back to top
-0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Homerët mbretërojnë të verbër… esse nga Jozef Radi – 90 vjetori i Lindjes së Kasem Trebeshinës

Gazeta

Kasem Trebeshina në studion e tij... qershor 2016
Kasem Trebeshina në studion e tij… qershor 2016

Homerët mbretërojnë të verbër…

esse nga Jozef Radi

90 vjetori i Lindjes së Kasem Trebeshinës

Pakkush e di nëse Kasem Trebeshina është njeri apo legjendë urbane; nëse është shkrimtar apo nji i mallkuar i letërsisë shqipe; nëse është nji disident i heshtur apo njeri që u ka shërbyer konjukturave të pushtetit…!? E gjitha kjo vazhdon të ndodhë, sepse pakkush ka guxuar të lexojë qetësisht veprën e tij e të krijojë nji mendim të vetin rreth kësaj vepre, (ndër më të vëllimshmet dhe më modernet e letërsisë shqipe); sepse pakkujt i ka lindur në mendje që këtij njeriu dhe artisti vetmitar, ne si shoqëri dhe si komb i mbetemi borxh, së pari si moslexues të veprës së tij dhe, së dyti si paragjykues të përndritur e të paprinciptë të asaj çka është thurur e shpërndarë me aq kujdes prej Katakombeve të Gjirizit… Sot ai mund të krahasohet me Poradecin e Madh, që të gjithë e dinin të vdekur, ndërsa ai jetonte ditët e Harrimit dhe Braktisjes… Pra ne jemi thjesht: “Vdis… të të shohësh sa të duam!!”
Po nejse, në kët ditë të sotme sekush le ta ruajë me kujdes të keqen e vet, unë të keqen time ndaj Tij, s’mund ta ruaj, do ta shkruaj në kët përvjetor të 90-të të lindjes së tij, e të kremtuar pothuaj në heshtje institucionale! Sepse nuk dëshiroj t’u bashkohem atyre që dikur i thurnin lavde me zulme, nga pozitat e asgjësë; e sot me heshtje të zulmshme, tregojnë mjerimin e gjithçkasë së tyre… Unë, do të ndalem të rrëfej nji mbrëmje vere në shtëpinë e të Verbërit më të Përndritur të këtij vendi: Kasem Trebeshinës!
Dashuritë e kësaj bote më shumë se fjalë janë gjeste… edhe ky i imi gjest dashurie dua të jetë, i njëtrajtësisë sime ndër kohra ndaj nji shkrimtari që e kam fort për zemër, mbasi kam kaluar nëpër duar jo vetëm pjesën më të rëndësishme të veprës së tij, por se herë mbas here jemi ndodhur përballë dhe kemi folur për gjithçka mund të flitet për letrat shqipe e më gjerë, për aq sa na lejonte ajo kohë dhe mundësi e përbashkët…
Shtëpia e Kasëm Trebeshinës, ndodhet diku midis Përroit të Lanës dhe rrugës “Myslym Shyri”, dhe zakonisht aty pakkush shkel. I lodhur prej keqdashsisë, shpirtit vetmitar të shkrimtarit, po edhe moshës së shtyre, Ai s’ka fort dëshirë të presë, as të flasë, as të rrëfejë më… “mbasi detyrën time e quaj të kryer” – thotë ai; aq më pak nëse bëhet fjalë për gazetarë a media, të cilat kurrë s’e trajtuan figurën e tij në lartësinë e dinjitetit që ai përfaqëson, e as në përmasat e shkrimtarit, si lëvrues i gjithë gjinive të artit të fjalës; pse kurrë veprat e tij letrare, intervistat, apo edhe vetë Ai simbol i antikonformizmit, nuk u trajtuan si vlerë a frymë e nji shoqërie që donte të shkëputej nga e Keqja, duke e lejuar që edhe Ai, luftëtar i betejave në terren dhe në frymë; Ai, idealisti i nji bote më të mirë e më njerzore të mos mbetej i Përjashtuari i Madh prej të gjithëve… duke u lënë qëllimshëm jashtë kohe e jashtë vendi, dhe në një komunikim tejet të paktë, të sipërfaqshëm dhe përçmues me bashkkohësinë…
Prej vitesh, Stoiku i Betejave të Pafundme, e ka humbur pak nga pak shikimin, dhe sot në të Nëntëdhjetat e tij është pothuaj një i Verbër i Madh. Nuk i sheh më as ata që s’e deshën, as ata që e duan, as ata që e urrejnë përtej urrejtjes… Ai veç prehet në ndjesi… dhe qëndron i ngujuar në tempullin e tij, dhe çelet paksa kur dallon rreth vetes ca zëra miqsorë, që në kujtesën e tij të pashembullt, i sjellin paksa vegime drite…

