back to top
10.5 C
Tirana
E shtunë, 21 Dhjetor, 2024

Historia tragjike e familjes së njohur shkodrane – Kujxhia – nga Dashnor Kaloçi

Gazeta

Gjon Kole Kujxhia
Gjon Kole Kujxhia

Historia tragjike e familjes së njohur shkodrane Kujxhia

nga Dashnor Kaloçi

“Për t’i shpëtuar arrestimit,
dy vëllezërit, Injac dhe Viktor Kujxhia, kaluan kufirin për në Jugosllavi,
por organet e UDB-së, ia kthyen mbrapsht Sigurimit te Shtetit…”

Nëse do të na duhej të shënonim familjet shkodrane që u persekutuan nga regjimi komunist i Enver Hoxhës në periudhën 1944-1990, pa dyshim që do të rendisnim midis tyre, edhe familjen e njohur Kujxhia. Nëse do të flasim për vuajtje, të gjata dhe sfilitëse, nuk mund të mos përmendim këtë familje ndër më të njohurat e qytetit të Shkodrës, e cila përjetoi për një kohë shumë të gjatë kalvarin e vet të mundimshëm, që ra mbi të e mbi shumë familje të tjera shkodrane. Dokumentet thonë se, Kujxhiat, erdhën e u ngulën në këtë qytet në vitet e largët 1770. Kjo shihet në regjistrat e ruajtura të pagëzimeve që disponon Kisha Katolike e Shkodrës. Meqë qyteti i atëhershëm po rritej e po shtohej në numër, lulëzonte edhe artizanati. Në rastin e tyre, në punimet e zejtarisë. Kështu, brez pas brezi, këta mjeshtër zejtarë, me punën e mjeshtërinë e tyre, marrin mbiemrin Kujxhija. Kjo të lë të mendosh se ata kanë punuar si artizanë arturinash dhe bizhuterish. Zunë vend me shtëpi në një nga zonat e reja të asaj kohe; në ‘Gjuhadol’, ku pranë gjendeshin, një zinxhir kishash dhe kuvendesh katolike.

Gjon Kujxhija dhe grupi i Muzikanteve
Gjon Kujxhija dhe grupi i Muzikanteve

Një nga burrat më në zë të kësaj shtëpie të madhe, që në fillim të shekullit të XX-të, përmendet Kolë Kujxhija, një njeri me reputacion të madh në qytet, i cili ishte zgjedhur kryeplak i zonës që, fillonte nga Gjuhadoli e, shkonte deri tek Arra e Madhe. Kola, rezulton si një njeri me rreth shoqëror të zgjeruar, gjë e cila shihej nga miqësitë që ai kishte, kryesisht me Klerin Katolik e, me françeskanët e mëdhenj, si Padër Gjergj Fishta, Anton Harapi, Vinçnes Prenushi etj. Shtëpia e familjes Kujxhija, është diku rreth 50 metra larg me Kuvendin Françeskan. Kola nuk trashëgoi zanatin e të parëve si kujxhi, por merrej me tregti, me italianët, në realitetin e ri të një qyteti që pësoi shndërrime të forta në modernitetin e pas Luftës së Parë Botërore. Por, nuk i gëzoi shumë frytet e punës së tij, pasi vdiq në mënyrë të papritur, në moshën 52 vjeçare, në vitin 1938.
Familja Kujxhija nuk u angazhua në politikë, as me Mbretin Zog i Parë e, as me Nolin, as me italianët, gjermanët apo komunistët, si shumë familje të tjera. Por vuajtjet e kësaj familje, fillojnë pas vitit 1944, menjëherë pas ardhjes në pushtet të komunistëve të Enver Hoxhës. Gjatë viteve të gjata e të mundimshme të atij regjimi komunist, tre djemtë e saj: Zefi, Viktori dhe Injaci, vuajtën gjithsej 34 vite burg politik.
Ata provuan tortura të rënda fizike dhe psikologjike, por do të mbijetonin me nder e me dinjitet, duke qëndruar burrërisht, për të mos tradhëtuar vlerat e familjes së tyre dhe idealet të cilave u besonin, e gjithashtu shokët e miqtë, brenda dhe jashtë burgjeve, e duke ruajtur emrin e mirë të tyre personalisht dhe të familjes.
Zefi, më i madhi, lindi në vitin 1911 dhe pasi kreu shkollën tregtare, ai filloi të punonte me të atin në dyqan, duke tregtuar materiale ndërtimi. Zefi u bë i zoti i shtëpisë në moshën 25 vjeçare, pas vdekjes së Kolës, ku vazhdoi të punonte në dyqanin që i kishte lënë babai.
Pas vendosjes së diktaturës komuniste, në vitin 1944, filluan problemet e para për Zefin. Sigurimi i Shtetit e arrestoi atë në vitin 1946, me akuzën: “për pjesëmarrje në Lëvizjen e Postribës”. Në atë kohë ai ishte vetëm 36 vjeçar dhe u dënua me pesë vite burg. I gjithë procesi hetimor dhe gjyqësor ishte i sajuar me deponime dhe dëshmi false, nën presionin e tmerrshëm të terrorit të shtetit komunist për atë ngjarje.
Një mikut të tij, (andej nga vitet e fundit të jetës), Zefi i konfidon se, ndërsa ka qenë i arrestuar e i mbajtur në shtëpinë kthyer ne burg të Pjetër Çurçisë, një natë e kanë çuar në këmbë deri tek varrezat e Rrëmajit, bashkë me të tjerë. I kanë vënë para murit të pushkatimeve dhe i kërkojnë që të pranojnë fajin, se do t’i falnin, përndryshe, do t’i pushkatonin aty. Ai, bashkë me të tjerët, thanë se; nuk kanë se çfarë të thonin, pasi akuzat që u bëheshin nuk ishin të vërteta.

