back to top
2.5 C
Tirana
E enjte, 19 Dhjetor, 2024

Historia e një enigme… material i përgaditur nga Jozef Radi

Gazeta

Trishtim dhe humbje...
Trishtim dhe humbje…

Historia e një enigme…

material i përgaditur nga Jozef Radi

Quhem Renata Bushi, kam lindur në Tiranë, me 2 prill 1975, së paku këtë ditë e kam të regjistruar diku ndër dokumentet e pakta që posedoj, dhe jetoj prej shumë vitesh në Kastoria të Greqisë.
Për një kohë të gjatë prindët e mi kanë qenë Dhimitër Shalësi i datëlindjes 22 korrik 1939 dhe Sose Shalësi e datëlindjes 10 maj 1932. Nuk kam pasur as motra dhe as vëllezër, dhe mjaft vonë e mora vesh se ata dy njerëz që më kishin rritur nuk ishin prindët e mi të vërtetë, por prindët që më kishin adaptuar… Prej atij çasti, në ndërgjegjen time jam përpjekur shpesh në heshtje po edhe duke ëndërruar t’i gjeja prindët e mi dhe të vërtetën e tyre të braktisjes sime…
Nuk e di për ç’arsye o instinktivisht prindërve që më kanë rritur, s’u kam thënë kurrë mami dhe babi, por: plaku dhe plaka ime, dhe e përsëris se me shumë droje e me mjete krejt të pakta jam përpjekur të mësoj se cilët ishin prindët e mi të vërtetë, e cili kishte qenë fati i tyre!? Parandjeja një dramë të tyre, sepse sa herë përpiqesha të zbuloja diçka rreth tyre, përballesha me një mur të frikshëm enigme… .
Kam qenë kaq e izoluar në jetën time prej fëmije dhe kaq e mbikqyrur sa s’kisha guxuar kurrë të pyesja apo të mësoja diçka për të vërtetën e jetës sime.
Në pranverë të vitit 1991, s’e mbaj mend në ç’rrethana mora vesh se ata dy prind që më kishin rritur nuk ishin prindët e mi, bile kur këmbëngula për ta ditur të vërtetën, Sosja, plaka ime, e dalluar për një sjellje tejet të ashpër ndaj meje, në një çast më tha një të vërtetë që jo vetëm më tronditi, por ende sot mbas 30 vitesh më mban peng enigma e asaj fjale: “Mos kërko të dish asgjë. Ti je në listën e të vdekurve!”
Ka qenë data 2 korrik 1991, ishte fiks një vit mbas hyrjes në ambasada, e kujtoj si sot, mbasi isha grindur me plakën, pikërisht pse i kërkoja të vërtetën e prindërve të mi, përse më kishin braktisur, ku ishin e çfarë bënin… Sosja kishte lajmëruar nipin e saj, djalin e motrës, i cili ishte oficer, I. Toska, i cili u shfaq befas në shtëpinë tonë… Ai më ka rrahur në formën më barbare, bile në fund të drurit që më kishte dhënë, më tha kërcënueshëm se nëse herë tjetër do të vinte për këtë çështje, do ta merrte edhe pistoletën me vete…!!!
Mbasi oficeri i dhunës iku, Sosja u ndje tejet e kënaqur më atë gjendje në të cilën ndodhesha unë. Në mbrëmje, i tregova plakut se ç’më kishin ndodhur atë ditë… por mbi të gjitha i thashë që më kishte thënë se: “Unë isha në listën e të vdekurve!” Edhe këtë ta tha…?! Shqeu sytë ai… Po ç’është kjo që i thua vajzës! – i tha plaku… po Sosja as ia vari fjalës së tij…
Në atë kohë vazhdoja shkollën e mesme, i doja librat, më pëlqente të vishesha si vajzë kryeqyteti që isha. Përmes atyre dy njerëzve që pak nga pak po futesha në armiqësi përmes një misteri që ata ma fshihnin pa shumë motive. Mondin, që kishte jetuar në “Shtëpinë e fëmijës” do ta njihja përmes tyre, dhe mbas dy vitesh do të detyrohesha ta braktisja shkollën e gjithçka tjetër, si rezultat i këtij kombinacioni të tyre, Ai do të ishte fati i jetës sime. Mbas dasmës, të dy do të shkonim të jetonim në Greqi, ku vazhdoj të jetoj edhe sot…
Kështu shkuan vite e vite! Lufta për mbijetesë, fëmijët që na erdhën, dëshira për ta vazhduar shkollën e lënë përgjysëm dhe kryerja e një shkolle të lartë, mbetën epiqendra e jetës sime… po kurrë, asnjëherë nuk hoqa dorë nga interesimi për të marrë vesh të vërtetën e prindërve të mi…
