back to top
8.5 C
Tirana
E hënë, 18 Nëntor, 2024

Hydra, Arvanitët dhe Doktorimi i Historisë nga Eda Derhemi

Gazeta

Muzg ne ishullin e Hydras
Muzg ne ishullin e Hydras

Hydra, Arvanitët dhe Doktorimi i Historisë

nga Eda Derhemi

Ishulli Hydra
Ishulli grek Hydra, në juglindje të Peloponezit ka një histori të gjatë shkruar me gjuhën, zakonet dhe bëmat e arvanitëve, një histori për të cilën krenohen fort hydriotët dhe grekët përgjithësisht. Por në versionin zyrtar, historia e Hydrës ka fshirë tërësisht gjithçka arvanite në ishull, përfshirë edhe vetë emrin arvanit. Tani është një ishull grek veçantia e të cilit, veç bukurisë dhe shtëpive të bardha si nuse zamani, karakteristike për shumë ishuj grekë, janë mushkat që presin kokulura në molin e ishullit të marrin turistët nëpër shtëpitë me qera në rrugët e ngushta që qarkojnë fshatin duke iu ngjitur drejt malit. Veçantia etnike e ishullit është fshirë: askush nuk mund të gjejë gjurmë të dukshme të rrënjëve jetëgjata e komplekse të arvanitëve aty.

Autorja Eda Derhemi
Autorja Eda Derhemi

Nga vizitat e vjetëve të fundit në Greqi, kam vënë re se njerëzia në masë njeh vetëm versionin zyrtar; një version alternativ i historisë i fyen dhe i bën njerëzit agresivë. E kam hasur thënë nga njerëz të shtresave e hapësirave pa lidhje se Shqipëria pushtoi Vorioepirin, pa zënë me gojë idenë që grekët rrjedhin direkt nga Sokrati dhe kanë po atë ADN si ai. Shumica, si kudo, do të besojë atë që e lëviz sa më pak ose asfare gjendjen e tanishme të njohjes që kanë. Gërmimi, dyshimi dhe përmbysja e dijes, ende janë lodra të rrezikshme… si në Mesjetë.
Ndërtimi i krenarisë kombëtare, si në plot vende të tjera, kryhet nëpërmjet ndërtimit të miteve të thjeshta e të fuqishme (sado pak realiste qofshin) që pastaj konsumohen nga njerëzit. Në Ballkan janë të pakëta forcat intelektuale që synojnë dekonstruktimin e mitit dhe ndriçimin e të vërtetave historike dhe shkaqeve të tyre. Greqia, ashtu si Serbia, Shqipëria, etj., s’bëjnë përjashtim. Shumë e kufizuar është në Ballkan edhe larmia e llogarive historike të shumë autorëve dhe shkollave që do ta bënte ndoshta redundant intelektualin vetëkritik aq të nevojshëm ndër ne. Ndaj e vërteta e vuajtur, këtu është edhe më e rreckosur se tjetërkund. Vdekja e shumëllojshmërisë etnike dhe gjuhësore të popullsive të ndryshme në territorin e Greqisë lidhet pikërisht me krijimin e miteve të tilla agresive dominante që shfarosin gjithçka jogreke si të ulët e të turpshme, mite që përvetësohen e fuqizohen nga minoriteti aq sa nga grupet dominante. Hydra është një rast tipik i kësaj shfarosjeje ‘me dëshirën e vetë grupeve etnike’ ose grupeve që rastësisht ‘harrojnë’ gjuhën dhe të shkuarën e vet. Historia e Hydrës është në fakt histori e doktoruar, dhe mospërmendja e qëllimshme e shumë fakteve e bën atë histori të rreme.
Zbres nga anija në molin modest të Hydrës mbushur me kafene e restorante plot turistë, që servirin një sallatë të vogël me domate për 9.5 Euro. Pa dyshim nuk kaloj pa vënë re mushkat e gomerët që më duken të ëmbël e të vuajtur nën saçin e diellit. Para se të shkoj në Muzeun historik të Hydrës, bëj një shëtitje nëpër rrugët me dredha që i ngjiten fshatit. Bukur, pastër dhe vapë, por asgjëkundi nuk ka shenjë të shqipes së arvanitëve; as kur fshatarët pleq flasin me njëri-tjetrin, as nëpër emra rrugësh e sheshesh, as nëpër emra kafenesh e restorantesh. Shoh buste të heronjve ishullarë të revolucionit grek, dhe e di që shumica janë arvanitë, por kjo as thuhet e as nënkuptohet.

