back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Homerizmi i Fishtës – nga Artan Kafexhiu

Gazeta

Gjergj Fishta (1866-1940)
Gjergj Fishta (1866-1940)

Homerizmi i Fishtës

nga Artan Kafexhiu

Gjergj Fishta, siç nuk harron të na e kujtojë një nga studiuesit e rreptë të tij, Arshi Pipa, ishte malcor prej lindjeje. Pavarsisht origjinës së tij zadrimore, ai mbrriti atje, ku nuk kishte mujtë me mbrritë asnji prej paraardhësve, apo bashkëkohësve të tij. Për së gjalli, ai e ngriti veten aq lart, sa me u njoftë si poeti laureat kombëtar. 
Urdhëri françeskan, të cilit ai, parasëgjithash i përkiste, kishte arritë të depërtonte në vatrën e çdo familje malcore katolike. Arsyeja ishte e thjeshtë, ishte urdhëri i të varfërve, ashtu siç ishin malcorët në përgjithësi. Së fundmi, shumica e fretënve ishin të lindur, e të rritur në malci, pra ishin vendas. Si të tillë, sëbashku me bashkëvendasit, me të cilët ndanin atë bereqetin e pakët, mjaftonin mësimet bazë të doktrinës kristiane, për të ruajtur besimin në fenë katolike të të parëve të tyre. Pjesa tjetër e jetës së këtij komuniteti ishte ruajtja dhe vazhdimësia e traditave, një univers i moçëm krejt më vete, dikur i kodifikuar deri në detaje, e që humbiste në thellësinë e shekujve. Përpjekja për mbijetesë, nuk ishte vetëm me varfërinë. Ekzistenca e tyre mbetej gjithmonë e kërcënuar prej dyndjeve sllave apo sunduesve osmanë; kjo i bëri malcorët ta gjejnë veten në vijën e parë të flamurit të nacionalizmit, ku fretënit françeskanë u bënë udhëheqësit e tyre. (A.Pipa). 
Ishin këta fretër, që u bënë të parët mbledhës të traditës orale dhe kanunit. Shembujt më të shenjuar ishin fretënit Gjeçovi, Palaj, Kurti, të gjithë malcorë. Së toku, u mblodhën rreth Hyllit të Dritës, të drejtuar nga Patër Fishta. Mjafton të shfletosh faqet e kësaj reviste, për të kuptuar rolin e këtyre fretërve si mbledhësit e parë të folklorit oral dhe kanoneve social-ekonomike të jetës malcore. Vetë Fishta nuk ishte mbledhës folklori, por ai siç dëshmon vepra e tij, kishte diçka po aq të vlefshme. Një dhunti, forcën krijuese, talentin e poetit dhe shkrimtarit për të kultivuar traditën epike orale, me e përdorë atë si lëndë të parë në krijmtarinë e tij artistike, për të na sjellë kryevepra si Lahuta e Malcisë. 
Gjergj Fishta pati modele të herëshme, si mbledhës të traditës orale dhe si krijues të kultivimit të saj. Ndër ta ishin edhe kroatët A. Kaçiç-Miosiç dhe A. G. Martiç, (S. E. Mann) që patën kontribuar në mbledhjen e folklorit gojor të sllavëve të jugut. Është interesant fakti që Kaçiç, i cili jetoi në shekullin e 18-të ishte po ashtu, një frat françeskan, i cili nuk u mjaftua me mbledhjen e folklorit gojor. Me përjashtime të vogla, shumica e vargjeve të sjellura në veprën e tij, janë krijime veçse të tijat të mbështetura në këngët e traditën gojore sllave. Këtu qëndron edhe ndryshimi thelbësor midis kroatit Kaçiç dhe Fishtës tonë. Kaçiç nuk hezitoi t’i ndryshoi këngët epike të traditës, që t’i përgjigjej narrativës historike sipas një sfondi historik të sajuar, e siç ai dëshironte ta tregonte. Të njëjtën gjë kishte bëri edhe poeti tjetër kroat Ivan Mažuranić në poemën e tij epike “Vdekja e Smail Agë Çengiçit”. Mažuranić, aktit të rëndomtë të hakmarrjes, vrasjen në një pusi të agait të një lokaliteti malazez, një turku mysliman, krejt i pacipë, një shfrytëzues i pamëshirshëm i fshatarëve të varfër malazezë, i jep ngjyra nacionaliste. Aktin e vrasjes e ngre, ai e hymnizon, duke e shndrruar momentin prej konteksit konfliktual të një sjellje ekstreme sociale, në një lloj shkëndije, shkaku, të fillimit simbolik të luftës të sllavëve malazezë kundër sundimit osman. 