Vllaznit Viktor dhe Injac Kujxhija
Vllaznit Viktor dhe Injac Kujxhija

Atëherë, në terrin e pas mesnatës, skuadra e pushkatimit qëlloi me pushkë në ajër për t’i frikësuar ata. Tmerri i vdekjes bie mbi ta dhe atë lojë makabre terrori psikologjik, ata nuk do ta harronin gjatë të gjithë jetës. Vuajti tre vite e gjysmë burgim, në burgun e Shkodrës, ku u përball me dhunën shtypëse fizike dhe psikologjike nga Sigurimi i Shtetit dhe Hetuesia. Kjo qe një goditje e rëndë për të e për të gjithë familjen, sepse përveç se u konsiderua familje kundër regjimit, burgosja e Zefit, krijoi probleme të rënda ekonomike në familjen e tyre, pasi nuk punonte krahu i punës, që e mbante atë.
Pas daljes nga burgu, në vitin 1950, atij i mbyllën dyqanin, kështu që ishte i detyruar të hynte në punë në një ndërmarrje shtetërore, ku priste xhama, sepse tjetër punë, nuk e lejuan të bënte. Ky do të mbetej zanati i tij, prej atyre ditëve e, gjatë gjithë jetës së tij. Zefi nuk u martua asnjëherë dhe iu kushtua familjes, si vëllai më i madh, duke zëvendësuar rolin e babait, ndaj vëllezërve e motrave, deri sa mbylli sytë përgjithmonë në vitin 1985.
Ndoci, djali i dytë i familjes Kujxhia, pasi kreu klasat e para në shkollat fillore, që drejtoheshin nga Kleri Katolik, shkoi për të studiuar më tej, në “Normalen” e Elbasanit, ku u diplomua me vlerësimet maksimale. Pas kësaj ai u bë një mësues shumë i zoti dhe me emër në të gjithë zonën e Shkodrës. Ai ishte i pajisur me një kulturë të gjerë intelektuale e pedagogjike dhe të gjithë jetën ia kushtoi mësimit dhe edukimit të rinisë në rrethin e Shkodrës.
Ai ishte, gjithashtu, një njohës i mirë i muzikës dhe një instrumentist shumë i zoti. Ndoci, edhe pse nuk u burgos apo u internua, u përball gjatë gjithë jetës së tij me, shmangien, izolimin, refuzimin dhe me pasojat e të qenit vëllai i të dënuarve politikë, si kundërshtarë të regjimit në fuqi. Kola ndërroi jetë në vitin 1981 dhe me ardhjen e demokracisë, ai u vlerësua nga Presidenti i Republikës, me titullin: “Mësues i Popullit”, për kontributin që dha në fushën e arsimit.

