back to top
9.5 C
Tirana
E premte, 22 Nëntor, 2024

Historia e jetës së një personaliteti të rrallë – nga Arta Çano

Gazeta

Mirash Ivanaj (1891-1953)
Mirash Ivanaj (1891-1953)

Historia e jetës së një personaliteti të rrallë 

nga Arta Çano

Një prej intelektualëve më të shkëlqyer që pati Shqipëria në vitet ’30, Mirash Ivanaj, u burgos për 7 vjet, edhe pse nuk kishte kryer kurrë një shkelje ligji, ndërkohë që po u afrohej të 60-ave. Megjithatë nuk u përkul deri sa ndërroi jetë, pak ditë para se të lirohej, më 22 shator 1953. Historia e jetës së një personaliteti të rrallë që jetoi i papërlyer mes zullumeve
Poshtë nënkresës, në spitalin e burgut, Mirash Ivanaj mbante një poezi që ia kishte dhënë dikush dhe që ai donte të shihte dritën e botimit. Porositi Agron Çarçanin, të dënuarin me të cilin ndante dhomën, që nëse do mundej, ta nxirrte që andej dhe ta botonte. Në titull kishte përshëndetjen “Lamtumirë o botë! Lamtumirë o jetë!” dhe në mbyllje, kishte pyetjen që mundonte shumë shqiptarë prej rreth 9 vitesh tanimë: “O Zot qysh i duron këto batërdi që bëjnë veprat e krijuara nga ti? Kush sundon, më thuaj: këta apo ti?!”  

Kopertina "Mirash Ivanaj" Ministri i Hekurt - nga Lazer Radi
Kopertina “Mirash Ivanaj” Ministri i Hekurt – nga Lazer Radi

Ditët e fundit

Mirash Ivanaj ia kushtoi bisedës për atë poezi minutat e fundit të jetës dhe pastaj dha frymë. Kishte ardhur pak ditë më parë në spitalin e burgut. Lazër Radi, shoku i qelisë dhe i dhomës së punës së përkthimeve në Burgun e Ri të Tiranës, ku Ivanaj ishte fjalori i gjallë i disa gjuhëve dhe enciklopedia referuese për kolegët, dëshmon që muajt e fundit shëndeti i Mirashit sa vinte e keqësohej: ai kishte dhimbje të vazhdueshme dhe thuajse nuk hante më asgjë. Megjithatë, nuk ankohej kurrë dhe punën nuk e ndërpriste. Ishte e pamundur ta shkëpusje Mirash Ivanajn nga puna, kjo do të ndodhte vetëm kur shpirti të shkëputej nga trupi i tij. Kur ky çast u afrua dhe gjendja u rëndua shumë, Mirashin e morën me autoambulancë për ta çuar në spital. “E mora në krahë. Ishte krejt i lehtë si frymë..”, shkruan në librin e tij “Ministri i hekurt Mirash Ivanaj”, Lazër Radi. Burrin shtatlartë, të ligur e tretur, e pa të hynte në dhomën e spitalit të burgut, pak minuta më vonë, Agron Çarçani. Oficerët porositën mjekët të bënin çmos për ta shëruar sepse kishin shumë nevojë për të. Fakti që ish-ministri i Arsimit u la të tretej në qeli ndërkohë që gjendja e tij e rënduar shëndetësore ishte shumë e dukshme, të bën të mendosh që Ndue Gëziqi, i dënuari tjetër i asaj dhome spitali, kishte të drejtë kur mendonte që “këto urdhëra jepeshin për ta përdorur spitalin si dëshmitar se qeveria ka bërë çmos për ta shpëtuar, por nuk qe e mundur…” Dhe, siç i thoshin edhe infermierët që Agroni i pyeste vazhdimisht, ndërhyrja në atë fazë ishte e pamundur. Mirash Ivanaj kishte ngatërrim zorësh, por gjendja e dobësisë në të cilën ndodhej nuk e lejonte ndërhyrjen. I jepeshin ilaçe dhe serume, i bëheshin kontrolle të vazhdueshme dhe në konsulta vinin edhe mjekë që të dënuarit e tjerë nuk i kishin parë kurrë, megjithatë gjendja sa vinte e rëndohej, derisa më 22 shtator 1953, Mirash Ivanaj u nda nga jeta. Mbesës dhe gruas së vëllait do u mbërrinte letra e fundit nga burgu i Tiranës, ku shoku i afërt i Mirashit, Demir Vila, u jepte lajmin e hidhur.
.