Në ndryshim nga poetët kroatë, Fishta nuk e preku traditën gojore të këngëve epike te kreshnikëve. Me artin e krijimit te tij, siç është edhe rasti i ‘Lahutës së Malcisë’, solli shpirtin e folkut epik të Gegnisë, duke e modeluar çdo këngë sipas metrikës tetërrokshe të njohur të ciklit epik të Mujit e Halilit. Po ashtu, këngët e tij kanë një gjatësi mesatarisht prej 225 rreshtash (A. Pipa).  Pikërisht këtu, e ka zanafillën edhe shtjellimi homerik i narracionit të tij epiko-poetik. Etosi i çdo këngë të Lahutës frymëzohet nga kanonet tradicionale social-ekonomike, duke thithur e shkrirë brenda tyre, mitin, aspektet legjendare të këngëve epike historike. Ndërkohë, narracioni i tij poetik tregon besnikërisht historinë dhe luftën e përpjektet e malcorëvë të Gegnisë së tij të dashur.
.
Fretnit Françeskane - rreshti i pare ulur Gjergj Fishta, Vinçenc Prennushi, Anton Harapi
Fretnit Françeskanë – rreshti i parë ulur
Gjergj Fishta, Vinçenc Prennushi, Anton Harapi
Homeri shqiptar është ndoshta epiteti më i dashur për shumë nga ne kur flitet për Fishtën si poet, veçanërisht duke e lidhur këtë përngjasim me magnum opusin e tij, – Lahuta e Malcisë. Shpesh më sillet ndërmënd dyshimi, nëse kjo përqasje ndaj Fishtës, si “Homeri shqiptar”: a i bën parasëgjithash, drejtësi vetë poetit tonë kombëtar? Ekziston një konsensus i përgjithshëm në rrethet e njerëzve të letrave e studiuesve se Iliada dhe Odiseu, që lexojmë ne sot ishin produktet finale të një tradite orale gjithnjë në ndryshim, që së fundmi, u transkriptua pak a shumë në tekstin që njohim sot, diku midis shekujve gjashtë dhe tetë para Krishtit. Homeri ngjan me shumë të ketë qenë një shumësi autorësh, bardësh, përgjat mijëvjeçarëve shumë më të hershëm, kur nuk ekzistonte shkrimi, e teksti. Kjo mori bardësh anonime ishin më shumë zëdhënësit e një tradite, se sa individë me dhuntinë artistike të krijuesit, poetit të spikatur, siç është rasti i Fishtës. 
Fishta ishte shumë më shumë se një poet epik në stilin e balladave të kreshnikëve. Ai kontriboi në disa gjini; si poet lirik krejt laik, apo në damarin e poetit fetar, siç i shkonte për shtat robës të fratit françeskan; si satirist social-politik me esetë e tij pickuese, apo dramat ku parakalojnë ngjarje e karaktere njerëzore të gjitha aspekteve e ngjyrave të jetës bashkohore shqiptare. Vetë Lahuta e Malcisë, është një përzjerje e balladës epike me satirën dhe dramën social-politike shqiptare, kjo në sfondin ballkanik dhe europian. Ka një ndryshim themelor midis Homerit dhe Fishtës. Iliada dhe Odisea e Homerit, janë produktet finale të transkriptuara, të diktuara e të hedhura në tekst, të një tradite të trashëguar tepër të herëshme gojore. Kurse Fishta, ishte dhe mbetet pjesë, ndoshta figura më madhore e një lëvizje krejt të re letrare shqiptare, një poet i kultivuar, që krijoi e kultivoi artin e letërsinë e tij, duke përdorur një gjuhë dëshmitare dhe ilustruese e realitetit dhe preokupimeve të përditëshmes shqiptare, në damarin Virgjilian, Dantesk, e Shekspirian.
Duke dhënë sqarimin sipër, se si duhet ta shohim Fishtën vis-a-vis Homerit, qoftë edhe e përdorur hipotetikisht si një përafrim figurativ, epitet, mendoj se ia vlen të ndalemi për një moment për të parë se çfarë është “homerike” tek Fishta, ose siç e kam titulluar unë shkrimin, ku qëndron “Homerizmi i Fishtës”. Burime dhe referenca më autoritative, gjithmonë mbetet binomi Parry-Lord, dhe libri i Albert Lord, “Epic Singers and Oral Tradition” (Bartët Epike dhe Tradita Gojore). Parry-Lord huazoi dy koncepte nga fusha e gjuhësisë, – sinkroninë