Gjon Kujxhija me te motren
Gjon Kujxhija me te motren

Çeçilja, vajza e parë e familjes Kujxhia, kreu shkollën e Murgeshave Saleziane në qytetin Shkodrës, që ishte një shkollë për vajza, shumë e përparuar për kohën, ku ajo spikati për zgjuarsinë e saj në mësime e në sjellje. Ajo u martua me doktor Pjetër Prelën, një mjek i shquar, që studimet e mesme i kishte mbaruar në Stamboll e më pas kishte kryer universitetin e Mjekësisë në Paris. Dr. Pjetër Prela, ishte i pari që solli dhe instaloi në Shqipëri, (nga Parisi), aparatin e radiografisë Rëntgen, për vizitat, kryesisht mushkëritë.
Ai i shërbeu pacientëve të varfër që, nuk kishin para për t’u vizituar dhe ai i kreu këto kontrolle, në shumicën rasteve falas. Ky aparat, i shërbeu popullit të Shkodrës dhe rrethinave, ndërsa në periudhën e regjimit komunist, u instalua në Sanatoriumin e Shkodrës. Meqenëse Çeçilja dhe Dr. Pjetër Prela, nuk patën fëmijë, ato sakrifikuan jetën dhe pasurinë e tyre, për të mbajtur nëpër burgje vëllezërit, Viktor dhe Injac. Çeçilja jetoi gjatë dhe ndërroi jetë në Shkodër në vitin 2006.
Gjoni, ishte njëri nga djemtë e familjes, i cili mbaroi shkollën fillore në Kuvendin Françeskan, ku u dallua që herët për prirjen dhe talentin e tij për muzikë. Ishte një ndër nxënësit më të talentuar të At Martin Gjokës, i cili, me gjeninë e tij, krijoi breza të tërë muzikantësh, muzikologësh dhe kompozitorësh, si: Prenk Jakova, Çesk Zadeja, Tonin Harapi, etj.
Pas studimeve në Shkodër, Gjoni siguroi një bursë studimi për në Konservatorin e Muzikës “Luigi Cherubini”, në Firence. Gjatë studimeve, ai filloi të merrej edhe me mbledhjen e folklorit muzikor të Shqipërisë. Shkroi dy vepra muzikore, që konsiderohen si veprat e para në fushën e etno-muzikologjisë shqiptare: “Valle Kombëtare” dhe “Haengu Shkodran”, njërën prej të cilave e botoi në Firence, në vitin 1942, kurse tjetra, njohu dritën e botimit vetëm në vitin 2019, në Tiranë.

Vllaznit Kujxhija (mbas daljes nga burgu
Vllaznit Kujxhija (mbas daljes nga burgu

