back to top
12.5 C
Tirana
E enjte, 26 Dhjetor, 2024

Historia e komandantit legjendar Hasan Riza Pasha nga Dr. Genti Kruja

Gazeta

Hasan Riza Pasha (1871-1913)
Hasan Riza Pasha (1871-1913)

Historia e komandantit legjendar Hasan Riza Pasha

nga Dr. Genti Kruja

Në kohën kur në Vlorë më 28 nëntor 1912, u shpall Pavarësia, të Katër Vilajetet Shkodra, Kosova, Janina dhe Manastiri ishin pushtuar nga disa ushtri të huaja. Në Shkodër mbahej ende në këmbë një armatë e madhe e përbërë nga ushtarë osmanë dhe rezervistë shqiptarë.
Me sytë nga kufijtë veriorë, ushtria që nuk pranonte të dorëzohej, ishte fortifikuar fort në periferitë e Shkodrës që nga Taraboshi e Kraja e deri në fushat e Shtojit. Këndej pritej që të sulmonin malazezët e Krajl Nikollës, të etur për territore të reja, të bindur se kishte ardhur dita për të pushtuar Shkodrën. Ushtritë që ishin vendosur përballë përbëheshin: ushtria osmane 15 mijë ushtarë (5 mijë ushtarë aktivë dhe 10 mijë rezervistë shqiptarë, kryesisht nga zonat e Shqipërisë së Mesme dhe ato rreth Shkodrës: Librazhd, Gramsh, Elbasan, Durrës, Tiranë, Krujë, Koplik, Grizhë; ushtria malazeze 25 mijë ushtarë; në jug të Shkodrës deri në afërsi të Tiranës e Elbasanit vepronte ushtria serbe prej 30 mijë ushtarësh, ku gjithsej përbënin një forcë prej 55.000 vetësh.
Më 8 tetor 1912, Mali i Zi i shpall luftë Perandorisë Osmane. Në të njëjtën ditë nisin djegiet e fshatrave shqiptarë, që ishin të vendosur në kufirin mes dy shteteve. Luftime të vogla mes malazezëve dhe banorëve vendas u zhvilluan për dy ditë me radhë.

Dr. Genti Kruja
Dr. Genti Kruja

Qytetit të Shkodrës i dyfishohet popullsia

Mësymja e parë e madhe malazeze nisi më 11 tetor 1912. Synimi ishte marrja e Taraboshit, një pikë e lartë që dominon mbi Shkodër dhe mbi liqen. Tre batalione, një kompani mitralierësh dhe një bateri e artilerisë malore nën komandën e majorit Sadedin Beut, kaluan matanë Bunës mbi lundra për t’u përballur me armikun. Asokohe Ura e Bunës ishte ende në ndërtim e sipër. Luftimet e ashpra vazhduan për gjashtë orë me radhë. Në majë të Taraboshit, pushkët u lanë mënjanë, armiqtë u përleshën për jetë a vdekje trup më trup. Të dhënat zyrtare osmane bëjnë fjalë për 800 malazezë dhe vetëm 27 turq e shqiptarë të vrarë. Bilanci duket se është shumë propagandistik, por asokohe propaganda e luftës ishte në kulmin e saj. Me siguri humbjet në radhët e mbrojtësve të Shkodrës duhet të kenë qenë disa herë më të mëdha.
Kjo betejë u pasua më pas nga shumë të tjera po aq të përgjakshme që vazhduan plot gjashtë muaj (183 ditë). Ndërkohë, qyteti bombardohej pa pushim nga artileria malazeze.1]
 

