back to top
13.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Homazh mikut tim, Ramadan Musliut – nga Shaip Beqiri

Gazeta

Dan Musliu (1954-2020)
Dan Musliu (1954-2020)

Zgavrat e Çerekshekullit

nga Shaip Beqiri

Homazh mikut tim, Ramadan Musliut (1954 – 2020)

Nga ditët e para të mërgimit tim, para plot njëzet e pesë vjetësh, kur pati dhënë grahmën Anton Pashku, matanë kësaj bote kanë kaluar dhjeta miq të mi, ndër më të dashurit e të shtrenjtët, kurse sot asaj Çete të Ndritur iu bashkua edhe Ramadan Musliu.
Nuk e kisha menduar që premtimin në fund të një teksti për librin e tij të fundit të poezisë, shkruar para gati një vjeti, do të më duhej ta bëja duke e vazhduar me përkujtimin në ditën e grahmës së tij.
Më takoi fati të qëndroja e krijoja midis miqsh e shkrimtarësh të jashtëzakonshëm të dy brezave krijues të Kosovës; tek i pari qenë: T. Dervishi, B. Musliu e Y. Shkreli, kurse tek i dyti: A. Mala, R. Musliu e A. Konushevci. Deri tash mallin e pjesëtarëve të afërt të këtyre dy brezave krijues, tok me shumë të tjerë, sa herë vija këtu, e hiqja deri në fund vetëm me R. Musliun; atje vazhdoj ta bëj ende me Y. Shkrelin e papërëritshëm.
Ikja e poetit të jashtëzakonshëm dhe kritikut e studiuesit ndër më seriozët e të thellët që kishin letrat shqipe, më ngriu fjalën në grykë!
Gllamnik, 22 Tetor 2020
.

Poeti pa gjani

Nuk ka ndonjë libër që leximin e parë ia kam bërë me një shpërqendrim kaq të habitshëm si këtij të mikut tim të vjetër, Ramadan Musliut (31.05.1954 – 22.10.2020), me titull “Gjendje neutrale”. Qe pikërisht labirinti i asaj gjendjeje që më mbërtheu duke më nxënë frymën, duke më shtrënguar të braktisja leximin derisa të kapërceja gjendjen pa ajër!
Në më se dyzet vjetët e shkrimit të poezisë së tij, me një përkushtim të rrallë, si askush tjetër ndër ne, Ramadan Musliu ka bërë shpalimin e thellë të një bote jashtëzakonisht të pasur e shumë të veçantë poetike. Ai së voni ka botuar librin e vet të pestë të lirikës. I spikatur që në hapin e tij të parë prej poeti të formatit të jashtëzakonshëm me librin “Parodia e trupit” (1981), ai ka ndjekur një jetë të tërë me konsekuencë udhën e vet të poezisë pothuaj pa kurrfarë gjanish (amplitudash), rëniesh e as ngjitjesh. Ai nuk kishte kërkuar udhë, nuk kishte bredhur një çast të vetëm në rropatje iluzore midis yjsh të tjerë; sepse përcaktimi i tij ishte i qartë: të bënte vetë, me fuqitë e tij të pashtershme krijuese, galaktikën vetanake të poezisë, duke ia lënë asaj përherë hapësirën e domosdoshme për përmbushje e përkryerje.
Ramadan Musliu ka qëndruar përherë larg zhurmës shurdhues të trumbetave të vjershëtarëve, të cilët mjeshtërinë e vështirë të artit të poezisë prej kohësh kishin zënë ta servirnin ndër ahengje të çdollojshëm, duke e shndërruar shkëlqimin e brendshëm të artit mijëvjeçar në reklamë të ditës që ngryset para se të gdhijë! Me qëndrimin e tij plot finesë, me qetësinë e hyjnueshme të një poeti që e ke të vështirë t’i gjesh një të dytë të ngjashëm, Musliu vetvetishëm u bë mburoja etike e tërë një opusi me vlera të papërsëritshme estetike. Kjo harmoni, në shkallë kaq të lartë e të gjerë, kam përshtypjen se më mirë se askujt i rri Ramadan Musliut.
Shënimin tim do ta vazhdoj ndërmjet çdo leximi e rileximi… Në të vërtetë, që të jem pak më i saktë, gjithnjë e më shpesh rilexoj; rrallë, tepër rrallë mund t’i shkoj ndonjë leximi të ri deri në fund…
Bern, 31 Tetor 2019