Fatkeqësisht, jeta e tij u ndërpre shumë herët, në vitin 1943, në moshën 23 vjeçare nga një bombardim i qytetit të Firenzes, nga aviacioni i ushtrisë aleatët anglo-amerikane. Asokohe, popullsia e Firences ishte e bindur se aleatët nuk do të hidhnin bomba mbi kryeqytetin e kulturës italiane dhe një ndër qytetet më me vlerë artistike dhe arkitektonike të botës.
Thuhet se të shumtë ishin ata që nuk e morën seriozisht kërcënimin për bombardime nga ajri, mes tyre dhe Gjoni, i cili në këtë kohë po studionte në pianoforten e tij e nuk i dha rëndësi sirenave. Kjo qe një humbje e madhe për familjen, të afërmit, e gjithashtu për etno-muzikologjinë shqiptare. Pa dyshim që edhe arti shqiptar, humbi një filiz shumë premtues.
Gjyljana, lindi në vitin 1923 dhe pasi kreu shkollën e mesme Pedagogjike dhe, si i vëllai Ndoci, u emërua mësuese larg qytetit të Shkodrës. Mirëpo, sipas zakoneve dhe mentalitetit të kohës, ishte e vështirë të pranohej nga familja që, një vajzë e re, të shkonte me punë larg shtëpisë. Ajo u martua pak më vonë me Pjerin Bushatin, i cili ishte një burrë shumë i kulturuar.
Pjerini, në rininë e tij, kishte qenë sekretari personal i poetit e studiuesit Dom Ndre Mjeda, dhe pastaj studioi në Firence, për Letërsi dhe Pedagogji, e më pas edhe për Farmaceutikë. Ai ishte një mësues dhe një koleg për breza të tërë farmacistësh në qytetin e Shkodrës. Pjerini ndërroi jetë në vitin 1991, kurse Gjyljana, në vitin 2008, të dy në qytetin e Shkodrës.
Viktori, lindi në vitin 1930 dhe shkollën fillore dhe të mesme, i bëri në shkollën Françeskane, në lagjen “Gjuhadol”. Pas mbylljes së kësaj shkolle, u transferua në gjimnazin e shtetit. Ai ishte një djalë shtatlartë, i hijshëm dhe elegant, i edukuar, por dhe shumë guximtar, gjë që do t’i kushtonte rëndë gjatë të gjithë jetës së tij, për shkak të persekutimit të egër nga regjimi komunist. Duke qenë një antikomunist i lindur, ai filloi që në moshën e rinisë së tij, që të shfaqte interes në mënyrë autodidakte, për çështje të politikës së brendshme dhe të politikës botërore.
Si rezultat, Viktori u përjashtua nga gjimnazi në vitin 1946, sepse së bashku me disa shokë të tij, organizoi, grupe rinore antikomuniste, që shpërndanin trakte me përmbajtje antikomuniste, nëpër qytetin e Shkodrës. Gjithashtu ata organizuan, ceremoninë e varrimit të Argjipeshkvit të Shkodrës, Imzot Gaspër Thaçit, në muajin maj të atij viti, në kundërshtim të hapur me urdhrin e Seksionit të Mbrojtjes së Popullit, e të Sigurimit te Shtetit.
Viktori u arrestua nga Sigurimi i Shtetit së bashku me një grup shokësh e shoqesh, ku bënin pjesë: Injac Serreqi, Gjon Kovaçi, Çesk Hilgega, Ana Daja, Elez Nurja, Liza Pali, Albert Çoba, etj. Gjatë procesit hetimor, ata akuzohen për pjesëmarrje në organizatë rinore antikomuniste, që kryenin aktivitet në rekrutimin e rinisë dhe hedhjen e trakteve kundër pushtetit komunist, në bashkëpunim me klerikët: At Donat Kurti, Dom Mark Hasi dhe Dom Anton Muzaj.
