back to top
6.5 C
Tirana
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

Historia e publikimit te “Raportit Sekret” të Hrushovit në Kongresin e XX të PK të Bashkimit Sovjetik – nga Saimir Z. Kadiu

Gazeta

Victor Grajewsky
Victor Grajevski
Historia e publikimit te “Raportit Sekret” të Hrushovit në Kongresin e XX të PK të Bashkimit Sovjetik
nga Saimir Z. Kadiu

67 vjet më parë… në Kongresin e XX të Partisë Komuniste të BS, mbajtur në Moskë nga data 14-25 shkurt 1956, Hrushov sulmon Stalinin dhe metodat e tij diktatoriale …
“Raporti sekret” u mbajt ditën e fundit të Kongresit, me 25 shkurt 1956, pa praninë e mediave.
Hrushovi propozoi gjithashtu një hetim mbi krimet e Stalinit. “Tani mund të jemi ne paditësit. Nëse heshtim, e vërteta do të dalë një ditë në shesh dhe ne do të përfundojmë në bankën e të akuzuarve”.
Raporti u bë i njohur për publikun vetëm 1 muaj më pas dhe u botua në New York Times me 5 qershor 1956.
Ishte një gazetar polak (Viktor Shpilman) me origjine hebreje që përfitoi nga dashuria me sekretaren e një zyrtari të lartë polak (Edward Ochab) për të marrë kopjen e raportit dhe më pas për ta dorëzuar në ambasadën izraelite në Varshavë dhe këta të fundit e dërguan në SHBA.
Në librin “Mossad: The Greatest Missions of the Israeli Secret Service” të autorëve Michael Bar- Zohar, Nissim Mishal jepen të gjitha detajet e “aventurës” se publikimit në Perëndim të Raportit Sekret të Hrushovit për Stalinin…
Po postoj pjesë nga ky libër…
“Në pranverën e vitit 1956, Luçia Baranovski kishte rënë “brenda” me një gazetar të hijshëm, të quajtur Viktor Grajevski. Martesa e saj me zëvendëskryeministrin e Polonisë komuniste po kalonte në një situatë të vështirë, dhe ata nuk e shihnin më mjaftueshëm njëri-tjetrin.
Luçia punonte si sekretare për Eduard Ohabin, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Komuniste Polake.
Anëtarët e stafit të tij kishin filluar të mësoheshin me vizitat e shpeshta të Viktorit simptatik tek mikesha e tij e dashur. Dhe po kështu, Luçia i kishte shprehur hapur ndjenjat e saj për djaloshin e pashëm.
Viktori ishte Kryeredaktor në Polish News Agency (PAP), i ngarkuar me çështjet sovjetike dhe europianolindore.
Ai ishte hebre, dhe emri i tij i vërtetë ishte Viktor Shpilman. Vite më parë ai i ishte bashkuar Partisë Komuniste, dhe shokët e tij i kishin thënë se një mbiemër i tillë nuk i krijonte mundësi të shkonte larg me karrierën e tij. Kështu që ai e ndërroi në Grajevski, i cili tingëllonte si mbiemër polak.
Kur Ushtria e Kuqe pushtoi Poloninë në Luftën e Dytë Botërore, ai ishte ende fëmijë. Familja e tij kishte arritur që të shkonte në Rusi dhe mezi i shpëtoi holokaustit. Pas luftës, ata u kthyen në Poloni. Në vitin 1949, prindërit e Viktorit dhe motra më e vogël e tij, emigruan në Izrael. Por ai, si një komunist i vendosur dhe i flaktë, qëndroi aty. Ishte admirues i Stalinit, dhe ëndërronte që të krijonte një parajsë të punëtorëve.
Por as shokët dhe kolegët e tij, madje as e dashura e zemrës, nuk e dinin se në zemrën e komunistit të ri kishte filluar të krijohej një zhgënjim. Në 1955 ai vizitoi familjen e tij në Izrael dhe pa një botë tjetër – një komb hebre demokratik, të lirë e të përparuar, një të ashtuquajtur ëndërr, krejtësisht ndryshe nga sa ia kishte paraqitur propaganda komuniste.
I kthyer në Poloni, 32-vjeçari Viktor filloi që të mendojë për emigrimin në Izrael. Atë mëngjes të fillimit të prillit 1956, si zakonisht, Viktori shkoi që të takojë të dashurën e tij në zyrën e Sekretarit të Përgjithshëm. Në një cep të tavolinës së punës të saj, ai pa një broshurë me kapak të kuq, të numeruar dhe që mbante logon Top Sekret.
