back to top
13.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Historia e panjohur e prejardhjes së fikut – nga Kostandin Mosko

Gazeta

Pema dhe frutat e fikut
Pema dhe frutat e fikut

Historia e panjohur e prejardhjes së fikut

nga Kostandin Mosko

Fiku (Ficus carica L.)“Një dhuratë e Zotit”

“Nga gjithë pemët e tjera, fiku na mbiftë te dera,
Se gjersa ka shporta fiq, gjithë bota janë miq…”,
(A. Z. Çajupi)1]

Kostandin (Koço) Mosko
Kostandin (Koço) Mosko

Pas arrës, fiku është një dru frutor tradicional më i gjendur në fshatrat tona, në zonat ku rritet. Nuk ka familje në fshat të mos ketë të paktën dy-tre rrënjë të kultivuar në kopshtet ose rreth shtëpive, madje shpesh dhe në ato urbane. Gjëndet i kultivuar në blloqe si dhe spontanisht: anës lumenjëve, në përrenj dhe terrene të thyera shkëmbore, ku disa lloje janë cilësisht të mira. Në këto vende, veçanërisht në pjesën shkëmbore, si pjesë e bimësisë spontane gjëndet dhe fiku i egër (kaprifiku).
Fruti i fikut ka një përdorim tradicional e të gjerë si ushqim për njerëzit. Banorët e lashtë dhe arbërit, i kanë kushtuar vëmendje kultivimit të tij, pasi përbënte një ushqim jetik pas drithrave. Për t’u bërë ballë luftrave dhe sundimeve të gjata, banorët u shtrënguan të shfrytëzonin të gjitha burimet ushqimore që u kish dhuruar Nëna Natyrë apo, të trashëguara nga para-ardhësit e tyre.
Në periudha të vështira luftrash fiku dhe arra zëvëndësonin mungesën e bukës. Kjo u vërejt më së fundi gjatë Luftrave Ballkanike e Botërore, si dhe në vitet e para të Diktaturës, në mesin e shekullit që kaloi, kur banorët përballuan urinë e madhe “zinë e bukës”, që kish pllakosur në gjithë vendin. Krahas konsumimit të freskët, në hambarët, sepetet e sëndyqet, nënave nikoqire asnjëherë nuk mungonin çepellat, vargjet me fiq të tharë, bukëfiqet dhe arrat, “për një ditë të keqe”, për të shuar urinë e fëmijëve e gjumi të mos t’i zinte me barkun bosh.
Në bulmetoret e Diktaturës gjithçka mund të mungonte ose të qe e racionuar, ndërsa marmelata me fiq ishte një asortiment kryesor. Frutat e fikut janë më të pasura se buka në karbohidrate dhe yndyrna, është një frut për të varfërit por, edhe për të pasurit, aristokracinë. Ky frut nuk është i rëndësishëm vetëm në periudha destabilizimi e krize por, së pari është një mrekulli në tavolinat e guzhinës. Sipas studiuesve dhe arkeologjisë është nga bimët e para bujqësore që njeriu është ushqyer dhe e ka kultivuar rreth vend banimeve të herëshme të tij. Ndërsa në Shqipëri, agronomi mirënjohur e pasionant i frutikulturës, A. Çiçi (1911-2005) që në vitin 1958 ka kumtuar: “Fiku është ndër pemët kryesore që ka shoqëruar të parët tanë në gadishullin e Ballkanit”2].
Duke filluar nga vitet ’30-të të shekullit të kaluar në Shqipëri u mbuall blloqe me fiq të zgjedhur në fermat private, NB-të dhe Kooperativat Bujqësore në të gjithë vendin, si: Berat, Shkodër, Elbasan, Tiranë e kudo. Industria ushqimore përpunonte sasira të konsiderueshme por, si blloqet dhe industria përpunuese pjesërisht u shkatërruan gjat viteve 90-të të shekullit që sapo kaluam. Kultivimi i fikut në Shqipëri vazhdimisht duhet të kihet në vëmendjen e shqiptareve pasi përbën një rezervë të madhe për zhvillimin ekonomik.
Pavarësisht se në shekullin e kaluar u trumbetua me të madhe për kultivimin e fikut, u ngritën blloqe të mëdhaja rreth qyteteve, por nga të dhënat e FAO-s shikojmë se prodhimi nuk ka patur ndonjë rritje të dukshme. Tani që tregjet janë shtuar pafundësisht si për konsum të freskë dhe për produktet e përpunuara prodhimi i tij duhet të rritet. Në vitin 2012, sipas këtyre statistikave u morën 27.000 ton fiq, një rritje kjo premtuese. Në grafikun e më poshtëm është përllogaritur mesatarja e dhjetë vjeçarëve që nga vitet 1960.