Ai iu nënshtrua një hetuesie të rëndë nga hetuesi i kësaj dosjeje P.K., me prokuror Hysë Zaja, duke mos marrë parasysh moshën e re 17 vjeçare. Pas kësaj, Viktorit i’u dha një dënim prej dhjetë vitesh burg, (me gjithë përpjekjet serioze të avokatit mbrojtës, Dr. Qemal Shehi), me një trup gjykues që kryesohej nga Misto Bllaci. Ai vuajti vetëm tre vite e gjysmë, sepse përfitoi lirim të parakohshëm, nga amnistia që u dha në atë kohë nga regjimi komunist, për shkak të moshës së re.
Pasi doli nga burgu, Viktori rifilloi jetën, duke punuar si punëtor krahu, ku t’i dilte mundësia për punë, si në SMT, (Stacioni i Makina dhe Traktorëve), në një ndërmarrje bujqësore në fshatin Kukël, që ishte shumë larg qytetit të Shkodrës, ku ishte i detyruar të shkonte e të kthehej çdo ditë, me orë të tëra udhëtimi. Viktori ishte një njeri me një rreth të gjerë miqësor, që gëzonte respekt tek shokët, pasi karakterizohej nga një sedër shumë e fortë dhe të gjithë e njihnin si një njeri shumë të ndershëm. Meqë nuk u lejua të vazhdonte shkollën, ai u formua në mënyrë autodidakte.
Nisi të studionte literaturë të ndryshme dhe gjuhë të huaja, si: italisht, frëngjisht dhe anglisht. Jeta e kishte privuar nga elementet më minimalë për një djalë të ri, shumë të aftë intelektualisht e shpirtërisht, për shkak të njollës në biografi, si ish i burgosur politik e që survejohej në mënyrë të vazhdueshme nga agjentët dhe bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit. Në këto kushte të vështira, ai vendos që të arratisej jashtë Shqipërisë, bashkë me vëllain e vogël, Injacin, pasi morën informacion se në atë periudhë, regjimi komunist, nuk internonte familjet e të arratisurve.
Fillimisht, ishin katër shokë që bënë planet dhe shfaqën dëshirën të arratiseshin së bashku, ku përveç Viktorit dhe Injacit, ishte edhe Tom Prel Zefi dhe Niko Kirka, (nga Korça), që donte të bashkohej me babanë e tij, Kristo Kirka, i cili ishte ndër themeluesit e diasporës shqiptare në SHBA-ës. Tom Zefi, i kërkoi ndihmë një fshatari nga Lezha, për t’i kaluar në kufi, por kjo nuk ndodhi, për shkak se ai person u pa me shumë dyshime nga të katër shokët dhe ata u detyruan e ndërprenë çdo kontakt me të.
(Nga dokumentet arkivore të zbuluara pas rënies së regjimit komunist fshatari rezultoi të ishte bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit dhe me pseudonimin “Brigada Heroike”). Në këto kushte, kur plani i tyre dështoi dhe me arrestimin e njërit prej shokëve, Viktori me Injacin, ndryshuan planin dhe nga frika se do të arrestoheshin shpejt edhe ata, vendosën të iknin nga Velipoja. Kështu, në prill të vitit 1957, Viktori bashkë me Injacin u nisën nga Shkodra në drejtim të Velipojës, ku pjesën më të madhe të rrugës e bënë në këmbë.
Pasi arritën në afërsi të derdhjes së lumit Buna, hipën në një barkë, (siç kishin rënë dakord me një fshatar të zonës), i cili i nxori në tokën Jugosllave, duke i kërkuar që ata të rrinin në ujë, derisa ai të kthehej përsëri me barkë në tokën shqiptare, për të mos u kapur nga rojet kufitare. Pasi panë që varka dhe personi që i nxori u kthye në tokën shqiptare, të dy dolën dhe ecën në thellësi të tokës Jugosllave dhe, duke mos njohur terrenin, ranë në dorë të rojave kufitare Jugosllave.

