back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Humanizmi në letërsi – nga Leka Ndoja dhe një debat i autorit rreth kësaj teme me Artan Kafexhiun

Gazeta

Leka Ndoja - Studiues
Leka Ndoja – Studiues

Humanizmi në letërsi

nga Leka Ndoja

Babai i letërsisë antike Homeri, mbahet prej shumë kritikësh dhe studiuesish duke përfshirë dhe historianët vetë si autori më objektiv i situatave dhe i paanshëm në interpretimin e epopesë së luftës midis trojanëve dhe grekëve. Vargjet e Iliadës dhe Odiseut ende hulumtohen nga historianë, arkeologë si Shlimani, gjeografë, mitologë dhe studiues dokesh e zakonesh, psikologë e veçanërisht humanistë e filozofë, pasardhës të Lesingut. Shumica e tyre i njohin për të vërteta thëniet e faktet e këngëtimit Homerik dhe zbulimet nuk reshtin. Mjaft komentues kanë vërejtur dilemën e Homerit përsa i përket përcaktimit të palës së moralshme midis dy kryekomandatëve Akilit grek dhe Hektorit Trojan.
Në këngën e fundit të Iliadës përshkruhet humanizmi i Akilit mizor ndaj Priamit, të atit të Hektorit të vrarë, i cili i kërkoi me përgjërim trimit grek kthimin e trupit të të birit. Bujaria e papritur e Akilit mbush ende sytë e lexuesve, kur fisniku grek që penda e Homerit e pati vizatuar gjatë gjithë veprës si një luftëtar të egër e të pashpirt që nuk i bindej as vetë Hyjnive dhe prijësit Agamemnon. Një personazh plot dhunë dhe kapriçio. Këtu Homeri artistikisht operon në mënyrë të papritur duke shfaqur një profil thellësisht humanist të heroit që e pati gdhendur gati si përbindësh dhe simbolizues të qejfeve me robinat dhe shkaktar të kobeve për Trojanët.
Shekulli i VIII-të p. K. shënon për Greqinë antike epokën e civilizimit europian. Këtë e ka rimarrë në shqyrtim Lesingu për të dalluar përmes poezisë shkallën e qytetërimit antik duke nxjerrë në pah supremacinë civile të grekëve karshi trojanëve që ai i nxjerr në komentet e tija në një stad më të ulët zhvillimi pasi sipas përshkrimeve të Homerit turma dhe personazhet Trojanë shpesh qajnë me vrasjen e herojve, si përshembull Hekuba. Kështu komenton Lesingu dhe grupin skulpturor të Laokoontit. Shprehja e shortarit mitologjik nuk ka dhimbje apo tmerr në fytyrë ndërsa jep shpirt i mbytur prej gjarpërinjve. Këto mendime Lesingu i shfrytëzon duke polemizuar me poetin Herder, kundër romatiçizmit gjerman që ktheu kultin e folklorit dhe të sagave plot ndjenja e shfrime okulte.
“Prometeu” i Eskilit ka mbetur si simbol i triumfit të Humanizmit, zbuluesi i madh i zjarrit të perëndishëm të diturisë rrëmbyer Zeusit. Jo më kot miti i Prometeut ka mbërritur në veprat e kohëve të reja e sidomos romantikëve si Shelli duke u zhvilluar në forma edhe më të çuditëshme por pa ia hequr thelbin mitik, kryengritjen dhe vetflijimin për ide të larta humane.
Këto momente në letërsi janë riprodhuar në edukimin e humanizmit te breznive europiane deri sot, në mënyrë të pandërprerë sidomos pas mesjetës, me rilindjen europiane. Këto mesazhe i ka përcjellë në kohë dhe Marin Barleti në “Historinë e Skënderbeut”, ku si edukator i urtë, veçon parabola të mahnitshme për heroin ashtu si Homeri që i kushtoi kujdes të rrallë përshkrimit të pritjes së mbretit armik Priamit në tendën e Akilit. Kështu zemërgjerësia, falja për Hamzanë përshkruhet me ngrohtësi nga Barleti për Skënderbeun, si mesazh universal civilizimi. Falje, a zemërgjerësi, pajtim, qenia i komunikueshëm: këto koncepte kanë përhapur shkrimtarët e filozofët për lexuesit e shtetarët e tyre që nga gjeneza e shkrimit. Madje edhe Fishta me lahutën e Malcisë. “Devijon” nga qëllimi nacionalist i veprës së tij në disa pauza humanizmi universal si p. sh. kanga 21 kur Patër Gjoni pritet për bisedimet e armëpushimit nga Mark Milani i Malit të Zi, si jo më mirë, ndërsa dy armiq të një beteje, Rrushman Hasani dhe malaziasi Milo Spasi, armiq për vdekje, pasi njihen nga një vëllam i quajtutr Bec Patani, bëhen kumbarë pasi Rrushi i kërkon Milos që të bëhej kumbarë i djalit të tij, duke i “marrë flokët” sipas zakonit shqiptar në Shkrel. Shkrimtari e poeti i vërtetë dhe në mes të Ferrit kërkon dritën. Kështu dhe Dantja në kangën e Françeska da Rimini-t.