Etimologji, onomastikë

Për fjalën “fik” në shqip disa gjuhëtarë mendojnë se është e huajtur nga latinishtja nga fjala “ficus”. Por, po të marrësh parasysh, siç do të shohim edhe më poshtë, fiku ka hyrë në Ballkan shumë kohë më përpara se tek romakët. Fiku nuk erdhi nga siujdhesa e Apenineve në Ballkan por, e kundërta ka ndodhur. Banorët e lashtë ballkanas e kishin një emër për këtë bimë që sot rezulton i njëjtë në të gjitha vendbanimet e shqiptarëve. Një konstatim interesant na vjen nga një studiues i cili e ka studjuar me hollësi kulturën e fikut, sepse ishte i ngarkuar nga qeveria amerikane për përhapjen e tij në Kaliforni. Gustav A. Eisen (1847-1940) natyralist dhe shkencëtar amerikan, me origjinë suedeze, ka kumtuar se: Emri sika (h σύκea) i fikut në greqisht rrjedh nga fjala pellazgjisht “fik”, shumës “fikj”3]. Sipas këtij pohimi fjala “fik” duhet të përbëjë edhe origjinën e fjalës latine “ficus”, po ashtu dhe për gjuhët e tjera moderne europiane. Fjala “fik” në shqip duhet të rrjedhi nga Fenikasit e lashtë, pasi sipas historisë ata e sollën fikun tek Pellasgët dhe në brigjat e Detit Mesdhe. Bashkëpunimi dhe tregëtia ndërmjet Pellazgëve dhe Fenikasve përmendet nga shumë historianë e studjues, si dhe nga studiuesja shqiptare Eleni Kocaqi në librin e saj “Roli Pellazgo-Ilir në Krijimin e Kombeve dhe Gjuhëve Evropiane”.
Fjalën “Fiku” e gjejmë edhe si mbiemra në shumë familje shqiptarësh në të tria besimet fetare. Gjithashtu fjalët “Fiku” apo “Fiqtë” i ndeshim si mikrotoponime në të gjitha Trevat ku banojnë shqiptarët. Nga fiku kanë marë emrin fshatrat “Fikas” në rrethin e Tiranës dhe Elbasanit.

Pema e Fikut
Pema e Fikut

Legjenda dhe mite

Njeriu me fikun si një nga bimët më të lashta janë lidhur simbiotikisht prandaj ka dhe shumë mite e legjenda për të. Në to përshkruhet diku si një bimë mistike, diku biblike apo pema e jetës, diku shërues i sëmundjeve të njeriut, si symbol i prosperitetit dhe epshit mashkullor, bimë e nëmur e diku si bimë pa vlerë, nofkë ofenduese apo për të hequr qafe kundërshtarët, etj.
Në Bibël përmendet shpesh, sidomos në librin e Zanafillës në kopshtin e Edenit. Shumë studiues ngulin këmbë se “fruti jetës” që hëngri Eva me Adamin nuk ka qenë mollë por fik. Pasi ata e hëngrën “frutin e ndaluar”, të gënjyer nga një gjarpër, rrobat e tyre u zhdukën dhe mbetën lakuriq. Për të fshehur pjesët e turpshme të trupit, organet gjenitale, ata i mbuluan ato me gjethet e fikut.4]
Bazuar në këtë mit, që nga lashtësitë e deri në mesjetë organet gjenitale të shtatoreve nëpër muzeume i mbulonin me gjethe fiku, sa që skulptorët filluan të gdhendnin gjethe fiku mbi to. Shprehja “gjethe fiku” ka marrë një kuptim metaforik negativ. Kuptohet si një mbulesë minimale për të fshehur diçka që dallohet: një veprim të turpshëm, një sjellje e pa këndshme ose një ofertë dredhi të një plani “ogurzi”, por i pa rrezikshëm.
Në Bibël thuhet se Krishti e ka nëmur bimën e fikut, sepse kur Ai po kthehesh i uritur nga një udhëtim i gjatë nëpër shkretëtirë, dalloi së largu një fik dhe shkoi për të ngrënë frutat e tij por, fiku s’kishte fruta sepse nuk ishte koha e fiqëve. I zemëruar Ai tha: “Mos i hëngërshim më frutat e tu” dhe të nesërmen ai fik u tha.5] Perëndia i ka thënë Moisiut: “Unë të kam vendosur në atë pjesë të botës ku rritet ulliri dhe fiku”! Në fenë Islame në Kuran fiku përmendet disa herë, në njerën prej tyre Muhamedi ka thënë: “Nëse unë do të dëshiroja të sillja një frut nga Parajsa, me siguri do të ishte një fik”. Në Budizëm përmendet e respektohet si bimë pasi krijuesit janë frymëzuar e kanë hedhur themelet e kësaj feje nën hijen e një fiku.
Në mitologjitë greke thuhet se Perëndeshës Demetër gjatë udhëtimeve në kërkim te vajzës së saj Persefoni, ju rezervua një pritje tepër miqësore nga Phytalos. Ajo për ta shpërblyer këtë mirësi urdhëroi që në kopshtin e tij të dali nga toka fiku, ashtu si Minerva kishte bërë për ullirin. Në një tjetër mit thuhet se Zeusi ishte duke ndjekur Ge dhe djalin e saj Sykeaus, në luftën e Titanës, Ge për të shpetuar djalin, e trasformoi në një bimë fiku, për këtë ka marrë dhe emërin qyteti antik Sykea. Për grekërit e lashtë fiku kishte një kuptim simbolik i shumimit, një pemë mit e Perëndisë epshor, dhe e adhuruesave mashkullorë. Ata thoshin se të gjitha lulet e bimëve (organet e shumimit seksual) janë të ekspozuara, ndërsa fiku i ka të fshehura. Për këte mit në festën e Dionisit ata dhuronin shporta me fiq dhe verë.
Në një legjendë romake thuhet se themeluesit e Romës, Romulus dhe Remus, ushqeheshin me qumështin e ulkonjës nën kurorën e një fiku që më pas respektohesh e vlerësohesh si nje pemë e shenjtë nga Plini dhe romakët.
Në mesjetë në disa vende europiane fjala “fik” shprehte përbuzje, nëvleftësim ose simbolizonte diçka të parëndësishme, pa vlerë. Kjo fjalë në mënyrë figurative përdorej për të poshtëruar dikë. Shprehjet “not to care a fig for one” ose “to give or make the fig” do të thotë se nuk më intereson e nuk vlen as sa një fik. Me sa duket ky opinion jo i mirë për fikun nga bashkëkombasit e tij ka ndikuar edhe tek dramaturgu V. Shekspir (1564-1616). Në veprat e tij e ka përmendur fikun si një mënyrë të fshehtë për të helmuar ose për të ofenduar një person të pa durueshëm. Tek “Henri V” thuhet: “Unë do ta helmoj atë, një fik e dërgon atë në Erebus”6] E çuditshme kjo sjellje e anglezëve ndaj fikut, në një kohë kur në Angli nuk kishte hyrë akoma, por anglezët e pëlqejnë frutin e fikut. Anglia gjat viteve 1870-1890, sipas statistikave të kohës, importonte mesatarisht 4.000-7.000 ton fiq në vit, ndërsa këto tre vitet e fundit ka importuar mesatarisht çdo vit 1500-1800 ton.
Enigmë është dhe se fruti fikut si i rrezikshëm apo sjell vdekjen përmendet edhe nga shqiptarët. Ka një shprehje të vjetër “hengri bukë me fiq dhe vdiq”, thuhet në mënyrë figurative për një njeri të padëshiruar që vdes pa pritur. Këtë shprehje e gjejmë tek veprat e A.Z. Çajupit në komedinë “Pas vdekjes”, ku thuhet: “…mund të na vijë një tel-shkrim të na lajmërojë se Haxhi Aliu hëngri buk’ e fiq e vdiq”. Ndoshta fiku në lashtësi është përdorur si karem për të helmuar dikë duke e fshehur helmin brenda frutit. Në historinë e romakëve ka thashetheme e dyshime se Perandorin Agustin e helmoi gruaja e tij Livia, duke helmatisur fiqtë në pemë.7]

