back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

“Hymne të artit, frymëzuar nga bukuria e jetës” – Pjesë nga intervista e Gjon Shllakut

Gazeta

Françesk Radi - The indomitable Musician - Tefta Radi
Françesk Radi – The indomitable Musician – Tefta Radi

“Hymne të artit, frymëzuar nga bukuria e jetës…”

Doli në qarkullim libri kushtuar kantautorit Françesk Radi

Pjesë nga intervista e Gjon Shllakut

Libri është në shitje në Amazon.
Urime për këtë vepër të përkujdesur Tefta Radit,
ku pjesë e botimit jam edhe unë me transkriptimet e këngëve te Frankos.
“Libri u botua dhe është vlerësuar si unikal në gjithë përbërësit e tij.
Botimi i një libri në tri gjuhë për ta ishte diçka e pa ndeshur më parë.
Një super botim. Jam e gëzuar që ia dola një pune që nuk ishte e lehtë.
Tashti libri ka jetën e vet dhe sigurisht Franko e meritonte…”
Tefta Radi

Gjon Shllaku gjatë koncertit
Gjon Shllaku gjatë koncertit

“Jo rastësisht, muzika e Françesk Radit më ka bërë përshtypje gjithmonë.
Fiillimisht, ndoshta sepse rritesha në një ambient ku muzika vlerësohej tradicionalisht si pjesë e rëndësishme e formimit, në një familje ku shijet artistike, muzika dhe njohja e saj nuk ishin privilegj, por njëfarë orjentimi krejtësisht i rrjedhshëm, pothuajse i ‘detyrueshëm’; ndoshta sepse unë bashkë me dy motrat e mija më të mëdha, ishim nxënës të Shkollës së Muzikës dhe ndikimi i saj na bënte të vlerësojmë sadopak të bukurën e vërtetë.
Apo, meqë në atë kohë kur edhe pse me frikë, Festivali i Sanremos ndiqej në radion tonë për tre netë nga gjithë të afërmit me opinione dhe me parashikimet për këngën fituese, ku ‘hynim’ edhe ne si fëmijë.
Ndoshta sepse muzika e re amerikane dhe ajo angleze e Beatless e Rolling Stones si dhe rrymat e reja bashkëkohore që kishin pushtuar botën dhe për çudi dëgjoheshin lirisht edhe në Radio Tirana, e më vonë ne televizionin Shqiptar, na bëri të jetojmë me entuziazëm edhe muzikën shqiptare të atyre viteve, në veçanti ‘Anketën Muzikore’ ku në vitin 1970 do të triumfonte një kantautori i ri, krijuesi i së famëshmes “Adresa”– Françesk Radi.
E dëgjoja me kënaqësi si gjithë bashkëmoshatarët e mij e të rinjtë; kishte diçka që na tërhiqte në zërin e tij të ngrohtë, pak hundor (ndofta të ngjashëm me Celentanon), për ritmin e këngës, tekstin e thjeshtë rinor e ndofta më tepër për atë çfarë më bënte të ëndërroja: një muzikë pa kufizime, një shprehje të lirëshme ndenjash artistike e jetësore që të gjithë dëshironin…
Sot, kur më jepet rasti të kem në dorë e të përgatis për botim materialet e plota të krijimtarisë së Françesk Radit, ndërsa transkriptoj notë për notë krijimtarinë e tij, lexoj tekstet e frymëzuara të këngëve të tij, ndërsa më rikthehen në memorie kritikat dhe ashpërsia e autoriteteve politike që rënduan mbi krijuesit e interpretuesit, duke shuar në vazhdim çdo tendencë përparimi të muzikës së lehtë shqiptare, dëshiroj të rendis shkurtimisht disa nga veçoritë e krijimtarisë së autorit.
Krijimtaria muzikore e Françesk Radit, mund të konceptohet në tre faza, nisur nga mundësitë praktike dhe kufizimet për të krijuar në fushën e artit, në kushtet e diktaturës komuniste dhe mbas saj:
-periudha e “liberalizimit” të cilës i përkasin këngët “Biçikleta”, “Adresa” dhe “Kur dëgjojmë zëra nga bota” ;
-periudha mbas kritikave të Festivalit të 11-të ku përmendim këngët “Krah për krah në jetë”. “Ecëm përkrah në jetë” dhe “Lulja më e bukur” ;
-periudha mbas viteve 1990 ku hyjnë gjithë këngët e tjera që krijoi.
Pavarësisht nga ndryshimet e tejskajshme të dy periudhave të para me te tretën në pikëpamjen e kufizimeve apo lirisë të shprehjes, ka diçka që unifikon stilin e krijimtarisë së autorit, që vjen në rritje dhe konsolidohet në rrjedhën e viteve. Janë tiparet individuale të kërkesës së autorit, ku mbi të gjitha vërehet ekzigjenca dhe përzgjedhja e tematikës, në përshtatje me kërkesat e momentit kur krijohet kënga.
Me frymëzimin e një të riu, Françesku krijoi një këngë shumë komunikuese, të thjeshtë e të kapëshme për dëgjuesin, qe e përvetësoi menjëherë atë, duke qenë se njëkohësht ajo plotësonte shijet e reja të kohës.