Leka Ndoja - Letërsia Shqipe e Diasporës
Leka Ndoja – Letërsia Shqipe e Diasporës

Humanizmi si krizë

Nga revolucioni politik shkrimtarët dhe artistë të tjerë u gjetën të shfaqësuar karshi Humanizmit. Jo vetëm që u konsiderua estetikisht si “luks i tepërt” por u etikua si “recidiv” i një kohe të vjetëruar politikisht dhe shoqërisht. Humanizmi gjatë periudhës së realizmit socialist u arshivua si krijimtari. Kështu u projektuan dhe u realizuan veprat “përbindshe”.
Shembujt më agresivë për mënyrën e drejtpërdrejtë të komunikimit masiv e hasim në produksionin kinematografik. Rishfaqja pa asnjë kriter e këtyre filmave, të fut në ndjesi të groteskut dhe absurdit propagandistik të tejkaluar. Përçudnimi i realitetit të atëhershëm në atë “artistik” njerëzit e sotëm i le pa mend. Ndërkohë që njerëzit janë të përfshirë në komunikimin intensiv të rendit të ri botëror, këta emetues ngulmojnë në mënyrën Donkishoteske të transmetojnë antihumanizëm. Po të udhëtojmë nëpër veprat letrare të asaj periudhe do të na duhet të rendim me shpejtësi dhe për t’u ndaluar në shumë pak stacione veprash me energji

Humanizmi, le ta provojmë – Kërkohet një libër poetik

Produksioni poetik u përpi nga temat e ditës. Asnjë poet nuk mund të sjellë në kohë universale një titull libri. Emra poetësh citohen dhe referimet konkrete mungojnë. Ç’ndodhi me poezinë? Përveç përpjekjeve të stilizimit dhe metrikës së larmishme nuk ka gjurma të tjera Retorike ende përmbyt lëndën poetike. Deri tani s’ka guxuar autor të ribotojë një vepër të vetën Nëse do të arrihet ndonjëherë të përzgjidhet një antologji autorësh kjo do të ishte ngjarja më e çmuar e 50 vjetëve poezi. Për tani ngushëllohemi me disa vepra të Martin Camajt, Beqir Musliut dhe Teki Dervishit, pastaj pritje…

Disa stacione Humanizmi në prozë

“E madhe është gjëma e mëkatit” është një tregim i botuar postum i Mitrush Kutelit. Me këtë tregim apo novelë nis filli i prozës në fundvitet ‘40 për të vazhduar me Trebeshinën e Odin Monvalsenit dhe “Rruga e Golgothës” si hymn i humanizmit brenda censurës si kohë e krijimit të veprave. Po ashtu vepra “Mekami” me një guxim provokues moderniteti Borhesian. Freski ruajnë dhe tregimet e Bilal Xhaferrit “Njerëz të rinj, tokë e lashtë” Temat këtu mbeten të kohës së Luftës së Dytë por pa retoriken e bartur të socrealizmit që ka vetëm një modul personazhi dhe karakteri të përkundërt. “Hasta la Vista” e Petro Markos ka vërtetësinë e afshin e kohës së veprimit, brenda Humanizmit të një Lorke. Në të njëjtin stacion pa tabu mund të rilexojmë të qetë “Kronikë në gur” të Kadaresë dhe pamjet nuk do të na zhgënjejnë. Ky autor largohet dhe afrohet me të njëjtën lehtësi nga Humanizmi në veprat e tija.
Elipsa e këtij shkrimtari tenton të përshkruhet brenda vetes në një trajektore që tani dëshmon për Humanizmin ndoshta dhe i obsesuar nga disa lëshime kundër Prometeizmit në shumë vepra me tema të përcaktuara nga koha e shkrimit dhe botimit të atypëratyshëm. Bie fjala novela “Shkaba” dhe romani“Spiritus” tregojnë kahen e re të Kadaresë që përpiqet të vendosë formën në plan të parë si konstrukt me një leksik të rikuperuar fort duke veshur mundimshëm një temë-ide të rrafshit psikologjik dhe boshllëkut rational, duke mbetur sidoqoftë në çdo vepër me specialitetin e gjetjes së syzhesë. Në prozë mund të presin rimarrje të tjera me vlera humanizmi, si proza e Pashkut, por siç u pa këto pak stacione janë të sigurta si vlerë artistike dhe Humanizëm dhe mund t’i përcillen në çfarëdo kohe qoftë. Këtu mund të zgjedhim personazhet dhe të kuvendojmë me to si miq të njerëzishëm pa perversione pa ngritur gishtin kërcënues, me një Humanizëm që është shfaqur i papritur si fundi i mënisë së Akil Peleut karshi Priamit në tendën e tij plot trofe femrash origjie dhe patërshanash të përgjakshme nga flijimet e personazheve të pafajshme.
Ka 10 vjet që Humanizmi ka çliruar mendjet, sa më shpejt që të dimensionohet në art aq më shumë fisnikëri do të rrezatojnë lexuesit dhe vetë autorët si pinjollë të Humanizmit.
20.02.2000, (Gazeta Drita)