Në etnofolkun shqiptar

Sipas gjurmëve në histori, që nga lashtësitë e deri në kohën tonë fiku ka qenë i lidhur ngushtë me shqiptarët. Këtë e pasqyron gjërësisht folklori: legjendat, mitet, përrallat, fjalët e urta, aforizmat, këngët popullore, etj. Gjithashtu e gjejmë në toponimet, antroponomet (mbiemra), dhe gjethet e tij, të gdhendura si element zbukurimi në objekte të ndryshme. Fikun e gjejmë shpesh edhe në krijimtarinë letrare artistike të shumë autorëve shqiptarë, veçanërisht tek ata të Rilindjes si A. Z. Çajupi, N. Frashëri, Gj. Fishta, etj., duke vjelë nga etnofolklori i pasur shqiptar.
Në një përrallë apo legjendë thuhet se një djalë i varfër donte të martohej me të bijën e mbretit, por ajo nuk pranonte. Për ta bindur, ai i bëri një dredhi duke i dhënë të hante dy fiq të zinj dhe si pasojë vajzës së mbretit i duall dy bri në ballë. Ajo vuante dhe kërkonte që t’i hiqte brirët. U shfaq përsëri djali, i dha të hante dy fiq të bardhë dhe brirët u zhdukën, kështu bija e mbretit më së fundi pranoi të martohej me djalin e varfër.
Të shumta janë shprehjet që përdoren nga shqiptarët duke përdorur fjalën “fik” në mënyrë figurative. Shprehja “sheh fiku fikun e piqet” tregon për një veprim të përsëritur nga persona të tjerë. Kjo i shkon fikut sepse pjekja e fiqëve bëhet çdo ditë dhe zgjat mbi një muaj, këtë dukuri nuk e hasim kaq të theksuar tek ndonjë pemë tjetër. “U vol fiku – vishet leshiku” është një shprehje tjetër. Kur fillon vjelia e fiqve fillon dhe të ftohtit ndaj duhen veshur triket e leshta.
Fjalën “fik” në bisedat e përditshme e ndeshim në një mozaik metaforash si: “I ka hypur fikut”/ “ra nga fiku”/ “Po nuk re nga fiku s’të vinë mentë”/ “Miq për fiq”/ “Miku fiku”/ “Pjergulla në fik të bardhë”/ “U poqën fiqtë”/ “Kur të hipi gomari në majë të fikut!”/ “Ai do që të arrijë fikun e majës”/ “Shpëtoi nëpër fiq”/ “Me mirë nën hijen e ferrës time se nën hijen e fikut tënd”/, “Mentë te fiku e fërliku”/ “U kap për dege(rrënjë) fiku”/ “Si fiku me arrën”/, e të tjera si këto që e paraqesin gjithmonë fikun në sensin e të mirës. Shumë interesante është shprehja: “Që kur arra u zëvëndësua nga fiku, iku leku, erdhi miku!”.
Në këngët popullore fiku përmendet më shumë si “dëshmues” por edhe si “pjesëmarrës” i ngjarjeve. Përmendet në të gjitha zhanret e këtyre këngeve: të dashurisë, dasmave, humoristike, qytetare, lirike madje dhe atyre epike. Po përmend disa prej tyre pasi janë si gur xhevairi në folkun tonë.

