back to top
9.5 C
Tirana
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

I Vdekuri dhe i Gjalli tregim nga Mitrush Kuteli

Gazeta

Prozë dhe Vargje të zgjedhura 1
Kuteli – Prozë dhe Vargje të zgjedhura 1

I Vdekuri dhe i Gjalli

tregim nga Mitrush Kuteli

Na ish njëherë një i mirë me mall e gjë shumë e na bënte dasmën e të birt. E si e kish gaz të parë në derë na çoi e dërgoi mushtullukë më të katër anët, për të ftuar botën. Pa na janë nisur këta mushtullukë, të gjithë trima e të pamartuar, kaluar mbi kuaj të bardhë, nisur e stolisur, me këto kësula mbi sy, me këto riza të gjata varur kuajve, e me këto opinga me xhufka, me nga dy plloska për shoq, në kocaqe, na janë nisur fshat më fshat e derë më derë duke thirrur me gaz të madh:
-Hej! Dëgjoni mbani vesh: Im zot bën dasmën e bandillit e fton të madh e të vogël të vijë e të gëzohet në shtëpinë e tij!
Edhe gjithë kjo botë – i mirë e i lig, i madh e i vogël, burrë e grua – ngrinte nj’ato plloska të rënda, mbështjellë me borzilok e me trëndelinë të thatë edhe uronte:
-Hej! Na u trashëgofshin e na u mplakshin si zgjoi i bletës! Edhe të zon’e dasmës e paçim sa malet!
Pinte pastaj dëng e dëng, me sytë në qiell, që t’i zihet urimi, dhe kur mbaronte fshinte buzët me rizën e qafës edhe rishtas uronte bandillë dhe mushtullukun bashkë:
-Bandilli na u trashëgoftë, Zoti na e bëftë kral e mbret! E me gaz tënd, o trim!
Edhe kështu: fshat më fshat e shtëpi më shtëpi sa s’mbeti njeri pa ftuar në dasmë.
Kur po na ktheheshin këta mushtullukë me zhurmë e gaz te i zoti i dasmës, me arra e gështjenja në torba, njëri që i kish mbetur një pikë verë në plloskë e mbajti kalin pranë një varri, aty mb’udhë, (ku a pat zënë vdekja njerinë) i derdhi verën e i tha këto fjalë, si me të qeshur:
-Pi edhe ti, o i vdekur, një pikë verë se imzot marton bandillë e të fton për dasmë!
E si i derdhi verën e i foli kështu, si me të qeshur, i ra kalit e iku. E si i ra kalit ktheu kokën e thirri:
-O i vdekur! Mos harro se je i ftuar në dasmë!
Pastaj shtrëngoi mamuzet e këmbës dhe hopa-hopa! Arriu në shtëpi të dasmës, ku gazi ish në valomë, si lëmi në mes të Korrikut. Dasma ish në valomë, po dasmorët gjith rridhnin e rridhnin që nga an’e anës ku kishin shkuar e ftuar mushtullukët. E jo vetëm dasmorët por edhe kanisqet: kush me këta deshinj arrokë, me brirë tri herí përdredhur e me mollë të kuqe në majë; kush me këta qype me mjaltë e kush me këto shkel me gjalp’e djathë – sikujt ia deshi puna e radha.
E na ish një gaz e një bukuri e madhe si s’kish parë që shumë kjo botë e murrme! Zjente kjo këngë e kjo valle, majë më majë – burra e gra bashkë, djem e vasha bashkë, si ka qenë nër ato kohë të lashta kur bota s’ish e përçarë. E jo vetëm të rinjtë po edhe pleqtë me xhoke të bardha edhe plakat me linjë të gjata hidheshin e kërcenin si pa gjë të keq, për gazin e bandillit.
Po hidhërime e mëndje të ligë s’kish njeri, se ay që ngre plloskën me gjakun e Tënëzotit edhe që vështron qiellë kur pi verën shikon me vetë sytë e tij Zotin e madh (hej, vëntë dorë e na shpëtoftë!) që kurdisi këtë botë.