Françesk & Tefta Radi
Françesk & Tefta Radi

Një gjë e këtillë u kthye pothuajse në një ‘situatë fatale’, në përfundimin e periudhës së parë të krijimtarisë – jo për fajin e autorit, por thjesht për ashpërsinë karakteristike me të cilën vepronte ideollogjia diktatoriale, ndaj artit dhe artistit.
Kënga “Adresa” edhe pse e ndërtuar mjeshtrisht e mbështetur në pentatonin karakteristik të muzikës së Jugut, u kritikua ashpër për frymën moderniste që krijonte kryesisht ritmika, orkestracioni dhe mënyra bashkëkohore e të kënduarit.
Nuk llogariteshin më vlerat e krijimtarisë, artisti viktimizohej duke u trajtuar jo thjesht për vlerat e veprës, por si “armik i shijes së popullit” dhe “degjenerimit” të saj.
Po kështu, edhe “Biçkleta” për frymën e saj si këngë e komunikueshme me një histori të thjeshtë dashurie, u bë objekt sulmi të pashembullt duke “kryqëzuar” si tekstin ashtu edhe muzikën, gjë që rëndonte dyfish kantautorin Françesk Radi.
Pavarësisht nga ajo që ndodhi në vazhdim, kur Françeskut ju mohua e drejta e krijimtarisë dhe interpretimit, vlera më e lartë e fushës së këngës në periudhën e dytë të krijimtarisë së tij, është pikërisht ruajtja e raportit të “frymëzimit të kontrolluar” me kërkesat e kohës, përmes poezive me “tematikë të shëndoshë” por me korrektesë melodike, si për shëmbull tek kënga “Krah për krah në jetë“ – duet, apo dhe mbështetja më e drejtpërdrejtë në motivet popullore, sikurse tek kënga “Ecëm përkrah në jetë” që autori realizon pa rënë në kthetrat e foklorizmit e në vulgaritet, si shumë autorë të tjerë të këngës gjatë viteve ’75-‘80 e deri në vitet ‘90.
Mbas vitit 1991 Françesku, rigjeti frymëzimin e kohëve të para këputur nga diktatura, riktheu frymën e “momenteve shpirtërore” të rinisë së tij në frymëzimin e kohës së re, duke vazhduar konseguent pa asnjë lëkundje stilin e tij të herëshëm meqenëse koha e tij, sikurse ajo e Çelentanos, nuk ikën kurre.
Domosdo që arritjet në konsolidimin e stilit, do të vinin si për çdo autor, në momentin e çlirimit të përgjithshëm nga zgjedha e kufizimeve shpirtërore dhe artistike, kur përzgjedhja e gjithë elementëve të krijimtarisë i besohet vetëm frymëzimit të lirë të autorit. Dhe kjo arriti me forcën më të madhe, në këngët e krijuara në këtë periudhë të tretë.
Qoftë në zgjedhjen e tematikës së ndjeshme ndaj realitetit që përjetonte, në seleksionimin e poezive me vlera, apo në përzgjedhjen e motiveve muzikore, ritmeve, harmonisë e në të shumtën e rasteve edhe timbrikës orkestrale, pasuruar ndërkohë nga instrumentet elektronike apo ato të gjalla solistike, Françesku avancon jashtëzakonisht, pra, konsolidon identitetin e tij krijues gjithmonë në vazhdimsi të traditës së mëparëshme e të shijes së tij personale.
Jo thjesht në elementët e gjuhës muzikore si melodi, ritëm, harmoni e timbrikë, por edhe në trajtimin e formës së këngës, Françesku ruan dhe parimet e përzgjedhura sidoemos në përdorimin e introduksioneve e ndërhyrjeve solistike të instrumentave – tipike e disa rrymave të muzikës moderne, shumë e pëlqyeshme dhe e përdorur në krijimtarinë e tij. Një ndikim të rëndësishëm luan në këtë drejtim, instrumenti kitarrës – pjesë e pandashme e tërësisë së formimit të tij muzikor.
Françesku, ka krijuar muzikë në mënyrën më profesionale – duke e mbështetur frymëzimin muzikor mbi një poezi të pëlqyer, shpesh të marrë nga vëllimet e botuara të poetëve të tij të preferuar.