“Fiku bardhë ndanë lumit,/ Sorkadhe bijë e pëllumbit.
Sorkadhe bijë e sorkadhit,/ Kur vije përpjetë zallit…” etj.

Shkaktari qe ai fiku i bardhë aty tek ana e lumit, sigurish tani me fiq, që vjershëtori anonim befas ka takuar “sorkadhen” e tij tek zalli, dhe gëzimin e hodhi në vargje. Në një këngë tjetër thuhet:

“Prapa shtëpisë tek fiku/ Dil mike se të do miku.
Dil mike apo s’të lënë,/ Sos je yll, a sos je hënë,
Sos je mollë për të ngrënë…” etj.

Fiku ndodhej kudo, dhe atje tek udha e ngushtë:

“Te udhë e ngushtë te fiqtë/ Do vdesim të dy një ditë,
Të gëzohen inatçitë,/ Pak të tutë e shumë të mitë..” etj.

Ndërsa në një këngë popullore myzeqare thuhet:

“Kur me rrije në hije të fikut,/ Tëk me sy ja bën ashikut,
Tëk me sy, fët me qepallë/ ç’e shtive në dhe të gjallë…”etj.

Në një këngë të këngëtares shquar lirike shqiptare Tefta Tashko Koço të regjistruar në vitet 30-të të shekullit që kaloi në Paris në pllaka gramafoni thuhet:

“Zare dil tek fiku/ Po të thërret ashiku
Zare moj Sa e bukur je…!” etj.

Pra, aty tek fiqtë e kudondodhur bëheshin këto takime. Jo vetëm kaq por fiku përmendet edhe në këngët e dasmave:

“Çu mbush mali plot me fiq,/ Thotë nëneja janë miq.
Në janë miq të dalëm-o,/ Syzezën le ta marrën-o…” etj.

Në një këngë humoristike që kërcehet valle në Shqipërinë e Mesme thuhet:

“Ra Faja prej fiku,/ E, nuk e zu dekiku,
Jarina-na hopa,/ Faja ra ke gropa…” etj.

Papo, tek gropa bie kur bie prej fikut. Ka dhe një fjalë të urtë në të cilën thuhet: “Me të vra gomari e me u rrëxue prej fikut bie e s’çohesh tjetër…”.