Nga një vend në tjetrin

Mirashi ishte lindur në Podgoricë, të Malit të Zi, në vitin 1891, në një familje patriote shqiptare. Marrëdhënien më të ngushtë familjare, e kishte me vëllanë, Martinin, me të cilin ishin më shumë sesa vëllezër.
Ata, megjithëse të dy të zotë, të kualifikuar e të suksesshëm: Martini u bë kryetar i Gjykatës së Kasacionit në Shqipëri, ndërsa Mirashi ministër Arsimi, pra pa ndonjë interes të ngushtë që t’i bënte të varur nga njëri-tjetri, nuk u ndanë kurrë, sepse i bashkonin fijet shpirtërore që pozitat shoqërore nuk ua tjetërsuan. Studiuan bashkë në Beograd e më pas në Romë, ku të dy u doktoruan në Drejtësi, ndërkohë që Mirashi mori një doktoraturë edhe në Letërsi.

Mirash Ivanaj - shtëpia që po ndërtonte 1937
Mirash Ivanaj – shtëpia që po ndërtonte 1937

Pas kthimit në Shqipëri, Mirashi u vendos në Shkodër, ku bashkë me kushëririn e tij, Nikollë Ivanaj, themeloi gazetën “Republika”. Nga viti 1925-1930 ishte drejtor i Gjimnazit të Shtetit në qytetin verior. Më pas nisi punë në gjimnazin e Tiranës, ku sërish njohuritë e tij të gjëra, aftësitë e mësimdhënies dhe përkushtimi vetëmohues që të gjithë nxënësit të përvetësonin në maksimum dijet, e bënë një emër të njohur, ndaj në vitin 1933, kur Pandeli Evangjeli formoi qeverinë e re, për ministër Arsimi u propozua Mirash Ivanaj. Ministri i ri mori përsipër të reformonte me rrënjë sistemin arsimor në Shqipëri. Në atë kohë funksiononin shumë shkolla private: të huaja dhe fetare, në ndonjë prej të cilave nxënësit ushqeheshin me frymë antishqiptare. Nuk ishte e lehtë t’i mbyllje këto shkolla të kontrolluara nga fqinjët me shumë ndikim në Shqipëri, por Mirashi e mori përsipër dhe e realizoi duke synuar themelimin e shkollës së njësuar kombëtare dhe laike. Reforma mori emrin e ministrit, ndërsa ministri fitoi mbështetës e kundërshtarë bashkë. Më të fuqishmit e kundërshtarve ishin përfaqësuesit e klerit dhe të shteteve fqinje. Ndikimi i tyre, pas ca kohësh, bëri që mbreti dhe qeveria të kërkonte lëshime, por Mirash Ivanaj nuk mund të shkelte mbi parimet e tij. Nëse reforma e tij kundërshtohej, atëherë ai nuk mund të vazhdonte të ishte më ministër. E kishte pranuar atë post me kushtin që të mos i ndërhynin në punën e tij dhe kur kjo ndodhi ai u dorëhoq.
Pas ca kohësh, doktori në shkencën e drejtësisë, u emërua anëtar i Këshillit të Lartë të Shtetit që hartonte projektligje për aparatin shtetëror dhe shqyrtonte aktet e ministrive para se ato të kalonin për miratim në Parlament. Pjesë e atij institucioni ishte dhe i vëllai, Martini, me të cilin kishin ndërtuar një shtëpi në Tiranë të Re duke vazhduar të ishin të pandarë. Në janar të 1937-ës, Mirash Ivanaj u caktua kryetar i Këshillit të Shtetit duke qenë njëkohësisht edhe këshilltar i mbretit.