Françesk Radi - The indomitable Musician - Tefta Radi
Françesk Radi – The indomitable Musician – Tefta Radi

Duhet ta ketë njohur shumë mirë vargun poetik, sepse është perfekt në zbërthimin silabik të poezive, gjithashtu mjaft i përshtatur melodikisht e harmonikisht, e sigurisht shumë i frymëzuar në detaje të tekstit.
Kjo veçori, i jep krijimtarisë tij ngjyrime spektrale dhe kontrast të admirueshëm. Nga kënga në këngë, dallohen për karakter të spikatur frymëzimet muzikore si për shëmbull: “Paganini“ (Funk – Hip-hop) dallon nga “Një nënë, fëmijët, koha dhe unë“ – një baladë e qetë me tekstin e frymëzuar të Romina Power; apo një ngacmim sa i sinqertë aq edhe prekës i pseudodemokratit tek “Herezia” mbështetur në një ritëm energjik Italo-disco, përballë tij një “Zemër e lodhur” ndërtuar mjeshtrisht e me mjete të thjeshta, një nostalgji romantike karkteristike për autorin; një “Rock i Burgut“ përballë me brishtësinë e sinqeritetin fëminor të “Telefonatë zemrash” deri tek ‘balada realiste’ e një ndjenje prindërore si “Jeta s’të le fëmijë” ; autobiografia artistike e jetësore, e shprehur me tërë forcën e shpirtit, që e lartëson autorin në majat e krijimtarisë së muzikës së lehtë shqiptare, në këngën “Humba pranverën” – përballë një pesimizmi të justifikueshëm por, që gjallërohet deri në një stigmatizim të realitetit nga ritmi Rock & Roll në këngën “Ky fat na ra” (House Disco), deri tek ‘romanza kontemporane’ e dashurisë së pastër bashkëshortore, tepër kumbuese e këngës “Fli e vuajtura ime” apo “Të gjithë në det” hymnizim i qetësisë, dhe i ‘shkudjesjes verore’ mbështetur në ritmin ekzotik Reggae.
Mënyra origjinale e interpretimit të këngëve popullore shqiptare, nga gjithë gjerësia e trevave shqiptare ishtë pjesë e rëndësishme e krijimtarisë së Françesk Radit. Ai përmes individualitetit stilistik personal, ka lënë gjurmë në modelet e trajtimit të këtyre këngëve dhe ka ndikim të drejtpërdrejtë në jetëgjatësinë e këtyre vlerave.
Ripunimi dhe interpretimi në versione të reja i këngëve të periudhës së parë, trajtuar me lirshëm, si në variantet melodike ashtu edhe në orkestracion, shoqëruar me videoklipet përkatëse, i kanë dhënë një popullaritet të madh atyre.
Këngët që Franko i dhuroi publikut të gjerë në moshën e rinisë së tij, do të mbesin përherë si hymne të artit të frymëzuar nga bukuria e jetës. Krijimtaria e tij më e zgjedhur, përfshirë këngët e fundit – si një testament artistik për muzikën e lehtë shqiptare, dëshmojnë përpjekjet e një artisti të lirë në shpirt, i bindur në rrugë artistike që ndjek drejtë përjetsisë së veprave të tij.”

Marrë nga Muri i FB Gjon Shllaku, 19 tetor 2023.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.