Fiq në fazën e pjekjes
Fiq në fazën e pjekjes

Historia e kultivimit, prodhimi

Fiku për një kohë të gjatë ka qenë symbol i kulturës lindore. Studimet e një grupi shkencëtarësh izraelitë të Universitetit Bar-llan, konkludojnë se nga dëshmitë arkeologjike të gjetura në 6 vende të Lindjes Mesme (Izrael, Palestinë, Irak, Jordani, Egjypt, etj.), fiku ka qenë i kultivuar nga njerëzit 10 – 11,4 mijë vjet më parë.8] Këtu mendohet se është dhe vend origjina e tij. Fiqtë e butë origjinën e kanë nga fiku i egër që për njerëzimin ende është mister se kur dhe si u krijuan. Sipas Eisen (1901), të gjitha bimët subtropikale të kultuvuara si: fiqtë, agrumet, fistiqet, bajamja, arra, pjeshka, ulliri, kumbulla etj. kanë ardhur nga Azia Perëndimore ose Azia e Vogël, por vend origjina e tyre është gjetkë. Në luginën e Mesopotamisë midis lumit Tigër dhe Eufrat, 10 mijë vjet më parë ishin ndërtuar kopshte të shumtë origjinale agronomikë me këto bimë drufrutore dhe drithra.
Ne brigje e Mesdheut, sipas shumicës se studjuesave, ka ardhur rreth 4 mijë vjet më pare (A. P. de Candolle, 1778-1841). Thuhet se fillimisht ka depertuar në ishulli grek të Kretës i sjellë nga Fenikasit e lashtë 1600 vjet p.e.r. Fenikasit fikun dëshironin që ta mbillnin e ta përhapin më tepër nëpër kolonitë e tyre (R. Loohuizen 2010)9]. Fakte për fikun në Mesdhe janë këngët Homerike (850 vjet p.e.r) ku përmendet tri herë. Në njerën nga këto thuhet: Gjat peripecive të udhëtimit Odisesë nëpër detra për t’u kthyer në vendin e vet, në një vorbulle detare pranë ishullit ku rinte Kalipsoja, i shpëtoi mbytjes duke u kapur pas një dege fiku që kishte mbirë majë një shkëmbi. Gjithashtu poeti Archilochus (700 vjet p.e.r) shkruan se në ishullin grek Paros rritej fiku e kishte një rëndësi jetike për banorët. Fenikasit e lashtë dhe Pellasgët (para 3000 vjetësh) duhet të kenë qenë nga të parët e kultivimit dhe shpërndarjes fikut në Ballkan si dhe në brigjet perëndimore të detit Adriatik.
Grekët njifen si kultivuesit modern të fikut dhe shpërndarjes të tij në Mesdhe. Në Greqinë e Lashtë fiku vlerësohej si një frut shumë i çmuar. Solon (639-559 P.k) i cili konsiderohet dhe themelues i demokracisë athinase dekretoi një ligj që ndalonte eksportet e fiqve. Nga që athinasit e hanin shumë frutin e fikut u quajtën “sikofantë” (fiqngrënës). Në lojrat Olimpike atletëve fitues u bëheshin kurora me gjethe fiku si dhe u jipej të hanin fiq. Mbreti Persisë, Kserksi i pëlqente të hante fiq nga Atika e Greqisë. Teofrasti ka përshkruar disa kultivarë fiqësh të asaj kohe.
Senatori i Romës së lashtë Cato (234-149 P.k), duke paraqitur një fik të freskët nga Kartagjena në Senat, që simbolizonte afërsinë dhe zhvillimin e këtij shteti, kërkoi me ngulm pushtimin e saj. Më pas rodhën luftërat shkatrrimtare e djegia e Kartagjenës deri tek hedhja e kripës që mos të mbinte asgjë. Në shek. e V kur Perandoria Romake u shpërbë, fiku gjendej në gjithë vijën bregdetare të mesdheut, madje dhe në Atlantik. Në shek. e XV fiku gjëndej nga Afganistani në Portogali dhe rreth shek. XVII pothuajse në të gjithë Europën.
Në Kinë thuhet se ka depërtuar që në vitin 127 gjatë Perandorit Chang-Kien, por disa mendojnë se kjo është një mit. Raporti i parë i besueshëm është ai i shkrimtarit të njohur Le Shi-Chen në vitin 1550 dhe që nga ky vit u shpërnda në Paqësor, Japoni, Australi, etj.
Në Botën e Re ose Kontinentin Amerikan fiku fillimisht u soll nga misionarët spanjollë në Meksikë në vitin 1560. Në Kaliforni hyri në vitin 1769, ndërsa në Virgjinia që në vitin 1669 dhe që andej u shpërnda në shtetet e Karolinës, Xhorxhia, Florida, Alabama, Misisipi, Luiziana dhe Teksas. Hov të madh prodhimi i fikut mori me sjelljen nga Europa të insektit polenizues Blastophaga sp. në vitin 1899, dhe kjo mund te quhet si data e vërtë e kultivimit intesiv të fikut në këtë kontinent. SHBA-ja është sot një nga prodhesit më të mëdhej të fikut në botë (40-50 mijë ton/vit). Gjithashtu kultivohet edhe në Amerikën Qëndrore, Karaibe dhe Amerikën Jugore, ku si një prodhues i madh shquhet Brazili (20-30 mijë ton/vit). Interesant është fakti se fiku ka depërtuar në Afrikën e Jugut në shek. XIX.
Sipas statistikave të FAO-s për vitin 2012, në botë u prodhuan 1.093.189 ton fiq. Në grafik është përllogaritur prodhimi mesatar sipas 10-vjeçarëve. Shifet se prodhimi i fikut ka një rënie. Siç del dhe nga tabela prodhuesit më të medhej të fikut janë kryesisht vendet mesdhetare të cilat kanë tradita, por dhe kushte të përshtateshme klimateriko-tokësore që kërkon rritja dhe kultivimi i fikut.

