardha në nji qiell të pafund. Vështrimi i saj i qetë shpërndan nji erë të kandshme dhe në sytë e mi vezullon nji det i kulluem.
-Unë po mbytem në vedi – pëshpëris – ndërsa Flora sillet si nji uragan nëpër qytet tuj ja marrë mendjen e kresë.
Ajo sapo ka nisë me folë, njashtu lehtë me fjalë të ngarkueme me dridhje si prej ere dhe unë shof se si ai dielli i portokalltë qi shytet në perendim po më merr me vedi tuj ma zhytë kryet në njimijë ngjyra të përflakuna.
Tekniku dhe redaktori i radios, kanë shkye sytë përpara saj, pse me ndejtë afër Florës e mos me u mahnitë asht jashtë natyrës mashkullore të njeriut.
Po i zgjas tekstin me poezinë e famshme të Goethes, Lulja, e po i qeshi lehtë, sepse dalloj që redaktori për lojë ka futë edhe nji poezi temen, të shpejtë, dashunore, mbi lulet.
Ajo po e lexon dhe unë për të parën herë në jetë shoh se si nga goja e saj, fjalët dalin të mbështjella me nji aromë dehëse… Nji freski pranveret, fryn bashkë me to dhe më prek lehtë në fytyrë dhe tanë trupin. Poezia merr nji ngjyrim krejt tjetër, njashtu si muret prej dritës se diellit.
Nji ditë po shetisja në pyll
Krejt thjeshtë dhe pa dëshirë
Nji lule të vogël si hyll
E pashë unë krejt n’pahire
Kam mbyllë sytë padashtas dhe ndjej se si goja e saj asht shndërrue në nji livadh të blertë bjeshke, prej kah rrjedhin currila të shpejtë dhe shkojnë tuj u përplasë lehtë në ajër derisa bien në tokë. As e mbaj mend se cilën poezi po lexon, sepse fjalët e ngarkueme me tingujt e zanit të saj, pesha e ndjenjës e ulun aq lehtë mbi ajrin përreth, asht poezia vetë. Megjithatë ajo tash po lexon nji poezi tjetër kaq të dashtun për mu:
Nadje herët i mblodha me gishtat e bardhë të dritës
tingujt e hanës të varun ndër degë
e të mbështjella ty, strukë në andrrat e dashnisë,
që të rritesh në ninullën e kohës së brishtë, e të bahesh lule…
-Unë po zgjedhi këtë poezinë këtu – sapo pëshpërit zani magjik i Florës, përmes heshtjes gati mistike qi na ka rrethue në studio.
-Kjo këtu? Cila? Kjo e Goethes, Lulja!? – po i tham unë pa pasë guxim me e pa në sy.
-Jo. Kjo tjetra, moderne, me ritëm të sotëm, pa rimë…
Redaktori i studios dhe tekniku, m’i kanë hedhë sytë me nji tallje adhuruese, ndërsa për mu lumnija ka marre nji dimension jo normal dhe sikur Flora të më prekte sadopak me gishtin e saj të blertë, unë kisha me fluturue prej dritares poshtë.
Poezia këtu, kjo moderne, pa rimë, ok, shumë mirë. – i pëshpëris.
-Po kjo asht shumë e ndjeshme, sikur të jetë shkrue për mu. – më thotë.
Unë besoj se nuk kam me ja thanë kurrë se për kë asht shkrue kjo poezi e ajo nuk ka me a marrë vesh asnjiherë, as autorin dhe as modelin poetik.
-Mirë pra, – i tham në frymë të fundit – por ta kena të kjartë se autori i ksaj poezie moderne për Lulen nuk asht kërkushi, ndërsa Goethe asht gjithçka.
Ajo sapo e ka marrë poezinë teme në dorë dhe e shetitë gjithandej. Rreshtat i rrokullisen nëpër gojë, i dalin prej atyne dy buzëve mishnore prej qershije të hapun dhe i derdhen mbi gushë.
Ke të drejtë që i hapë sytë – me thotë – se kjo asht poezi përnjimend e bukur. Mendo dikë që çohet përdite nadje dhe mbledh tingujt e argjantë të hanës dhe e mbështjell lulen e çilun afër kopshtit të vet.
Flora asht ma e brishtë se drita hyjnore që zbret prej pikturave të rilindjes. Ajo sapo rrëshqet jashtë mbi nji degë të gjelbërt pranvere plot me sythe të çiluna dhe unë kam mbetë i ngulun si gozhdë mbi mur dhe mbaj mbi vedi portretin e saj tek lexon poezinë teme.
