Hulusi Pashollari – një Zgalem i lirisë!
nga Urim Gjata
Djaloshi që shpërtheu birucat e Spaçit
me levë për të liruar shokët!
Hulusi Pashollari,
një protagonist i harruar
i Revoltës së Spaçit
-Ec vëlla Ali, arritëm ec dhe pak, ja arritëm, arritëm shpëtuam belbëzonte djaloshi imcak duke ndihmuar shokun dhe mikun e idealit antikomunist në rrugën e tyre pakthim.
Në errësirën e natës Aliu ishte rrëzur dhe vrarë keq, ndihma dhe kurajo e Hulusiut e bënte shokun të mblidhte gjithë forcat. Dymbëdhjetë orë që mundoheshin t’i shpëtonin të maskuar nëpër honet e malit syrit të rojeve kufitare. Dymbëdhjetë orë që tërhiqte mbas vetes shokun e vrarë keq, më në fund dukej se fati po ju buzëqeshte…
Përpara syve ju shfaq piramida.
-Arritëm – thotë Hulusiu – më në fund, çohu Ali Lika, çohu! Arritëm të shpëtojmë, fituam, dhe përqafon shokun e tij. Por ky gëzim dhe ky përqafim nuk do të zgjaste shumë. Një krismë arme dhe zërat e çjerrë: “Ndaloni! Jeni të rrethuar…” shkëputen në mes të gëzimit fëmijëror të tyre. Hidhu Ali! – bërtet Hulusiu, dhe si shqiponjë fluturon në fund të greminës. Na iku bërtet duke qëlluar zeri i çjerrëi kapter Myfit Zagorçanit – Na iku!, – ndërkohë djaloshi kishte fluturuar në greminë. “Ali, – bërtet ai, Aliiii… Ku je Aliiii?? – dhe zëri i tij në jehonë thyen heshtjen e agut të atij mëngjesi të vrenjtur.
Aliu nuk kish mundur ta ndiqte më shokun e tij, pse mbi të ishin lëshuar si bisha me dhjetra e dhjetra duar dhe trupa kufitarësh, AGBV dhe spiunësh. Ata kishin orë që prisnin e prisnin në heshtjen e malit. Prita ndaj tyre kishte filluar me kujdes shumë herët, spiuni dhe dora e zezë kishte kurdisur gjithçka. “Ah, Ali, Ali – ngashërehej Hulusiu i vogël – nuk të mora dot… nuk mundem dot t’i gëzoheshim më në fund fitores. Unë këtej dhe ti në duart e tyre.
Zëri i çjerrë i kapterr Myfitit vinte ne oshëetimë në veshët e djaloshit: Hulusi Pashollari, nëqoftëse ti nuk kthehesh shoku jot do të vritet këtu para syve tanë dhe të tu, kohë nuk ke, ose kthehu ose harroje shokun dhe mikun tënd, ne nuk do ju bëjmë gjë… Kthehu!
Mbi shkëmb dergjej shoku i tij i shtrirë me tytat e armëve përmbi kokë, që dukej sikur i thoshte: “Ik Hulusi, ik… Mos i dëgjo këto bisha… Ikëëëëë. Unë nuk munda të të ndjek deri në fund! Ikëëëë!”
-Hulusi Pashollari, koha po mbaron bërtet kapterri dhe qytat e armëve filluan të godasin për vdekje shokun e tij. Britmat dhimbjes që lëshonte shoku mbas goditjeve shtazarake e detyruan djaloshin imcak të vendosë. “Më mirë të kthehem se sa të më vrasin shokun!”
Zëri i tij i fuqishëm i bëri ato bisha të dridhen.
“Ndaloni, mos e vrisni! Po kthehem!” dhe ai niset drejt tyre për të shpëtuar jetën e shoku të vet, pa e ditur se rruga e tij e kthimit do të ishte një kavalar torturash, dënimesh e ridënimesh, e dhimbjesh pafund.
Sapo këmba e tij preku në tokën shqiptare, mbi të si bisha u hodhën dhjetra duar e trupa ushtarakësh, ata kishin arritur ta shtinin në dorë këtë kriminel të vogël, këtë gjarpër të sistemit komunist.