Iliaz Gogaj - Mirash Ivanaj Personalitet i shquar i Universit Shqiptar
Iliaz Gogaj – Mirash Ivanaj
– Personalitet i shquar i Universit Shqiptar

Pasojat e luftës

Gjithçka u përmbys në prill të 1939-ës. Pasi e panë që përpjekja për të organizuar një rezistencë ndaj pushtuesve nuk dha fryt, vëllezërit u larguan nga Tirana, si shumë nëpunës të mbretërisë. Vajza dhe bashkëshortja italiane e Martinit, pas pak kohësh, gjithashtu u larguan për në Itali, duke marrë me vete edhe një flamur shqiptar që sot shpërfaqet mes objekteve të tjera në muret e Fondacionit “Martin dhe Mirash Ivanaj”, të themeluar nga mbesa e Mirashit, Drita Ivanaj. Filli i vetëm që do i bashkonte dy copat e ndara të familjes ishin letrat.
Në vitin 1940, Martini ndërroi jetë në Stamboll duke i dhënë Mirashit, goditjen më të rëndë të jetës, ku kishte provuar humbje të tjera familjare, por edhe humbjen e së dashurës italiane, së cilës i qëndroi përjetësisht besnik. Në 1945-ën, pas një ftese të mikut të tij Gjergj Kokoshi, ministrit të Arsimit në qeverinë e re komuniste, ai u kthye në Tiranë, pa pranuar megjithatë asnjë post dhe as kandidaturën për deputet me argumentin që nuk i takonte përderisa nuk kishte marrë pjesë në luftë. Kërkoi vetëm një vend si mësues dhe iu përkushtua mësimdhënies, ndërkohë që banonte në një dhomë të shtëpisë së tij, ku e gjithë pjesa tjetër ishte zaptuar dhe biblioteka mijëravëllimëshe ishte zhdukur. Korrespondenca me mbesën dhe kunatën vazhdonte rregullisht, derisa në vitin 1947, filli që i bashkonte u këput. “Për tetë-nëntë muaj nuk patëm asnjë komunikim. Nuk e dinim çfarë kishte ndodhur. U interesuam edhe pranë organizatës së Kryqit të Kuq të Zvicrës, por përsëri asnjë informacion”, thotë Drita Ivanaj për kujto.al. Shqetësimi i ndërprerjes së komunikimit do të përfundonte me mbrritjen e letrës së parë nga Mirashi, e cila do të ngjallte një shqetësim tjetër: Ai shkruante nga burgu.

Mirash Ivanaj - Ministër i Arsimit - në qendër Kryeministri Pandeli Evangjeli
Mirash Ivanaj – Ministër i Arsimit – në qendër Kryeministri Pandeli Evangjeli