Jena të dy njizet vjeçar, porse dashurojmë seicili në kohë të ndryshme e kjo i jep pak shanse nji dashunie të madhe. Megjithatë unë e di se kam vetëm nji shans, krejt të vogël njaq sa ka nji lule e brishtë me u ushqye prej tingujve të hanës dhe kapem fort mbas tij.
Nuk guxoj me thanë asnji fjalë në studio, sepse poezia jeme mbi lulen nuk asht kurgja përpara Lules së Goethes, megjithse Flora sapo ka zgjedhë pikërisht poezinë teme.
Flora me kalon krejt afër dhe më përqafon lehtë e unë ndjej ato dy retë e bardha të gjoksit të saj që më futen nëpër brinjët e krahnorit e xanë vend në mue.
Përpara saj zemra jeme ka çaste që harron me rrahë prej shpejtësisë, porse unë jam njimijë herë i sigurtë se ato çaste të ndaljezemrës janë amshimi që mbledhet në fundin e saj, si pikat e shiut mbi nji pullaz të ndezun flake.
-A na ban dashunia artista apo asht arti që na e mëson dashninë? – kjo asht pyetja e madhe e vetme që më mbërthen kur dridhem para Florës.
Sot kena provat e para të tekstit para incizimit të cd-së me poezitë e mijëvjeçarit mbi “Lulet dhe dashninë” dhe Flora sapo ka hy mbrenda, si e ardhun prej nji kohe krejt tjetër, të cilën s’e kam jetue asnjiherë dhe thotë:
-Ndij Gjergj, se du me të besue diçka: Nji andërr. Asht gjithnji e njëjta andërr që më ndjek dhe përsëritet në të njejtin interval, çdo fundjavë.
Mbushem me frymë fort, tuj mos i pasë besë vedit se mundet me ndodhë që para Florës me harrue me marrë frymë!!
“Nanadaje sapo ka hi në dhomë e më kallxon baulen e pajës së saj dhe më kërkon napoleonin e artë qi më ka falë para se me ndrrue jetë. Unë e di symbyllë vendin ku e kam mshehë, e nxjerri menjiherë dhe ia jap. Ajo e mbulon me lot të hidhun tuj me thanë: Mbesave të tjera ju thashë monedha prej bronxit e argjendit dhe ato po i shumfishojnë tuj mbushë arkat me to, ndërsa ty të dhashë ma të shtrejtën dhe ti s’ke ba ala kurrgja me të… Nanadaje, ia kthej: Unë jam artiste skene, jam ndryshe, kam me e mbushë arkën tande me kaq shumë flori…!”- përfundon Flora andrrën e saj.
Me vjen keq deri në zemër për vështrimin e saj që kërkon sadopak ndihmë prej mejet dhe po i pëshpëris se andrrat janë simbole të fshehta qi dojnë patjetër me na thanë diçka të randsishme, qi ka lidhje me fatin tonë. Unë nuk mundem me i thanë ma shumë, nuk guxoj me ju afrue ma afër sepse ajo asht diçka prej qelqi, prej nji planeti të panjoftun dhe sikur ta preki me guximin e marrë të fjalëve të mija ka me ra në tokë dhe s’kam me e thithë ma ajrin qi ajo shpërndan nëpër studio. Po, kam dëshirë me i thirrë se ajo duhet me e thye atë cipën e qelqtë që e mbështjell, me shkye këmishën e bojeqielltë e me lanë dy retë e gjoksit të bukur me i mbushë muret me dritën e saj.
Nuk kam forcë me thanë asnji fjalë, se Flora vazhdon me recitue poezinë teme dhe unë zhytem n’ato buzë të njoma, mishnore të preme si qershi të posapjekuna.
Sot salla e teatrit të qytetit asht e mbushun plot dhe Flora, sapo ka hy në skenë tuj shtri krahët e saj përmbi publik, si me kenë nji perendeshë e re nga duaert e së cilës derdhet nji energji e veçantë, e panjoftun dhe i hedh njerëzit në gjendje ekstaze. Ajo reciton ngadalë vargjet e poezisë teme dhe unë sapo shoh se si ajri në salle nis me marrë ngjyrën dhe formën e dallgëve të detit. Njerzit bashkë me mu, sapo kanë ngritë kambet përpjetë, tuj i vendosë mbi ndejëse, tanë frikë se uji po i merr me vedi. Klithma të mbytuna, fytyra të ngurtësueme në ekzaltim e kanë mbushë sallën dhe zani i Florës përhapet ngadalë si valë magjie qi prek seicilën fytyrë dhe e kthen në jetë.