“Çfarë është kjo?”, e pyeti atë.
“Oh, ky është fjalimi i Hrushovit”, ju përgjigj me indiferencë ajo.
Viktori ngriu. Ai kishte dëgjuar për fjalimin e Hrushovit, por nuk kishte takuar asnjë njeri që të kishte dëgjuar apo lexuar një fjali të vetme nga ai. Ishte një prej sekreteve më të mirëruajtura të bllokut komunist.
Viktori e dinte se Nikita Hrushovi, Sekretari i Përgjithshëm i plotfuqishëm i Partisë Komuniste Sovjetike, e kishte mbajtur fjalimin në Kongresin e XX-të të partisë, që ishte zhvilluar në shkurt në Kremlin. Me 25 shkurt, pak përpara mesnate, të gjithë të ftuarve të krerëve të partive komuniste të huaja iu kërkua që ta linin sallën. Në mesnatë, Hrushovi doli në podium dhe foli përpara 1400 delegatëve sovjetikë. Fjalimi i tij u tha se ishte një surprizë dhe një goditje e tmerrshme për cilindo të pranishëm.
Por çfarë kishte thënë? Sipas një gazetari amerikan që transmetoi raportimin e parë në Perëndim, fjalimi kishte zgjatur për 4 orë me radhë dhe Hrushovi kishte përshkruar në mënyrë të detajuar krimet e tmerrshme të njeriut të adhuruar nga miliona komunistë anembanë botës, Stalinit. Hrushovi, vazhdonte thashethemnaja, kishte akuzuar Stalinin për masakrimin e miliona njerëzve.
Disa thonin se teksa dëgjonin fjalimin shumë delegatë ulërinë dhe shkulën flokët prej dëshpërimit; disave ju pati rënë të fikët ose patën pësuar infarkte në zemër; të paktën dy patën kryer vetëvrasje pas asaj nate. Por asnjë fjalë rreth zbulimeve të Hrushovit nuk qe botuar nga mediat sovjetike.

Nikita Hrushov
Nikita Hrushov

Qarkullonin thashetheme dhe disa pasazhe të fjalimit u lexuan në sesione të mbyllura të organizmave më të larta të partisë. Por teksti i plotë i fjalimit ruhej si të ishte sekret shtetëror. Gazetarët e huaj i kishin thënë Viktorit se shërbimet sekrete perëndimore po bënin një përpjekje të gjithanshme për ta siguruar tekstin.
Madje CIA kishte ofruar një shpërblim prej 1 milion dollarësh. Vlerësohej se botimi i tekstit, në kulmin e Luftës së Ftohtë midis bllokut perëndimor dhe atij sovjetik mund të gjeneronte një tërmet politik dhe një krizë të paprecedent. Qindra milionë komunistë, brenda dhe jashtë Rusisë, e adhuronin verbërisht Stalinin. Ekspozimi i krimeve të tij mund ta trondiste besimin e tyre, dhe ndoshta mund të shkaktonte kolapsin e Bashkimit Sovjetik. Por të gjitha përpjekjet për ta futur në dorë fjalimin dështuan. Ai mbetej enigmë.
Më vonë Viktori mësoi se Hrushovi kishte vendosur që t’u dërgonte disa kopje të numëruara liderëve të partive komuniste në Europën Lindore. Kjo ishte mënyra se si broshura, me kapakë të kuq, kishte arritur në tavolinën e Luçias. Kur e pikasi, Viktor Grajevski pati një ide të çmendur. E pyeti Luçian që t’ia huazonte vetëm për disa orë, në mënyrë që të mund ta lexonte në shtëpi, pa gjithë zallamahinë e zyrës. Për habinë e tij, ajo pranoi. Qe e lumtur që ta kënaqte… “Mund ta marrësh”, i tha ajo, “por duhet të ma sjellësh para orës 4 pasdite, pasi më duhet ta fus në kasafortë”.
Në shtëpi, Viktori e lexoi me një frymë fjalimin. Ai ishte vërtet i mahnitshëm. Në mënyrë kurajoze dhe të pamëshirshme, Hrushovi e pati copëtuar mitin e Josif Visarionoviç Stalinit. Hrushovi kishte zbuluar se gjatë viteve të tij në pushtet Stalini kishte kryer krime të përbindshme dhe kishte urdhëruar vrasjen e milionave. Ai i kishte kujtuar audiences së tij se Lenini, babai i revolucionit bolshevik, e kishte paralajmëruar partinë kundër Stalinit. Hrushovi dënonte kultin e personalitetit të njeriut që ishte përshëndetur si “Dielli i Kombeve”.