Sot ditët e tij janë pothuaj të heshtura! Ai dëgjon vetëm muzikë! Muzikë klasike… të gjithë të mëdhenjtë e muzikës në kufjet e veta, i qetë i heshtur pa trazuar askënd… Jeton në nji heshtje të magjishme para Heshtjes së Madhe…  dhe duket sikur në verbërinë e tij, fjala (si e shkruara edhe e folura) e kanë humbur tashmë kuptimin, ka mbetur vetëm hyjnorja e muzikës, që s’ka nevojë për sy, veç për shpirt… dhe Ai, shkrimtari i shpirtit rrebel, ka bërë paqe me miqtë dhe armiqtë, me diktaturën dhe pjellat e saj, me botën dhe veten, me dritat dhe errësirën e kësaj jete…

Kasem Trebeshina dhe Jozef Radi
Kasem Trebeshina dhe Jozef Radi

Mbrëmjen e 17 qershorit, së bashku me miken time Anila Xhekaliun, mbasi ishim ngatërrruar jo pak nëpër labirinthet uniforme të pallateve mbas Kinema Dajtit, ngjitëm të djersitur katet e pallatit të Kasem Trebeshinës.
Gjyshi (kështu e thërrasin në shtëpi) na priti në heshtje, me atë brishtësinë e trupit të tij si prej sportisti, mirësinë e nji të urti të lashtë dhe verbërinë e bukur si prej Homeri. Lëshoi nji buzëqeshje aq të ëmbël e pa adresë, duke e zgjeruar shumfish at dhomë të vogël pritjeje ku u ulëm.
Kisha trokitur me dhjetra herë në portën e tij, qëkur jemi njohur, po kohrat e fundit Ai asnjiherë s’qe aty… “Është te e bija, jeton atje!” – ishte nji përgjigje e familjarëve ose e komshinjëve. Kësaj here ishte aty, me të birin, Artanin.
Dhe kisha jo vetëm mall, po edhe nji dhimbje të trishtë, sepse e dija që Ai s’më shihte më si dikur, vetëm do të më ndjente… E shtrëngova fort, sepse të verbërit duke i shtrënguar fort, kuptojnë nëse të kanë ose jo pjesë të vetvetes…
“Zakonisht flet pak o s’flet fare!” – më kish thënë i biri.
“Eh!  – i thashë – Mos ki merak Tan… Do të përpiqem ta zgjoj!” (Homerët mjafton t’i zgjosh, pastaj duhen vetëm veshë t’i dëgjosh në ligjërimin e tyre…!)
Dhe biseda nisi ashtu ëmbël e shtruar… U fol për botë të largëta, për lindjen dhe vdekjen, për personazhe, për libra që janë botuar dhe ata që dalin së shpejti, për libra që presin në dorëshkrime, në këmbë si ushtarët në bibliotekën e tij, për letërsinë shqipe dhe letërsinë e madhe, për politikën veç sa u rrëshqit, për gjenitë dhe kohën e tyre, për heshtjen dhe muzikën, për krijimet e fundit…
Trebeshina është i nji kujtese të pashoqe! Ai përmend qindra data, ngjarje, emra e personazhe, dhe biseda e tij merr nji dinamikë të tillë, sa ti harron moshën e tij… dhe Ai flet gjëra të thella, kurse unë i bëj shenjë Anilës, të mbajë ndonjë shënim… Ajo me gjest më thotë: “Mos ki merak, se kujdesem unë…!”
E ndërsa bie fjala te politika, ai bën nji gjest refuzimi, po nuk harron të nënvizojë se: “Nëse shkrimtari merret me politikë, veprat e tij nuk mund të jenë tjetër veçse pamflete politike.” dhe se Belinski ka thënë: “Nëse ke menduar të shitesh, mundohu të shitesh sa më shtrenjtë, veç mos harro se artit, i ke thënë përgjithmonë lamtumirë!”

Trebeshina- Xhekaliu - Radi - Qershor 2016
Trebeshina- Xhekaliu – Radi – Qershor 2016

