back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Humbja e Gjergj Fishtës… në domino!! dhe një poezi satirike nga Dhimitër Berati

Gazeta

Dhimitër Berati, Gjergj Fishta dhe Luigj Bumçi në Konferencën e Paqes në Paris - 1919
Dhimitër Berati, Gjergj Fishta dhe Luigj Bumçi
në Konferencën e Paqes Paris – 1919

Humbja e Gjergj Fishtës… në domino

dhe një poezi satirike nga Dhimiter Berati

Dhimitër Berati,
dhe historia e poezisë që Pjetër Arbnori
ia dha Arkivit të Shtetit

Ish-kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Pjetër Arbnori i njohur për pasionin e tij për letërsinë kishte mundur të gjente një vjershë të Dhimitër Beratit kushtuar mikut të tij At Gjergj Fishtës. Në vitin 1996, i ndjeri Pjetër Arbnori e ka dhuruar këtë dokument në Arkivën e Shtetit. Në fakt bëhen fjalë për dy fleta të shkruara me makinë shkrimi, mbi të cilat shkruhet data 18. 4. 1923 dhe emri i Dhimitër Beratit, mikut të Fishtës e njëkohësisht deputet dhe ministër i kohës së Zogut. (Fishta e Berati së bashku kishin qenë përfaqësues të Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris më 1919)
Historinë e kësaj poezie plot nota humori për Fishtën vetë autori do ta sjellë në kujtesë, duke dhënë shpjegime të plota në revistën “Shejzat” të Ernest Koliqit. Në një shkrim të botuar aty më 1961, në 20 vjetorin e vdekjes së Poetit Kombëtar, Berati, një figurë shumë e njohur e kohës, flet për miqësinë e tij me Fishtën.
Pikënisja si do e shohim më poshtë është humbja nga Fishta e një “beteje epike”…, por në domino!
Nga shkrimi shkëpusim pjesën që ka lidhje me poezinë në fjalë, të cilat po i sjellim më poshtë së bashku për lexuesit…
Fotokopja e materialit origjinal të poezisë është marrë në Arkivin e Shtetit.

Dhimitër Beratti - kur ishte Ministër i Ekonomisë
Dhimitër Beratti – kur ishte Ministër i Ekonomisë

Pater Gjergj Fishta

Kujtime e shënime nga Dhimitër Beratti
…………………

Lidhjet miqësore me Patër Gjergjin vazhduan pa prerë gjer sa e ndjeu Perëndija, me 1940. Piqeshim sa herë vinte në Tiranë, ose shkonja unë në Shkodër. Kam ndenjur njeherë tre-katër dit musafir i tij, në Kuvendin françeskan, gjë kjo jo fort e zakonshme për rregullat e Kuvendit. Një periudhë tjatër kur kemi patur takim të vazhdueshëm, ka qënë ajo e legjislaturës së parë të Vendit, me 1921-1923. Patër Gjergji kishte ardhur në Tiranë si deputet i Shkodrës. Jeta parlamentare nuk i pëlqente aspak. Thosh se i dhimte kryet me “njato parla-parla të parlamentarve:  dokrra pa kokrra!” Prap se prap, shtonte “kur flet Vokopola për bujqësij dhe Poga për drejtësij, i epshin shkas të shtrojë do vargje satirike mbi këto ditunij…”.  Jo se nuk e interesonin çeshtjet në bisedim të Parlamentit, thosh ay, por ligjeratat pa fund e krye, rihnin ujë n’havan. Përgjithësisht, Patër Gjergji, si mbas prirjes së tij, kishte në sy kryeparë faqen satirike të personave e të bisedave. Kudo e kujdo, si një karikaturist, e kapte menjëherë cenin a të metën dhe, me pak fjalë, e vuloste në mënyrë, të mbaruar.
Vërejtjet gazmore e satirike të Patër Gjergjit na dëfrenin e mbledhjet e njëfarë “klubi” që kishim kurdisur në shtëpij të Vangjel Goxhamanit, ku banoja unë asokohe. Kishim një odë pritje me vatër e shaneshin e një kolltuk të posaçëm për Patër Gjergjin, se – thosh zonja e shtëpisë, në kend, Patër Gjergji s’rri dot dhe fronat s’janë mjaft të sakta për Të.
-Gadi për çdo mbrëmje, pas darke, piqeshin atje për muhabet me Patër Gjergjin, Luigj Gurakuqin, Lef Nosin e miq të tjerë. Zjari në vatër, xhesvja e kafes, gjymçja ku zienin gështenja, dominoja dhe përrallzat e Patër Gjergjit, të kallzuara si vetëm ay dinte t’i kallzojë – si “narrator e aktor i përsosur” i epnin qarkut një ngjyrë familjare të këndëshme.
Kur Patër Gjergji e fitonte partinë (ndeshjen) në domino, Zoti na ruajtë, se qysh tallej me shokun e mundur. Dhe nuk mbaronte me një me dy; jo, t’a mbante këngën. E humba një mbrëmje partinë me Patër Gjergjin. Të nesërmen, më vjen në zyrë të më ngushllojë për punën e dominos e të më këshillojë se duhet me doemos të studjoj ndonjë traktat për këtë lodër dhe vetëm pastaj të guxoj t’i dal përpara!… Por dhe unë e munda një natë dhe e vura në mendje t’ia marr hakun. I shtrova disa vargje si munda, e futa letrën në një zarf zyrtar me vula e pulla, i vura sipër një “Urgjent” me letra të mëdhaja dhe ia dërgova në Parlament “Deputetit të Zadrimës”.

