
I dënuari me pushkatim
nga Muçi Xhepa
Trokitja e lehtë i preu tregimin në mes mikut tim të vyer, Eshref Zagorçanit. Shoqata e të Përndjekurve dhe Persekutuarve Politikë, dega Elbasan, sapo e kishte zgjedhur kryetar. Priste të intervistohej nga një gazetare gjermane. Hapa derën. Krijesa e një bote tjetër përshëndeti me zë të ndrojtur.
-Mirëmbrëma! – e tha në shqip me “rr” të fortë dhe buzëqeshi.
Humba në sytë e kaltër si qielli i pranverës. Fytyra e bardhë dukej sikur nuk kishte parë diell kurrë, ndërsa lëkura delikate, pa rrudha, shkëlqente magjishëm nën tualetin aromëdehës. Flokët i thyheshin bukur mbi jakën e ngritur të pardesysë ngjyrë qumështi, që derdhej mbi trupin elegant deri pak mbi gjunjë. Çizmet femërore, lëkurë kafe të çelur, zbukuronin plot elegancë këmbët e saj të drejta.
-Ç’janë këto që shëtisin me çizme oficerësh në bulevard? – kishte pyetur i marri, Neroni, kur kishte parë nga dritarja e zyrës disa vajza me çizme të gjata lëkure, që bënin xhiron e mbrëmjes. Shëtitja në bulevardin e madh ishte e vetmja kënaqësi e tyre.
Miku im i vjetër, Spiro Duni, nuk e preferonte.
-Është xhiroja e ajrosjes në oborrin e burgut, – thoshte ai, kur pinim ndonjë gotë te sahati.
Aq kishte mjaftuar dhe hienat u ishin sulur vajzave të bukura dhe ua kishin shqyer çizmet në rrugë, me thikë. Menjëherë, nëpër shkolla dhe qendra pune kishte filluar të punohej marrëzia e radhës.
“Luftë pa kompromis ndaj çdo shfaqjeje të huaj”.
Ndërsa vetë i marri porosiste në Paris rroba nga firmat më të mira të botës. Madje edhe djathin e merrte nga Franca.
Zyra në hollin e “Skampës”, menjëherë sapo ngjisje shkallët në krahun e djathtë, kundërmonte erë duhani të fortë. Eshrefi, ulur në kolltukun që shihte nga dritarja, u ngrit menjëherë në këmbë dhe e përshëndeti në gjuhën e saj. Gazetarja shtangu.
-Ju flisni një gjermanishte të bukur! Ku e keni mësuar?
Eshrefi i tregoi se kishte studiuar atje.
-Kur ishin bashkë. Të bashkuara! – tha dhe i kërkoi leje të ndizte cigaren.
-Tingëllon ndryshe, bukur në gojën tuaj, – tha ajo dhe aprovoi me kokë kërkesën e Eshrefit.
-Vjeneze, në Vjenë kam studiuar.
Adela buzëqeshi e sytë i ndritën. Eshrefi fliste për një kohë të largët. Fshehur brenda nënvetëdijes. Në çast u bënë miq të ngushtë.
Adela filloi ta pyeste për shoqatën, funksionet e saj. Numrin e anëtarëve.
-Është shumë e madhe, ju duhet ta ktheni në parti.
Eshrefi heshti. Humbi në mendime.
-Kur të bjerë në Moskë komunizmi, – tha ftohtë.
-Ka rënë, – foli ajo pa u menduar.
Eshrefi ndezi cigare tjetër, këtë radhë pa i kërkuar leje. Ishte mbrëmje, fillim dhjetori. Jashtë bënte ftohtë. Era e Krastës të mpinte veshët. Qyteti ishte zhytur në errësirë të plotë. Falangat komuniste kishin filluar të riorganizoheshin. U siguruan. Katovica po zbatohej. Në fund të fundit, kush do t’i gjykonte? Nurembergun e bënë fitimtarët. Këtu, cilët kishin fituar?
-Kur të bjerë në Moskë… – tha profeti Eshref.
-Diçka për gjendjen ekonomike të anëtarëve?
Adela mori stilolapsin të shkruajë.
-Është koha për të ngrënë darkë, shkojmë në shtëpinë time! Bisedojmë atje, – e ftoi Eshrefi dhe u ngrit.