Sa herë që do të vija në Shqipëri, do të interesohesha pranë institucioneve, për të kuptuar se çfarë kishte ndodhur me mua në foshnjërinë e hershme dhe si kisha mbrritur në duart e atyre dy njerëzve që më kishin rritur, duke më fshehur gjithçka, që duke qenë edhe njerëz jo fort të kulturuar urrenin tek unë, mirësjelljen, përdorjen e kujdeshme të thikës dhe pirunit, leximin e librave jashtëshkollorë, e në mënyrë të veçantë atyre sentimentalë, që disa herë m’i grisnin dhe m’i digjnin. Vetëm mbas vdekjes së Soses, në tetor të vitit 2006, mora guximin të kërkoj me kembengulje se cili kishte qenë fati dhe e vërtetë e familjes sime të vërtetë…
Fillimisht kërkova në listën e lindjeve në maternitetin e Tiranës. Me gjithë vështërsitë që ndesha, ia dola ta kontrolloja vitin 1975. Nuk më rezultoj asgjëkundi lindja ime. Çfarë të kishte ndodhur vallë?! Shkova në “Shtëpinë e Foshnjes” në Sauk, dhe megjithëse ata s’më lëshuan asnjë dokument, e s’më lanë as t’i fotografoja të dhënat e mia, aty m’u shfaq një pjesë e së vërtetës. E cila jo vetëm më tronditi, po ma ndërlikoi edhe më tepër të vërtetën dhe m’i zgjeroi pamundësitë… Vetëm aty mora vesh që emri im i regjistrimit ishte Renata Gjoka – se prindët e mi quheshin Stavri dhe Levinja Gjoka, se nëna ime kishte qenë polake… dhe se data e lindjes ishte po 2 prilli i 1975, dhe se në “Shtëpinë e Foshnjës” unë isha regjistruar në hyrje me datë 29 korrik 1976 dhe regjistruar në dalje me 31 korrik 1976?! pra në në moshën 17 muajshe kisha hyrë dhe kisha dalë prej befotrofit brenda tre ditëve…!!! Prindët adaptues kishin paraqitur kërkesën e birësimit tim me 19 shtator 1976 dhe aprovimi kishte ndodhur me 5 tetor 1976, pra mbas 15 ditësh… çfarë kishte ndodhur në këtë periudhë me prindët e mi të vërtetë, pse të më kishin braktisur, pse të dy të më kishin braktisur njëherësh, pse të më kishin sjellur në jetë kur s’më kishin dashur, e pse të më flaknin në rrugë si një krijesë e padenjë…?! Ajo që më tronditi edhe më shumë ishte fakti se nëna ime kishte qenë e huaj…!
Misteri i familjes më kishte tronditur dhe më kishte lënë për netë pa gjumë për netë të tëra, dhe si i tillë po vazhdonte…
Kështu nis peripecia ime e kërkimit të së vëretëts ku të gjithë më kanë fshehur diçka, së pari ata që më kishin rritur, së dyti edhe ata që më kishin lindur pse s’më kishin kërkuar… A s’isha unë mishi dhe gjaku i tyre…?!
Një tjetër të vërtetë që mora vesh, e që më tronditi së tepërmi, ishte fakti se me 2 prill të 1975, Levinja Gjoka (asgjëkundi s’e kam gjetur mbiemrin e saj polak) kishte qenë në hetuesi. Pra, unë kisha lindur në burg!! E pabesueshme, po babai ku ishte!? Edhe ai në burg gjithashtu! Misteri i së vërtetës kishte nisur të më grryente. Me një shoqen timë shkova sërish në maternitet, për të kërkuar nëse kishte diçka për lindjen time në emrin e Levinja Gjokës… Absolutisht asgjë… Pyetja që shtroja ishte: Mirë paskam lindur në burg, po kush ishte kujdesur nga data 2 prill 1975 deri me 29 korrik 1976?! Ku kisha jetuar, kush më kishte ushqyer, e në fund të fundit me vullnetin e kujt me kishin futur thuajse formalisht në befotrof, për të më marrë mbas 3 ditësh pa asnjë procedurë, ndërkohë që kërkesa për birësim ishte ishte bërë muaj më vonë, dhe miratur me urgjencë…!! Po ajo fjalë që ma kishte përsëritur gruaja që më kish rritur se “Ti je në listën e të vdekurve!” çfarë mesazhi kërkonte të më trasmetonte…