Djaloshi që i sfidoi ata dhe vdekjen u rikthye për të shpëtuar shokun e vet, ai nuk mund të shkelte mbi betimin që kishin bërë të dy. “Gjallë a vdekur, o të lirë o të vdekur” Nuk do të ndahemi.
Telat me gjëmba lidhën duart dhe trupat gjysëm të pa jetë të të dy djemloshve, a thua kishin të bënin me dy fëmijë apo me ndonjë bandë të armatosur, ata u tërhoqën zvarrë nga vija kufitare në Malin e Thatë drejt fshatit Alarup të Pogradecit, nga pas i ndiqnin qindra (fitimtarë) dhe një lukni ushtarakësh përballë dy djelmoshave që akoma nuk kishin vënë brisk në faqe. Buzët e thara për ujë dhe gjaku që ju rridhte në fytyrë e çdo pjesë të trupit tregonte gjithçka ishte bërë mbi trupat e lidhur të tyre, gjithçka jo njerëzore. Njerëzit me uniforma ushtarake ndiheshin krenarë për detyrën ndaj atdheut. Kushdo që do guxonte të prekte kufijtë e shenjtë këtë fund do të kish, ndoshta dhe më keq. E çfarë ishte në fund të fundit një plumb për këta dy gjarpërinj të vegjël, asgjë.
Makina e zbuluar e kufirit mori me vete dy djemtë e rinj dhe grupin e ushtarëve, oficerëve, hetuesve dhe drejtuesve të degës së brendëshme, fytyrat e tyre të egërsuara tregonin se çfarë do bëhej së shpejti me këta dy fatkeqe.
Kalvari i tyre sapo kishte filluar, telat me gjemba ishin vetëm fillimi i odisesë të tyre ogurzezë.
-Folë! – bërtiste hetuesi ndaj një njeriu të lidhur gjysëm të vdekur nga torturat e xhelatëve përditë të tëra me radhë. – Folë, nuk e kupton se nuk do të dalësh dot më i gjallë nga këto biruca? Tani je në duart e mija mor këlysh i armikut, këtu as djalli vetë nuk do të marrë vesh se çfarëdo të ndodhi me ty dhe jo me të tjerët, ata miqtë e tu… Folë qen!
Dhe trupi i dobët i tij filloi t’u nënshtrohej torturave nga me të ndryshmet. Vezët e zjera dhe kunjat e pishave në thonjtë e djaloshit po tregonin më së miri egërsinë me të cilën e kishin marrë këtë detyrë xhelatët. Urrejtja dhe hakmarrja ishin pjesë e jetës së tyre ndaj dy viktimave të radhës. Të arrestuar ishin edhe njerëzit e tjerë të familjes. Spiuni i fshatit kishte vepruar më se miri, ai ndihej krenar për detyrën ndaj atdheut, buzëqeshja e tij nga dhëmbët e krimbur dhe duart që i dridheshin, tregonin se sa i pështirë ishte zanati i tij ndaj fshatarëve të vet. Ai ndiente gëzimin e fitores mbi dhimbjet dhe plagët e dy të rinjve. Bisha kënaqej dhe dehej nga era e gjakut.
-Ju, nipi i armikut të popullit Bedri Pashollari, i arratisur më 1946, i kini drejtuar një letër dhe Sekretarit të Parë, shokut Enver… Kush ju ka mësuar, kush fshihet mbas jush, kush jau futi në mendje këtë lojë?? Kush, kush, kush??
-Askush! Unë jam një djalë fshati, nxënës shembullor në shkollë dhe në jetë, unë vetë i jam drejtuar drejtuar Enver Hoxhës, pa ditur se po i drejohesha bishës së komunizmit! Ju jeni të gjithë bisha, se qëlloni kështu të lidhur, siç me kini, çfarë prisni më qëlloni!