Në burgun e pamendueshëm, me duar të lira

Kur erdhi në Shqipëri, Mirashi u prit me dashamirësi të shtirë edhe nga Enver Hoxha, i cili e dinte mirë që Ivanaj, kur ishte ministër, i kishte ndërprerë bursën e studimeve në Francë. Për disa, kjo ishte arsyeja e arrestimit, por nuk mund të thuash me siguri që ishte e vetmja. Mirash Ivanaj ishte arsimuar në Perëndim, kishte kontakte me të huaj dhe mbi të gjitha kishte një personalitet të papërkulur që nuk i pranonte kërkesat e qeverisë së re, si puna vullnetare e detyruar apo kurset e marksizmit ku banka e tij ishte gjithmonë bosh. Ai kishte profilin e një elementi me ndikim të keq, ndaj duhej izoluar. U arrestua në maj të vitit 1947, një vit e gjysmë që nga dita kur ishte rikthyer në Shqipëri. Pas rreth një viti paraburgim, doli para gjyqit të Garnizonit të Tiranës, ku prokurori Petrit Hakani rreshtoi akuzat, që u morën për bazë nga gjykata në vendimin e saj më 7 prill 1948: “Gjatë kohës që ka qëndruar jashtë ka pasur lidhje me Zogun dhe me klikën tjetër të tija dhe agjentë të tjerë të S.B.S si konsulli i Zogut, Xhaxhuli, englezi Sterling. Është munduar për të formuar komitetin për të punuar në favor të anglo-amerikanëve… Mbas çlirimit të Shqipërisë, i pandehuri kthehet në Shqipëri dhe simbas udhëzimeve të marra nga reaksioni anglo-amerikan vepron kundra pushtetit popullor duke u lidhur dhe bashkëpunuar me Gjergj Kokoshin, Ali Bakiun, etj. Është vënë në dijeni mbi ekzistencën e organizatës së deputetëve tradhtarë, ka propaganduar kudo e ka agjituar kudo kundra pushtetit popullor…” Pavarësisht që Mirash Ivanaj nuk i pranoi akuzat, vendimi i gjykatës, i cili, pas ankesës së Ivanajt, mbeti në fuqi edhe nga Gjykata e lartë ishte: 7 vjet heqje lirie, punë e detyruar, konfiskim i pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme dhe humbja e të drejtave civile dhe zgjedhore për 5 vjet. Një vendim i pakuptueshëm për këdo, por veçanërisht për Mirashin, të cilit, në çdo funksion që kish pasur, ishte e vështirë t’i kërkoje edhe “nderin” më të vogël sepse ai nuk pranonte kurrë të shmangej nga ligji dhe rregullat, qoftë edhe në një pikë të padukshme apo të parëndësishme.
-A e more vesh mor ti? – iu drejtua prokurori pasi u mor vendimi.
-Jo mor zotni, ç’ka me marr vesh?
-Je dënuar me 7 vjet burg!
-Po për ç’ka jam dënue mor zotni?
-Për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor.
-Po unë sa kam ardhë prej Turqie, s’kam folë me njeri, përveç punës mësimore.
-Po me atë mendim ke ardhur që të bësh propagandë.
-Po pse a ka ligjë në botë zotni, që të dënojë mendimin?
Ky besim te e drejta që nis e duket naiv në mjedisin ku drejtësia kishte marrë rrokopujën dhe ky vetëkontroll mbinjerëzor e shoqëroi Mirashin edhe gjatë viteve të burgut, kur gëlltiste në heshtje fyerjet e kapterëve injorantë dhe vazhdonte i palodhur punën që i ishte caktuar në mesagjerì. Veç përkthimit, që, pavarësisht rrethanave, mbetej një punë intelektuale që i jepte kënaqësi, e gëzonin edhe letrat që shkëmbente çdo muaj me mbesën dhe kunatën, të cilat tashmë ishin zhvendosur në Shtetet e Bashkuara. “Kishim një korrespondencë të rregullt, por nuk mund të thoshim shumë në ato letra: lejohej vetëm një faqe në muaj”, tregon Drita Ivanaj. Gjithashtu në burg e vizitonte një grua e vjetër, Novka, shërbyesja e familjes, së cilës Mirashi i jepte çdo herë një autorizim për të tërhequr të holla nga fondi i të ardhurave të fituara nga përkthimet. Kur Mirash Ivanaj ndërroi jetë, trupi i tij u përdor për praktikat mësimore të fakultetit të Mjekësisë, por Novka besnike me këmbëngulje arriti që një ditë ta tërhiqte e t’i jepte një vend prehjeje në varrezat e Sharrës. Kur komunizmi ra dhe urat e komunikimit u rivendosën, miku i Mirash Ivanajt, Lazër Radi, zbuloi rastësisht varrin e ish-ministrit dhe lajmëroi të mbesën, Drita për vendndodhjen. Kur erdhi në Shqipëri, ajo u kujdes që të silleshin edhe eshtrat e babait të saj dhe të dy vëllezërit prehen në të njëtin memorial, bashkë, siç qenë dhe në jetë.
Emrin e të dyve mban edhe fondacioni me degë në New York dhe Tiranë, që ka themeluar Drita Ivanaj, i cili, ndër të tjera, synon të nxisë interesin publik për kulturën dhe arsimin shqiptar dhe të bëjë të njohur historinë e këtij vendi, e cila ka ende shumë për të treguar. Pjesë e kësaj historie është edhe periudha e diktaturës, e cila mbuloi me hije shumë personalitete, nga vlerat dhe veprimtaria e të cilëve e tashmja dhe e ardhmja e vendit mund të përfitojë jo pak. Një prej tyre është pa mëdyshje, Mirash Ivanaj.

*Ky shkrim është mbështetur në librat “Ministri i hekurt – Mirash Ivanaj” nga Lazër Radi, Durrës 2018 dhe “Mirash Ivanaj – Personalitet i shquar i universit shqiptar” nga Iljaz Gogaj, Tiranë 2004.

Marrë nga Portali Kujto.al
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.