Çdo herë që shkoja në Shqipëri, i vetmi angazhim i imi ishte trokitja nëpër dyert e institucioneve… Duke mos qenë fort e rrahur në kësi çeshtjes shpesh bëja edhe trokitje në dyert e gabuara, artikulime jo fort të qarta, veçse gjithkund ku trokisja këmbëngulja me aq sa dija dhe aq sa mundja për t’iu afruar së vërtetës. Ato pak gjëra që merrja vesh, ishin si të thuash me pikatore. Mora vesh se nëna ime ishte dënuar me tetë vite burg, se ajo kishte mbaruar studimet për gjeologji në Poznan të Polonisë dhe së bashku me babanë tim kishin ardhur në Shqipëri… Se ishin arrestuar të dy me grupin e naftës dhe se me mbiemër Gjoka – Stavri Gjoka kishte nga Fieri, pra duhej të ishte nga Fieri?! Asgjë më shumë! As për dënimin e tij, as nëse ishte gjallë e as nëse kishte vdekur, as nëse kishte të afërm! Asgjë…!
Fillimisht u paraqita në Ministrinë e Brendëshme… Mbusha një formular vura të dhënat që dija, kërkova të vërtetën për dy prindët e mi të dënuar, dhe përgjigja më erdhi negative… Asgjë…! Bëra një kërkesë në Gjykatën e Tiranës për dosjet gjyqsore. Më priti vetë kryetari, një burrë rreth 50 vjeç, i pashëm, i sjellshëm! I shpjegova gjithçka dija bile edhe hamendësitë e mia… Më priti mirë, dhe më tha se shumë dokumente i ka prishur ‘97 dhe përmbytja e liqenit… E besova, e falenderova dhe ika…! Dikush më tha se në Arkivin e Shtetit mund të gjeja diçka, shkova shpjegova mbusha edhe aty një formular, po përgjigja sërish negative! Asgjë… Vjet trokita edhe te portat e Ministrisë së Drejtësisë, për gjyqet e mundëshme të prindërve të mi. Ishte koha që kishin hapur një kanal të madh para Ministrisë dhe dy punonjës të shërbimit më shpjeguan se aty s’kishte asgjë prej atyre çka unë kërkoja…
Si ai që ka humbur rrugën në pyll, shkova edhe te zyrat e gjendjes civile të lagjes ku kisha jetuar, te “Ali Demi”! Aty figuroja si Renata Dhimitër Shalësi – një fëmijë i adaptuar… asgjë tjetër… Të gjithë më fshihnin diçka të gjithë më përcillnin, o ndoshta edhe unë në atë vetminë time s’kam pasur as kohë dhe as përkrahje prej ndokujt së mbari, për ta gjetur të vërtetën e prindërve të mi…
E trishtuar për pamundësinë time, trokita një ditë edhe te porta e ambasadës Polake: I rrëfeva dhimbjen time: “Mos ki merak, – më thanë – do të interesohemi dhe do të lajmërojmë ne!” dhe unë vazhdoj të pres si gjithnji!
Kur s’kisha më asnjë shpresë shkova dhe trokita të Televizioni Klan… Fola me Ardit Gjebrenë, dhe stafin e punës së tij, pati mjaft entuziazëm në fillim, pastaj sikur diçka u këput u la mbas dore dhe u harrua…
Sot ndjehem e lodhur dhe e trishtë, por edhe e paepur për të vazhduar të kërkoj një të vërtetë e cila ka më shumë se 30 vjet që ma grryen jetën time…
Ku janë prindët e mi! Çfarë u ka ndodhur atyre. A jetojnë vallë? A kanë krijuar familje dhe unë kam motra e vëllezër pa e ditur këtë gjë. Cili është faji im dhe pse s’më ka kërkuar askush, prej atyre që më sollën në jetë.
Unë nuk e kam ditur se në Shqipëri ka pasur diktaturë, se në Shqipëri ka pasur krime, e se prindët e mi edhe mund të jenë pjesë e këtyre krimeve… Unë dua të di diçka për ta… Unë kërkoj ndihmën e kujtdo që të më dëshmojë diçka që edhe unë më së fundi të fle një natë me idenë se luftova dhe i gjeta prindët e mi…
Pastë bekimin e perëndisë kushdo që ma jep një ndihmë sado të vogël për të mësuar edhe unë fëmija i pafajshëm i hedhur në rrugë nga diktatura, mbas 46 vitesh jetë mbas betejës për të pasur një familjeje të qetë, të mësoj edhe diçka për fatin e prindërve të mi. Besoj se kaq e meritoj për gjitha përpjekjet e mia ndër vite!
Ju falenderoj… Renata Gjoka – Bushi!
 
.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.