Hetuesi i dehur vazhdonte të qëllonte pa pushim një trup gjysëm të vdekur i lidhur dhe torturuar prej ditësh dhe netësh pa pushim…
-Ju, nipi i armikut, kini kërkuar të shkoni në shkollë ushtarake!!!! Ha ha ha… – qeshte krimineli me duart e ngjyera me gjakun e djaloshit. Ju gjarpër, kini kërkuar të futeshit në ushtrinë shqiptare, ju armiku i partisë, ju gjarpërinj të sistemit tonë, ju… dhe një goditje shtazarake e zhyti përsëri djaloshin në kllapi…
Parasysh iu kujtua viti 1964, se si i lindi ideja që t’i drejtohej shokut Enver, ndoshta ai nuk e di se unë jam i pafajshëm në fund të fundit jam një fëmijë që sapo mbarova shkollën… e ç’lidhje kam unë me arratisjen e xhaxhait, kur unë dua të vetëm të mësoj e të shkoj në shkollë. Gishtat e tij me penën shtrënguar filluan të nisnin një letër për komandantin e përgjithshëm, letër që do ish fillim nisja e thyerjes së ëndrrës së tij fëmijrore, letër që do e mësonte Hulusin se rruga e tij e ëndërruar për t’u shkolluar, këtu merrte fund!
Por dhe të mos ishte ajo letër diçka tjetër do ja thyente ëndrrën e tij rinore. 12 km larg në këmbë drejt postës së Maliqit, rrugën e bëri më këmbë… Lodhjen nuk e ndiente. Gëzimi se dikush do e ndihmonte të vazhdonte shkollën, e bënte të ndihej krenar. Ditë mbas ditësh, priste një përgjigje, dhe postieri ishte i vetmi njeri që sapo vinte në fshat i jepte lajmin se: akoma nuk ka ndonjë letër për ty vogëlush që e pret me kaq ankth.
Dhe ajo ditë e shumëpritur erdhi. Përgjegjësi i vatrës së kulturës, E. Shparthi, erdhi vetë në shtëpi për t’i lajmëruar se Hulusin e priste sekretari i komitetit të partisë në Maliq: Vait Kolaneci. Atë natë nuk pati gjumë. Më në fund komandanti e kish marrë letrën e tij, dhe fati dukej se po i trokiste në derën e atij vogëlushi, si gjithë shokët e tij do të vazhdonte në mos shkollën Skënderbej, një shkollë tjetër se s’bën… Nesër do të merrej vesh gjithçka.
Pa gdhirë mirë, me vrap mori rrugën e gjatë 12 km, më këmbë drejt Maliqit. Vraponte dhe këndonte! Këndonte me gëzimin fëminor, që si gjithë shokët e tij do të kishte mundësinë të shkollohej. Një orë para se të hapej zyra, ai ishte jashtë duke pritur ta thërrisnin. Priste t’i buzëqeshnin dhe t’i thonin:
-Djalosh shoku Enver ju ka dërguar një letër! Ju do të shkoni në shkollën e mesme, urime vogëlush!
Pritja dhe ëndërrimet nuk po mbaronin, aq sa nuk e vuri re dhe shikimin e shtrembër që i dha atij sekretari i partisë Vait Kolaneci, ndërsa ngjiste shkallët e Komitetit të Partisë. Dikush e thirri mbas disa orësh pritjeje, ashtu me nxitim duke i kapërcyer shkallët dy e nga dy djaloshi u gjend përballë një dere të rëndë, dikush e futi brenda, përballë me sekretarin shokun Vait, i cili në duart që i dridheshin mbante një letër. Ishte ajo letra që ai vetë i kish nisur shokut Enver. Një zë i trashë rrënqethi trupin e vogël të djaloshit. Ju, nipi i armikut të partisë, Bedri Pashollarit i jeni drejtuar shokut Enver dhe kërkoni të shkolloheni? Kush ju ka mësuar, si e keni marrë këtë guxim, a e dini kush jeni ju mor nip armiku. Ne nuk luftuam për shkollimin tuaj, por për t’ju dënuar të gjithë ju gjarpërij armiq të betuar të partisë. Ti duhet të ulësh kokën dhe të punosh atje ku duam në, koka e juaj do të rrijë ulur gjithë jetën përballë nesh…
Djaloshit imcak me ëndrrën e madhe për shkollë po i rrotullohej tavani, në atë zyrë të akullt dhe të zezë për të. Doli jashtë pa u ndierë duke lënë sekretarin të fliste akoma me vetveten pa e parë që djaloshi ishte larguar. Ai as vetë në moshën e tij nuk e dinte se çfarë i kishin bërë këtij pushteti, vinte nga një familje e varfër fshati me dy prindër bujq. E vetmja njollë e zezë ishte arratisja e xhaxhait që nuk kishte asnjë të dhënë ku dhe si jetonte. Diku aty pranë i kish ardhur i jati, Xha Refati i fërkon kokën dhe të dy marrin rrugën e kthimit…
Mos qaj bir – i thotë i jati – nuk kemi çfarë të bëjmë ikim… Këta na i kanë mbyllur dyert njëherë e përgjithmonë.