Hasan Riza Pasha, komandanti që mbrojti Shkodrën

Hasan Riza Pasha ishte kryekomandanti i forcave osmane-shqiptare që mbronin Shkodrën. Ai do të ishte dhe valiu i fundit osman në pikën më perëndimore të Perandorisë dhe do të martirizohej në pabesi në ditët më të vështira të rrethimit. Hasan Rizai me origjinë nga Kastamonu kishte lindur në Bagdad më 1871, kur i ati Namik Pasha ishte vali i Bagdadit. Ai shkollua fillimisht në Stamboll dhe pati një karrierë të vrullshme. Kur ishte vetëm 28 vjeç ishte nënkolonel. Ai studioi edhe në Gjermani për disa kohë. Në Shkodër kishte ardhur që në 1911, si komandant i një divizioni. Në mars të 1912-s ishte emëruar vali (guvernator) dhe komandant i përgjithshëm i ushtrisë në Vilajetin e Shkodrës.
Hasan Riza Pasha ishte kundërshtar i vendosur i xhonturqve dhe i përfshirjes së ushtarakëve në politikë. Nderi dhe ushtria, këto ishin dy fjalët që e drejtonin. Kishte marrëdhënie shumë të mira me patriotët shqiptarë dhe përgjithësisht në Shkodër gëzonte shumë respekt. Ai e dinte se me malazezët po bënte një luftë të pabarabartë, porse nuk pranoi assesi ta dorëzonte Shkodrën. Me kalimin e muajve, kishte nisur të hartonte një plan që e mbajti sekret deri vonë.
Në nëntor të 1912-s, mbrojtësve të Shkodrës u kishte mbetur edhe një fije shprese. Në Berat kishin mbetur ende një forcë ushtarake osmane. Këta komandoheshin nga tiranasi Mahmut Hajret Pashë Jella. Sikur këto trupa të kishin mbërritur në Shkodër, atëherë bilanci i forcave do të ishte ndryshe. Porse, tashmë dukej se Perandorisë Osmane në Ballkan i kishte ardhur vërtet fundi. Mahmut Jella, pas shumë hezitimesh më në fund arriti deri në lumin Mat, por nuk mundi të kalonte më tej. Shkodrës do t’i duhej të mbrohej vetëm, duke parë se si vdisnin përditë njerëzit e saj, nga gjylet dhe uria.

Hasan Riza Pasha dhe shtabi i tij
Hasan Riza Pasha dhe shtabi i tij

Hezitimi i malësorëve

Malësorët, u zunë ngushtë, kur Mali i Zi sulmoi Shkodrën. Një pjesë e tyre kishte kohë që ishte strehuar në Mal të Zi, pas ekspeditave të Shevket Turgut Pashës. Shumica prej tyre dhe sigurisht edhe një pjesë e mirë e klerit katolik e shihnin perandorinë osmane si armikun më të parë, shekullor, fetar, kulturor dhe politik. Andaj, të zënë mes dy zjarresh, një pjesë e mirë e tyre qëndroi pasive, një pjesë tjetër, jo dhe aq e vogël, u rreshtua në krah të malazezëve kundër mbrojtësve të Shkodrës. Në ditët e fundit të tij, Hasan Riza Pasha zhvilloi biseda me krerët katolikë. Këta vendosën si kusht, që lufta të bëhej në emër të flamurit shqiptar dhe jo të atij osman. Hasan Riza Pasha kërkoi kohë sa të merrej vesh se çfarë mendonin në Stamboll e gjetiu mbi këtë çështje, porse nuk pati kohë të jepte përgjigje. Dikush kishte kohë që vriste mendjen për ta vrarë.