Ai tregonte zhvendosjen e detyruar e grupeve të tëra etnike në Bashkimin Sovjetik, që kishte çuar në vdekje të panumërta; për “spastrimet e mëdha” (1936-1937), kur 1.5 milionë komunistë u arrestuan dhe 680.000 prej tyre u ekzekutuan. Prej 1996 delegatëve të Kongresit të XVII-të të Partisë, me urdhër të Stalinit u ekzekutuan 848 prej tyre, ashtu si dhe 98 prej 138 kandidatëve të Komitetit Qendror.
Hrushovi fliste gjithashtu për Komplotin e Doktorëve, akuzat e fabrikuara kundër disa doktorëve hebrenj që thuhej se kishin konspiruar për të vrarë Stalinin dhe liderë të tjerë sovjetikë. Fjalët e Hrushovit e nxirrnin Stalinin si një vrasës masiv, që kishte masakruar miliona rusë dhe të kombësive të tjera, shumë prej të cilëve komunistë besnikë. Në 4 orë, Mesia ishte tranformuar në një Përbindësh.
Fjalimi i Hrushovit i daraviti iluzionet e fundit të Viktorit rreth komunizmit dhe ai e kuptoi se kishte në duar një bombë që mund ta trondiste nga themelet kampin sovjetik. Vendosi që t’ia kthejë broshurën e kuqe Luçias, por gjatë rrugës u mendua e u mendua dhe këmbët e çuan tjetërkund: në ambasadën izraelite. Eci plot besim drejt saj, muri i policëve dhe i agjentëve të shërbimit sekret polak u hap dhe e lanë të kalonte. Pak minuta më pas gjendej në zyrën e Jaakov Barmorit, zyrtarisht Sekretar i Parë i ambasadës, por në realitet përfaqësues i Shabakut në Poloni.
Grajevski i dorëzoi broshurën e kuqe. Izraeliti e lexoi me kujdes dhe fytyra ju zbardh. “A mund të prisni pak minuta?”, i tha ai, duke u larguar nga dhoma me gjithë broshurë. U kthye pas 1 ore. Grajevski kuptoi se Barmori e kishte fotokopjuar, por nuk e pyeti. E mori, e fshehu nën pardesy dhe u largua. Arriti në kohë në zyrën e Luçias dhe ajo e futi në kasafortë. Askush nuk e bezdisi apo e pyeti rreth vizitës së tij të papritur në ambasadën izraelite. Të premten, më 13 prill 1956, herët pasdite, Zelig Kac hyri në zyrën e Amos Manorit, Drejtorit të Shabakut.
Kaci ishte asistenti personal i Manorit.
Selia qëndrore e Shabakut ndodhej në një ndërtesë të vjetër arabe në Xhafa, jo larg nga tregu i hapur piktoresk. Manori i bëri Kacit pyetjen rutinë të së premtes: “Ndonjë material nga Europa Lindore?”. E premtja ishte dita kur posta diplomatike sillte raporte nga agjentët e Shabakut përtej Perdes së Hekurt.
Me indiferencë, Zeligu i pëshpëriti se pak minuta më parë kishte marrë nga Varshava “njëfarë fjalimi të Hrushovit në Kongres…”. Manori kërceu nga karrigia. “Çfarë?”, ulëriu ai. “Sille menjëherë!” Manori, një burrë i ri, i gjatë dhe i pashëm, kishte emigruar në Izrael vetëm pak vite më parë. Artur Mendeloviç i lindur në Rumani, në një familje të pasur, u dërgua në Aushvic, ku e gjithë familja e tij – prindër, motër dhe dy vëllezër – qenë vrarë. Ai mbijetoi, duke peshuar pothuajse 45 kilogramë kur u çlirua kampi.
I kthyer në Bukuresht, ai punoi për emigracionin ilegal, duke ndihmuar që të trafikoheshin refugjatë hebrej në Palestinën e kontrolluar nga britanikët. Ai përdori emrin e tij të luftës Amos dhe disa emra të tjerë për t’i mbuluar gjurmët. Kur erdhi radha e tij për t’u larguar drejt Izraelit, në 1949, autoritetet rumune nuk e lejuan. Ai ia doli që të arratisej me një pashaportë të falsifikuar çeke me emrin Oto Stanek. Miqtë e tij e quanin “njeriu më 1000 emra”; në Izrael ai u bë Amos Manor. Ai u ngjit shpejt në hierarkinë e shërbimeve sekrete. Iseri ishte i magjepsur prej tij.