Ne familjen Kujxhija
Ne familjen Kujxhija

Organet jugosllave të kufirit dhe ato të UDB-së, pasi i morën në pyetje për një ditë të tërë, pasi fillimisht dyshuan se janë agjentë të dërguar nga Sigurimi i Shtetit Shqiptar – tentuan t’i rekrutonin si agjentë jugosllavë, në shkëmbim të lejimit të qëndrimit në Jugosllavi, gjë që nuk u pranua në asnjë mënyrë nga të dy vëllezërit, me pretendimin se nuk merreshin me politikë, por po iknin për arsye ekonomike dhe shëndetësore, pasi Injaci kishte shpatullën të dëmtuar dhe nuk mund të mjekohej në Shqipëri. Ata deklaruan se duan të shkonin të jetonin tek vëllai i tyre në SHBA-ës, por fatkeqësisht, pasi i mbajtën afro 15 orë, organet përkatëse jugosllave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, i kthyen e u a dorëzuan rojave kufitare shqiptare.
Këtu filloi kalvari i vuajtjeve të rënda, me tortura të tmerrshme, ndaj të dyve. Në përfundim të hetuesisë, Viktori u dënua me 20 vite burgim dhe Injaci me 15, me vendim të Gjykatës Ushtarake, me prokuror Mina Niço dhe me një trup gjykues të kryesuar nga Llazi Polena me ndihmesa të tij, Belul Shabani dhe Pilo Rapaj. Përfaqësuesi i mbrojtjes ishte avokati i njohur, Pjerin Koliqi, i cili shpalosi gjithë aftësitë e tij juridike për mbrojtjen e Viktorit dhe të Injacit, por pa asnjë rezultat, pasi profesioni i avokatit, asokohe ishte krejt formal.
Ishte Hetuesia që varej prej Sigurimit të Shtetit, që kishte rolin kryesor në sajimin e akuzave false dhe “vërtetimin” e tyre, me anë të torturave më çnjerëzore fizike e psikologjike. Pas ankimimit të vendimit, Gjykata e Lartë Ushtarake, në kryesimin e famëkeqit Aranit Çela, Loni Dimoshi dhe Sotir Spiro e, prokuror Faik Minarolli, la në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkodrës. Kështu Viktori vuajti 17.5 vjet burg politik, fillimisht në burgun e Shkodrës dhe pjesën tjetër, në burgun famëkeq të Burrelit.
Gjatë viteve të burgimit të gjatë, në një pjesë të të cilit të dy vëllezërit ndenjën bashkë, (gjë që ua lehtësoi sadopak vuajtjet), Viktori pati probleme të rënda shëndetësore, deri pamundësi të pjesshme lëvizjes, por ndihma e vëllait dhe e shokëve, si dhe mosha e re, bënë që ai të riaftësohej e të shërohej.
Edhe pse shumë i rezervuar për të mos treguar historitë e vuajtjeve në familje, (për të mos lënduar familjarët me ngjarje të tmerrshme që kishte përjetuar dhe ato tragjike të shokëve që kishte parë e përjetuar), në bisedat me shokët e miqtë e afërt, ai tregonte shumë ngjarje, ku i ishte nënshtruar torturave nga më çnjerëzoret, sidomos gjatë hetuesisë, që ishte kryer nga hetuesit e Sigurimit të Shtetit, Xhafer Rraboshta, Xhevdet Miloti, Ali Xhunga dhe major Asim Aliko, nën drejtimin e funksionarit kryesor të Sigurimit në rrethin e Shkodrës, Nasi Nako.
At Zef Pllumi, në librin e tij “Rrno vetëm për me tregua”, sjell një episod, ku thotë: “Ah, Viktor Kujxhija, nuk do t’i harroj kurrë ulërimat që dilnin prej trupit tënd djaloshar, njashtu i torturuem, varun në furkën e Bedenit, porsi Krishti i lidhun n’kryq!” Gjatë periudhës së viteve të burgimit të gjatë, ai i’u përkushtua letërsisë dhe mësimit të thelluar të gjuhëve të huaja, sidomos frëngjishtes, nga ku edhe përktheu veprën “Historia e Anglisë” e shkrimtarit dhe historianit të njohur francez, Andre Maurois.
Gjatë periudhës së burgut, ai krijoi miqësi të ngushtë me shumë të dënuar bashkëvuajtës nga krahina të ndryshme të Shqipërisë, ku mund të përmendim disa prej tyre, si: Shyqyri Gruda, Dom Nikollë Mazreku, Ejëll Çoba, Pjetër Arbnori, Gjon Lala, At Konrad Gjolaj, Gjon Parubi, (nga Shkodra), Gjin Pjeter Doçi nga Mirdita, Abdulla Sallaku nga Tirana, Dr. Ylli Xhagjika nga Korça, Prelë Syku nga Bragu i Matës së rrethit të Lezhës etj. Viktori u lirua nga burgu në nëntor 1974. Kjo përbente një gëzim të madh për të dhe për të gjithë familjen e rrethin e tyre shoqëror.
Në vitin 1976, Viktori u martua me Irena Dukagjinin, e liruar nga internimi nga Savra e Lushnjës, tre vite më parë dhe ata patën dy fëmijë: një djalë dhe një vajzë. Pas lirimit, Viktori filloi të punonte si hekurkthyes (një punë shumë e rëndë fizike), por ishte e vetmja gjë që e lejuan të bënte. Punët e rënda, në kushte të vështira e me orë të gjata, bënë efektin e vet, duke i shkaktuar probleme te rënda shëndetësore.
Viktori vdiq në vitin 1988, duke lënë gruan e dy fëmijët e vegjël si dhe një boshllëk të madh në familjen e në të gjithë të afërmit. U përcoll në banesën e fundit me një funeral me pjesëmarrje të jashtëzakonshme, për shkak të respektit dhe ndjeshmërisë që kishte krijuar jeta e tij, por edhe vdekja e tij e parakohshme.
Injaci, djali e fëmija i fundit i familjes, lindi në vitin, 1932. Që në fëmijëri, ai filloi të tregonte shkathtësi e inteligjencë, gjë të cilat e karakterizuan gjithë jetën. I ati e la jetim në moshën 5-6 vjeç dhe ai u rrit nga nëna e vëllezërit e mëdhenj. Gjatë adoleshencës dhe rinisë së tij, ai ishte shumë i pasionuar pas muzikës dhe nisur nga ky fakt, ai mbasi kreu shkollën në Kolegjin Françeskan në qytetin e Shkodrës, në vitin 1948, shkoi në Liceun Artistik, “Jordan Misja” në Tiranë.