Një vrasje që ndryshoi historinë

Plani i Hasan Riza Pashës, në bashkëpunim me arqipeshkvin e Shkodrës, ishte që e gjithë popullsia katolike do të hidhej në një kryengritje të përgjithshme antimalazeze. Sulmi do të niste në Zadrimë, në fshatin e qetë Nënshat. Më parë do të valëvitej mbi kala flamuri shqiptar.
Këtu del në skenë sërish një nga figurat më të diskutuara në historinë e re të Shqipërisë, Esat Pashë Toptani. Ky ishte zëvendës i Hasan Rizait. Të dy banonin në shtëpi të mëdha në Fushë-Çelë, fare afër njëri-tjetrit, aty ku sot ndodhet xhamia Ebu Bekër. Më 30 janar 1913, Hasan Rizai dhe Esat Pasha diskutuan gjatë në shtëpinë e Toptanasit për çështjet e ditës. Në orën 18.45 teksa po kthehej në shtëpi në errësirën e natës, i dalin përpara tre të panjohur. Dy prej tyre e qëllojnë me revolver. Kryekomandanti i Shkodrës dha shpirt mbas pesë orësh. Ai i kërkoi adjutantit të vet t’i këndonte suren Jasin, të cilin e shoqëroi edhe ai vetë në këndim dhe kur erdhën tek ajeti i fundit ku thotë: “I lartë është Ai që në dorën e Tij është pushteti mbi çdo send dhe vetëm tek Ai ktheheni”, shehidi Hasan Riza Pasha ia dorëzoi shpirtin Krijuesit të tij. Ai u varros të nesërmen, “ditë e xhuma” në varrezat e xhamisë së vjetër të Parrucës. Më pas varri i tij u zhvendos në varrezat myslimane të Komaneve dhe aktualisht në qendër të qytetit para gjimnazit “28 Nëntori”, dikur kazerma osmane e më pas kazerma “Teuta”, është ndërtuar një lapidar përkujtimor me një mbishkrim shqip dhe turqisht:
“Lavdi Hasan Riza Pasha
burrë si motit/ ushtar trim besnik
komandant i ushtrive tona në Shkodër
Shqipëria dhe shqiptarët
nderojnë luftëtarin Hasan Riza Pasha”.
 
Në Shkodër, por jo vetëm, që në atë kohë ishin të bindur se vrasja e Hasan Riza Pashës është kurdisur nga Esat Pasha. Tre njerëz u përfolën asokohe, Osman Bali, njeri shumë i afërt i Toptanasit, një Mahmut nga Kavaja, që ka mbetur pa mbiemër dhe një farë Tefik edhe ky nga Shqipëria e Mesme. 13 vjet më vonë, më 8 shtator 1926, Osman Bali do të mbetej i vrarë, nga Lam Leka dhe Myslym Peza. Kishte arritur të bëhej major i Gardës Kombëtare.
Rrethimi i Shkodrës vazhdoi edhe për tre muaj të tjerë. Zyrtarisht Esat Pasha, që zëvendësoi Hasan Rizanë, shprehej për vazhdimin e qëndresës, por ndërkohë kishte nisur bisedimet me malazezët për dorëzimin e Shkodrës. Këta pranuan që ushtria osmane të largohej nga qyteti, me armët në krah, duke ruajtur kështu të paktën nderin ushtarak. Në 25 prill 1913, princi Danillo dhe shpura e tij u ngjitën në kështjellën e Rozafës. Këtu nisi të valonte flamuri malazez. Shkodranët e mposhtur nga gjylet, uria, tradhtia, shikojnë nga dritaret e shtëpive të tyre se si ushtarët e knjazit marshonin fitimtarë mbi kalldrëmin e tyre të vjetër. Shkodra kishte rënë. Për koincidencë më 25 prill 1479, Shkodra u bë pjesë e sundimit osman dhe pikërisht pas 434 vitesh i jepet fund sundimit osmano-shqiptar në Shkodër.