Nuk ka asnji art tjetër në botë qi i elektrizon njerzit ma tepër se skena! – pëshpëris unë tuj u dridhë prej lianeve të gjelbërta e të padukshme të Florës.
Ajo sapo asht afru te unë, anash skene dhe sytë e saj ruajnë ala nji shkëlqim të gjelbërt, mbushë me detin qi shkon e derdhet i lodhun në krahët e nji bregu të lëmuet, ndërsa mua më duket sikur po mbytem në atë vështrim plot me jetë të panjoftun, kur ajo me thote:
-Mbramë më doli prap Nanadaja në andërr tuj më pyetë për Napolonin e artë dhe unë i kallxova arkën e pajës së saj me nji grusht plot me florij. Ka aq shumë në të sa më duket se po mbytem në nji pasuni pafund.
Ajo më shtrëngon prap lehtë në krahët e saj dhe unë ndjej dy retë e gjoksit të saj të më shpërndajnë rrufe ndër brinjët e mia.
Sot Flora ka ardhë ne studio te radios e kërkon me ba diçka të re me mu, nji projekt qi ka me na lidhë ma fort: poezinë teme me talentin e saj të jashtzakonshëm.
-Unë jam dashunue me poezinë tande – më thotë, pa e dijtë se unë jam i dashunuem me gjithçka të sajë.
Ndërsa flet unë shoh ato lianet e blerta qi dalin prej syve të saj në trajtë rrezesh të lakueme dhe më mbështjellin ngadalë tanë trupin tem tuj më depërtu thellë deri në brinjë.
Po vdes ngadalë i lumtun në praninë e Florës, ndërsa ajo ma thithë tanë frymën teme të vdekshme dhe me mbush me aromën e kurmit të saj.
Unë po largoj me mundim degët e gjelbërta ku jam mbështjellë dhe i kallxoj dashninë teme për të, tuj i thanë se jo vetëm qi asht e pamujtun për nji njeri qi rrin afër saj mos me ra në dashni me të, porse e randsishme asht se dashnija jeme asht krejt tjetër, asht valë qi shndërrohet në dallgë deti sapo bjen mbi të…
Flora po qeshë dhe zani i saj shndërrohet në mija flutura të vogla të luleve të prillit mbi qershi e më mbulon krejt me emocione të prekshme, prej drite.
-Mramë më doli prap Nanadaja në andërr dhe më pyeti për Napoleonin e artë e unë i kallxova arkën e pajës dhe aty afër ishe edhe ti, mandej erdhi edhe nji regjizor, nji aktor, njerëz të skenës dhe unë i thashë asaj së kështu kam me e mbushë arkën plot…
Jam shumë i lumtun për zgjidhjen qi po i jep jetës Flora, dhe sidomos për atë se skena na ka lidhë bashkë, se tash po e ndjej thellë e ma thellë se kena lindë për njeni tjetrin, se ajo qi bashkon skena nuk mundet me i nda asnji forcë në botë dhe se fati i njeriut për këtë asht i lexueshëm.
Flora buzëqesh tuj përhapë ato rrezet e jeshilta nëpër valët e langshme të ajrit dhe unë dridhem prej zanit të saj qi e merr anijen e zemrës teme dhe e mbyt sa herë qi don deri në fund të detit dhe e nxjerr prap mbi dallgë, sa herë i mbushet mendja.
-Unë ndjehem si nji anije e madhe që kërkon me ankorue, por jo çdo port asht i përshtatshëm për të… – më pëshpërit Flora.
-Të paktën tash nuk ke me thanë ma se poezia jeme e panjoftun e lules ka ma prioritet se ajo gjeniale e Goethes – ja pres.
Ajo vazhdon e më kallxon për andrrën e saj dhe i duket se ai napoloni i artë i gjyshes i ka marrë nji cipë prej ndryshku.
-Unë duhet me shkue në Paris – më thërret ajo në birë të veshit tuj më mbushë me tinguj kumbonash – se më duket sikur këtu jam ajo lulja e rrallë që nuk i len rranjët me u njitë, sepse e din që ka me shku në vendin e saj.
Unë i aprovoj gjithçka që thotë ajo dhe jam mirënjohës për ato pak çaste të lumtuna që jetoj afër saj, për frymën e mbushun me freski pranveret që më mbulon e për dashuninë që më hjek çdo peshë gravitetit e më ban me fluturue.