Harta e zonës së ishujve grekëe
Harta e zonës së ishujve grekë

Kur hyj në Muzeun historik drejtohem për nga biletaria. Dy vëllezër rreth të njëzetave punojnë për mirëmbajtjen e muzeut, japin sqarime dhe presin biletat. Janë të mësuar e të sjellshëm. Pasi pres biletën u them se jam aq e gëzuar që gjej një muze historik të kuruar nga Ministria e Edukimit dhe Çështjeve fetare të Greqisë, në një qytezë kaq të vogël. Shtova se jam e sigurtë që do gjej plot materiale për punën që po bëj për arvanitët, historinë dhe gjuhën e tyre. “Fshati nuk më dha asnjë shpresë se do gjeja diçka; ndaj mund të mësoj këtu me bollëk atë që s’e gjeta në rrugët e fshatit” – shtova. Njëri nga vëllezërit, ai më energjiku e me sy më të qeshur, më tha:
“Po në muze, në fakt s’ka gjë për arvanitët… ndoshta edhe ka… hëm… nuk besoj se ka gjë.”
Tani ishte radha ime ta humbja për pak. Edhe aq e papritur nuk më erdhi, por nuk e mbaja dot gojën që të mos pyesja.
“Po a nuk është Hydra një fshat arvanit? Si s’paska gjë për arvanitët në një muze historik të Hydrës? Ti je prej këtu? Ka arvanitë sot në Hydra?”
“Jo, sot nuk ka… Po, unë jam nga Hydra.”
“Je arvanit?”, e pyeta.
“Po në origjinë ashtu jemi gati të gjithë këtu”
“A ka njerëz që ende e flasin, pleq a plaka shumë të vjetër”.
“Jo. Nuk besoj se ka ngelur njeri” – vazhdoi vëllai i qeshur, ndërsa vëllai tjetër rrinte ngrysur.
“Po ti a di ndonjë fjalë në arvanitika? Gjuha ka jetuar deri para pak dekadash këtu… jam e sigurtë që ka lënë gjurmë.” Djali pa nga i vëllai dhe më tha
“Unë di ca… por vëllai im di më shumë. Ka ca fjalë të veçanta që ne i përdorim vetëm në këtë ishull… kur nuk duam që të kuptohemi. E dimë që ato vijnë nga arvanitika!”
Por vëllai merrte pjesë pak ose aspak në bisedë. Atëherë u dhashë një copë letër dhe u thashë të më shkruanin në një listë gjithë sa dinin a mbanin mend, ndërsa unë vizitoja muzeun. Do ta merrja listën në dalje.