dhe diakroninë, – për të kuptuar se si funksionon tradita gojore, që sot, si një kurorëzim, zenithi i saj, përfaqësohet me një emër të përvetshëm autori, me dy veprat e njohura Iliada dhe Odisea, me autor të ashtuquajtur, – Homerin. Raporti gjuhësor sinkronik-diakronik i balladave epike në traditën gojore, pra raporti midis gjuhës ekzistuese bashkohore dhe evolimit të saj historik, rrëzon idenë, e cila e personifikon gjenialitetin e krijimit të balladave në një individ të vetëm; si proto-krijuesi i epikës “par excellence”, ku vetëm atij, i takojnë të gjitha atributet për krijimin e një institucioni kultural siç janë balladat epike. 
.
Gjergj Fishta - Lahuta e Malcis
Gjergj Fishta – Lahuta e Malcis
Protagonizmi është në fakt, një karakteristike e dallueshme e kulturës greke dhe heleno-centrizmit të saj, duke e mbajtur si fillimi i civilizimit europian, ku çdo arritje madhore kulturore i atribohet një individi të vetëm, apo një kulture të vetme. Parry-Lord, me punën në terren, mbledhjen  dhe studimin e tradites gojore epike në Ballkan, dëshmojnë se nuk është thjesht “Homeri”, arsyeja e kësaj trashëgimie balladash epike. Poetët, qoftë edhe Homeri, nëse do ta konsiderojmë si një individ,  janë tradicionalisht funksion i poezisë që i përfaqson ata. A duhet të interpretohet kjo menjëherë, që tradita poetike krijon poetët? Absolutisht jo! Të kujtojmë një shprehje të studiuesit të traditës gojore, Paul Zumthor: “Poeti është i vendosur brenda gjuhës së tij, më shumë se sa gjuha është vendosur në të.” Kjo thënie të sjell ndërmend shprehjen tjetër tepër të famëshme e domethënëse të Heideggerit: “Gjuha është shtëpia e qenies, në shtëpinë e tyre qëniet njerëzore banojnë…”. Ndërkohë, unë do të shtoja se tradita, poezia epike, gjuha e balladave gojore, përveçse është shtëpia ku poetët me dhuntitë e tyre artistike banojnë, po ashtu është edhe vendi ku edhe lulëzojnë, krijojnë artin individual, të dallueshëm, që mban vulën e tyre poetët e shkrimtarët e mëdhenj.
Për të kuptuar me tej e siç duhet “homerizmin” e Fishtës, siç edhe e përmenda diku më sipër, ai përdori metrikën tetërrokshe dhe gjatësinë mesatare të balladave të kreshnikëve, 225 vargëshe. Kjo është kërkesë bazë e “homerizmit” të epikës shqiptare. Por nuk ështe kjo, ajo që e bëri Fishtën poetin laureat shqiptar “par excellence”. Duke konsideruar diakronizmin e gjuhës së balladave, që përbën dhe leitmotivin e tyre, pra ne rastin tone, tematika e secilës prej këngëve të Lahutës të Malcisë, ishte pikërisht përqafimi i kësaj përmbajtje, temave kombëtare që fillimisht e futën Fishtën në udhën e tij te gjatë, për t’u bërë eminenca poetike shqiptare. Fishta nuk mbeti skllav i metrikës të balladave të kreshnikëve, as i ndonjë formule, apo grupimi fjalësh, apo shprehjesh, që përsëriten “tash e mbasandej”, siç ndodh zakonisht me bartët, rapsodët për motive ekonomike të vargut, apo për të mbajtur mend rrjedhën e balladës. Ai nuk ishte e nuk mbeti një rapsod, por arriti majat e poetit. Përshkrimet, epitetet dhe idiomat Fishtiane, ndërkohë që kënaqin kushtin e metrikës së balladave, nuk jane thjesht grumbullime mekanike fjalësh, si formula që përsëriten. Ato trupëzohen në vargje, të cilat në mënyrë të natyrëshme përcjellin tek lexuesi dramën e ngjarjeve, apo njerëzve, të gjitha të përshkruara plot detaje, qoftë të përmasave historike, apo me nota më personale. Janë vargje e këngë të blatuara nga emocionet e thella të një poeti me një pathos të pashoq, e që shprehet në një mënyre krejt te re, që elektrizon e ngre peshë kredon e një kombi të tërë.
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.