back to top
1.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

I burgosuni dhe flutura – nga Lazër Radi

Gazeta

Lazër Radi - 1940
Lazër Radi – 1940

I burgosuni dhe flutura (1937)

nga Lazër Radi

Ah i burgosun!
Njeri i shoqëruem prej errësinës dhe i rrethuem prej katër mureve të lagshtituna. A thue ç’ka mund t’i shkoi nëpër mend nji të burgosuni, i cili shef para vedit jetën e vet të humbun. A thue ç’ka ban ai kur ndin për të parën herë zanin e ndërgjegjes, – ndërgjegjen – ndërgjegjen e zgjueme dhe që nat vetmi helmuese e çarton?
Porsi nji top i rrumbullakët që rrokulliset në teposhte pa u ndalë, – njashtu rrokulliset për në pakufi edhe jeta e disa njerzve… e gzimet, kujtimet e lumtunit e kohnave të kalueme, – të gjitha shuhen, – të gjitha lahen e përpihen prej lotëve të mjerimit… Vetmija i mbyt të burgosunit edhe të mirën ma të mbrame.
Në kulmin e dishpërimit pau i burgosuni ngushllimin e vet, – ngushllimin e ngjyrshëm kah fluturonte… pau fluturën e bukur që përshkoi hekurat e trashë e të tërthurun të dritares së vogël, – të dritares së burgut prej kah hynte nji dritë e zbe. Flutura e hijshme fluturonte e lirë nëpër atmosferën e errtë të burgut. At’herë njeriu i burgosun për t’u ngushllye e pyet, e pyet për gjithçka, – zemra i digjet flakë – asht i etshëm – don me dijtë se ç’ka të re në botën e lirisë… e pyet, e pyet gjithnji… e flutura hesht dhe fluturon e qetë… at’herë i burgosuni shpërthen në vaj…
-Pash at që të krijoi, më difto, natyra a vazhdon me buzqeshë? Pemët a kanë nisë me lulzue në të tanë bukurinë e tyne? Agimi i lumtun a ngjallë përsëri shpresa të reja? Kangët e harmonishme të krojeve të kristalta që ulen prej majash ma të epra të maleve shqiptare, a ndigjohem ma…?
E pyet… pyet pa ndà. Por flutura i përgjigjet vetëm me fluturim të pandamë… Atëherë pësimi e dhimba i shtohen të burgosunit të mjerë.
-Largohu, ik prej ksaj kthine t’errtë. Shko. Shko atje ndër fushore të bukura, – n’at mozaik plot ngjyra…atje fluturo plot ambëlsi, – shko atje asht vendi i yt, ik, ti o flutur mund të bahesh ngushllimi i im: Ndoshta kur do të jeshë n’ato ograja të bukura, dy fmijë të njomë kanë me të ndjekë për me të zanë… ti, hik, largoju ec përpara… ata kanë me të ndjekë e ti ecë gjithnji deri sa të vijsh pranë këtyne hekurave të kryqëzuem… e unë, atëherë, do të kënaqem tue i vrejtë… sepse ata janë fmijtë e mij… fmijtë e zemrës sime.
Flutur – shko…
Por… heu vaj! Lëvizi pak, dhe zhurma helmuese e prangave me të cilat e kishin lidhë… e zgjoi. Fatziu! Lamtumirë – vegim i bukur…
lamtumirë… Ah i burgosun!
(Shtypi, e enjte 25 Nandor 1937)

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.