Manori ishte e kundërta e tij. Iseri i vogël, Manori i madh; Iseri i ashpër dhe i vrazhdë, Amosi tërheqës dhe i sjellshëm; Iseri nuk merrej me asnjë sport, ndërsa Manori ishte notar dhe luante futboll, tenis, volejboll; Iseri fliste rusisht dhe jidisht, Manori fliste 7 gjuhë; Iseri ishte anëtar i devotshëm i Partisë Laburiste, Amosi nuk e çante kokën për politikë; Iseri vishej thjesht, Amosi ishte i modës, dukej si europian. Por përveç gjithë kësaj, ai ishte inteligjent dhe me magjinatë. Iseri e rekrutoi atë në Shabak në 1949.
Pothuajse 4 vjet më pas, ai u emërua Drejtor nga Ben Gurioni me rekomandimin e Iserit. Gjithashtu, ai u ngarkua dhe me marrëdhëniet e fshehta të komunitetit të inteligjencës izraelite me CIA-n. Atë të premte me shi, Manori u lëshua në një grumbull dokumentash të fotokopjuara. Nuk kishte probleme për t’i lexuar: njëra nga 7 gjuhët që dinte ishte rusishtja. Duke lexuar faqet, ai kuptoi rëndësinë e madhe të fjalimit të Hrushovit. Ai mori makinën dhe nxitoi drejt shtëpisë së Ben Gurionit.
“Duhet ta lexosh këtë!”, i tha ai Kryeministrit. Ben Gurioni, i cili gjithashtu e dinte rusishten, e lexoi fjalimin. Mëngjesin tjetër, një të shtunë, ai e thirri me urgjencë Manorin. “Ky është një dokument historik, – tha ai, – dhe kjo nuk bën gjë tjetër veçse provon se në të ardhmen Rusia do të bëhet një vend demokratik”.
Iseri e mori fjalimin më 15 prill dhe menjëherë pa se mund të ishte një burim i paçmueshëm për Izraelin. Në të përfshiheshin edhe mjetet për të zgjeruar lidhjet e Mossadit me CIA-n, për herë të parë të vendosura në 1947. Në 1951, kur po vizitonte Shtetet e Bashkuara, Ben Gurioni i telefonoi Gjeneralit Uollter Bedell Smith, të cilin e kishte takuar në Europë në përfundim të Luftës së Dytë Botërore. Bedel Smithi ishte Drejtor i CIA-s dhe në pritje për t’u zëvendësuar nga Alen Dalles, një veteran i OSS-së dhe vëllai i Sekretarit të Shtetit të ardhshëm. Me ngurrim, Bedell Smithi ra dakord për të vendosur bashkëpunim të kufizuar midis CIA-s dhe Mossadit.
Elementi kryesor i një bashkëpunimi të tillë qe marrja në pyetje e izraelitëve, dhe emigrantëve sovjetikë dhe të bllokut lindor. Shumë qenë inxhinierë, teknikë, madje edhe oficerë ushtrie që kishin punuar në impiantet sovjetike apo të Traktatit të Varshavës, dhe ishin në gjendje që të jepnin informacion të detajuar lidhur me kapacitetet e ushtrive të bllokut komunist. Ky informacion përcillej në mënyrë të rregullt dhe i impresionoi amerikanët. CIA emëroi si ndërlidhës me Izraelin një figurë legjendare të saj: Xhejms Xhizus Engellton, kreu i kundërzbulimit të saj.
Engëlltoni vizitoi Izraelin dhe u njoh me krerët e shërbimeve të tij. Ai vendosi një raport miqësor me Amos Manorin, dhe kaloi disa net me shishe uiski në apartamentin e tij të vogël dydhomësh. Por kësaj radhe Iseri dhe Amosi ofruan shumë tepër se sa raportimet e emigrantëve. Ata vendosën që t’ia dorëzonin fjalimin e Hrushovit amerikanëve, jo nëpërmjet njeriut të CIA-s në Tel Aviv, por drejtëpërsëdrejti Uashingtonit. Manori i nisi me korrier special një kopje të fjalimit Izi Dorotit, përfaqësuesi i Mossadit në Shtetet e Bashkuara, i cili vrapoi drejt Lenglit dhe ia dorëzoi Engëlltonit. Më 17 prill, Engëlltoni ia solli fjalimin Alen Dallesit, dhe po atë ditë ai ndodhej në tavolinën e Presidentit Ajzenhauer.