Familja Kujxhija në formën ma të plotë të saj
Familja Kujxhija në formën ma të plotë të saj

Aty mundi të qëndronte vetëm 10 muaj (ku studio piano dhe violonçel), mbasi u mësua biografia e tij familjare (se kishte dy vëllezër në burgjet politike), ai u përjashtua nga të gjitha shkollat, duke i ndërprerë në mes rrugën e dijes e të formimit të tij muzikor dhe mjaft premtues. Kjo e detyroi të kthehej në Shkodër, ku iu desh të bënte punë të rënda, në (Fabrikën e Tullave), duke vazhduar edhe mësimet në shkollën e natës, pa shkëputje nga puna.
Në vitet 1950-1952, Injaci kreu shërbimin e detyrueshëm ushtarak dhe u dërgua në repartet e Xhenjos apo, siç njiheshin ndryshe nën zë, si: kampet e punës së detyruar, (pasi pak gjë i dallonte nga kampet e burgjet), ku asokohe e deri në shembjen e regjimit komunist në vitin 1990, aty dërgoheshin kontingjente ushtarësh me “biografi të keqe” dhe “arma” e vetme e tyre, ishin kazma dhe lopata. Puna ishte aq e rëndë saqë, për të përfituar disa ditë raporte mjekësore dhe pushim, Injaci, por edhe të tjerë, detyroheshin të bënin edhe akte të paimagjinueshme, si thyerja e gishtave të dorës, apo nxjerrja e shpatullës.
Aty, u bashkua me disa shokë të tij, që vinin nga “familje reaksionare”, si: Tonin Kovaçi, Albert Çoba, Viktor Dosti, Xhahid Xhaferi etj, të gjithë, bij të familjeve të prekura politikisht. Pasi mbaroi ushtrinë, Injaci u rikthye në Shkodër, ku u përball me një situatë të rëndë ekonomike-familjare e, me një presion në rritje nga mbikëqyrjet dhe spiunimet e njerëzve të future nga Sigurimi i Shtetit.
Në këto kushte, e vetmja mundësi për të shpëtuar nga ai ferr i vërtetë që po ja ngushtonte lakun dita ditës, ishte arratisja jashtë shtetit, drejt botës së lirë. Por siç theksuam pak më lart, arratisja dhe kthimi nga autoritetet jugosllave, i kushtoi edhe Injacit rreth 100 ditë hetuesi shumë të rëndë, nga të njëjtët hetues të Sigurimit të Shtetit, (të njohur për dhunën që ushtronin ndaj të arrestuarave), që hetuan bashkërisht Injacin dhe Viktorin.
Përfundimisht, Injaci u dënua me 15 vjet burg politik, nga të cilat, 8 vjet e 6 muaj, i vuajti në burgun famëkeq të Burrelit. Ai u lirua në vitin 1965, si pasojë e një amnistie të dhënë asokohe nga regjimi komunist, për vitet e mbetura të dënimit. Gjatë periudhës së burgut, Njaci mësoi disa gjuhë të huaja, si: anglisht, italisht, frëngjisht e pak gjermanisht. Përpiloi dy fjalorë: anglisht-shqip e, frëngjisht-shqip, (në dorëshkrim), duke përdorur disa letra të vogla të cilat i mblidhte gjatë vizitave ndër vite, që i sillnin familjaret, dhe të tjera që i mblidhte nga shokët e dhomës.
Shkroi edhe disa poezi e bëri disa përkthime nga italishtja e gjermanishtja, të cilat ruhen në dorëshkrim nga familja. Pas daljes nga burgu, i detyruar nga gjendja shumë e vështirë ekonomike e familjes, Injaci filloi të bënte punë të ndryshme. Ishte një njeri që i kishte duart e arta dhe ishte i aftë për çfarëdolloj pune. Vlen për t’u përmendur, një punë e realizuar prej tij, që ishte një kukull prej gipsi ose allçie, që u pranua si zbukurim në Komitetin Ekzekutiv të rrethit të Shkodrës të asaj kohe, por kur u mor vesh që ishte bërë nga Injac Kujxhija, u hoq menjëherë nga vendi ku ishte ekspozuar.
Pas shumë përpjekjeve, hyri në punë në Ndërmarrjen Industriale të Prodhime e më vonë në Kombinatin e Përpunim Drurit, ku punoi derisa doli në pension. Në vitin 1978, Injaci u martua me Marije Toskën dhe pati një vajze. Gjatë viteve të demokracisë, ai nisi një jetë aktive sociale, kur mori pjesë në shumë aktivitete që kishin të bënin me aktivitete përkujtimore të krimeve të komunizmit. Po kështu, Injaci ishte një person aktiv që në themelimin e Shoqatës Kombëtare të ish-të Burgosurve dhe Përndjekurve Politikë të Shqipërisë për degën e Shkodrës. Ai vdiq në vitin 2013, në moshën 81 vjeçare.

Marrë nga Memorie.al

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.