Edhe sa për verë gjer aty e ktheu prapë, sa butet ishin ne dera edhe plloskat ne goja: me trëndelinë, me borzilok – e lehtë a e rëndë – si ta desh e bardha zemër. E sa për të ngrënë, s’ka si bëhet më mirë, se qengjet e buta edhe gjahu i egër ish në heje – si ta deshe. Pa vetë ky i zoti i dasmës shkonte oborr më oborr e odë më odë që të vështrojë me syt’e tij si gëzohen dasmorët e të japë urdhërata për mirë e më mirë.
Kur u ngrys e doli ylli, na hapet ky varri që ish atje mb’udhë, ku derdhi mushtulluku plloskën, e na ngrihet ky i vdekuri që ish brenda e na niset për në dasmë. Kish hedhur edhe ay një gunë krahëve, si gjithë bota, e kish vënë një rizë qafës, si dasmor që ish. Na vajti më parë në qilar e na la dhuratën (një trëmbë linjë të hollë si drita e hënës, të nedur në atë jetë) dhe na u ngjit pastaj shkallëve përpjetë.
-Mirëmbrëma, o të mirë!
-Misardhe, të lumtë këmba!
Vajti pastaj drejt ne i zoti i dasmës sikur e kish të njohur prej njëqind vjete dhe e uroi t’i trashëgohet gazi e t’i shtohet fara sa yjt’e qiellit e sa rër’e detit. Ndenj pastaj, si më një anë, pranë dasmorëve. Për të ngrënë nuk hëngri gjë, as për të pira nuk piu gjë, po për të gëzuar u gëzua fort kur pa të rinj e pleq që luanin me shami në dorë. Të tjerët nuk e vinin fare re, se ata kishin gazin e tyre, po ky zot i dasmës e mirrte mëndjen si belcat në dërstilë në e kish parë e në s’e kish parë këtë dasmor që i shkonte drita tej për tej nëpër trup e që binte pak si erë dhé e myk. Tha se pishtari nuk djeg mirë dhe bëri emër që të sillet një krah pishë me shirë shumë, sa u bë kjo botë drit’e gjallë e u mbush me erë shire. Si nuk mundi ta shëmbëllejë as tanithi mblodhi e pyeti gjithë mushtullukët, kur doli të shikojë si vete dasma.
Asnjëri nga mushtullukët nuk e njojti atë mikun se e kish fytyrën si ndryshe e të folurit si ata të vjetrit. Pyeti pastaj i zoti i dasmës:
-Kujt i dhatë plloskën e parë?
-Këtij e këtij, – thanë ata.
-Po të fundit?
-Atij e atij.
Atëherë u hodh e foli një mushtulluk:
-Mua më kish mbetur një pikë verë në fund të plloskës edhe e derdha mbi një varr, aty mbi udhë.
I zoti i dasmës e kuptoi tani se i kish ardhur i vdekuri në dasmë; po si burrë që ish e mbajti veten e nuk prishi zemrën. Se për të ftuar e kish ftuar të vdekurin si çdo tjetër dasmor dhe puna ia donte ta nderojë. Edhe kështu dasma e gazi shkuan përpara, me të vdekurin aty në mes, që s’hante gjë e s’pinte gjë, po vetëm gëzohej.
Përpara se të këndojë këndezi ay miku me gunë e me rizë në qafë, u ngrit e i dha dorën të zot të dasmës (një dorë si të butë) edhe e uroi:
-Gazi t’u trashëgoftë, or mik, ti që më nderove i nderuar qofsh në këtë e nd’atë jetë. Gazi mos t’u largoftë nga dera!
Binte pak erë dhé e myk, si i vdekur që ish, po fjalët e tij ishin të mira si prej njeriu të urtë.
-Unë jam, tha, filani biri i filanit, që kam rrojtur tash e njëqind vjet, po tani m’u shua fara e nami. Rri në filan vend, ku më dërgove mushtullukun që më ftoi për në dasmë. Aty më ka zënë vdekja një natë, se vuanja nga zemra e më pat dhembur fort kur më pat humbur djali në luftë. Kur do kem edhe unë gaz që të gëzohem, do të të ftoj të më vish. Tashi rri me shëndet edhe gazi t’u trashëgoftë.