Mossad - Sherbimi Sekret Izraelit
Mossad – Sherbimi Sekret Izraelit

Ekspertët e inteligjencës amerikane mbetën pa fjalë. Shërbimet e vogla të spiunazhit izraelit patën siguruar atë çka shërbimet gjigante e sofistikuara të Shteteve të Bashkuara, Britanisë dhe Francës nuk patën mundur ta siguronin.
Skeptik, stafi i lartë i CIA-s e shqyrtoi dokumentin me ekspertë, të cilët unanimisht konkluduan se ishte i vërtetë. Bazuar në këtë, CIA ia filtroi atë New York Times, i cili e botoi në kopertinë më 5 qershor 1956. Botimi i tij shkaktoi një tërmet të madh në botën komuniste dhe i shtyu miliona njerëz që t’ia kthenin shpinën Bashkimit Sovjetik.
Disa historianë theksojnë se revoltat spontane kundër sovjetikëve në Poloni dhe Hungari në vjeshtë u motivuan nga zbulimet e Hrushovit. Goditja e inteligjencës çoi në një përparim të madh në marrëdhëniet e Mossadit me homologun e tij amerikan dhe broshura modeste që Luçia e ëmbël ia pati treguar Viktorit bukurosh, e kishte rrethuar atë më një aureolë legjendare.
Në Varshavë askush nuk dyshoi se Viktor Grajevski kishte “kontrabanduar” fjalimin e Hrushovit në Shtetet e Bashkuara. Në janar Viktori emigroi në Izrael. Amos Manori mirënjohës, e ndihmoi që të gjente një punë në Departamentin Europiano-lindor të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Pak kohë më vonë, ai u punësua gjithashtu si redaktor dhe raportues në seksionin polak të Kol Israel, rrjetit radiofonik shtetëror.
Por shpejt i erdhi edhe një punë e tretë.
Pak kohë pasi shkoi në Izrael, ai u takua me disa diplomatë sovjetikë në një shkollë speciale ku emigrantë dhe të huaj mësonin gjuhën hebreje. Një prej diplomatëve rusë rastisi që ta takojë atë në një korridor të Ministrisë së Jashtme dhe u impresionua nga pozicioni i rëndësishëm i mbajtur nga ky emigrant i ri. Shpejt pas këtij takimi, një agjent i KGB-së u shfaq “rastësisht” në krah të Grajevskit në një rrugë të Tel Avivit. Ai bisedoi me Grajevskin dhe i kujtoi të kaluarën e tij në Poloni si antinazist dhe komunist. Më pas i bëri një ofertë: të bëhej agjent i KGB-së në Izrael.
Grajevski premtoi se do të mendohej dhe direkt vrapoi në selinë e Mossadit. “Çfarë duhet të bëj?”, pyeti ai. Njerëzit e Mossadit u kënaqën. “Mrekulli, – i thanë ata – vazhdo dhe prano!”. Ata do ta kthenin Grajevskin në një agjent të dyfishtë që do t’i ushqente rusët me informacion fals. Filloi kështu një karrierë e re dhe e gjatë për Viktorin. Për shumë vite me radhë ai i furnizoi rusët me informacion të përgatitur dhe të sajuar nga Mossadi. Kontaktet e tij të KGB-së do të takoheshin me të në pyjet rreth Jeruzalemit dhe Ramlehut, në kishat dhe manastiret ruse në Xhafa, Jeruzalem dhe Tiberias, gjatë takimeve të “rastësishme” në restorante plot me njerëz dhe pritje diplomatike.
Gjatë 14 viteve që Grajevski i kaloi si agjent i dyfishtë, sovjetikët nuk dyshuan asnjëherë se ai ishte një njeri që po i përdorte. Ata e komplimentonin gjithnjë për materialet e shkëlqyera që jepte; në selinë qëndrore të KGB-së në Moskë, thashethemnaja nxirrte që Bashkimi Sovjetik kishte një agjent të futur thellë në qarqet qeveritare izraelite.