Pamje nga Hydra - Greqi
Pamje nga Hydra – Greqi

Në muze
Muzeu më bëhet shtëpi për ato pak orë. Ka pak dhoma… pesë a gjashtë gjithsej në strukturën e një godine të pasur tradicionale dy-katëshe (muzeu ideal sipas meje), si dhe korridoret që gjithashtu mbajnë dokumente dhe piktura, skica e foto. Pjesa e arkivave, që në fakt i jep emrin muzeut, nuk është e publikuar, por historia e Hydrës në dy shekujt e fundit është qendrore dhe e vizualizuar disafish me foto, piktura, skica dhe ndonjë dokument.
Nuk ka vizitorë grekë; ka vetëm europianë perëndimorë: francezë e anglezë kryesisht. E di që kam një lidhje më të veçantë se vizitorët e tjerë me portretet që varen nëpër muret e muzeut. Shumica e admiralëve, politikanëve apo piktorëve, si dhe grave të bukura të pikturuara, kanë mbiemra shqip, ndonjëri me një “s” shtuar pas: rreth dhjetë personazhe nëpër muze mbajnë emrin Kriezi, dhe janë nga admiralë e pronarë anijesh – heronj të Revolucionit Grek, në artistë, pasunarë e politikanë të pas-pavarësisë. Pastaj vijnë ‘krerët’ e tjerë: Kriemadhi, Kriekuqi e Kriebardhi; pastaj, Zogu e Mavridera; plot admiralë nga dera e Kunduriotëve, Kulluriotëve dhe Shahinëve; pastaj parakalojnë portretet e anijeve me vela të familjeve arvanite dhe betejat ku këto anije luftuan si kapitenë e admiralë që ndërruan më pas fatin e Greqisë sidomos nga familjet Kundurioti (që mbanin emrin Zerva kur ishin ende në Sul), Krieziu dhe Miaulis (ky i fundit nga fisi i Bokëve apo Vokëve të Eubeas, që flisnin shqip para e pas revolucionit grek, e që mbiemrin Miaulis e patën marrë si nofkë, e që mbushnin me qindra ishullin e Hydrës). Portreti i Eleni Krieziut pikturuar nga Nikolla Voko (Boko) hijeshon dhomën me dritën e syve të butë të Elenit. Më kujton shumë Motrën Tone të Idromenos. Pastaj vijnë veshjet e grave e burrave hydriotë, që kanë fokus të merituar në muze si veçanërisht të bukura e karakteristike. Një plakë e Hydrës është pikturuar në vaj me kostumin e vet, e më tej shfaqet edhe kostumi i saj original dhuruar muzeut. Një vitrinë e gjerë e mbushur me fustanella, fustane të rënda leshi të grave dhe shami karakteristike të Hydrës. Pastaj shihen të tjera piktura që po ashtu theksojnë veçantitë e veshjeve grarishte dhe burrërishte të hydriotëve, si dhe veçantitë e tyre kulturore e shpirtërore.

Statuja e Laskarina Bubulines
Statuja e Laskarina Bubulines

Muzeu është i mbushur me emra e bëma heronjsh, vargje politikanësh të mençur e trimash të çartur, si dhe me dëshmi kulturore e artistike që lëvdohen me patos të spikatur. Por emri “arvanit” e “arvanitika” nuk janë zënë me gojë as edhe një herë të vetme në muze. E nis nga e para… nga kati përdhes deri tek dritarja e fundit në dhomën gjysmë boshe të katit që sheh mbi det një pamje përrallash, se mos më ka shpëtuar fjala pa vënë re. Jo! Etniciteti i këtyre njerëzve që përndryshe u është numëruar sasia e dhëmbëve në gojë, është totalisht i munguar. Flitet për veçantitë e veshjeve, të trimërive, të profesioneve e të pasionit që i hodhi në detra lufte, por nuk thuhet gjëkund se të gjithë i përkisnin një komuniteti a “katundi” që s’qe grek për nga etniciteti, dhe se që të gjithë flisnin një gjuhë që nuk ishte greqisht. Unë nuk prisja të lidhnin këtë grup me shqiptarët apo shqipen. Këtë lloj naiviteti ka vjet që e kam kaluar, sepse kam lexuar edhe studiues grekë me doktorata që kujdesen (padashje?) të mos lidhin kurrësesi “arvanitët” me “shqip apo shqiptarë”. Por prisja që së paku fjalën ‘arvanit’ ta gjeja në çdo mur dhome këtu. Përmendja e origjinës së këtyre njerëzve (origjinë që ata e jetuan përgjatë gjithë jetës dhe që nuk ishte veç rrënjë formale historike) nuk është e domosdoshme vetëm ngaqë kur flet për veçantinë e ishullarëve, nuk mund të harrosh pikërisht atë çfarë e bën këtë ishull të veçantë e të ndryshëm nga të tjerë. Por është e domosdoshme edhe sepse jemi në një muze që po tregon historinë e këtyre njerëzve nën tutelën serioze e zyrtare të shtetit (Ministrisë së Arsimit dhe Çështjeve Fetare), histori e cila nuk mund të tregohet kurrë duke u fshehur etnicitetin dhe gjuhën që flisnin.
Në këtë pikë jam e mbushur me trishtim, dhe jo vetëm se është e padrejtë dhe e paramenduar ajo që shoh edhe sikur të mos kish të bënte me një kombësi që unë ndaj me gjysma-heronjtë e muzeut ose me historitë e tyre politikisht të doktoruara; jam e mbushur me trishtim se shoh sa pa shpresë jemi ende ne në Ballkan të shohim në sy historinë dhe njëri-tjetrin: pa hile, pa “të futme”, pa urrejtje të fjalësuara a të nivelit para-verbal. E shoh se shtetet jo vetëm nuk prijnë me shembull progresiv njerëzit, por u ushqejnë vështrime rrenacake e armiqësore. E shoh se ajo që duket në horizont sot nuk është e bukur, dhe pa dyshim që furnizon me energji të reja negative grupet super-patriotike që, teksa tundin flamurë festash, shpërndajnë pluhur të hidhur urrejtjeje për tjetrin. Ëndrra europiane e Ballkanit, si për ata që Pavarësinë formale e fituan në shek. XIX si për ata që e fituan në të XX, është vërtet vetëm aq: një ëndërr, shpesh edhe e keqpërdorur.