Ajo pranoi menjëherë. Morëm rrugën për te “Banesat”. Lagja e fundit e qytetit, në periferi; e kishte caktuar Komiteti i Partisë për të dënuarit, të deklasuarit dhe të padëshiruarit. Kishte filluar të krijohej kur nisi ndërtimi i metalurgjisë së zezë. Rruga ishte pa ndriçim. Kishte ditë që ndodhte një gjë e tillë. Flitej se e bënin me qëllim ata të Nish-elektrikut. I prisnin dritat, që një kompani tregtare të shiste qirinjtë dhe e ndanin bashkë fitimin. Arritëm te ndërtesa. Ajo ishte e papërfunduar, punohej në katin e tretë. Eshrefi banonte te hyrja në katin e parë. E ndante me një ish-të dënuar tjetër politik, që kishte vuajtur shtatëmbëdhjetë vjet nëpër burgje e kampe pune. Gulagun shqiptar. Eshrefi nxori nga xhepi një bisht qiriri. E ndezi dhe hapi derën me të kërcitura. Dera mbahej nga dy mentesha të improvizuara. Copa kamerdareje makine, një në krye dhe një në fund, të kapura me gozhdë te korniza prej druri në mur.

Brenda mbretëronte lagështira dhe era e mykut. Kur kaluam korridorin e pashtruar, drita e zbehtë ra mbi derën e hapur të dhomës përballë; ish – i burgosuri politik rrinte shtrirë në shtrat, i mbuluar kokë e këmbë me batanije. U futëm në dhomën e Eshrefit. Ai ndezi llambën e vajgurit, të vendosur mbi një komedinë të vjetër. Ndriçimi i saj bëri të shquheshin orenditë. Në krye, mbështetur në mur, ishte një krevat portativ, i mbuluar me batanije të errët. Në mes një furnelë vajguri e vjetër, që anonte sikur do të shembej në dyshemenë e shtruar me rërë. Varur me gozhdë në faqen e murit, pranë derës, ishin një palë pantallona, të cilave nuk u shquhej ngjyra dhe pranë tyre dy këmisha të errëta, ngjitur me to xhup i zi, si prej burgu. Përreth furnelës ishin katër stola të vegjël, si ato të një kopshti fëmijësh. Na ftoi të uleshim në to. Adela, fshehurazi, fshinte lotët.
-Kam pak raki, nga miqtë e internimit.
Nxori nga komodina tre filxhanë kafeje. Rakia ishte e fortë; më ra në kokë. Thau edhe lotët e Adelës, që u ngrit ta ndihmojë të përgatiste darkën. Tri pjata me pak bizele nga një kanoçe konserve e hapur dhe nga një domate turshi. Në një pjatë të madhe të përbashkët vuri pak lakra të regjura. Në karrigen bosh vuri çerekun e bukës, të ftohtë gur, të prerë në feta. Nxori nga poshtë krevatit konserva peshku, nga një për secilin. Konservat ishin prodhim i huaj, peshk i tymosur, që shiteshin në kioskat e hapura rishtazi. Mori tre pirunj nga sirtari i parë i komodinës, bëri të dalë jashtë, por e ndaloi Adela.
-I laj unë!
Ai ndezi qiririn. Dolën bashkë; lavamani ishte në korridor, nuk e kisha vënë re kur erdhëm.
-Ich möchte einen Toast auf Adela ausbringen – Dua të ngre një dolli për Adelën!
Eshrefi uroi në këmbë dhe trokiti filxhanin me ne që kishim kërcyer menjëherë pas tij në këmbë. Njeriu që kishte kaluar tërë jetën në Gulagun shqiptar u shndërrua në çast në djaloshin ëndërrimtar të shëtitoreve të Vjenës. Ishte kthyer plot shpresë se atdheu do të bëhej si Evropa.
Babai i Eshrefit, Beqir Zagorçani, e kishte dërguar fëmijën e vetëm të shkollohej në Itali. Pasi kishte mbaruar të gjitha ciklet e studimit atje, djaloshi i ri kishte shkuar në Austri t’i thellonte ato. Gjatë kësaj periudhe, Beqiri ishte vrarë në një atentat të ngritur kundër tij në Pogradec, ku punonte oficer i lartë në mbajtjen e rendit. Trimëria e Beqirit tregohej si legjendë në qytet. I shtrirë përtokë, pasi atentatori e kishte goditur pas shpine, Beqiri kishte mundur të nxirrte nagantin nga brezi dhe ta godiste në këmbë “trimin” që largohej me vrap. Ishte tërhequr zvarrë deri pranë kriminelit dhe kishte mësuar kush e kishte paguar, pastaj e kishte mbaruar me një plumb në gojë.