Gjatë gjithë atyre viteve, sovjetikët i besuan Grajevskit dhe nuk e vunë asnjëherë në pikëpyetje besueshmërinë e tij. Përjashtimi ndodhi në 1967, kur e injoruan atë dhe konkluzionet e tij; për ironi të fatit, kjo qe hera e vetme kur ai dha informacion plotësisht të saktë. Gjatë “periudhës pritëse” në 1967, përpara Luftës Gjashtë Ditëshe, Presidenti egjiptian Gamal Abdel Nasser në mënyrë të gabuar besonte se Izraeli synonte të sulmonte Sirinë në muajin maj. Kështu që i grumbulloi trupat e tij në Sinai, përzuri paqeruajtësit e Kombeve të Bashkuara, mbylli ngushticat e Detit të Kuq për anijet izraeliane dhe e kërcënoi Izraelin me asgjësim.
Izraeli nuk kishte asnjë qëllim që të sulmonte dhe ishte i etur që ta parandalonte një luftë me Egjiptin. Më pas Kryeministri Eshkol i kërkoi Mossadit që të informonte sovjetikët se, nëse Egjipti nuk i anulonte masat agresive të tij, atëhere Izraeli do të niste luftën. Ai shpresonte se Bashkimi Sovjetik, i cili kishte një influencë të madhe ndaj Egjiptit, do ta ndalonte Nasserin. Grajevski i përcolli KGB-së një dokument që detajonte synimet e vërteta të Izraelit, por Bashkimi Sovjetik bëri një vlerësim të gabuar të situatës; Moska e injoroi raportimin e Grajevskit dhe e inkurajoi Nasserin në luftënxitjen e tij.
Rezultati qe që, Izraeli me një sulm paraprak, shkatërroi ushtritë e Egjiptit, Sirisë e Jordanisë, dhe pushtoi një pjesë të madhe të territorit të tyre. Gjithashtu, edhe Bashkimi Sovjetik qe humbësi i madh; armët e tij rezultuan inferiore, i hëngri premtimet e dhëna dhe dështoi që të mbështesë aleatët e tij të mundur keq.
Megjithatë, afera jetëgjatë midis Grajevskit dhe KGB-së arriti pikun e saj atë vit. Ai u thirr në takim me kontaktin e tij sovjetik në një pyll në Izraelin qendror. Agjenti i KGB-së e informoi solemnisht se qeveria sovjetike donte ta falenderonte për shërbimet e tij të devotshme dhe se kishte vendosur t’i jepte nderimin më të madh, Medaljen Lenin!
Rusi i kërkoi falje pse nuk ishte në gjendje që të vinte medaljen në gjoksin e Grajevskit në Izrael, por e siguroi se medalja mbahej për të në Moskë dhe se do ta merrte kurdoherë që të shkonte atje.
Grajevski preferoi që të qëndronte në Izrael. Në vitin 1971, ai u tërhoq nga aktiviteti i spiunazhit, por nuk u harrua.
Në vitin 2007 ai u ftua në selinë qëndrore të Shabakut, kur u prit nga një grup i përzgjedhur që përfshinte drejtorët aktualë dhe të kaluar të Shabakut dhe Mossadit, ashtu si dhe shumë miq, kolegë dhe të afërm të tij. Juval Dishkin, Drejtori i atëhershëm Shabakut, e prezantoi atë me një medalje prestigjioze për shërbimin e shquar të tij, dhe Grajevski u bë agjenti sekret i vetëm që dekorohej dy herë: nga vendi i tij, të cilit i kish shërbyer me përkushtim gjatë gjithë jetës, dhe nga armiku i vendit, të cilin ai e kishte keqinformuar dhe mashtruar, pavarësisht rreziqeve.
Një gazetar e quajti “njeriu që filloi fundin e Perandorisë Sovjetike”, por Grajevski nuk ndjehej në këtë mënyrë. “Unë nuk jam hero dhe nuk kam bërë histori”, tha ai.
“Njeriu që bëri histori qe Hrushovi. Kam bërë histori vetëm për disa orë dhe më pas rrugët tona u ndanë”.
Ai vdiq në moshën 81-vjeçare dhe ndokund në Kremlin, në një kuti të vogël të mbështjellë me kadife të kuqe, medalja e tij, me profilin e Vladimir Iliç Leninit të gdhendur në të, ndoshta pret akoma për të.”
Publikimi i plotë i raportit ne BS ndodhi vetëm në vitin 1989, nga gazeta Izvestia…
Marre nga muri i FB i Sajmir Z. Kadiu

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.