Si tha këto fjalë miku u bë erë e u firos. Edhe sapo iku, këndoi këndezi i parë.
-Ki-ki-ki!
Pastaj i dyti dhe i treti.
Po kur këndoi i treti, ay i vdekuri kish gjetur vendin e tij e kish hyrë brenda.
Dasmorët e tjerë as që u muarr vesh se kish qënë i vdekuri aty në mes edhe mbajtnë xhengun majë më majë, gjer më të gdhirë, e kur nisnë radhë të re për gaze. Kur të shikojnë në mëngjes kaniskun e atij dasmorit që pat ardhur e ikur natën panë me të vërtetë një gjë që s’e ka bërë dorë njeriu në këtë botë. Se kjo trëmba e linjtë ish kaq e hollë sa ia shkonte merimnagës edhe qëndisur me fije të arta e me thërrime gurë që ndritin si dielli.
Shkoi sa shkoi edhe këtij të mirit puna na i vinte bukuri, sikur gjithë urimet e botës i pat dëgjuar me vesh vetë Zoti. E si i dëgjoi i plotësoi jo me thërrime, po me grushte plot. Kish mall e gjë të gjallë sa s’ia dinte numurin. Këtu arat e tij një kalli një killë grurë – aty stanet e tij, përtej të gjithë të tijat, me këto pëlleja qumështore e lesh të rudë si jo tjetër.
Edhe kaq s’ish asgjë. Po i kish falur Zoti kësaj bote një dashuri, një duajmë të të dua! – si nuk ka patur në botë. Atyre moteve s’kish të pasur e të vobektë veçse me fjalë, se për të rrojtur gjith’ bota rronte si në gji të Perëndisë e me vëllazëri si një një.
Ky i miri, i zënë nanithi me punë, si rob, e harron atë mikun e dasmës që e pat ftuar përtej… E si na e harron, më t’ngrihet e i dërgon ay vetë një mushtulluk natën e i thotë: -Filani, bir’ i filanit, që e ka varrë mbi udhë, të fton t’i vesh për gëzim si mik, ashtu si e kini bërë me fjalë natën e dasmës.
Tha të vejë ky i miri, po prapë e vonoi se kish punë shumë: kur të korra, kur të shira, kur të mbjella e kur me gjë të gjallë.
Nisi e i çoi ay miku një tjetër mushtulluk që t’i thotë se po e presin. Po ky nuk vajti as kësaj radhe. Shkoi sa shkoi kështu nër të mira gjera namëta ardh e u ndryshua moti se zunë luftëra të mëdha e gjaku u derdh si lumë. Se njerëz të ligj me sy të vegjël si të uriqit e shpata dhimisqi në dorë, u derdhnë mbi këto vise, sa buçiste bot’e tërë nga ulërimat e nga vajet.
Bandilli e fëmija ishin mirë, po dhembja e botës e madhe fort. Shkoi pastaj edhe vetë në luftë ky imzot edhe si i theu të ligjtë u kthye për në shtëpi. Ka qenë asohere një natë me hënë të plotë e një bukuri e madhe, lart mbi këto male e poshtë mbi fushë. Po të gjitha këto s’kish si i shikonte imzot se e kish shpirtin të helmuar fort e trupin të lodhur.
E si shkonte kaluar, me hijen aty pranë, ja se ku arriti ne varri që ish aty mb’udhë, ku rrinte ay miku i dasmës. – S’bëra mirë, foli vetë, s’bëra mirë që s’i ardha këtij miku kur më ftoi në gazet e tij. – S’bëre mirë vërtet… sikur i foli dikush aty pranë. Ktheu kokën të shikojë kush foli, po nuk pa njeri. Vetëm një hije shpesi – si hije bufi – shkiti me të nxituar aty përsipër. Ky i miri nisi të përtypë tani mendime të shumta: mos këto të liga i ardhë se nuk i vajti mikut, mos i ngjasë gjësend bandillit e sa e sa të tjera. Aty për aty kuturisi: i zbriti kalit edhe vajti drejt e ne varri. Cicërinin gjithë këta shpesë nëpër degë edhe gjithë bulkëzat e karkalecët e barishtave u mbanin zënë:
U mbanin zënë e flisnin kur e kur, në gjuhë të tyre:
– Kriu, po shkon i gjalli ne i vdekuri!
– Fiu! Po pret i vdekuri të gjallin!
Po ky i miri frikë s’kish, se kish luftuar si burrë me hark e me shpatë e se ay vetë kish vendosur të vejë ne miku që e kish ftuar.
Edhe trupi e shpirti i tij ishin të brengosur fort. Kur hëna ish ngritur lart në kuben e qiellit, shërëmtiu edhe i ra gurit tri herë me shkop edhe foli:
-Dëgjo vëlla! Unë të ardha tani, si e patmë fjalën.
Menjëherë hëna u shua e varri u hap.
E si u hap varri u kurdisnë tatëpjetë ca shkallë të bukura – mermer i bardhë i shtruar me qilime – edhe i doli ay miku përpara edhe i foli:
-Misardhe, o vëlla.
Rrodhë pastaj të tjerë të mirë që anembanë, duke shkitur lehtë mbi barin e gjelbër edhe i thanë fjalë të mira në gjuhë të ndryshme. Vendi ku rrinin ish fushë e bleruar, me pemë të lulëzuara për gjithmonë e me ujra që ndritnin si engjervia. Fluturuan së bashku, të lehtë, si mëndja, përmbi degët e qershive të ngarkuara me lule, gjer lart në qiellin e kaltërt. Zbritën pastaj poshtë e shëtitën krua më krua, ajazmë më ajazmë, hije më hije. Ishin të lumtur fort edhe i kishin zemrat fort mbushur me aq gaz, sa kurrë s’i shkonte ndër mend se do të ketë ky njeri. I vajti në mendja një grimë për bagëti e stane, si në botën e të gjallëve dhe, namëta, u gjend në pyje të veshur e që atje në ca stane bukuri e madhe.
Blegërinin këto bagëti e tingëllonin këto zile – si falë i qofshim Zotit që na i fali! Ndenji këtu ditë pas dite e nuk ndahej dot. Sepse koha rridhte pa vënë re, si uji ndënë ujë. E duke u sjellë në fluturime arrinë, së bashku me atë mikun, në një si lumë të kaltër si s’kish parë kurrë në botën e këtejme. Shpirtet e lumtur që silleshin mbi të ishin të bardhë si argjendi i larë, e gjith’ të bardhë ishin edhe ata që shkuan nëpër ujë. Qëndruan që të dy anës edhe vështruan bukurinë që buronte atje ku Zoti ka stisur fronë e tij. Miku i foli:
-Që të shkojmë përtej ti duhet të lësh trupin këtu anës. E la edhe u ndje aq herë i lumtur sa fletë kishin të gjitha pemët e atij vëndi. I tha këto mikut e ay foli:
-Kur do kalojmë përtej do jesh aq herë më i lumtur sa yjëz ka qielli. Edhe qielli kish me të vërtet mizëri yje… U suall edhe këtu mbi ujërat e kaltra e brenda tyre. Edhe trupat e tyre ndriçonin si argjendi i kulluar. Pastaj me të vërtetë u shtuan përtej gazet edhe lumtëritë. Shkuan kështu shumë ditë gjersa u kthyen prapë mbi lumë, ku ky i miri kish lënë trupin.
-Ç’është kjo gjë e shtrirë aty mbi barishte? – e pyeti atë vëllanë.
-Ky është trupi yt, që të lidhmë e që të errëson lumtëritë. S’di si u bë pastaj edhe u gjend i veshur me trupin e tij. Ish edhe tani i lumtur, po si pat qënë ndër ato ujra e fusha përtej, jo. Ndenj sa ndenj edhe atje pastaj i ra ndër mënt kjo botë këndej bandilli edhe shtëpia – edhe tha të niset.
-Rri ore, atje më s’ka as gjurmë nga jeta që di ti, se u ndryshua krejt bota qëkur ke ikur.