Pamje e Gjirit te Hydras
Pamje e Gjirit te Hydras

Në ikje
Në të dalë ndaloj rishtaz me dy vëllezërit tek hyrja e muzeut. Më ftojnë të hyj në studion e Muzeut. U flas për zhgënjimin në muze. U thashë se eliminimi i përmendjes së gjuhës dhe etnicitetit të fshatit nuk është i drejtë, nuk është shkencor, nuk është as human. Më thonë se “ndoshta ngaqë kuruesit janë përqendruar tek historia”… mua këtu m’u duk se nuk kishte më kuptim të vazhdoja argumentimin. U thashë vetëm se shtëpia ku Muzeu u ndërtua në fillim të ekzistencës së vet në 1918, iu dhurua shtetit po nga një arvanit, Gjikë Kuluri, pronar anijesh si shumë bashkëfshatarë të vet, sepse donte që historia e katundit të vet me shqipfolës si ai, të mos harrohej. Por në fakt “u harrua” copa më qenësore e saj. Me njërin vëlla mund të lidhesha e të bisedoja hapur, tjetri më shihte vazhdimisht me një lloj shemërie të shurdhët, dhe e dija që ky i dyti ishte Ballkani i vjetër burrëror, patriot e patriarkal që jeton ende ndër plot 20-vjeçarë. I pyeta nëse mund të më jepnin listën e fjalëve arvanite që ende përdoren në ishull. E mora dhe nisa prapë bisedën e lehtë dhe gazmore me njërin vëlla. Po përpiqej të më shpjegonte se ç’donin të thoshin shprehjet që ai i kish shkruar si “Hana mounou!” dhe tjetrën si “M’bitha!”. “Janë fjalë të turpshme… nuk t’i them dot se ç’duan të thonë”- më tha pasi m’i lexoi si i shqiptonin. Iu përgjigja se unë flas shqip dhe i kuptoj mirë që të dy shprehjet që përdoren ende në Shqipëri. Pastaj folëm për ca fjalë që lidheshin me peshkimin dhe me detin, dhe ca të tjera që s’i mora vesh. Njëra që m’u duk simbolikisht me vend të mos e merrja më vesh, kish kuptimin “jemi të një soji, jemi të ngjashëm e të pandarë”, dhe ishte: “Tatsi, mitsi, kotsi!” (shkruar prej tij kështu, por shqiptuar si “taci, mici, koci”). Ndoshta do të thoshte “tasi, mishi, kosi/koci” në kuptimin e ndarjes së ushqimeve bazë të grupit apo lidhur me mishin e kockën? Nga ishulli më mbeti një ndjesi e fortë humbjeje… fjalësh, historie, miqësie, komunikimi, jete.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.