Artan Kafexhiu
Artan Kafexhiu

Nje debat i autorit rreth kësaj teme me Artan Kafexhiun

Artan Kafexhiu
Humanizmi në letërsinë shqiptare përsëri mbetet një aspiratë mendoj, përderisa asnjë lexues, apo grup lexuesish, nuk është në gjendje të vejë gishtin mbi një vepër të vetme e të ofrojë modestisht nektarin që ka nxjerrë prej leximit të asaj vepre.
Vepra flet edhe me dy rreshta të sjella publikut për të konvertuar çdo lexues edhe atë më indiferentin, të nxitur nga tifozë të tjerë pasionantë të leximit: hajde pra ta lexojmë, apo lexojeni! As nuk ju bind ky pasazh nga libri, po ky tjetri! Ai nuk thotë gjë për ty kjo kapje unike!
Kështu Lekë, s’duket se është zbuluar ndonjë thellësi humanizmi në ndonjë vepër.
Jemi akoma në cektinën letrare. Vetëm pllaquritet e spërkatet me fjalë, s’ka thellë për me notue, aq më tepër me pas frikë nga thellësia, humnera e të lexuarit. ?

Vrethee Lnika
Ok të flasim për “Odin Mondvalsen” që unë i kam nja 20-25 faqe kritike, pse nuk ka humanizëm atje? Një ish komisar që vjen nga Marsi dhe dorëzohet në Tokë i mbijetuem nga luftërat kozmike a me alienët e nji lloji (ato punët e ndyra) dhe u thotë hetuesve – ushtarakë se quhet superheroi Odin Mondvalsen, pra vetë princi Hamlet? Në këtë roman kronotopik – pastaj jepet verdikti i izolimit të heroit në sferën e receptimit të antiheroit pa u gjyku rregullisht – në çmendinë. Atje në çmendinë dashurohet me infermieren – simbolike e paqes, veshë me të bardha. me detajet e byrekut që i sjell ajo heroit-pacient – thadrohet automatizmi i dhunës, i ndëshkimeve psikologjike të një kampi përqendrimi. Vetë procesi i gjykimit mistifikohet si te Procesi i Kafkës. Pastaj eksperimenti i përdhunimit në nji proces gjyqësor të së “dashunës” së tij – ajo sakrifikon jetën për të – ne fund të librit kur i mashtruem nga liria e përkohëshme Odini nuk pranon identitetin e tij civil të “Botës së re” metafore e diktaturës. Nën mbikqyrjen e mjeteve magjike të survejimit dhe të motoçiklistëve të forcave të ndjekjes Odini vijon te mbetet personazh mitik. Nji superhero që pëson tjetërsime fizike e psikologjike për konservimin e identitetit mitik si e drejtë e besimit human…
Dhashë nji resyme se asht nji kuadër dostojevskian aq pranë imagjinatës kolektive të “Lagerit”. Lageri i tij asht ontologjik – rrëmuja e kapitujve – me teknikën çut off – si procedurë e dekonstruksionit të subjektit zhvillu në kohë mitike – e fut këtë libër në rrymën e postmodernizmit. Më duket se në kritikën time i kam argumentu 8 funksionet e përcaktimit të kësaj rryme letrare.
Aty kam skicu ato vepra që i kam lexu – dhe zgjedhja ndoshta subjektive asht e asokohëshme dhe shkrimi ka qarkullu në disa redaksi. Pjesë e nji serie shkrimesh që adreson konstanten e verdiktit të kritikës së kohës që nuk mund të anashkalohet. Deri me 2001 veprat e Trebeshinës përcaktuen qendrën e modifikueme letrare. Mbrapa kemi rikthimin e Kadaresë si tregues i krizës së letërsisë së re tonën. E kam quejtë Neonarrativa – së paku të mos biem dakort për tematologjine e prozës. Ndoshta ti flet për këto 20 vite dhe e pranoj!
Çdo shkrimtar ka pjesën e dobët “strukture” që i thotë Contini, që bart veprën ma të mirë. Benedeto Croce thotë të shohim “i vertici estetici” të nji shkrimtarin – jo ashklat,