-Si kështu, unë pak ditë kam që ika….
-Puna s’është me ditë. Ti pas atij vendi ke pesëqind vjet që ke ikur. Këtu koha rrjedh shpejt se jemi të lumtur, atje ngadalë se jini të mjerë.
Sado që i foli, sado që iu lut, – ky nguli këmbë të kthehet, nga malli i kësaj bote me helme dhe u kthye. Ka qënë asohere gjith një natë me hënë të plotë edhe si dikur bulkëzat edhe karkalecët cicërinin në gjuhën e tyre.
-Kriu! Del i gjalli nga i vdekuri.
-Fiu! S’e njohin të gjallët të gjallin.
Si doli nga varri e ndjeu veten të rëndë fort, se e lidhte të rëndët e tokës. I ardhi keq, po s’kishte ç’të bënte. Kërkoi kalin që kishte lënë kur hyri në varr, po nuk e gjeti.
-Kali, tha me vete, ka marrë udhën e shtëpisë. I dukej sikur e pat ndarë dje prej kësaj bote, se hëna ish gjith’ po ajo hënë e mali po ay mal. U nis për në shtëpi, me mallën  e njeriut të mërguar.
Kur shkrepi dielli mbi male u gjend në një vend të panjojtur. As gjurmë nga shtëpia e tij e nga muret që e rrethonin. Tani atje ku kish patur arat e vreshtat kish mizëri shtëpi, me rrugë të shumta e me njerëz të veshur ndryshe. Edhe jo vetëm të veshurit po edhe të folurit ish ndryshuar. Ay çuditej me ta edhe ata çuditeshin me të.
-Dua, tha, shtëpinë time.
-Si ta thonë emrin ty?
-Ja, kështu më thonë, edhe u tregoi emrin.
-Ne njeri me këtë emër s’kemi, po haj të vemë të pyesim një plak. As plaku s’i kish dëgjuar emrin. Vajtnë ne një tjetër e pastaj ne një tjetër gjersa gjetnë një që mbante mënd që nga gjyshi.
-Ay tha plaku, nuk rron më, ka pesëqind vjet që ka vdekur në luftë duke mbrojtur vendin.
Pyet këtej, pyet andej, gjeti gjurma nga nipstërnipët e tij. Të tjerë ishin ngritur nga ky vend e kishin kaluar male e dete, që të mbeten të lirë. Ata që kishin mbetur, ishin ndarë e përçarë e vriteshin shoq me shoq. As gjurmë nga gazet e lumtërit’e së kaluarës. U thye prapë ne varri i atij mikut, gjithë në një natë me hënë plot po varri nuk u hap si u pat hapur dikur. Shërëmtiu e qau, qau e shërëmtiu – po asnjë nuk do ta ngushëllojë.
I lodhur e i kapitur ra në tokë me një gur ndënë krye edhe fjeti. Natën e bardhë iu qas edhe i foli:
-Nuk të pata thënë, o vëlla, mos kthehesh në këtë botë të lotëve?
Dhe zëri i tij ish i trishtmë dhe të pamët e tij të brengosur.
-Më merr, vëlla, atje ku je ti, – i foli ky. – Bëmë atje shërbëtorin e shërbëtorëve, po vetëm të shoh edhe një herë me sy ujin e kaltër të atij lumit.
Edhe miku i foli:
-Vëlla, atje s’ka zotër e shërbëtorë. Atje ka vetëm shpirte të lumtur. Unë, për atë pikë vere që i derdhi mushtulluku këtij varrit tim të grisha. Po të kishe dashur do të kishe mbetur përgjithmonë. Tani s’ke se qysh kthehesh përveç se me rrugën e së mirës. Ngrehu e hyr në jetë dhe më vonë kam për të ardhur të të marr. Kur u zgjua, kish rënë dielli mbi male. U ngrit e zbriti tatëpjetë, i huaj midis të huajsh. Dalngadal filloi ta dashurojë përsëri këtë jetë kaq të hidhur e kaq të ëmbël! Dhe u martua përsëri e nisi radhë të re.
Këtu fillon një tjetër rrëfim që është shkrojtur në një tjetër libër që nga fjala e parë e gjer ne fjala e fundit.