Nuk mund të mos ndalesha te romani epope “Kënga Shqiptare”, i cili mbetet nga veprat më të rëndësishme të letërsisë shqipe, por ajo nuk përfaqëson thelbin e Trebeshinës si shkrimtar. Është e vërtetë, – na thotë – por te “Kënga” unë kam dashur të theksoj me realizëm rolin e gruas shqiptare përmes tre personazheve femra: Ferideja – që përfaqëson femrën heroike; Fatimeja – që përfaqëson femrën tragjike; dhe e fundit Qerimeja – që përfaqëson femrën e përjetshme, e cila edhe kur gjithçka është e humbur, ajo kujdeset për vazhdimësinë e jetës…”
Ai hesht për pak dhe veç kur kthehet: “Vazhdoj ta dua letërsinë, pse gjithë jetën jam përpjekur që letërsia shqipe, të mos ndjehej as e vogël dhe as e turpëruar para letërsive të mëdha si ajo franceze, ruse, gjermane, angleze apo italiane… dhe jam i bindur se deridiku letërsia më e mirë shqipe ia ka mbrritur kësaj gjëje!”
Pa u shkëputur nga fryma e gruas në romanin “Kënga…” ai nënvizon sërish se: “Gruaja vjen me mision të përcaktuar natyral në këtë botë. Burri me mision të përcaktuar nga ai vetë. Misioni i shkrimtarit ngjan me misionin e femrës, me shpirtin femëror. Dhe se vetëm Profeti dhe Artisti i tejkalojnë misionet!”
Biseda tashma është futur në të thellë të botëve e të letrave, ku Ai e gjen me vend e qetësisht flet për librin e tij ende të pabotuar “Planetiada”, nji vepër në 8 vëllime me rreth 2100 faqe, ku në formë moderne jepet krejt historia e botës, nga lindja në perëndimin e njeriut, mbasi: “Vetëm fantazia njerëzore mund të krijojë mbretëritë e qiejve”!
“Ajo çka më ka bërë më shumë përshtypje, – thotë Trebeshina, – është fakti që Padër Meshkalla në burg dhe, nji kritik francez mbasi pa nji dramë timen në Francë, më kanë theksuar të njejtën gjë: “Ju keni nji pesimizëm optimist… zoti Trebeshina?!” Kjo më ka habitur! Si është e mundur që dy njerëz pa ndonjë lidhje mes tyre, kishin mbrritur në të njëjtën pikë vlerësimi… duke shtuar se: “unë e jepja komedinë me gjuhën e tragjedisë, dhe tragjedinë me gjuhën e komedisë!!”
Biseda i ngjan nji deti që shpaloset qetë në muzg… Kanë kaluar pothuaj dy orë intensive, dhe Trebeshina ka nisur të ndjehet paksa i lodhur… E shoh në sy Anilën, si për t’i thënë që është çati të ngrihemi; ndërsa i biri na bën shenjë, që gjithçka ka shkuar aq mirë e aq bukur, dhe se ajo mbrëmje është nga të rrallat, ku ai ka pasur nji shkëlqim të vërtetë…
Ndërsa bëjmë disa foto të përbashkëta kujtimesh, ai vazhdon ashtu qetë bisedën e lënë në mes: “Filozofi, shkencëtari dhe shkrimtari nuk kanë nevojë për besim… Ata e krijojnë besimin!” dhe se shpesh e kam këshilluar veten: “Po u ndjeve i lodhur duke punuar nji vepër artistike, lëre, sepse lodhja të shfaqet në vepër…”
Ndërsa bëhemi gati të dalim, e përqafova fort Njeriun-mit, i cili at mbrëmje mesqershori na kishte dhënë nji leksion të madh dashurie për artin dhe jetën… Nuk e di nëse do të mund ta shihnim e të flisnim gjatë sa atë mbrëmje, po për nji gjë ishim të sigurt… Ai ishte brenda nesh!

Trebeshina dhe i biri Artani
Trebeshina dhe i biri Artani – Qershor 2016

Nën dritat dhe zhurmat e rrugës “Myslym Shyri” përpiqeshim të kujtonim shumë prej atyre detajeve, nëpër të cilat na kishte shetitur Ai, shkrimtari i braktisur, i cili antikonformizmin e tij e kish paguar dhe vazhdonte ta pagonte me nji armiqësi të skajme, e që edhe në jubileun e tij të 90, pakkush qe kujtuar ta përcillte ashtu si ai e meritonte… Anila më kujtoi se vetëm Shtëpia Botuese “Buzuku” e Kosovës, me Abdullah Zenelin, hedhin në qarkullim disa vepra te reja të Trebeshinës ne kët vit jubilar, mes tyre edhe “Dafinat e Thara” nji autobiografi e autorit! E vetmja shkëndijë drite për Trebeshinën… dhe për ca kohë vazhduam në heshtje… sepse fjalët nuk kishin asnji kuptim!
E megjithatë, Ai ndjehej i qetë, solemn, shpërfillës, kokfortë, i paepur… Ai është bindur se raportin me bashkkohësinë edhe mund ta quaj të humbur, po kurrë atë me përjetësinë… Dhe s’mund të linte pa nënvizuar atë çka thotë Gëtja se: “Koha e humbur në art, nuk fitohet kurrë!”. Unë jam përpjekur, të mos e humb kohën e artit tim! Dhe kujtuam poezinë e tij të fundit, shkruar diku nga janari i këtij viti, duke ia diktuar mbesës së tij… si për të na dëshmuar që arti jetonte edhe përtej verbërisë së tij, ndoshta më shumë në verbërinë e asaj kohe që s’po gjente sy për ta parë veten!!!
Është e vërtetë: “Homerët mbretërojnë të verbër!”, përsërita me vete, dhe ajo natë qershori, na kishte ofruar nji grimcë të asaj së vërtete…
13 qershor – 6 gusht 2016

Related Images:

More articles

1 Koment

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.