back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Historia tragjike e Dom Ejëll Kovaçit – nga Ndoc Selimi

Gazeta

Ejëll Kovaçi (1920-1958) - Pushkatuar
Ejëll Kovaçi (1920-1958) – Pushkatuar

Historia tragjike e Dom Ejëll Kovaçit

nga Ndoc Selimi

Në atë kohë u bë një roman i tipit “horror” me titull “Gjurmët çojnë në qelë”, kur sot e gjithë e kaluara e drejtësisë shqiptare (por edhe e tashmja) janë vënë në një pikëpyetje të madhe dhe në këtë kontekst lind dëshira e verifikimit në planin e drejtësisë e saktësisë se çfarë kishte ndodh në famullinë e fshatit Qelëz në vitin 1958.
Në gjyqin famkeq të organizuar nga shteti komunist pikërisht në Shkodër, si qendra e kulturës katoliko-fetare, gjykata komuniste ve në bangën e të akuzuarit njërin prej meshtarëve të veriut, Dom Ejëll Kovaçin me akuzën vrasës, imoral, hajdut e kriminel.
Ishte goditja e dytë në sfondin mbarshqiptar pas asaj të bujës së madhe të akuzimit për fshehjen e armëve në kishën e Gjuhadolit, ku e dënoncoi Pjerin Kçira, si vepër të organizuar prej Sigurimit te shtetit.
Dom Ejëlli është nga fshati Hajmel i Zadrimës, u lind me 5 Prill 1920 nga prindërit Pjetër e Shaqe Kovaçi. Ishte edhe ky i brezit të vitit 1946, kur u mbyllën seminaret në Shkodër, ku Dom Ejëlli kishte përfunduar studimet teologjike dhe u emërua famulltar në Koman. Mbas mbarimit të shërbimit detyrueshëm ushtarak emrohet në fshatin Qelëz të Pukës. Kishte guxuar të deklaronte se “Kisha Katolike Shqiptare po u shkëput nga Vatikani, duke pranuar kërkesat e qeverisë mbi Statusin, automatikisht bëhet Orthodokse, prandej ky Statut i qeverisë nuk duhet të aprovohet nga Kleri Katolik Shqiptar.”
(Dosja 2229, viti 1958, Tiranë)
Arrestohet më 1949 dhe lirohet me shpresë se ka “ndrrue” mendim… e, do të firmosë Statusin. Në qershorin e vitit 1951, nuk shkon fare në mbledhje të Klerit, kështu as nuk e firmosë dokumentin.
Në vitin 1953, e arrestojnë përsëri dhe e akuzojnë si të gjithë të tjerët për “agjitacion e propagandë kundër pushtetit…” duke i premtuar se do të lirohet nëse do të firmosë Statutin e Kishës, por këtë herë duke vënë si kusht bashkpunimin me organet e sigurimit të shtetit.
Mospranimi në mënyrë kategorike, pati si pasojë akuzat sikur kishte pasë lidhje me Pal Bibë Mirakën, kur ky i fundit operonte ndër male dhe e dënojnë me 5 vjet burg.
Në kohët mbas diktature, është pyetur shoku i maleve të Pal Bibë Mirakës, 92 vjeçari Pjetër Gjoni në lidhje me Don Ejëllin dhe ka deklaruar se asnjë nga pjestarët e familjes Mirakaj nuk e ka takuar kurrë, mbasi “…nuk kemi guxue me iu afrue kullave e banesave të tyne, se ditë e natë ata ishin të rrethueme e të ruejtuna nga ndjekja (apo sigurimi), ndërsa, për klerikë as nuk bahet fjalë, mbasi ata ishin edhe ma të ruejtun se familjarët e atyne që ishin ndër male. Të vetmit njerëz vendali me të cilët jena takue janë kenë çobajt e bagëtive që njiheshin me familjet e tyne se prej atyne, të arratisunit blenin kafshë ose bylmet e miell me pare ari në dorë… dhe emnin e Dom Ejëll Kovaçit, as nuk e kishim ndigjue kurrë..:”
Simbas dosjes 2229 të Arkivit Min. Brendëshme, me datën 21 gusht 1958, Dom Ejëll Kovaçi arrestohet për të tretën herë dhe hekuruat ia ven në duar vetë kryetari i Degës Punëve të Brendëshme: Hilmi Saiti me akuzën kriminale:
“Dom Ejëll Kovaçi, në bashkpunim me spiunët e diversantët, kanë organizuar dhe zhvilluar me qëllime terroriste natën e datës 26 nëntor 1951, brenda në kishën e katundit Qelëz, vrasjen e aktivistit të organeve të sigurimit të shtetit, shokut Mark… Ka kryer veprën e përgatitjes për t’u arratisur jashtë shtetit në bashkëpunim… Në grup me: Nik Gjon Pepa, Angjelina Kovaçi, Dodë Pal Marashi dhe Gjokë Lazër Kola…”
Ejell Kovaçi (1920-1958)
Ejell Kovaçi (1920-1958)

.