U ulëm në verandën e “Skampës”, në katin e dytë. Pranverë. Lulet e mimozës sillnin aromën deri aty lart. Porositëm kafe. Eshrefi preferonte ujë pa gaz.
-Nuk e mbarove rrëfimin për dy momentet fatale, ato që të ndryshuan jetën.
Afrova njerën tavëll pranë tij.
-S’mbaj mend ku e lamë herën e fundit.
-Kur të arrestuan?
-Ah, po! Herët në mëngjes erdha në Tiranë. Xhem Salla kthehej nga Korça me automobilin e tij dhe më bëri vend. Xhema vetë vuajti njëzet e katër vjet në Gulag. Duhej të merrja udhëzime për “Grupin e Rezistencës” që organizohej në Pogradec. Ishim një grup intelektualësh, të tërë të ardhur nga jashtë. Adresën e vendit të takimit do ta merrja nga sportelisti i hotel “Dajtit”. Njeri i besuar. Familje e mirë dhe me taban nga zona jonë. Njiheshim familjarisht. E njihja edhe vetë, – psherëtiu thellë. I humbi shikimi, ashtu si me Adelën dikur, dhe pas pak vazhdoi: – I ke nëpër këmbë, miku im Muçi. Edhe sot pas dyzet e tetë vjetësh. Janë po ata. Të shkollës së “Xherzhinskit”.
Erdhën kafetë.
-I keni të paguara, – tha kamerierja dhe bëri me dorë nga Skënder Leka, djali i dajës të Eshrefit. Skënderin e kisha mik të vjetër, që nga koha kur ishte kthyer nga Gulagu Spaç. Tani punonim bashkë në “Skampa”.
-Ishte i infiltruar në organizatën tonë sportelisti, – ndezi cigaren tjetër, pa fikur ende atë që po pinte dhe vazhdoi. – Nuk kisha arritur te shkalla e fundit në dalje të hotel “Dajtit”, kur pesë oficerë të sigurimit më mbërthyen nga krahët dhe më futën me forcë në makinë.
Eshref Zagorçanin e torturuan ditë e natë, me format më të egra. Dy vjet radhazi. Kërkonin të tregonte anëtarët e tjerë të organizatës. Trimi rezistoi heroikisht. Kur kriminelët komunistë e panë se nuk e thyen dot, e dënuan me vdekje, me pushkatim.
-Pritja për t’u pushkatuar ishte tortura më e rëndë psikike dhe fizike që kam kaluar. Lidhur duar e këmbë me zinxhirë, më varnin orë të tëra në një çengel në murin e qelisë me kokë poshtë, si bagëti.
U ngrit në këmbë, ktheu duart mbrapa, i bashkoi me njëra-tjetrën, bashkoi edhe këmbët e u përkul pak përpara.
-Pasi më lidhnin duart veç dhe pastaj këmbët, i bashkonin me një zinxhir më të trashë, që kapej në të dyja anët, kurse në mes kishte një hallkë të madhe, të cilën e varnin në çengelin e ngulur në mur.
U ul në karrige, thirri kamerieren, porositi një shishe ujë dhe u kthye nga unë:
-Minutat e para më dukej sikur brinjët do të më shpërthenin nga kraharori. Pastaj më binte të fikët. Kur përmendesha më kaplonte një dhimbje e madhe. Dy vjetët e hetuesisë kishin bërë të vetën, më kishin dobësuar shumë.
Eshrefin e mbajtën të lidhur me hekura në pritje të pushkatimit për njëqind e tridhjetë e shtatë ditë. Gjatë kësaj torture psikologjike, brenda një qelie, fare i vetëm, ai kishte kaluar kriza të forta mendore.
-Ishim dy Eshrefë: ai fiziku, që do ta pushkatonin, dhe ai shpirtërori, që jetonte në Vjenë, i dashuruar… Ditën e fundit, togeri më tha: “Të është kthyer në burgim të përjetshëm dënimi”. Ndjeva keqardhje për Eshrefin fizik.
Marrë nga Muri i FB, Muçi Xhepa, 4 prill 2024