Hasan Riza Pasha - Shkodra 1913
Hasan Riza Pasha – Shkodra 1913

Ditët e fundit të luftës

Nga raportet e jezuitëve: “…Mëngjesin e 25 prillit, me largimin e turqve, në qytet hynë trupat malazeze me princ Danillin në krye. Ajo që binte në sy ndërmjet tyre ishte numri shumë i pakët i të rinjve, shenjë që rinia ishte sakrifikuar e gjitha. Tri-katër ditët e para ata u sollën shumë njerëzisht, por këto mirësjellje nuk ishin të sinqerta, sepse ushtarët filluan të vjedhin shumë shpejt në mes të ditës.
Të mërkurën, më 7 maj, arriti lajmi i gëzueshëm që Shkodra do t’u dorëzohej Fuqive të Mëdha. Këto ditë u vodhën shumë dyqane të Pazarit, e pastaj u vu zjarri në pika të ndryshme.
Malazezët e përzunë rojën, që tradicionalisht ruante pazarin, nuk shtinë më me top, sipas zakonit dhe i kthyen mbrapsht jevgjit që vraponin drejt qytetit, për të njoftuar të interesuarit. Zjarri vazhdoi gjithë ditën e natën në vazhdim dhe dëmet ishin të rënda. Veçanërisht e pësuan dyqanet e drithërave dhe të pëlhurave.
Është theksuar se ushtarët e Krajl Nikollës banë shkrumb e hi ç’ka u përkiste myslimanëve kudo nga kalonin. Famullitarët bënë të ditur se në Pejë e Gjakovë donin t’i detyronin myslimanët që të bëheshin ortodoksë dhe, mbasi ata nuk u bindën, u masakruan me qindra dhe mijëra. Kush erdhi që andej tha se në ato anë nuk gjeje më asnjë mysliman të vetëm. Madje 850 familje katolike nga tmerri i kësaj kasaphane u bënë ortodoksë. Një familje e ardhur nga Bushati në fund të prillit tregoi se, kur serbët hynë në Bushat, në Shkjez e në Trush, u shtirën sikur nuk të dallonin mes katolikëve e myslimanëve, ndonëse katolikët dalloheshin nga kryqi që mbanin me vete si edhe nga kryqet dhe figurat e shenjta që mbanin nëpër shtëpia, por ata donin të vinin dorë mbi gjithçka, sikurse ndër myslimanë. Duke dashur të mbronin gratë e veta u vranë 32 burra. Nuk u lejuan të varrosen, vetëm kur erdhi vetë personalisht Imzot Koleci, Ipeshkvi i Sapës. Serbët dogjën të gjitha shtëpitë e Bushatit. Në njerën, ku ishin 100 lopë e shumë kuaj, u vra roja, u therën kafshët dhe ç’mbeti u dogj.
Në Shkodër konstatohen zyrtarisht 37 katolikë e ortodoksë të vrarë nga gjylet e 73 të vdekur nga uria. Ndërmjet myslimanëve llogaritet që numri i të vdekurve nga bombardimet dhe uria të jetë katërfishi…”.2]

Kontrolli ndërkombëtar

Malazezët nuk patën shumë kohë që të gëzohen. Pushtimi i Shkodrës e alarmoi sakaq Austro-Hungarinë. Në ditët e para të majit Vjena kërkoi largimin e të gjitha forcave serbe apo malazeze nga territori shqiptar, i cili tashmë konsiderohej pjesë integrale e një shteti të pavarur. Serbët pranuan. Në fillim të majit trupat e mbetura në Shqipëri u imbarkuan në Durrës. Malazezët këmbëngulën disi më gjatë, por Vjena lëshoi ultimatumin: ajo do të hynte në luftë ndaj Malit të Zi nëse Cetinja nuk lëshonte Shkodrën pa vënë asnjë kusht, lirimi duhej të bëhej brenda ditës, nuk duhej të përmendej në asnjë formë ndonjë kompensim i mundshëm me territore shqiptare. Knjazi u gjunjëzua. Pushtimi i Shkodrës ishte bërë shkas që ta çonte botën drejt një konflikti të përgjithshëm. Në më pak se dy javë pasi ishin vendosur në Shkodër u kishte mbërritur urdhri për t’u larguar. Në vend të tyre në Shkodër u vendos një trupë ndërkombëtare, që do ta qeveriste qytetin derisa shteti shqiptar të ishte në gjendje ta administronte. Një vit më pas, në mars të 1914, shkodranët panë më në fund të valëvitej mbi bedenat e Rozafës, flamurin shqiptar.3]
Hasan Riza Pasha - Mbrojtja ne Tarabosh
Hasan Riza Pasha – Mbrojtja ne Tarabosh