Ramadan Musliu
Ramadan Musliu

Katër Poezi nga Ramadan Musliu

Hamleti i Danimarkës sime të vockël

Duart
Si dy degë me copa akulli
ranë nga trungu
në dyshemenë e mbuluar me gjethe
duart e këputura
në mes. Një dhembje që s’pushon
përdridhet si spirale
nëpër asht
Të therurat nga palca
përzihen me të kuqtë e gjakut
që është ngrirë mbi gjethe
Vetëm gishti i vogël lëviz
si kokë e këputur zogu
tek përpëlitet nëpër baltë
Një gjilpërë e akullt rri pezull
mbi bebzën e shuar
kur dielli ka marrë trajtën e një amebe:
ndahet në njëmijë qeliza të vdekura
për një sekondë
Ato ende mbledhin gjethet e ankthit
nëpër dyshemenë
e shtruar me pllakëza gjaku
diku
në një cep të një ëndrre
.

Gjendje neutrale

Lufta ime e fundit me veten time mbaroi
Me pat. Zbrita shkallëve në bodrum
ku më kish zënë gjumi. Çelësin e pata përbi
dhe s’pata më si të dal. Duart
i harrova në bedene mbështetur
për heshte tek vigjëloja retë e pluhurit
të kalorësisë që kurrë nuk do të arrijë.
Edhe në ëndërr më dhemb në shpirt
teksa ai nëpër vrimën e çelësit përvidhet
në astral. Një gjilpërë e harruar
më ther në palcë dhe askush s’më dëgjon.
Vetëm jehona e klithjes shndërrohet në spirale
dhe më mbështillet nëpër asht.
Një dritë jeshile vjen nga syri im
në abazhur. Nëpër fushën e ballit hingëllojnë
kuajt duke u tërhequr zvarrë
nëpër orenditë e pluhurosura
teksa koha grindet me rrudhat
në trurin e lodhur për haloret e flokëve
të mi. Anash shkëmbinjtë e shpellës
me stalagmite me therin në zemër. Euridika
qan për këngën e mbetur përgjysmë. I mbyllur mbeta
në ëndërr dhe nuk mund të zbres në pus
çelësin e humbur për ta gjetur
në një guaskë.
.
Ramadan Musliu, Kasem Trebeshina e te tjere
Ramadan Musliu, Kasem Trebeshina e te tjere

Akti absurd

Dëgjoja në radio
lajmet mbi kohën e turbullt
dhe zërat që fikeshin qetësisht
nga butoni nën gishtërinj
Doja të dilja nga realiteti paralel
nga ajo membranë e hollë
e gjërave pa formë
doja të dilja nga lëkura
me një të mbyllur të syve
Nuk e dua më rolin kryesor
ne këtë skenë pa dërrasat
që përbëjnë jetën
nuk dua më ta luaj Hamletin
në Danimarkën time të vockël 4 x 4
Zvarrë dola nga dhoma
duke lënë
një copë absurdi teatror
të derdhur kudo nëpër dërrasa
Më mirë është të mos jesh
se i ndarë në dysh
me atë membranë të hollë
mes sendeve
dhe fjalëve.
 .

Gozhda e ndryshkur

Në një gozhdë të ndryshkur
varur është portreti i heroit
në gravurë
Në sfondin gri
duket një vend
nga vijnë luftëtarët e rralluar
prej betejave
të pashënuara
në histori
Aty më nuk kris pushk’e vjetër
as teret barot’i lagur
as mburojat
hiqen më
nga ku janë varur në mur
Edhe gishti
në qark i pushkës së vjetër
i ngrirë
ka mbetur
në atë kornizë
Në këtë gravurë
çdo burrë
me bërryla
hyn në histori
e çdo grua
qëndisë
flamurin me shkabën
pa krahë
derisa një ditë
të lakohet
ajo gozhdë e ngulur
në murin e vajit
.
Nga libri i fundit i poezisë i Ramadan Musliut “Gjendje neutrale”, 2019
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.