Artan Kafexhiu
Vrethee Lnika A mundesh me ia sjellë këtë kritikë lexuesit të zakonshëm, duke cituar Trebeshinën, duke ecur me lexuesin nëpër rreshtat e tij dhe të zgjedhur, për me mujtë me e shumëfishu veten në ata njerëzit, që i hedhin librat e tij përtej pa dëshirën për me e lexu. Kjo është mjeshtëria e atij që kërkon me i gjetë një vend të përjetshëm veprës.
Sot gjeta këtë citim nga Trebeshina. A më ndihmon kjo pjesëz të më bejë mua si lexues të lexoj atë.
Kasëm Trebeshina – Fshati mbi shtatë kodrina
Eh, rini, rini!… Mosha e ëndrrave, e luftës, e shpresave dhe e dashurisë së madhe!… E asaj dashurie të parë që thahet nga jeta, që dhemb e lëndohet gjithë jetën e jetës.
Rini!… Ti vjen e ushqyer me qumështin e asaj që iku dhe s’kthehet kurrë, përkundesh me këngët e të parëve dhe rrethohesh nga bukuria e stinëve. Zgjohesh në një pranverë dhe dëgjon këngët e bilbilave. Pa e kuptuar dëgjon edhe thëllëzat në mëngjesin e parë!… Pastaj vihesh edhe ti drejt një rruge të re dhe të panjohur. Çfarë force dhe çfarë besimi ke ti në veten tënde, megjithëse nuk e njeh atë rrugë?!… Çfarë pastërtie shpirtërore në moskuptimin tënd ndërsa shkruan historinë…?!
Vetëm përdorimi i tepërt e i pa kriter i ellipsis (….) ma kthen leximin në një dëshpërim…

Vrethee Lnika
Artan Kafexhiu Receptuesi ndahet në kategori janë 1000 nukle hetuesish 1000 gjyqtarë dhe 1000 partiakë të lartë – këta janë kategoria A. Ata kurrë nuk lexojnë çka shkruejnë viktimat – sado estetike t’u ofrohet. Kategoria B janë të paangazhuemit – masa e tyne varion herë andej herë këndej dhe Kategoria C janë pesimtarët – që rrudhen në marketin social nga trysnia psikologjike. Kujt ti drejtohet shkrimtari nga këto kategori? Të krijojmë lexuesin e ri kjo asht beteja!

Artan Kafexhiu
Vrethee Lnika 1 million $ question?
Ndaj desha me thanë: Në erën e FB, si e kush duhet më përzgjedhë “le cime artistiche” të shkrimtarit, e me ia reklamu njerëzve që janë në kërkim të librave?

Vrethee Lnika
Artan Kafexhiu këtu lexojnë vetëm zyshat ër me mbushë 2 oreshin e letërsisë. Nuk ka lexues! U tret me kohën!

Jozef Radi
Lekë e lexova edhe shkrimin edhe bisedën me Tanin! Me pëlqyen ilustrimet e tua!!! Mbetem i mendimit se kriza e humanizmit në letërsi ka sjelle edhe degradimin e shoqërisë shqiptare dhe të lexuesit bile antihumanizmi i veshur me humanizëm në disa Vepra të quajtura tabloide historike është modeli që dominon sot mendësinë e përgjithshme! Pikërisht leximi i letërsi së së huaj edhe pse ajo qe e përzgjedhur mund të ketë ruajtur diçka nga degradimi total!!!

Vrethee Lnika
Jozef – Humanizmi – jemi ne vitin 2000 si shkrim – në këtë rast ka pasë të bajë me shmangjen e ndërmjetësisë së shtetit si manipulator i krijimit të sistemit letrar. Vendosja e raportit të drejtpërdrejtë krijues/lexues Kjo duhet të ndodhte teorikisht pas vitit 1991, besoj se Humanizmi i vakët ka figurue te ato vepra që kishim deri në vitin e shkrimit 2000 me pak ndryshime. Në ato 10 vite u krye tranzicioni i sistemit divergjent letrar, ku Kasemi mori qendrën e sistemit. Më pas kemi anarkine tonë – me luftën për krijimin e receptuesit të ri qe dominon kohën deri tani. Letërsia e kujtesës e ka troshitë lexuesin e sistemit të diskurit me dendësinë e saj. Kryevepra e vërtetë e këtyre 20 viteve veper kolektive qe funksionin si polifoni . Dhe aty jane korifejt mjafton që u ka shungullu sistemin. Dhe s’dinë ku të kapen si i mbytuni për shkume – alias te stekat e vjetra…
Vrethee Lnika – Leka Ndoja

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.