Poezia e Dhimiter Berattit
Poezia e Dhimiter Berattit (arkivi Shtetit)

Patër Gjergji, i habitur për atë goxha zarf – si më tha mandej – e çeli me merak, dhe mbrëndë, në vend të ndonjë dokumenti zyrtar të rëndësishëm, gjet vjershën time satirike. Vjersha, e mbaj mend, fillonte kështu:

Zot! Ç’na ka Pater Gjergj Fishta,
Ay që botës i ngjit bishta,
Ay që s’la kënd pa përqeshë,
Veç Zotyn e Shejten Meshë?

Mandej vazhdonte rreshtimi i simptomave të brengës së tij dhe kërkimi i shkakut të kësaj brenge; pa ndenjat e ndryshme, se mos kishte lajme të këqija për gjëmitë zadrimore në det; a mos i kishte humbun zanin filan orator i Parlamentit, apo Gomarit të Babatasit mos i pat ranë flama, etj., etj. Fundi, del se kurrgja nuk kishte ndodhë prej këtyne fatkeqësinave kombëtare, por se Patër Gjergji ishte pikllue për punë të partisë (ndeshjes) së humbun në domino, etj., etj…
Auktori i Anzave të Parnasit, duke kuptuar nga kush i vinte letra zyrtare, e la me njëherë Parlamentin, zbriti përposh në zyrën teme (atëherë Kryeministrija dhe Ministrija e Jashtme ishin nën sallën e Parlamentit, në shtëpinë e vjetër të Murad Toptanit).
Zot! Ç’më dëgjuan veshët: një Nakdomonic inedit të ri me shumë sende të “Palok Cucës”, etj. dhe fajet e gomarit të Babatasit q’ishte lidhur te penxherja e zyrës sime dhe plliste kur shifte se hynin në godinë a dilnin disa deputetë…” Patër Gjergji më siguroi se do t’a kthjellonte kupëtimin e të pallunit: në ishte për tungjatjeta ose për udhaembarë”! Përfundimi ka qënë botimi i librit “Gomari i Babatasit”.
I ndrittë shpirti n’atë botë Poetit tonë, se i ndritur ka qenë në jetë. Epika e satira e tij, të dyja shkëlqejnë. E nuk e di, me vërtet, cila shkëlqen më shumë. Sidoqoftë, edhe në shoqërij të Marcialit e Gjovenalit a të Parinit e Alfierit, mjeshtra të satirës, Pater Gjergj Fishta mund të rijë në vendin e nderit.

Dhimitër Beratti - Romë 1961
Dhimitër Beratti – Romë 1961

Sic transit gloria mundi…*

Poezi Humoristike nga Dhimitër Berati

Zot ça ka patër Gjergj Fishta
Ay që botës i njet bishta
Ay që s’ka la kend pa përqesh
Veç Zotyn e shejtën meshë

Shumë ftyra i ashtë zbehë
Shumë mustaku a tatepjetë
Ballin rru çi difton vner
Syni qelq qi kallzon tmerr
Buz e varun flokë përpjetë
Ma nuk asht thu n’ket jetë
Gjuha fjalën s’ia  thekson
Kryet lkund e sherr kërkon
Thue se gjet të lypmen rimë
Metri thue tepron nji grimë
Doli vjersha e shkatërrueme
Apo s’asht e kuptueme

Thue soneti i vjen i shkretë
Artikulli ka ndoi t’metë?
Jo rimë s’i ka mangue
Kur s’e gjen din me e përftue
Metri asht vegël e bindun
A për “kambe” si s’asht lidhun?

E shkatërrue vjersha s’i doli
Pse folklorin mirë e moli
Kupëtimi s’mungon vargut
Se idetë vijnë për së largut
Për sonet mos bani brimë
Ky bar len veç në Zadrimë.

Portret i At Gjergj Fishtës
Portret i At Gjergj Fishtës

Si artikullat në Fishtë
E naplonat në zallishtë.
Pse qan dert pra i muzës shoku?
Pse je n’zi të keqen Ndoku!
A se ke pas trashëgim prrallën
Qi n’bezdi ke vu mëhallën

A s’e ke trupin llama
Qi s’ka zhgun për me përfshi?
Bab më len e mos ban fjalë
Ti mas sodit s’më ke djalë
Paskam le me hyll të keq
Baht të zi e fat për dreq
Dominon pse s’ma ke msue
Me nder n’dhe për me jetue

Kët’ arm’ n’dor pse s’ma ke shti
Në Toskë e shqeh të baj kërdi?
Domino të daltë fara
Prej shkencave ti ma e para
Je grihe për trimëni
Je mejdan për medari
Të lavdoj se më zbavite
Të mallkoj se më korite
Zot për shka më ke gjykue?
Pse me i Toskë me m’ndishkue?
Pse një shqah me m’ba fërtele?
Pse namin me m’a ba zhele?
A kam ba mëkat pa dashtë?
A fuqin un’ s’ta kam drashtë?
“Angelus” ka koh s’kam thanë?
Ofiqet mangut kam lanë?
Brevlerin s’kam këndue?
Apo mjaft un’ s’jam pendue?

Zot i madh të kjosha falë
Mos ma hup shpirtin pa dalë.
Qe! dymbedhet litani
Kam me thanë pa mërzi.
Veç të lutem më ndimo
M’u forcu n’domino.
Nj’at tosk shqah e të pafe
T’i marr gjakun kjoft me hile.
Veç krenin me ja rrëxue
Fuqin m’ja tarafiskue.
Korçës hovin do t’ja shtrojshe
Fishtës namin t’ja zgjanojshe.
Amin…

Sic transit gloria mundi…* – (lat) sa efimere janë gjërat e kësaj bote – sa shpejt ndryshon kjo botë
Marrë nga http://27.al/

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.