Të dy u kthyen në mbrëmje në fshat, frika se mos kryetari i këshillit një mik i ngushtë i sigurimit të shtetit i ndiqte nga pas, ai mund t’ju dilte përpara dhe t’i pyeste apo t’i provokonte, i detyroi të futen në fshat nga rruga e malit… Eh kryetar kryetar çfarë të kemi bërë. Një kovë me ujë e nxjerr nga kllapija duke i prerë gjithë ëndërrimin që nuk dinte se sa orë ishte në këtë gjendje. Tani djaloshin 17 vjeçar vetëm urrejtja e mbante gjallë përballë këtyre bishave me fytyrë njeriu, trupi i tij ishte kthyer në një poligon goditjesh dhe torturash çnjerëzore. Te dera e trepallancive në Korçë, një grua plakë e krrusur, e veshur me të zeza kishte ditë që nuk i ndahej asaj banese të tmerrshme për torturat qysh nga koha e Zogut. Birucat e saj të nëndheshme të mbushura me ujë kishin marrë jetët e dhjetra dhe qindra bijve nënash. Kush futej aty nuk dilte më i gjallë. Aty tani ishte loçka e nënë Lekes, asaj i kishin marrë shpirtin dhe po ja torturonin çnjerëzisht. A do të mund t’i duronte torturat trupi i tij i dobët, a do e lejonin xhelatët të dilte i gjallë prej andej? Askush nuk i jepte përgjigje, askush nuk i fliste veç kapterrit të policisë që e urdhëronte të largohej prej andej.
-Ikë shtrigë, qërohu prej këtu, gjarpërit tënd këtu do t’i shkulen dhëmbet një e nga një, ikëëë.
Ditë, javë dhe muaj të tërë tortura. Por nga goja e Hulusiut dhe Aliut nuk doli asnjë fjalë, as për Vasfi Selamin që ju tha rrugë të mbarë, as për miqtë dhe shokët që në heshtje ju uruan rrugën e tyre, as për vëllezërit dhe motrat. Ata gjithshka e mbajten mbi vetë. Të paktën të tjerët të shpëtojnë, puna jonë u pa. Kërkesa e kryetarit të këshillit G. Karafili bëri që gjyqi ndaj tradhëtarëve dhe armiqve të zhvillohej në mes të fshatit ata duhej të diskretitoheshin në mes të fshatit, ata dhe të gjithë armiqtë që kishin lidhje me ta, diktatura e proletariatit do të binte tmerrësisht dhe mbi këta dy fëmijë. Një gjyq me aktorë ordinere hajdutë dhe kriminelë, akuza të sajuara dhe të intriguara mirë. Akuza ku veç arratisjes, agjitacion e prapagandë do ishte neni që do ju shtonte dënimin e dhënë nga prokurori. Burrat e fshatit ulnin kokën përballë kësaj mizorie ndërsa spiunët ngriheshin pa pushim, ata diskutonin dhe dënonin dy armiqtë e partisë dhe pushtetit.
-Varja është pak për këta qënër bërtiste -një spiune duke treguar grushtin drejt dy fëmijëve të lidhur dhe në sallën e improvizuar të gjyqit në mes të fshatit, orë të tëra deri sa partia u bind se veç gjyqit ndaj armiqve të klasës ishte bërë dhe një punë e mirë Agjitacioni për të frikësuar këdo që do të mendonte të dilte kundër vijës së partisë.