Dobitë e fikut

Dobitë e fikut janë të njohura që në lashtësi. Gjatë kësaj periudhe është shquar si një bimë medicinale dhe dietike. Mbreti grek Mithridates (120-63 Pk) e kish përcaktuar fikun si një antidot për të gjitha sëmundjet tek njeriu. Plini (62-113) ka shkruar se: “fiqtë janë tonik dhe ushqim i mirë për ata që janë drobitur nga një sëmundje e gjatë, ndihmon në rimëkëmbjen e tyre. Rrit forcën në moshat e reja, ndërsa moshat e vjetra ruajnë një shëndet të mirë dhe i bëjnë të duken më të rinj dhe më me pak rrudha”.
Fiku si ushqim i freskët, por edhe i përpunuar ose i tharë ndikon dukshëm në përmirssimin e shëndetit të njeriut. Sipas studimeve bashkëkohore një dietë me fiq ndihmon në: rregullimin e presionit të gjakut, kapsllëkun, mbi peshën, parandalon sëmundjet e zemrës, dhimbjet e fytit, përmirëson jetën seksuale, antidiabetike, parandalon kancerin tek gratë, etj. Kujdes! Një përdorim i tepëruar mund të shkaktojë probleme tek njerezit që kanë infeksione në veshkat ose në fishkëzën urinare duke shkaktuar diarre.
Frutat e fikut tradicionalisht janë përdorur nga arbërit të tharë në vergje, çepella dhe për përgatitjen e bukëfiqeve, për t’i ngrënë në periudhat e vitit që mungojnë. Këto u bëheshin dhurata të afërme e miqëve si dhe përdoreshin në ditët e festave për të gostitur fëmijët, sidomos në pakot që shpërndaheshin për Vitin e Ri. Me frutat e fikut duke futur dhe fikun e egër përgatiten reçelëra të ndryshëm dhe gliko cilësore. Me to mund të nxirret raki, por nuk rezulton e një cilësie të mirë, pasi ka një erë të rëndë dhe kur pi shume shkakton dhimbje koke. Për të përmirësuar cilësinë, duhet të zihet dy-tri herë. Gjatë periudhës së diktaturës, Kooperativat Bujqësore dhe Industria Ushqimore prodhonin sasira të konsiderueshme. Pjesa më e madhe e prodhimit të fikut shkon për përpunim për përgatitjen e marmelatës, e cila ashtu si reçeli është nga më të mirat, të kërkuara, më të shendetëshmet, bio, e më të shijshmet.
Marmelata dhe reçeli i fikut kanë një përdorim të gjerë në guzhinë. Mjafton pak fantazi dhe produktet e fikut mund të përdoren për të përmirësuar shijen e shumë ushqimeve të tjera: Në akulloret, korasanet, keke të ndryshme, pasta, torta, etj. Frutat e thara të fikut austriakët i përdorin për t’i përzier me kafe, madje thuhet se kjo kafe është nga më të shijshmet dhe e shëndetshme sidomos për fëmijët.
Fiqtë që bien përdhe i hanë bagëtia e shpendët, njëkohësisht janë dhe një burim ushqimi për faunën e dobishme duke ndikuar në faktorët jetësorë të tyre. Gjethet kur fillojnë të zverdhen janë ushqim për bagëtinë, veçanërisht për kafshët e trasha. Në fshat kjo praktikë është e lashtë dhe ende vlerësohet me leverdi të madhe. Gjethja e fikut është e pasur në proteina, yndyrna, fibra, etj. Në kozmetikë, gjethja përdoret për të bërë parfume cilësore. Druri thatë i fikut në lashtësi përdorej për të ndezur zjarrin por, nuk bën zjarr të mirë, megjithatë fshatarët e përdorin edhe për ngrohje së toku me drurët e tjerë. Praktikisht nuk përdoret për ndërtime. Fiku mund te shërbejë si bimë zbukuruese dhe për hije e sjell freski rreth banesave.
Fiku në Shqipëri paraqitet një pemë frutore me leverdi e produktivitet të lartë ekonomik për fermerët, pasi siguron më shumë të ardhura për njësi të sipërfaqes se shumë dru frutorë të tjerë. Nuk kërkon shumë investime, ka çmimin e shitjes të lartë, prodhon shumë e çdo vit, fruti i freskët dhe i përpunuar është ushqim bio.

Fiqte - pikture
Fiqte – pikture

Llojet e fiqve

Në botë njihen rreth 900 lloje fiqsh (G. Grassi 1996), autorë të ndryshëm e shpien deri në 2000 këtë numër (Merrill 1943). Në Shqipëri janë kryer studime të pjesshme dhe nuk kemi ndonjë përcaktim të saktë të numrit të tyre, Agr. Abedin Çiçi ka veçuar rreth 100 lloje. Evidentimi dhe konservimi i germoplazmës së fiqve në Shqipëri ka filluar që në vitet 30-të të shek. XX. Sot janë Qendrat e Kërkimit dhe Këshillimit Bujqësor që mirren me vlerësimin e konservimin e resueseve gjenetike. Këto duhet të kenë një mbështetje të fuqishme nga shteti dhe organizmat ndërkombëtare. Kur flasim për fikun në vendin tonë, kjo bimë u përshtatet më së miri kushteve tokësore e klimaterike, ka një praktikë mijëra vjeçare, dhe llojet e tij janë nga më të mirët e më të shijëshimet në Mesdhe e më gjerë.