Sot e kena lanë me u takue në portin ma të madh të vendit buzë Adriatikut dhe ajo vjen e më hidhet në krahë ma e gëzueme se kurrë në jetë e unë kam përshtypjen se dallgët po ngrihen peshë e na mbulojnë të dyve. Flora ka dy letra në dorë. Janë dy poezitë e para që ka pasë në studion e Radios. Goethen dhe Gjergjin, gjithsinë dhe kërkushin.
-Poezinë tande po e marr me vedi se kam qytetin tonë aty, e ti ke shkrue për Lulen që ke gjetë në kopshtin afër shpisë dhe e ke ujitë fshehtas përditë e ke pa tuj u rritë e unë për kët e kam dashtë kët poezi: “Nadje herët tingujt e hanës të varun ndër degë…”
Tash ajo i ban me dorë nji burrit të veshun me kravatë, madhosh, me kostum firmato dhe më thotë:
-Atë ditë në radio unë nuk e zgjodha poezinë e Goethes, sepse atë e kisha lanë me e marrë me vedi kur të shkoja në botën e madhe.
Unë përpiqem me u mbushë me frymë dhe poshtë zemrës asht mbledhë nji grusht i randë që më mban të lidhun përmrenda.
Flora po ikën tuj më lanë vetëm me amshimin që vetë ka grumbulle në mue.
Tash ajo me prezanton fatin e saj të ri, burrin e saj, nji qytetar të huaj, parisian me të cilin po pregatitet me sulmue skenat e fatit të saj.
Tash nuk e shoh ma Nanëdajen në andërr, sepse para syve të mi kam anije të mbushuna plot me napoleone ari dhe jeta ime sapo nisë me marrë trajektoren e saj.
Unë po i gëzohem lumnisë së Florës, sepse asnjiherë nuk kam dijtë me u sjellë ndryshe me të: kam qeshë kur ajo ishte e lumtun dhe kam derdhë lot kur ajo ishte e trishtueme.
I tham se unë e kam dashtë gjithmonë njashtu në mënyrën teme si nji poezi e padenjë dhe uroj me gjithë zemër që Lulja e saj të rritet në kopshtin e huej, siç e kishte parashikue edhe Goetheja në poezinë e tij gjeniale.
Ndërsa ajo hipë në anijen e fatit, si Kolombi në Santa Marian e famshme në kërkim të kontinetit të ri, unë shoh se si në rrjesht mbas saj po ngarkohen dhjetra vajza të reja të veshuna me ngjyrat ma të bukura lulesh, me rranjët të shkuluna në vend të këpucëve e shkojnë tuj u zvarritë në anije.
Asht pranverë dhe unë mendoj se vjollcat janë lulet e para që këputen, njashtu në tanë brishtësinë e tyne, dhe ata jetojnë disa ditë në gotën e fatit. Mandej varen, vyshken e rrijnë nji jetë të tanë anash gotës prej qelqit.
-A e sheh anijen gjigande – më pëshpërit për herë të fundit Flora – kështu jam unë, nji anije për të cilën nuk ka ma port që i ban vend.
Ajo më shtrëngon edhe nji herë lehtë dhe unë ndjej retë e gjoksit të sajë të më hyjnë deri në palcë. Tash shkëputet prej meje dhe ndërsa i marr erë fort, para syve të mi ajo shndërrohet në nji lulevjollcë dhe ai i huaji me kravatë po e mban në kavanoz, plot dëshirë me e mbjellë atje në vendin e vet, pa dijtë se Flora e ka lanë mrapa rranjën, në nji skenë teatri të paemën.
Ndërsa anija niset unë ulem dhe plotësoj strofën e fundit të poezisë për lulën që kam mbështjellë me tingujt e hanës, që sot koha e shkuli dhe e nisi atje larg. Përpiqem me e shkrue sa ma shpejt sepse sapo ka hjedhë në mu rranjët ideja e krisun se sa mirë kishte me kenë me ndejtë këtu në port dhe me pritë Florën deri ditën që të kthehet.
Mbylli sytë dhe shoh anijen që ikën me vajzat e reja të shndërrueme në lulevjollca të varuna në kuvertë, ndërsa speranca çohet ngadalë dhe në majë të sajë asht zemra jeme e ngulun, e tërhjekun zvarrë e tuj u përplasë ndër dallgë.
Gjergj,
pata fatin ta lexoj tregimin tënd nën tingujt e montazhit muzikor të poezive të mia në radio… dhe në atë çast, në studion e radios, ju lashë vend personazheve të shkrimit teëd: Gjergjit dhe Florës…
dhe në çast shkrimi yt m’u shndërrua në skene teatri që e shijova pa masë…