Eleni Selenica me një urrejtje patologjike jep vendimin e dënimit. 17 vjeçari Hulusi Pashollari dënohet me 15 vite burg. Dhe 19 vjeçari Ali Likaj me 13 vite. Nisi kështu jeta e vështirë e burgjeve për ta dhe familjen që e ndiqte nga pas kudo…
Por as vitet e burgut dhe as operativi i sigurimit nuk po e thyenin dot karakterin e Hulusit ai sa vinte burrërohej, në dokumentat e burgut shkruhej ky i dënuar është një antikomunist i vendosur, ky sa vjen dhe bëhet më i rrezikshëm për shtetin tonë socialist, ky nuk duhet të dali më i gjallë nga burgjet. Veprimtaria e tij nacionaliste dhe antikomuniste brenda të burgosurve ra në sy të komandës, njerëzit e saj brenda të burgosurve mbanin nën vëzhgim çdo orë djaloshin e dobët por me një guxim të çeliktë, transferimet nga burgu i Elbasanit, Ballshit, Fush-Krujës nuk po thyenin dot me këtë njeri. Spaçi u bë menjëherë vendi i ri për Hulusi Pashollarin. Viti 1973, ishte viti vendimtar ku Hulusi tanimë nga një djalë i ri ishte burrëruar dhe formuar më së miri më ideologjinë e tij antikomuniste shokët dhe miqtë e tij ishin të gjithë ata intelektualë antikomunistë të vendosur deri në fund, ai aty brenda telave me gjemba kishte gjetur vetveten. Ata duhej të ngriheshin kundër regjimit, ata duhej të protestonin. Zëri i tyre duhej te dëgjohej, bisha komuniste nuk mund të mbyste me dhe shpirtin e tyre të lirë, fjala, urrejtja dhe protesta ishte e vetmia armë që ju kish mbetur. Grupi i parë i antikomunistëve të dënuar në Spaç mori drejtimin e Hulusi Pashollarit. Ata vendosën mosdaljen në punë pa ju plotësuar kërkesat e tyre, ky ishte vetëm fillimi i një revoltë të heshtur që më në fund po shpërthente me zemërim brenda telave me gjëmba. Në krye të grupit Hulusi djeg stendat e emulacionit dhe fotografinë e Enver Hoxhës, 12 të dënuar dolën me forcë nga birucat duke ju bashkuar shokëve dhe revoltës, e cila po rritej dhe përqafohej çdo orë e më shumë nga të gjithë të burgosurit. Derdhja e ushqimit dhe mosdalja në punë detyroi vetë Kadri Hazbiun të vinte në Spaç, thotë i dënuari tjetër Bedri Çoku, policia ndërhyn forcërisht dhe merr Pal Zefin duke e torturuar, por ndërhyrja e grupit të të dënuarve arrin t’ju shkëpusi me forcë shokun e tyre duke e futur në mes dhe duke rrahur policët e burgut. Gjendja sa vinte dhe po rëndohej atëhere u vendos që askush nga burgu të mos dali në punë, të gjithë duhej të përballeshim me diktaturën. Frika ishte thyer ajo nuk kishte me vend tek të dënuarit, një grup i madh shokësh mbaheshin akoma në birucat speciale të burgut.
Hulusiu merr me vete Dashnor Kazazin dhe të dy me një levë hekuri arrijnë të këpusin drynet e birucave, duke i nxjerrë jashtë shokët e tyre të sakatuar me muaj në biruca. Djaloshi 21 vjeçar Skënder Daja mbahej në krahë nga shokët ai nuk ecte dot torturat me shufrat e hekurit dhe elektroshok e kishin lënë gjysëm të paralizuar. Krismave të armëve këta djem ju përgjigjeshin me thirrjet njerëzore “Mos qëlloni! Ne jemi brenda telave, ne jemi të paarmatosur, mos qëlloni! Ne jemi vëllezërit tuaj!”
Menjëherë filluan të zëvëndesohen ushtarët me policë dhe operativët e ardhur me urgjencë. Thyhet bibloteka dhe digjen librat e klasikëve të komunizmit së bashku me foton e diktatorit.