Fiku “Arbëresh”
Në trevat e jugut emërtohet edhe “fik Lunxhi”. Gjëndet i kultivuar në kopeshtet rreth shtëpive dhe përdoret kryesisht për ta ngrënë të freskët. Kokra ka ngjyrë të zezë, e rrumbullakët me zgjatim tek bishti, cipa plasaritet kur piqet dhe i rreziston dëmtuesve të frutave. Ky fik është nga më të mirët në Shqipëri, ka një shije të veçantë dhe të krijon një kënaqësi gjatë ngrënies. Edhe në tej pjekje, “rreshkë”, nuk i humbet vetitë, është shumë i ëmbël. Reçeli, glikoja dhe marmelata që bëhen nga këta fiq janë nga më cilësoret.

Fiqtë Vasiliko
Këta fiq gjenden kudo në kopshtet por dhe spontanisht. Ngjajnë me fikun Arbëresh dhe shpesh ngatërrohen mes tyre. Në dallim nga fiku Arbëresh këta fiq kokrrën e kanë të rrumbullakët dhe janë më pak të ëmbël, jo me cipë të plasur dhe shpesh në kohë me shira hapen çepella në degë. Banorët i përdorin për tharje, çepella, marmelatë ose për të nxjerrë raki.

Fiku bardhë
I ngjan fikut Arbëresh por, kokrrat janë me ngjyrë të bardhë ose, më mirë jeshile të zbehtë, me plasaritje të cipës , i rrumbullakët. Gjendet kryesisht në përrenjtë dhe arat në vendet me ujë të lëvizshëm si buzë lumenjëve, afër burimeve por, edhe në kopshte. Edhe ky fik është mjaft i mirë për konsumim të freskët, por banorët më shumë e përdornin për tharje në vargje. Piqet rreth 2 jave para fiqëve të tjerë.

Fiqtë çepellë, të zinj ose të bardhë
Këta lloj fiqsh janë të shumtë e gjenden kudo, kanë kokërr më të vogël se fiqtë që përmendëm më lart por, prodhojnë më shumë. Fiq çepellë ka dhe të bardhë ose jeshile e zbardhur. Fiqtë e bardhë çepellë ndodhen zakonisht të shpërndarë spontanisht kudo, ndërsa të zinjtë ndodhen edhe në kopshtet rreth shtëpive, fshatarët i kanë mbjellë qëllimisht për të bërë çepella. Zakonisht mblidhet kur hapen. Mbasi kryhet hapja, çepellat vihen për tharje në një mushama në diell në çatitë e shtëpive, oborret ose në lëminj.

Fiku i murrmë
I ngjan para-ardhësit të tij, fikut të egër, nga ngjyra dhe forma e frutit, rriten spontanisht anës lumenjëve, në përrenj, ose në pjesët shkëmbore por, toka duhet të ketë lagështi. Kanë kurorë dhe trup jo të madh, fruti mesatar formë dardhe, cipëhollë me ngjyrë të murmë violetë, prodhon shumë. Fshatarët nuk e parapëlqejnë këtë fik sepse nuk gjëndet i kultivuar afër banesave por, më herët duhet të ketë qenë i kultivuar.

Fiku Shëngjinas
Janë me kokërr të madhe, me ngjyrë violetë të mbyllur që vjen duke u zbardhur drejt bishtit, jane disa varietete. Në fshat i quajnë dhe “fiq larashë”. Japin dy prodhime në vit. Prodhimi qershorit përdoret për ngrënie dhe është mjaft i shijshëm, ndërsa prodhimi i shtatorit zakonisht bëhet çepellë. Gjëndet i kultivuar në kopshtet e fshatit. Këta fiq shpesh vinë nga shartimet mbi fiq të tjerë por edhe të mbjellë. Janë të pakët në numër.

Fiqtë e egër (kaprifiku)

Ky fik mendohet se është para-ardhësi i fiqëve të butë. Origjina e tij është nga Arabia, në Mesdhe thuhet se ka ardhur me fiqtë e tjerë. Tani është pjesë e florës spontane. Ndodhen me tepër në rrëpira dhe shkëmbinj, por edhe buzë lumit e pranë kopshteve. Në Shqipëri që lashtë janë mbjellë nga banorët së bashku me fiqtë prodhues për të bërë pllenimin (martesën e fiqëve, siç e quan populli). Japin tre prodhime në vit dhe ka disa lloje. Fshatarët këta fiq me që janë me shumicë, shpesh i shartojnë me fiq të tjerë. Frutat e këtij fiku i përdorin për të bërë gliko speciale me një shije të veçantë. Shpesh frutat e tij i bëjnë vargje dhe i vendosin në degët e një fiku prodhues që nuk frutifikon shumë, për pllenim.

