“I pari gjyq Special në Shqipëri”
Dokumenta dhe shënime nga Lazër Radi
Shtëpia botuese “Reklama” Tiranë 1997, kopje 1000 (fq. 139)
.
Në moshën 28 vjeçare, autori i librit, Lazer Radi do të ishte ndër 60 të arrestuemit e parë mbas çlirimit të Tiranës. Ishte në listën e atyne të arrestueve që do të çelnin gjyqin e parë në historinë e Shqipënisë komuniste. Nji gjyq makabër i nji vendi të vogël që ma së shumti kish qenë i pushtuem se pushtues. Gjyqi Special u zhvillua nji vjet para Nurenbergut të famshëm. Në Gjyqin Special u dënuan 17 vetë me vdekje, në Nurenberg, për gjithë krimet e nazizmit vetëm 12 vetë. Shqipëria sërish do të ishte nji shembull për me u imitue!!
Libri asht i mbushun me dëshmi të kohës, dhe me seancat qesharake, ku nji trup gjykatësish partizanë, pa asnjë lloj arsimi, dënonte mjaft prej intelektualëve ma të randsishëm të kohës…
.
“Ky gjyq shpalosi në qiellin e zymtë të Shqipnisë së atyne viteve, legalizimin e krimit e u dha mësime e direktiva të posaçme gjithë asaj luzme injorantësh që do të dënonin ma vonë mija e mija shqiptarë të pafajshën, në të ashtuquajtunat “gjyqe të popullit” të ngrituna anë e kand Shqipnisë…” l.r.