Hasan Riza Pasha dhe Gjergj Fishta

Hasan Riza Pasha, vali e komandant i Shkodrës në periudhën 1911-13, megjithëse përfaqësues i Shtetit Osman, e çmoi shumë lart veprën “Lahuta e Malcisë”. Kështu që, propozoi që Gjergj Fishtës t’i akordohet medalja e Sulltanit, Mearif II, që gjithsesi është një mirënjohje me shumë vlerë që deri më sot, pothuajse nuk është përmendur fare.4]
Një paradigmë që shkëlqeu në madhështinë monumentale të Gjergj Fishtës, është koncepti i tij se duhet të ekzistojë te shqiptarët toleranca fetare në mes dy komuniteteve, në mes atij të krishterë dhe mysliman, gjë të cilën e ka kultivuar ky poet i letrave shqipe, duke e shprehur qoftë në veprën e tij letrare, qoftë në shkrimet teorike e publicistike. Toleranca ndërfetare komunitetesh të ndryshme me pjesëtarët e një fisi, të një gjuhe, të një historie, të një etnopsikologjie e një kolosi si ai, po veçmas të Shkodrës, ka qenë e një rëndësie të madhe për krijimin e një atmosfere mirëkuptimi dhe ndërkomunikimi të një rrethi më të gjerë qytetarësh, të një kohezioni më se të nevojshëm për të gjitha kohët, por më tepër të një kohe krizash politike apo sociale siç ka qenë Shkodra e viteve 1912-13.
Propozimi i pashait, që Fishta të përpilonte në gjuhën shqipe tekstin e një marshi që do ta këndonin ushtarët shqiptarë gjatë parakalimit
Rasti i parë ka të bëjë në raportet që kanë ndërtuar në mes tyre dy autoritete të Shkodrës: autorit të veprës “Lahuta e Malcisë” dhe valiut e komandantit të Shkodrës në periudhën 1911-13, Hasan Riza Pashës. Hasan Riza Pasha, i shkolluar në akademinë ushtarake të Stambollit dhe i specializuar në Gjermani, pas shumë vendshërbimeve, më 1911 vjen në Shkodër si vali dhe komandant i ushtrisë osmane. Megjithatë, Pasha ishte kundërshtar i Lëvizjes xhonturke dhe i shoqërisë “Bashkim e Përparim”. Edhe vetë ai, e simpatizonte mjaft lëvizjen kombëtare shqiptare, bisedonte me anëtarët e Komitetit Shqiptar, apo me anëtarët e klubit “Gjuha Shqipe” të Shkodrës. I çmonte shumë veprat e letërsisë shqiptare, sidomos ato me frymë patriotike, siç ishte poema “Lahuta e Malcisë”. Duke e vlerësuar shumë lart veprën “Lahuta e Malcisë” ndikoi që At Gjergj Fishtës, pas propozimit të Pashës, t’i akordohet medalja e Sulltanit, Mearif II. Sipas asaj që tregohet në librin “At Gjergj Fishta, libër përkujtimor” Shkodër 1941, fq. 96, thuhet se Hasan Riza Pasha, ka qenë i ftuar dhe ka shkuar në sallonin e shkollës françeskane në shfaqjen e dramës së Fishtës dhe në dalje e ka përgëzuar autorin për veprën e suksesshme, ndërsa qeverisë në Stamboll i shkruan: “Asht nevoja me e shtie në binarë e jo ma me e ndrydhë nacionalizmin shqiptar!”5]
Hasan Riza Pasha ishte për atë që shqiptarët t’i gëzojnë të gjitha të drejtat dhe liritë e një kombi, madje i nxiste ata për këto ndjenja. Në një moment, i propozoi Fishtës që të përpilonte në gjuhën shqipe tekstin e një marshi që do ta këndonin ushtarët shqiptarë gjatë parakalimit. Fishta e përpiloi tekstin dhe Pasha, siç thuhet, “ia shpërbleu njëqind fish tue ia pague strofë e lirë ari turke!”.6] Ja teksti i marshit:
Prej kah len e merr hana/ M’u çue shekulli kundra nesh
Djelm kreshnikë na ban nana/ Vetëm na iu dalim ndesh.
Të parët tanë burra çelikut/ Bota mbarë sot i nderon
Ata i binin ndesh armikut/ Si rrufeja kur veton…
 