Një çarçaf i bardhë po ngjyrosej me gjakun e të dënuarve për t’u bërë flamur, Hulusi ishte i pari që preu dorën për të ngjyrosur flamurin. Flamuri me gjakun e heronjve, flamur me dhimbjen dhe fitoren mbi diktaturën. Aty po ngrihej flamuri i Gjergj Kastriotit pa yllin komunist. Piktori Mersin Vlashi realizoj në flamurin e të dënuarve stemën e shqiponjës. Gjet Kadeli dhe Hulusi Pashollari me një shtizë të gjatë ngritën për herë të parë flamurin kuqezi pa yllin komunist në katin e tretë të godinës së Burgut. Ky flamur ishte një shpresë për të dënuarit dhe një vdekje për sistemin dhe kriminelët që kishin rrethuar këta njerëz brenda telave! Flamuri me gjakun e të dënuarve pa yllin sllav, tmerroi dhe rriti me tepër urrejtjen për thyerjen e kësaj revolte me çdo mjet, rrethimet sa vinin dhe shtoheshin. Hulusiu duke vendosur flamurin bërtet me zë të lartë: “Vëllezër sot këtu në Spaç, në zemër të Mirditës, këtu ku po vuajnë dënimin djemtë më të mirë të Shqipërisë, ne të dënuarit e ndërgjegjes antikomuniste po ngremë flamurin e parë shqiptar. Ky flamur është simbol i mijra e mijra të pushkatuarve, denuarve dhe interrnuarve nga ky regjim gjakatar”.
Me 24 Maj, diktatura lëshoi tanket ndaj këtyre heronjve. Në grykën e Repsit zhurma e tyre dëgjohej deri pranë veshit të të dënuarve. Tymi që ata ngrinin filloi të dukej me sy të lirë. Tanke përballë një grupi të dënuarish të ndërgjegjes, revolta duhej të shtypej me çdo mjet. Tanket ishin gati të futeshin duke rrafshuar çdo gjë së bashku me trupat e këtyre heronjve. Çdo gjë ishte e mundur. Bisha e tërbuar nuk pyeste më. Veç ushtarëve të armatosur tanket ishin përballë këtyre heronjve të lirisë.
Uji u pre, dy ditë dhe pa ujë. Kuçedra po ju ndalonte dhe ajrin, bombat kimike të hedhura në mes të kampit pë vështirsonin frymëmarrjen e këtyre njerezve viktima, pa bukë pa ujë… dhe tani pa ajër të pastër. Por as kjo nuk po i mposhte të dënuarit, megjithëse forcat po i linin pak e nga pak.
Kadri Hazbiu fut një zëvëndësministër për të biseduar, por Hulusiu nuk e lejon që ai të flasi me të dënuarit, qindra forca të armatosura deri në dhëmbë u futen pabesisht nga të gjitha anët e burgut. Të lidhur këmbë e duar të gjithë u lanë jashtë në oborrin e kampit. Bisha donte gjak, para skuadrës së pushkatimit në prani të të dënuarve u vranë Hajri Pashai dhe Dervish Bejko, ndërsa 38 të burgosur të tjerë së bashku me Hulusin u nisën ashtu të lidhur në Tiranë ku mbas një hetuesie të re disamujore ju dha si shpërblim dhe 13 vite të tjera dënim. Së bashku me Caushin dhe Gjetën i çojnë në burgun e Burrelit, deri në vitin 1986. I paharruari z. Pjetër Arbnori tregonte: Për vuajtjet që kishin kaluar së bashku me Hulusin në burgun e zi të Burrelit. Për Hulusin thotë Pjetri, kishim dëgjuar, për atë djalë të imët por të pa mposhtur në të gjitha burgjet e Shqipërisë, por fati e solli që ai të vinte pranë nesh në Burrel. Ai kishte një shpirt të çeliktë dhe një kurajë të paparë ai studionte fliste rrjedhshëm disa gjuhë të huaja. Hulusiu mbante gjallë mes të dënuarve shpresën e madhe të ndërrimit të sistemit gjakatar, por sëmundja dhe torturat e vazhdueshme nëpër kampet e punës e kishin dobësuar dhe lodhur fizikisht, por kurrë moralisht ai kishte shpresë se dita e lirisë po afrohej. Izolimi nga bota dhe më në fund vdekja e diktatorit