back to top
5.5 C
Tirana
E mërkurë, 25 Dhjetor, 2024

I pari Njeri… nga Mark Simoni

Gazeta

Mark Simoni te varri i Ndoc Gjetjes
Mark Simoni te varri i Ndoc Gjetjes
I pari Njeri…
nga Mark Simoni

Njeriun e parë me libër, shkrimtarin e parë që kam takuar dhe njohur, që i kam dhënë dorën dhe ia kam dëgjuar zërin, që i kam shikuar librin e ri që sapo e kishte nxjerrë, ka qenë Ndoc Gjetja. Po, po. Ndoc Gjetja.
Në shkallën tonë të pallatit katërkatësh, atje në Lezhë, një kat më poshtë nesh banonte familja e P. Kaçajt, një prej familjeve që shkonte shumë mirë me familjen tonë. Prindërit kishin miqësinë e tyre, dhe ne fëmijët vraponim e rrinim sa tek njëra shtëpi tek tjetra.
Kam qenë 7 a 8 vjeç kur e kam parë së pari Ndocin të vinte tek Prenga, një nga miqtë e tij më të afërt, punonin bashkë në Ndërmarrjen e Grumbullimit, dhe mbaj mend se ata të dy këmbenin libra me njëri tjetrin. Ndoci qe i dobët, i matur dhe i ngadaltë, me një qetësi të jashtëzakonshme, i sjellshëm si një i pafajshëm.

Ndoc Gjetja (1944-2010)
Ndoc Gjetja (1944-2010)

Kam parë se si Ndoci i dhuroi Kaçajt librin e tij të parë, duke shkruar nën kopertinë atë që më vonë e mësova se quhej Autograf. Në një çast Ndoci i tha mikut të tij, se, ai i pati vënë një titull tjetër librit, por ia kishin ndryshuar atje në Tiranë. (Më vonë vetë Ndoci më ka thënë se titulli i autorit ishte “Prezantim” ndërsa botuesit ia kishin ndryshuar në “Rrezatim”).
Dhe që në atë kohë, sa herë që përmendej ndonjë shkrimtar, sa herë lexoja ndonjë libër, sa herë që imagjinoja shkruesin e librit që kisha në dorë, autorin e përfytyroja pak a shumë si Ndocin, madje dhe të veshur pak a shumë si ai, me mangoren e vet të hollë e me mangë të përveshura, thatim e delikat.
Kujtoj që, pasi kisha lexuar librin e vogël “Fati i njeriut” të Shollohovit, (nxjerrë nga biblioteka e tim eti, pa e ditur se ai libër qe i ndaluar), menjëherë rashë në fotografinë e shkrimtarit rus, te një metodë e mësimit të rusishtes. Mihail Shollohovi qe me veshje ushtarake, i mbërthyer deri në grykë dhe me spaleta, grada e shumë medalje. Dhe kjo qe hera e parë që unë mendova se shkrimtarët mund të mos jenë të veshur si Ndoci.
(Në foto, te varri i Ndoc Gjetjes.
Ky është shkrimi hapës i librit tim “Udha fillikate e vetmitarit” me 22 ese, kujtime, biseda te mijat, me Ndoc Gjetjen, këtë poet të mrekullueshëm e të paharruar për lexuesin e mirë shqiptar.)
Marrë nga Muri i FB, Miqtë e Muzgut, 14 shtator 2024

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.