Mitrush Kuteli (1907-1967)
Mitrush Kuteli (1907-1967)

Skeda Mitrush Kuteli (Dhimitër Pasko)

Dhimitër Pasko, i njohur me pseudonimin Mitrush Kuteli, lindi më 13 shtator 1907, në Pogradec, dhe vdiq më 4 maj 1967, në Tiranë. Ka qenë shkrimtar, përkthyes dhe ekonomist shqiptar nga Shqipëria. Shkroi nën pseudonimet Mitrush Kuteli, Izedin Jashar Kutrulia dhe Dr. Pas. Mësimet e mesme i kreu në Selanik, kuse të lartat në Bukuresht, ku më 1934, mori titullin “Doktor i shkencave ekonomike”. Më 1942, u kthye në atdhe, ku punoi në fillim si ekonomist dhe më vonë e derisa ndërroi jetë, si përkthyes.
Mitrush Kuteli është njëri prej prozatorëve më të shquar të letërsisë sonë, ushqyer që në fëmijëri me legjendat dhe baladat e Jugut, sidomos me ato të malësisë së Pogradecit, qytetit të lindjes së tij. Duke njohur thellë edhe letërsinë botërore, ai arriti të krijojë një prozë realiste origjinale, të fuqishme, me një fantazi të jashtëzakonshme. Vepra e tij ishte e ndaluar apo gjysmë e ndaluar dhe s’u botua e plotë deri në vitin nëntëdhjetë, kurse në faza të ndryshme kohe as u mësua e as u fol për të. Ky, në të vërtetë, është fati i shkrimtarit, i cili nuk iu përshtat asnjërit nga dy sistemet e Shqipërisë: Monarkisë e Komunizmit… po dhe të dy sistemet nuk e duruan atë si njeri të kulturës e të fjalës së lirë.
Mitrush Kuteli është autori i parë shqiptar që botoi vëllime me kritikë: Lasgush Poradeci (1937) dhe Shënime letrare (1944). Kritika e tij letrare shfaqet në trajta të ndryshme: shënim, recension, studim e ese. Dy studimet e tij më të njohura për letërsinë shqipe janë ai për poezinë e Lasgush Poradecit dhe ai për poezinë e Fan S. Nolit.
Mitrush Kuteli, bashkë me Ernest Koliqin, është themelues i prozës moderne shqipe dhe njëri ndër autorët më të njohur të modernitetit shqiptar. Madje, ka mendime që Kutelin e shohin bashkë me Lasgushin si autor themelor të gjithë letërsisë moderne shqiptare. Rreth dyzet vite pas vdekjes, më 27 shtator 2002, me dekretin nr 3478, me propozimin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dekorohet nga Presidenti i Shqipërisë, me dekoratën e nderit të Republikës së Shqipërisë: Urdhri “Mjeshtër i Madh i Punës”

Dhimitër dhe Eftipi Pasko
Dhimitër dhe Eftipi Pasko

Dhimitër Pasko, vargje nga burgu

Eftipi Skëndo ishte një nga vajzat më të bukura në Korçë. Punonte mësuese në gjimnazin e qytetit. Dhimitër Pasko, ose siç njihet Mitrush Kuteli, ishte ajka e elitës së qytetit. U martuan në 1946 dhe patën kater fëmijë.
Një vit pas martesës, në 16 maj 1947, Mitrush Kutelin e burgosën dhe e dërguan në kampin shfarosës të Vloçishtit në Maliq. Prej andej Kuteli i shkruan gruas një poezi ku i kërkonte të largohej nga ai. “Kaq afër jemi, por kaq larg,/ Të lutem mos më prit/ Na ndajnë terre rreth e qark/ Dhe yll për mua s’ndrit”… por çifti nuk u nda.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.