janë yje nga qielli që po lajmërojnë ardhjen e pranverës thoshte me shpresë Hulusiu shokëve të burgut. Por sigurimi i shtetit nuk mund t’i ndahej, ai sëmuret përsëri dhe çohet në spitalin e Burrelit, ku një mjeku kirurg me emrin Xhelal i kërkohet t’i bëje një injeksion vdekjeprurës, fatmirësisht mjeku kirurg thotë z. Arbnori nuk pranoj dhe jeta e Hulusiut u shpëtua, ata e donin me çdo kushte të vdekur sëmundja dhe 22 vitet e burgjeve kishin bërë punën e tyre, në vitin 1986, ai lirohet me kusht. Por frika ndaj tij i detyroi që të shoqërohej nga dy punonjës policie nga Burreli në Korçë, në vazhdën e kësaj e çuan përsëri në policinë e Korçës për t’i treguar dhe një herë vendin aty ku ish torturuar për muaj të tërë çnjerëzisht nga kriminelët me uniformë shteti, me vete ai kishte sjellë një valixhe druri mbushur plot e përplot me libra dhuratë nga miqtë e tij nëpër burgje. Takimi natën vonë me operativin e sigurimit të shtetit Adhurimin me spiunët e vjetër dhe të rinj në fshat ngriti vigjilencën. Shtëpia filloi përsëri të ruhej natën… Të gjitha lëvizjet e Hulusiut por dhe të familjarëve të tjerë filluan përsëri të survejohen. Asgjë nuk kish ndryshuar te këta njerëz që i prenë në mes të rinisë jetën dhe lirinë, vetëm e vetëm se donte të shkollohej si gjithë shokët e tij.
I vëllai i tij, Zini Pashollari tregon ka qenë data 26 dhjetor 1986… Ishte mbasdite e një dimri të acartë. Kur ai mbas kaq vitesh dhe peripecishë u kthye i sëmurë përsëri në shtëpinë e tij… Netë të gjata dimri, tregime vuajtesh, të 22 vite e 75 ditë burgu nga më të vështirat… dhe përse? Sepse kish dashur të shkollohej. Nuk i jepej e drejta për shkollim se ne kishim një xhaxha të arratisur, që quhej Bedri Pashollari, vëllai i vogël i Babait, që ishte një antikomunist që nuk pranoi të rreshtohej me forcat komuniste. Mbas çlirimit Bedriu u vu menjëherë në syrin vigjilent të forcave të ndjekjes për t’u arrestuar, kjo e detyroi atë si shumë e shumë atdhetarë patriotë nacionalistë të marrin rrugën e dhimbshme të arratisë. Në një natë dimri të vitit 1946, ai ikën në arrati bashkë me disa shokë të tjerë.
Kthimi i Hulusiut në shtëpi solli dhe shpresën për një rrëzim të shpejtë të pushtetit të diktaturës. Burgu atë nuk e kish frikësuar, burgu dhe torturat vetëm e kishin forcuar më tepër karakterin e tij antikomunist. Ai u bë një nga nismëtarët në hedhjen e bustit të diktatorit në Korçë, por dhe një ndër firmëtarët e parë të krijimit të Partisë Demokratike. Oratoria dhe fjalët e tij zinin vend në çdo takim me njerëzit. Por Hulusiu asnjëherë nuk u ankua, ai asnjëherë nuk kërkoi shpërblim për shërbimet e tij ndaj demokracisë. Sëmundja dhe vuajtjet shumëvjeçare nëpër kavalarin e burgjeve bënë që ai të largohet nga kjo botë me 15 Shkurt 1995, duke lënë pas një vajzë si dritën e syve…
Jeta dhe vdekja e tij kishin një domethënie jo vetëm për ata që e kishin njohur brenda dhe jashtë burgjeve, por dhe me gjerë. Ai asnjherë nuk kërkoi shpërblim, ai asnjëherë nuk kërkoi hakmarrje. Ai kërkonte bashkimin e shqiptarëve në rrugën e demokracisë perëndimore, larg hakmarrjes dhe dhunës së verbër.
Ai erdhi dhe u largua nga kjo jetë si një zgalem përballë dallgëve.
Hulusi Pashollari ishte një Zgalem i lirisë.
Marrë nga http://www.peshkupauje.com/2015/09/urim-gjata-djaloshi-qe-shpertheu-birrucat-me-leve