Veçoritë botanike dhe biologjike

Fiku bën pjesë në gjininë Ficus e cila përbledh rreth 850 specie të ndryshme, të cilat janë kryesisht bimë tropikale dhe një pjesë e tyre rriten edhe në vendet me klimë të butë, siç është Mesdheu. Të gjitha pothuajse kanë një emër të përbashkët dhe thërriten fikus. Janë në formë peme, shkure, bimë kacavjerrëse, etj. Në Shqipëri është i njohur Fikusi (Ficus elastica Roxh.) si bimë zbukurimi në mjediset e brendëshme të banesave si: sallone, salla të ndryshme, zyra, hotele, etj.
Fiqtë prodhues janë bimë gjinodioike (lulet mashkullore dhe femërore janë të ndara në dy bimë). Sipas mënyrës së pjalmëzimit, studiuesit për efekt studimi dhe të kultivimit të tyre i kanë ndarë në tre grupime:
Fiqtë Smyrna – Janë fiqtë me lulesë femërore që pllenohen nëpërmjet grerëzës Blastophaga sp., të cilat e marrin pjalmin nga lulja mashkullore e fiqëve të egër (kaprifiqtë).
Fiqtë Calimyrna – Këtu futen fiqtë që nuk kanë nevojë për pjalmim, fruti zhvillohet sipas mënyrës partenokarpike.
Fiqtë e ndërmjetmë ose San Pedro – Këta lloj fiqësh në disa rajone nuk kanë nevojë për pjalmim, por në disa rajone të tjera pllenimi është i nevojshëm.
Fiku zakonisht është një pemë me lartësi deri në 10 m., diametri kurorës 7 m. Shkon deri në lartësitë 800 m. Trungu i bardhë, lastarët të gjelbërt dhe të lëmuar. Gjethja me 3-5 virguj, madhësi 10-20 cm., llapa e gjethes me qime kafe. Lulet janë të ndara, femërore dhe mashkullore në dy bimë të ndryshme, të mbyllura në një shtrat që quhet sikonium. Lulëzojnë në Maj-Qershor dhe fruti piqet ne Gusht-Tetor. Kaprifiku lulëzon në Mars-Prill. Duron temperaturat deri në -15oC, parapëlqen vendet e ekspozuara ndaj diellit dhe tokat të kulluara e me pH 6-7.

Veçoritë agronomike

Shtimi i fiqëve mund të bëhet me farë për qëllime shkencore. Në praktikë shumimi bëhet me copa të drunjezuara 2-3 vjeçare, shpatulla dhe kamza. Fiku ripërtrihet duke prerë trungun për nxitjen e filizave të reja, ka veti të larta rigjeneruese. Tek fiqtë aplikohen dhe shartimet me syth e kalema. Mbjellja e fidanave të rinj bëhet herët në pranverë. Bëhen krasitje për të krijuar një formë të kurorës që dëshirojmë si dhe për të ruajtur ekuilibrin midis degëve të reja dhe të vjetra. Hiqen degët e thata dhe mundësohet një ajrim e dritëzim i mirë i kurorës. Krasitjet bëhen në fund të vjeshtës dhe fillim të pranverës. Mund të bëhen unazime për të ndikuar në ekuilibrin ndërmjet frutifikimit dhe rritjes vegjetative. Mund të bëhen edhe plehërime e ndonjë ujitje kur ka thatësirë. Fiku preket nga sëmundjet e rrënjës si Rosellinia, Armellaria, Alternaria, etj. Dëmtues të fikut janë miza mesdhetare Ceratitis capitata, breshkëza, dhe nematoda gungore.
Dhjetor, 2012

Literatura:

“Kultura e Fikut në Shqipëri” A. Çiçi – Tiranë, 1956
“Flora Eskursioniste e Shqipërisë” M. Demiri – Tiranë, 1981
“Bimët Mjekësore në Familje” P. Kokalari, etj Tiranë, 1980
http://www.scribd.com/Pomologjia
M. Kislev “Science magazine” June 2, 2006
“The fig: its history, culture, and curing” Gustavus A. Eisen – Washington 1901
V. Orel “Albanian etimological Dictionary” Leiden-Boston- Koln, 1998
“Roli Pellazgo-Ilir në Krijimin e Kombeve dhe Gjuhëve Europiane” E. Kocaqi Tiranë
“Brush and Pencil” ( Vol. 16, Oct. 1905 )
Plants profile. http://plants.usda.gov/java/
“Fruits of warm climates”. Julia F. Morton, Miami, FL. 198
“Bimët dhe Shqiptarët” Lufter Xhuveli, Tiranë, 2012

Bibliografia

1]Andon Zako Çajupi (1866-1930) tek vjersha “Korriku”
2]A. Çiçi, “Kultura e Fikut në Shqipëri”, Tiranë 1958
3]The fig: its history, culture, and curing” Gustavus A. Eisen Washington 1901 (pg. 34)
4]“Brush and Pencil” ( Vol. 16, Oct. 1905 )
5] “Biblegateway Mark 11:12-25”. Biblegateway.com. Retrieved 2012-01-05.
6]Erebus – Mal me nje vullkan aktiv në Antraktidë (3794 m)
7]Agustus (63 PK- !4) – Themeluesi Perandorisë Romake, Perandori parë
8]M. Kislev “Science magazine” June 2, 2006
9]“The realm of fig and quince from mesopotamia to the maghreb” by R. Loohuizen – 2010.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.