I vrari quhej Mark dhe sipas disa te dhënave punonte si operativ sigurimi në zonë. Viktima u gjet i vrarë pikërisht në vendin ku edhe ai kishte kryer një krim kohë më parë dhe ishte në gjak me njerëzit e viktimës.
Akt-akuza si dhe libri i tipit “horror” ngarkojnë me faj Dom Ejëllin, sikur ky me anën e së motrës Angje kishte tërhequr në qelë operativin e sigurimit tuj ua sjellë në pritë disa malësoreve të maleve, të cilët kishin edhe një gjak për të marrë. Sipas akt-akuzës dhe librit, mbas vrasjes në lokalet e qelës, kufoma tërhiqet natën në vendin ku ai kishte kryer krimin, por me dijeninë e praninë e famulltarit dom Engjullit.
Sipas dëshmive të sotme të fshatarëve qelzorë, pikërisht në ditën e vrasjes së operativit Mark, ishin parë disa pjestarë të sigurimit shtetit në afërsi të fshatit, bile edhe të vetë kryetarit të degës së punëve të brendëshme të Pukës, Medin Bilbili.
E gjithë kjo histori ishte një strategji e përgatitur mirë dhe një lojë me jetë njerëzish në shërbim të rendit komunist dhe të diskriminimit të kishës katolike e barinjëve të saj.
Kjo ngjarje del në evidencë pas shtatë vjetësh që kishte ndodhur vrasja dhe gjatë kësaj kohe ishte montuar edhe një skenë krimi. Në një dhomë të qelës, ku sipas sigurimit ishte kryer vrasja, hiqen dy dërrasa të dyshemesë me tre vrima plumbash, të cilat transportohen në zyrat e sigurimit në Shkodër. U aludue sikur viktima ishte shtrirë në një anë të dhomës dhe “erdhën diversantat dhe e vranë”. E gjithë kjo ishte një fantazi alla komuniste, e cila në hapësirat kohore të shtatë viteve kishte mundësi të inskenohej ashtu si e donte detyra sigurimit të shtetit.
Akt akuza përfshinte edhe fëlliqesinë më të madhe, sikur prifti kishte marrdhënje me motrën e vogël Angjën. Në kulmin e torturave çnjerzore, kur fryma hala nuk i kishte dalë, por trupi ishte i vdekur, hetuesit me në krye Hilmi Saitin përdhuni i marrin një firmë. Kjo ishte e gjitha, pastaj propoganda komuniste këtë deklaratë e përcolli deri në skutat më të largëta e deri të veshët më të shurdhët të njerëzimit duke përgatitur një terren sa ma të urrejtshëm e sa më të besueshëm për eleminimin e mëvonshem tetotal të klerit katolik shqiptar.
Motra e Dom Ejëllit, duke mos mundur mbajtjen mbi shpatulla të një turpi kaq të madh, proteston në sallën e gjyqit duke dënoncuar këtë gjyq fars si një mashtrim që i bëhej popullit në vazhdën e propogandës për eleminimin fizik të klerit e më vonë të fesë se kultit në Shqipëri. Ajo ngrihet si rrufe mbi të gjithë pa marrë parasysh urdhërat e gjykatës për të mbyllur gojën thotë:
“Trego o Dom Ejëll se si e ke pranue akuzën… kur Hilmija të kishte futë revolën në gojë dhe të thoshte: prano!”, se ndryshe t’i derdha trutë këtu në sytë e motrës tande e në atë tmerr agonie ti firmose..”
(Angje Kovaçi në sallën e gjyqit” Dosja 2229, 13, 12, 1958)
Ky deklarim kurajoz e trim i vajzës se re bëri që seanca të ndërpritej dhe ajo vetë në një gjyq tjetër special të mirrte si shpërblim 25 vjet burg me vendim të datës 13.12.1958.
Ky deklarim, edhe pse i vetëm në vorbullën marramendese të popullit turmë, solli dështimin e suksesit të këtij gjyqi!
Bariu shpirtëror i Komànit e më vonë i katundit Qelëz, Dom Ejëll Kovaçi (1920-1958) dënohet me vdekje në moshën 38 vjeçare, me vendim Nr. 12, datë 10.11.58 dhe pushkatohet mbas tri ditësh.
Edhe unë autori i këtij libri e mbaj mend deri në ditët e sotme këtë njeri të mirë që jetonte bashkë me të dy motrat Tonia dhe Angjia në famullinë e Komanit, të cilat ishin rritë jetime dhe vëllai i kishte marrë me vete, mbasi nuk kishin as shtëpi, as punë dhe jetonin si një familje e mrekullueshme.
Kujtoj me mirënjohje Tonen, e cila është edhe madrina ime e pagëzimit dhe e kresmimit.
Fshataret e Qelzës kërkojnë përsëritjen e gjyqit të të ndjerit Dom Ejëll duke hedhur në gjyq “drejtesinë” shqiptare për akuzat e padrejta që i janë bërë një njeriut të pambrojtur, bariut shpirtror të dikurshëm që u masakrua për një faj që kurrë s’e kishte kryer.


Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.