Në rivarrimin e eshtrave të Hasan Riza Pashës, megjithëse ishte mysliman, morën pjesë të gjithë shkodranët pa dallim feje, kristianë e myslimanë. Në mes të tjerave fjalimin më elegant, më prekës, me ndjenja mirënjohje e me fjalë të zjarrta atdhetarie e mbajti At Gjergj Fishta. S’pyeti Shkodra a ishte mysliman apo i krishterë miku i Shqipërisë, strategu ushtarak osman Hasan Riza Pasha.
Më 1936, sipas propozimit të kryetarit të bashkisë, Zenel Prodanit, eshtrat e Hasan Riza Pashës, vrarë më 1913, u rivarrosën në varrezat e Komaneve. Me këtë rast, Gjergj Fishta tha: “Hasan Riza Pasha do të kujtohet si atdhetari më i mirë për shpëtimin tonë nga kthetrat e malazezëve dhe që u ba fli prej atyne që nuk deshën shpëtimin e atdheut tonë, prandaj Hasan Riza Pasha meriton të kujtohet baraz me heronjtë e kombit shqiptar”.
Fishta e shkruajti – edhe epitafin për Hasan Riza Pashën që është i gdhendur në gurin mbi varr:
Gazi Hasan Riza Pasha, burrë si motit, ushtar trim, besnik, komandant i ushtrive Osmane në Shkodër, mik i Shqipnisë e i shqiptarëve. Ndërsa Lufta Ballkanike bindte botën me mbrojtje fisnike të kalasë së Rozafatit, në 30 kallnuer 1913, e vrau një dorë tradhtare mizore. Mban këtë përmendore prej Bashkisë të Shkodrës. Shembull burrnije e për kohën t’ardhshme e kje varrosë Trimi.
Gruaja e konsullit austro-hungarez në Shkodër, Hortense von Zambaur, gjatë rrethimit malazez, shkruan në ditarin e saj se, ditën kur Shkodra për shkak të urisë dhe pas vrasjes së Hasan Riza Pashës, i cili mbante marrëdhënie shumë të mira me ta, ushtria osmane po e linte qytetin dhe në të po hynin forcat malazeze, shefi i shtabit të përgjithshëm për fortesën, Major Kiramettin Bej, kishte shkuar t’u përshëndeste me familjen e konsullit, duke u ndarë nga njëri-tjetri me lot në sy, e duke lënë pas dhimbjen e humbjes së Shkodrës dhe rrethimin e tmerrshëm të vitit 1913.7]
Monumenti në Shkodër i Hasan Riza Pashës
Monumenti në Shkodër i Hasan Riza Pashës

1] Baxhaku, Fatos, 1912-1913: Rrethimi i fundit i Shkodrës, gazeta Shqip, 18 gusht 2012.

2] Më gjerë: Bushati, Hamdi, “Shkodra dhe Motet”, Vëllimi I, Shkodër 2005.
3] Për më tepër shih: Parruca, Agim, “Shkodra bastion i qytetërimit shqiptar”, Tiranë 2003; Salleo, Ferdinando, “Shqipëria: gjashtë muaj mbretëri”, SHLK, Tiranë 2001.
4] Bushati, Hamdi, “Shkodra dhe motet”, Shkodër, 1998:451-453.
5] Po aty.
6] Po aty, 451-452.
7] Zambaur, H., Rrethimi i Shkodrës-10 tetor 1912-22 prill 1913, Shkodër, Camaj-Pipa, 2006: 122.
Abstraktet e nr. 6 (159), janar, shkurt, mars 2014 – Zani i Nalte

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.